31 December 2011

E KANE ZGJEDH UJKUN KRYETAR- Fabul


E KANE ZGJEDH UJKUN KRYETAR

Nga Kol Shkodrani

Një ujk e do gomarë
Rrinë bashkë në një hambar
Rrinë bashkë në "miqësi"
Karkacul në një parti.

Siç thamë, me një fjalë
Një tufë me buzëbardhë
E kanë zgjedh ujkun kryetar
Kryeparë në hambar.

Nuk guxon ndokush të flasë
Nuk guxon ndokush të pallë
Sepse ujku që kanë zgjedhur
U thyen dhëmbë e dhëmballë.

Të shkretët ata gomarë
U shkon shurra nëpër shalë
As të ikin nuk i lënë
As të zgjohen, as të flënë.

Sepse pak po ngritën zanë
I shqeu ujku të tanë
Se është ujk shpellor azie
Mbjellë e pjellë kësaj nahije

Nëpër skërrka e korie
Trupmadh e fytyrzi.
Thonë antarët buzëngri:
"Na shpëto, o perendi

Se të shkretët na, buzëbardhë
Ma nuk zgjedhin ujk kryetar
Sikur qielli të rroposet
Edhe bota krejt të soset.

Veç të shpëtojmë...Oi,oiii
Prej këtij ujk, këtij faqezi
Që si gjëndet shoku tjetër
Veç diku në bot të vjetër.

Një të tillë egersinë
S’kishim parë që jetë e mot
Një çakall do të qe ma i mirë
Zot, o zot, na shpëto sot!

Sepse nesër, a pasnesër
Ujkut do ti vënë fshesën
Do ti vëmë një kusht të randë
Do ti vëmë dhe një gjobë.

Do ta çojmë në psikiatrik
E atje të flasë me vete
Tanë njerëzia le ta shohë
E të gajaset me këtë zgjebe…

Por sot, ah, sot
Na shpëto, o perëndi
Se mbarë bota po gajaset
Na quajnë popull zoologji!"

Siç e shihni, këta buzëbardhë
Veçse llomotisin fjalë
E këto vetëm me vete
Ndryshe i bëri ujku pelte.

Këta kur janë në opozitë
Dinë ti fshehin mirë turinjtë
Por kur hipin në pushtet
Pallin vençe për ibret.

Mjer ti, popull shqiptar
Qofsh fshatar a katundar
Që në parlament të vendit
Zgjedh gomarë buzëbardhë.
 

Këtu lulëzojnë 100 parti
100 ujq kanë në kryesi
Me gomarë në parlament
lumë si ti, moj Shqipëri!


Në vazhdosh kështu, o popull
Ulu, ven samarin vetë
Se me ty po po tallet bota
Tjetër rrugë nuk të ka mbetë.

