Nga
Fritz RADOVANI:
GRUPI I
PROFESORËVE ELBASANAS NË
SHKODER
Në
45 vjetorin e “Revolucionit Kultural”…
Asht shumë e vështirë me mbetë në kujtesën e brezave të
ardhëshme dhe me u besue ajo tragjedi aq e madhe që ka ngja per 47 vjet në një
vend aq të vogel sa asht Shqipnia! Vetem në një sistem komunist të tipit
stalinist oriental mund të mendohet me gjetë agjenta që janë të lindun me
prishë e me shkatrrue gjithshka që asht e mirë e perparimtare per shtetin e
tyne.
Mbas vitit 1946 në Shkoder
kishte mbetë vetem Gjimnazi i Shtetit, në të cilin mbas vitit 1949 perfshihej
edhe shkolla e mesme pedagogjike, ku mund të vazhdonin shkollen vetem ata
nxanës që konsideroheshin të “deklasuar” dhe që nuk lejoheshin me shkue në
shkolla te tjera...
Në vitin 1949 erdhi në
Shkoder kryetar i degës së mbrendeshme terroristi Hilmi Seiti, i cili, porsa shkeli
në token e zharitun, i dergon një kerkesë ministrit të ri të mbrendshem, Mehmet
Shehut, me të cilen i kerkon: “Me që në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda
antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100
(njëqint) konviktorë nga Jugu”... (Arkivi i M.M.Tiranë). Perveç 100
konviktorëve që do t’i sherbenin sigurimit të shtetit, drejtor i Gjimnazit vjen
nga Korça amorali Skender Villa, i cili në vitin 1945 asht kenë hetues në degen
e Korçës, punë që e vazhdon me perkushtim ndaj kolegëve dhe nxanësve të Gjimnazit
te Shkodres. Bashkë me té janë edhe disa mësues të atij qyteti, por kurrë në
modelin e drejtorit katil të porsaardhun...
Në vitin 1952, kur unë
detyrohem me vazhdue shkollen pedagogjike, që ishte nen një kulm me gjimnazin
dhe me një drejtor të perbashkët, vijnë në Shkoder një grup pedagogësh nga një
drejtim tjeter, jo ma nga Korça, po nga Elbasani. As sot nuk dij me tregue as
kush i solli, as pse i sollen këta pedagogë në Shkoder, mbasi koha e sherbimit
të Tyne kje mjaft e gjatë.
Në vitin e dytë nga ky
grup ishte Prof. Roza Bebi, që na mësonte histori dhe gjeografi. Ajo ishte
moshë e re, por një vajzë e nderueme, që respektohej nga të gjithë per
qendrimin e Saj. Një tjeter mësues i këtij grupi në moshë të re, që na mësonte
rusisht në vitin e tretë, ishte Prof. Ndriçim Gjata, i cili ishte edhe
kujdestar i klasës sonë. Djalë serioz, kerkues dhe fjalëpakë...
Hyn një orë në klasë, ban
apelin dhe ngriti një nxanës tek tabela...Ai vetë erdhi nga fundi i klasës dhe
u ulë në banken ku ishe unë vetem mbasi mungonte shoku i bankes atë ditë... M’u
afrue tek veshi dhe më tha këto fjalë: “Kjo është ora e fundit që bëjmë
sëbashku mbasi jam transferuar dhe do iki nga Shkodra. Më vjen shumë keq per
disa nxënës që po shkëputem. Shiko, Radovani, ruaju fort dhe tregou i
kujdesëshem, mbasi drejtori Villa kerkon per të bërë keq!”
U topita nga fjalët e tij,
mbasi kater vjet perpara ky drejtor kishte arrestue vllaun e madh, që u dënue
tetë vjet burg, vllaun tjeter e perjashtoi pergjithmonë nga shkolla me
motivacionin “nuk pajtohet me frymen e shkollës së re”, pra, edhe unë ishe në
pragun e një vendimi të tillë.
Në vitin e dytë (1953) një
tjeter Prof., Abdyl Kajanaku, na mësonte psikologji dhe landen kryesore, até të
pedagogjisë, me të cilen vlersohej dhe aftësia e jonë per mësues. Ishte ma i
moshuemi i grupit të profesorëve të Elbasanit, por me heshtjen e Tij jepte me
kuptue shumë. Në dukje jepte pershtypjen se nuk kishte shoqni me profesora
tjerë, po në të vertetë shihej ma shumë se të tjerët me personelin shkodran, me
të cilët ndonjëherë shihej edhe në Fushen e Qelës.
Në vitin e tretë dy landet
e pedagogjisë (teori dhe praktikë) na i jepte Prof. Gani Daiu, që njihej si autoritar
dhe shumë i aftë. Kur fliste, dallohej në perdorimin e Gegnishtes së Elbasanit.
Në fund të vitit 1955 shkolla Pedagogjike u nda nga Gjimnazi dhe në maturë na
shkueme në një ndertesë perballë ku deri atëherë grumbullohej drithi. Me né
erdhi edhe grupi i profesorëve të Elbasanit, prej të cilit Drejtor i shkollës
Pedagogjike u emnue Prof. Gani Daiu.