23 December 2011

LULËZIM BASHA MES KADARESË DHE AGOLLIT- nga Riza Lahi




LULËZIM BASHA MES KADARESË DHE AGOLLIT
 
Mu në pikun e “Betejës për Tiranën” mes Ramës dhe Bashës – që të dy politikanë që nuk i përkasin “shtresës së tmerrëshme të politikanëve”, njëri i “sponsorizuar” nga Nano e tjetri nga Berisha, befas u dëgjua një këshillë nga gjiganti botëror i letrave, Ismail Kadare. Ai e këshilloi publikisht djaloshin Basha që të tërhiqej nga gara. Përse e bëri Kadare këtë? Ndonjë analist e ka spieguar këtë qëndrim të Kadaresë me ndonjë kalkulim të kujdesëshëm që duhet të ketë bërë ai. Ramën e solli në sofrën e politikës Nano. “Djali i Nanos”, e duroi sa e duroi “padren” dhe, më së fundi, i tha “më je bërë si Robert Cemcakizi”. Kështu nisi beteja e hapur mes atij që gëzohej publiksisht dikur se “më vjen hstoria pas” dhe se “ është fitore e madhe se, më së fundi, edhe ne krijuam shtresën e politikanëve profesionistë” dhe”djalit plangprishës”, atij që dikur sorollatej si bohem nëpër Paris.
Të ketë menduar Kadare që Basha të bëhej “djali plangrishës i Berishës”? Që, një figurë karizmatike si Dr Berisha, që dha sa mundi për vëndin dhe politikën shqiptare postkomunsite por që, tanimë e ezauroi veten dhe duhet të largohet? Se, dorëheqja nga gara e Bashës e propozuar nga Kadare, do të kishte përshpejtuar aktin e Berishës prej “Burri shteti” , siç e cilësoi fort bukur ambasadori amerkian Uidhers atë. Dihet që vetëm burrat e vërtetë të shtetit japin dorëheqjen, dijnë ta japin atë në kohën e duhur, në vëndin e duhur, qoftë kur kanë defekte në punë, apo, qoftë edhe kur njerëzit përqark nuk e kuptojnë atë, ani se punon mirë.
Ok. Gara vazhdoi.
Në të vërtetë, Basha bëri një garë të paparë në Shqipëri, por jo në botë; mbase ajo lloj gare është krejt normale në botën e qytetëruar. Personalisht ne kemi patur rast të intervistojmë kryetarin e qytetiti 300 000 banorësh përtej , në Anadoll, në Simav – Tuqi; i një force të djathtë.
“Nuk kam patur asnjë sulm personal nga rivali im sepse as unë nuk i kam bërë asnjë të tillë atij”, tha ai kurse, pyetjes tjetër, nëse kur të vijë puna ta zëvendësojë opozitari “a do ta spastrojë ai aparatin e bashkisë për të vënë të vetët”, iu përgjgj ashtu: “Nuk besoj…Shumë, mund të heqë një a dy, por jo më shumë. Unë nuk hoqa asnjë…”
Kësi soj tingëllon qëndrimi i zotit Basha kur u betua. Sigurisht që ,ai është një djalë i kulturuar, rritur mes Tiranës, jo nga ata halabakët - “politikanëve profesionistë”që ndërojnë deri edhe rojat, pastrueset e që na i kanë kthyer militantët e partive të veta ta shikojnë njëri tjetrin si sërbi kosovarin apo anasjelltas..
Por, të kemi parasysh që Basha kishte, krahas anëve të tija positive personale, edhe “tre kartela dispencerie” kur konkuroi me Ramën – punën e rruges së Kukësit, ujrave me grekët dhe 21 janarin. E vetmja mënyrë e mundshme për të siguruar simpatinë e njerëzve ka qënë ajo që ndoqi ai. “Ramën nuk e kemi armik”…”ka punuar jo keq, mirë, por në fillim…më pas…”, etj.
Fillpas erdhi dita e betimit. Duke kërkuar edhe ndihmën e Zotit, Basha foli gjëra shumë të bukura. Pra. Ai nuk do të nisë fushatë spastrimesh në aparatet e Bashkisë së Tiranës. Do të presë personalisht njerëz gjatë javës, derisa të mbarojnë të gjithë dhe se do t’i konsiderojë të gjithë vëllezër dhe të barabartë, se do të kenë përkrahjen e tij të gjithë, deri edhe te egjiptianët dhe romët.
Kjo gjë e ka entuziazmuar pa masë edhe vetë patriarkun tonë, Dritëro Agolli. Ai ka parë tash sa vjet demokraci, se si hiqen njerëz pa paralajmërim nga puna dhe për hir të bindjeve partiake, dhe ka thënë me vete, “po shyqyr Zotit, more, që dolli një. Dale ta marr edhe në telefon…” dhe, brënda ditës, pa pritur as nja dy a tre muaj, a, së paku dy a tre ditë, e ka përgëzuar.
Ndrysh nga Kadareja që e bëri kërkesën e tij jo në telefon, por ashiqare, i madhi Dritëro Agolli, e bëri urimin në telefon.
Mendojmë që zoti Agolli, kur ta përgëzojë zotin Basha edhe në shtyp, siç bëri Kadareja, duhet ta plotësojë tabllonë e përgëzimeve tamam. Pse të mos e përgëzojë ai edhe zotin Sali Berisha, pa këmbënguljen e të cilit, Basha , jo vetëm që nuk fitonte kurr, por as kandidaturën nuk e vinte dot. A? Opozita ul e ngrë zotin Rama si të ishte ai , jo beniamini i Berishë, por vetë Berisha i ri. Kështu, apo jo?Atëherë, a nuk i takojnë një pjesë e përgëzimeve edhe zotit Berisha, se mbeti duke e sharë opozita? A nuk do të qe normale, që I madhi Dritëro Agolli t’i shkruajë edhe të madhit Kadare, a ta marrë në telefon, e t’i thotë, more, po ç’qe ajo këshillë që i pate dhënë atija djalit, o Ismail? Merre ore, në telephon e përgëzoje Bashën edhe ti, se nuk humbet gjë. Madje ç’të fitosh ndonjë gjë. Dy jetë nuk i ka njeriu, Ismail , dëgjomë mua, se gjatë jetës sonë , sado miq të vjetër që jemi, edhe jemi ngrënë kot më kot nganjëherë. Dëgjomë mua, kësaj radhe.
Nuk do të qe keq që Agolli ynë i madh, t’i telefonojë apo thotë ndonjë fjalë të ëmbël edhe zotit Ristani ( se opozita desh e nxori të sëmurë nga…), edhe komisionit qëndror të zgjedhjeve, që, u bë ç’u bë, hajt ma…iku ajo punë. Hallall për tëra ato sakrifica që kini bërë, hallall, hallall, të tërë se, shaj e bot, juve… më kot…kësmet mot…shyqyr o Zot…
Na sollët një djalë të mirë që të mos na krijojë probleme kioskash e dënglash nëpër Tiranë…
RIZA LAHI
Botuar te “Tirana Observer” rreth dt 27 korrik 2011

18 December 2011

PERO KAÇAUNI—NJË FOTOGRAF MIDIS DARDHËS DHE BOSTONIT

dega-e-vatres-ne-boston-1912-ark-vilo.jpg

Dega e Vatres ne Boston, 1912-Ark. V.Ilo

PERO KAÇAUNI—NJË FOTOGRAF MIDIS DARDHËS DHE BOSTONIT

Nga Qerim Vrioni

Ky shkrim, siç kuptohet dhe nga titulli, bën fjalë për fotografin, Pero Kaçauni, i cili veprimtarinë e tij e ka zhvilluar në skajet e segmentit gjeografik,“Dardhë-Boston”. Pra, ai e ka filluar fotografimin në vendlindjen e tij (Dardhë), një fshat malor shqiptar, dhe ushtruar e përfunduar në një qytet të madh amerikan (Boston, SHBA), atje ku dhe prehet përjetësisht. Kështu, ai fotografoi në dy vende shumë largë njeri-tjetrit, por edhe mjaft të ndryshëm midis tyre.

Për të përgatitur këtë artikull kam pas në krah ndihmën e miqëve koleksonistë, Vangjo Ilo, Sotir Laço, Niko Kotherja, Adriana Stefani-Kuruni. Ndër ta, i pari, Vangjo Ilo, i ndarë nga jeta para pak kohe, me bujarinë e tij tipike, mbetet burimi kryesor i të dhënave të mija mbi Fotografët e Dardhës. Madje, si rrallë koleksionistët (ishte ndër më të njohurit e tyre në vend), më ka ofruar me fisnikëri të veçantë gjithçka kishte dijeni për Dardhën, Fshatin e Fotografisë. Dhe ai dinte shumë për të dhe kishte jo pak fotografi e objekte nga fshati, ndonëse ishte larguar prej tij qysh fëmijë. Me këtë rast, shpreh keqardhjen e thellë për shuarjen e Vangjo Ilos dhe, mirënjohjen e përhershme për të.