Vendi ku rrotulloheshin
karro e qerre me drithë do të kthehej në shesh sportiv e mbrendë ambjenti duhej
transformue nga magazina në shkollë...Per ambjentin e mbrendshem u ngarkue
Prof. Lazer Kakarriqi, dhe per ambjentin e jashtem Prof. Esat Haxhi, dy
profesorë të cilët do të mbesin të paharrueshem per brezat që ata vite ishin
nder bankat e asaj shkollë. Me Prof. Lazrin u ngarkuem me punue një grup
studentash që mbetem miq të perjetshem, Isa Alibali, Ferdinand Paci, Gjildo
Haxhia dhe unë. Mbrenda dy tre muejsh ambjenti u kthye në një shkollë model. Po
e njajta gja u realizue edhe në ambjentin rrethues perjashta.
Landen e marksizmit na e
jepte sekretari i PPSh së shkollës, Prof. Enver Thanasi, i ardhun nga Vlona.
Ishte personi ma i lidhun me komitetin e rinisë së shkollës, ku sekretar ishte
nxanësi i klasës s’ime Bep Jubani. Kishte tre vjet që ishte antar i komitetit
të rinisë së shkollave.
Në muejn maji, pak javë
para mbylljes së vitit shkollor, Prof. Thanasi gjen një moment dhe organizon
një mbledhje bashkë me sekretarin, Bepin, “me më thye mue dhe Eduard Çiurçisë
nga një notë në sjellje, pse u qeshem...në oren e marksizmit...” Po mos t’ishte
kundershtue propozimi nga Luçije Abati, dhe sikur gjithë kolektivi i klasës mos
të mbante krah nga qendrimi i saj, edhe sot nuk do t’ishe me dokument mature e
kushedi ku ishte fundi! As këshilli pedagogjik nuk e pranoi propozimin e tyne,
që si argument kryesor perdornin “biografinë” tonë.
Perfundoi viti shkollor
dhe shumica iken nder fshatra. Bepi me disa “konviktorë” shkuen me studjue
jashta shtetit, në Moskë dhe në vende të tjera socialiste... Vitet ecnin si
gjithnjë!
Me rasen e 10 vjetorit të
maturës, në vitin 1966, unë përgatita një ekspozitë personale, me rastin e
grumbullimit të shoqnisë sonë shkollore në shkollen pedagogjike, traditë që
vazhdohet edhe sot nga ishstudentët e atyne viteve. Fjalen e hapjes e mbajti
Ferdinand Paci.
Një ditë ma parë, pra me
datën 24 Qershor të 1966, tue kalue kah Kafja e Madhe, po shoh një burrë me
kapelë republika të ndalun tek blini përballë hymjes. Kur u afrova afër shoh se
ishte Prof Ganiu, që kishte ardhë nga Tirana për takimin tonë tradicional dhe
po fliste me Bep Jubanin. Kishte plot 6 vjet që ishte trasferue në një shkollë
teknike atje. Prita sa u nda prej Bepit dhe mbasi u përshëndetëm, me kërkesën e
Tij, hyme me pi nga një kafe. Porsa u ulëm më pyeti për Bep Jubanin. I thashë
vazhdoj mos me folë me té që nga mbledhja e fundit të vitit të maturës. Atëherë
Prof. Ganiu hapi një histori të vitit 1956, kur isha maturant. Aso kohe Ai
kishte pasë një të njohun të vetin oficer në degën e mbrendshme të
Shkodres, që e kishte thirrë në degë dhe i kishte kërkue mendim si drejtor
shkolle, nëse mundej të ishte e vërtetë kjo deklaratë e lëshueme nga sekretari
i rinisë komuniste të shkollës, Bep Jubani? – Ky e kishte lexue: “Traktet e
hedhura këto ditë në shkollën Pedagogjike, mendojmë se janë shkrue nga Federik
Radovani, mbasi ai ka shkrimin e bukur dhe të ngjashëm me këte të trakteve.
Njëkohësisht dy vëllaznit e tij, janë përjashtue nga shkolla se nuk janë pajtue
me frymën revolucionare të shkollës sonë. Alfonsi edhe asht burgosë, sepse
bante pjesë në grupet antikomuniste reaksionare...etj. Maji(?) 1956.” Në fund
kishte firmue Bep Jubani. Prof. Ganiu ishte pergjegjë: “Jo, kurrë nuk e ka bërë
Fritzi këtë, jo! Unë e njoh mirë dhe ju garantoj se ai nuk është aq i papjekur.
Domëthenja e kësaj deklarate ka lidhje me një kurdisje të Bepit me prof. Enver
Thanasin, dhe ka të bëjë me një keqdashje të tyre ndaj Fritzit. Bepi ka punuar
shumë për të eleminuar këte njëri, ai edhe tek unë ka tentuar të më bind per
gjëra të tilla...Fritzi nuk është i tillë. Ai është ndër nxënësit më të
përgatitur dhe të rregullt të shkollës, për këtë ju garantoj unë e po qe nëvoja
këto fjalë i thëm edhe më lart!”
Ky ishte Prof. Gani Daiu nga Elbasani perballë një
agjenti sigurimi nga Shkodra!..
Ata Mësues nga Elbasani ishin edhe prindët tanë, po edhe
dashamirë të pashoq!
Melbourne, Gusht 2012.