Me mbështetjen e dashamirëve të mësipërmë, nisa të “plotësoj” me foto të reja (për mua, se mosha e tyre vërtitet nga 60 në 100 e ca vjet), albumin Kaçauni, fillimisht në folderin e tij në kompjuterin tim, më pas në letër fotografike. Kqyrja me vëmendje e tyre më nxiti të shkruaj këto rradhë për të. Në të vërtetë, për Pero Kaçaunin (bashkë me Thimi Racin) kam botuar para 2-3 vitesh një shkrim me titull “Dy fotografë të hershëm dardharë“, atëhere kisha përpara vetëm 2 ose 3 foto të tij, sot diçka më tepër, por gjithsesi, shumë më pak se krijimtaria e tij e bollshme dhe kohëgjatë. Sidoqoftë, kam bindjen se shqyrtimi me kujdes i tyre lejon të arrihet një “vizatim”, ndonëse jo shterues, i jetës dhe veprës së këtij fotografi. Pero Kaçauni, pamëdyshje është pjestar i dalluar i shejzës së njohur të Fotografëve Dardharë të qintëvjeçarit të parë të fotografisë shqiptare, “kohës së artë“ të saj.

kuvendi-i-vatres-1920-ark-vilo.jpg

Kuvendi i Vatres, 1920-ark. V.Ilo

Pero (emri i plotë, Perikli) Kaçauni, është lindur në fshatin Dardhë të Korçës në vitin 1880, ai ishte njeri nga tre djemtë e Jovan Kaçaunit. Ky, punonte si sharrëxhi edhe jashtë vendit, si në Greqi, Rumani e, deri në Rusi, ku përgjithësisht merrte dhe djemtë e tij (Arkivi S.Laço). Në qytetin Odesa (Rusi), Peroja mësoi fotografimin, natyrisht duke filluar punën si çirak në dyqanin (ateljen fotografike) e ndonjë rusi duke vëne në jetë përvojën popullore shqiptare se “zanati (mjeshtëria) vidhet, nuk mësohet”, çka dhe djaloshit tonë i doli për mbarë. Kur mendoi se e njihte fotografimin e mund të punonte i pavarur, në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX, kthehet në vendlindje (Dardhë), ku nisi ta ushtronte mjeshtërinë e re e, disi të veçantë për të siguruar jetesën. Objekt i punës së tij ishin jo vetëm bashkëfshatarët, por edhe banorë të krahinave përreth. Synimi i Peros, ishte që klientët e dyqanit të tij të mbeteshin të kënaqur nga pamjet e tyre të përngrira në letrën fotografike, gjë që do të thoshte më tepër punë e, natyrisht edhe fitime. Dalëngadalë, ai fotografon edhe ngjarje të veçanta në fshat me karakter fetar, shoqëror e kulturor si piknike e shfaqje teatri, Ujin e Bekuar (6 janar), martesa, funerale, lindje, shkrepje të porositura, por edhe të pakërkuara nga personazhet e fotove të tij (Arkivi Vangjo Ilo). Me këto të fundit, pra ato të realizuara për qejf të vet, Pero Kaçauni, natyrshëm, merr statusin e “fotokronistit”, duke u lënë pasardhësve dokumenta pamore ( fotografi) me vlera të paçmueshme historike, shoqërore, etnografike, kulturore etj.

pkacauni-teatri-lufta-e-trojes-1908-arkvilo.jpg

P.Kacauni-Teatri Lufta e Trojes, 1908-Ark.V.Ilo

Vlen të përmendim se dardharët, kishin kohë që ishin njohur me fotografinë (dardhari i njohur, Jani Zengo kish fotografuar në fshat rreth 30 vite para Peros), kështu që, pavarësisht nivelit të tyre arsimor, ata nuk e shikonin të trembur e të habitur aparatin. Sikur ishin mësuar me atë lëvizjen prej një ose më shumë sekondash, sa linte fotografiballafaqimin e subjektit (njerëz a pamje vendore) me pllakën e xhamit që ishte brenda asaj kutisë së madhe që përfundonte me një rrobë të zezë që mbulonte kokën e ustait. Kështu, bashkëfshatarët e Kaçaunit, mundoheshin të qëndronin sa më mirë para aparatit të madh (për kohën e sotme), që rinte mbi një trikëmbësh prej druri, që të kënaqeshin më pas me atë letrën e trashë e të lëmuar që i thoshin fotografi. Gjithsesi, të gjithë synonin të kishin një farë solemniteti të hedhur në letër, në mënyrë të mos u përcillnin të tjerëve hutim a çudi. Ai i njihte mirë bashkëfshatarët e tij, kështu që mundohej të ndehte në letrën fotografike edhe ngjyrime nga psikologjia, karakteri, madje dhe morali, ndonëse porositësit kërkonin të dilnin mirë, ose edhe më mire se sa ishin në të vërtetë. Vlen të shënojme se ai i kryente vet të gjitha proceset e fotografimit dhe të punës në laborator (në mund ta quajmë kështu atë kthinën e vogël e me pajisje primitive), sigurisht me mjaft mund, por me passion. Peroja fotografoi në fshat deri në vitin 1910 (Arkivi V.Ilo). Atë vit, niset për në SHBA, por para largimit kryen edhe një veprim fisnik e të mbrothtë. Pasi i kishte mësuar bashkëfshatarit të tij, Thimi Raci (disa vjet më i vogël), fotografimin, i dhuroi këtij dhe aparatet e tij (Arkvi Sotir Laço). Dhurata e Peros “ngjiti” mirë, fara gjeti tokën e duhur, Raci vazhdoi me sukses fotografimin në Dardhë për rreth 50 vjet. Natyrisht, merita kryesore për “Rastin Raci” i takon Pero Kaçaunit.

pero-kacauni-arkivi-vilo.jpg

Pero Kacauni- Arkivi V.Ilo

Pjesa e veprimtarisë fotografike që Pero Kaçauni ka kryer në Shqipëri, përbëhej nga qindra pllaka xhami, të cilat u dëmtuan pas largimit të tij, por sidomos gjatë L2B, kjo edhe si pasojë e padijenisë të vlerës, sidomos asaj që do tu jepte koha, ndoshta instrumenti më i mirë vlerësues edhe i fotografisë. Ka ndër to, foto me tematika të ndryshme, shoqërore (piknike, festa tradicionale të fshatit), etnografike (veshjet karakteristke dardhare si xibuni dhe mandioja), shfaqje teatrore (Shfaqja “Lufta e Trojës”,1908) (Ark. V.Ilo). Mendohet se sot ruhen rreth 80 pllaka xhami të Pero Kaçaunit. (N.Kotherja-Enciklopedi e Fotgrafëve Koçarë-Tiranë, 2010-faqe14). Gjithsesi, numri i saktë ende nuk dihet me siguri.

Në “Botën e Re” (SHBA), Peroja u vendos në Boston, ku kishte mjaft shqiptarë, madje dhe dardharë, të cilët jetonin në një bashkësi që karakterizohej nga fryma atdhetare dhe e ndihmës së ndërsjelltë. Pas disa kohësh, ai filloi fotografimin duke hapur një studio me aparatura dhe teknollogji të kohës. Pjesën më të madhe të punës në të, ai e kryente me bashkëkombasit, të cilët fotografoheshin edhe për tju a dërguar fotot të afërmve që kishin lënë në vendlindje e, ndoshta për tu hequr merakun e, treguar gjendjen e tyre të mirë ekonomike. Ateljeja e Kaçaunit në Boston emërtohej “Perry Studio 29.1/2 Tremont St. Boston Mass” (Ark. S.Laço). Sipas shkrimtares dhe studjueses shqiptare me banim në SHBA, Rozi Theohari, “Kaçauni, është fotografi i parë me origjinë shqiptare në SHBA” (R.Theohari-Jehona Skënderbejane-Tiranë, 2006-faqe 298), duke qënë kësisoj mjaft këmbëmbarë e, çelur kështu rrugën për figura të tilla të njohura fotografësh shqiptaro-amerikanë, si Gjon Mili, Dhimitër Mborja, George Tames etj.

Disa foto të mërgimtarëve shqiptarë, të realizuara nga Pero Kaçauni, shquhen për psikollogji të veçantë e tërheqëse dhe të mbajnë disa çaste duke i vështruar. Fotografi të tjera të Kaçaunit në mbledhje të ndryshme të “Vatrës”, kanë edhe vlera të tjera, sepse paraqesin me vërtetësinë e ftohtë e të pakundërshtueshme të fotografisë, pjesëmarrësit në forumet e këtij organizimi atdhetar edhe kur nuk gjenden dokumenta përkatëse të shkruara, si regjistra a lista. Ai mbahet si fotografi i parë i lindur në Shqipëri që ka lëvruar edhe të quajturin “portret amerikan”, ku njeriu fotografohet nga gjuri e sipër. (N.Kotherja, libër i cituar, faqe 15).

Një foto e tillë është ajo që pasqyron Degën e Bostonit të Federatës Pan-Shqiptare, “Vatra” (1912), në qoshen e sipërme të së cilës duket portreti i Fan Nolit, madje kjo mund të jetë një nga të quajturat “polifoto” më të hershme e, që u zhvilluan ndjeshëm dhjetra vjet më vonë. Mjaft foto të realizuara nga Pero në Boston, janë të shpërndara në diasporë, fatmirësisht një pjesë në duar të sigurta dhe të vetdijshëm për rëndësinë e tyre, por ende mjaft pa adresë e, përherë nën rrezikun e humbjes. Ndoshta duhet dhe një ndjeshmëri më e madhe publike për peshën e krijimtarisë së Kaçaunit (madje edhe të fotografëve të tjerë të vjetër shqiptarë), që punimet e tyre të mos mbahen në vende të papërshtashme, që me rrjedhjen e kohëve, të prishen e kthehen në letra pa asnjë vlerë. Këto fotografi duhet të shohin dritën e diellit, që përgjithësisht, janë ekspozitat, albumet, kataloget e librat që ato të kryejnë detyrën e krijuesve dhe të shpalosin vlerat që u a ka pranuar koha.

Pero Kaçauni, është ndarë nga jeta në Boston në vitin 1949. Ai, edhe me këtë pjesë të vogël të fotografive të tij të gjetur deri tani, ka vend në Historinë e Fotografisë Shqiptare.

MIRESEVJEN NANO “PRESIDENT” ! - fejton nga Amerika



MIRESEVJEN
NANO “PRESIDENT” !

Fejton nga Amerika

shkruar nga SOKOL SHPATI

Mezi ç’e prisnim,i shtrenjti mik, Fatos,që ti një ditë të bëje një deklaratë të tillë, si ajo e para disa ditëve në një stacion televiziv shqiptar,por …nga Londra, të cilin e rrëmbeyn dhe e përcollën në eter edhe stacione të tjera televizive, por edhe gazeta shqiptare,nga të cilat kishte nga ato që dëshmuan indiferentiznin dhe dashaligësinë ndaj teje, atë lajm që më mua me disa shokë na shkundulloi ,na hovëzoi,na ngriti zemrën peshë,-lajmi se ti kërkon të bëhesh president i Shqipërisë.
Dhe do të behësh fatos, që je më të vërtet i kësollojshëm,sic shpjegon edhe “Fjalori i gjuhës shqipe”:trim,i fortë,kreshnik.Por, do të thotë dikush, se vec trim dhe kreshnik nuk je, sepse në trazirat e shtatorit të vitit 1998,kur ishe kryeministër i ligjshëm, nga lepuri që të kishte mbirë në bark se, mos o zot. të të të hiqnin një herë e pergjithmonë qafe duke të cuar në botën tjer,ti ia mbathe nga zyra jote kryeministore dhe i veshur me poture “alla katundarce”more rrugënn për në Maqedoni duke e lënë shtetit jetim.Por, sic e ke deklaruar edhe vetë trimërisht,nuk ishte ti që deshe të ikje ,por ishin bodigardët e tu ata që e kishin detyrë të të mbronin në të tilla situata,kur mund të shkoje kotsëkoti për dhjamë qeni, ishin ata që të shtënguan të vishje ato poture,se ,të ishte për ty,si fatos që je, do të qëdroje atje në krye të detyrës, deri në pikën e fundit të gjakut tënd fisnik.
Ti, fatos i fatosave, për mendimin tonë e meriton më tepër se kushdo që të jesh president.Dhe ja sepse:
Sepse që të jesh president,sefte duhet të kesh punuar në Komitetin Qendror të PPSH-së,bile bash në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste,të kesh qenë pranë shoqës Nexhmie Hoxha,ku falë njërës prej vajzave të shokut Ramiz Alia,që punonte atje, të njiheshe, ose më mirë të ishte ai që të njihte vlerat e tua të jashtëzakonshme, për të cilat shkruan në librin e tij “Jeta ime”,ku të cilëson si ”kuadër të aftë,të përgatitur …”dhe për kët merita vazhdon ai:”…”e kam mbajtur pranë…” dhe më pas:”… e kam”rekomanduar në poste të larta qeveritare deri edhe kryeministër të vendit.”
Ja kështu shkruan për ty,as më shumë dhe as më pak,por Ramiz Aslia,vazhduesi i denjë vepres madhor të shokut Enver.Por, për fat të keq, ky Ramizi e prish kur më poshtë,duke folur gjithnjë për ty, vazhdon se ti na paskësh pasur prirjen “për t’u grindur me cilindo nga shokët…,nese ndonjeri nuk shkon pas Fatosit”.Dhe nuk mjafton me kaq, por shton:”Pa dyshim,qëndrime të tilla shprehin sëmundjen e keqe të Fatosit, ambicjen e tij…”(faqe 405).
Të të marrë të ligat Ramiz Slia se ku ka më mirë se të grindesh me shokë, që të dalësh përherë në krye,ku ka më mirë që të jesh ambicioz,sepse falë kësaj ambicjeje, ti vërtet dole në krye, kudo të mbetesh përsëri tani që hodhe kanditaturën për të na u bërë president.
Nuk dua kurrsesi të vë në dyshim aftësitë e gazetarit dhe publicistit të njohur,Andon Dede,që ka punuar për disa vjet me ty në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste… ,por në një ntervistë të botuar në librin “Shqiptarët e Amerkës”,ai sec të vë ca nofka:sikur ti që atëherë të ishe numri 1 i shtetit,se kur filluan në dhjetor të vitit 1990 filluan manifestimet studentore kundër regjimit komunist, në një mbledhje ku,doemos, ishe i pranishëm edhe ti,pas fjalëve të saj, brofe më këmbë dhe shtove:”Unë mendoj shoqja Nexhmie,që të ngrihemi edhe ne dhe të dalim në demostrata.Ata,pra studentët, në një anë të bulevardit dhe e në tjetrën ne…”(faqe 983 e veprës së mësipërme).
Ja kështu e tregoje ti, shtrenjti ynë Fatos,dashurinë ndaj shoqes Nexhmie,me fjalë të tjera, pra ndaj shokut Enver.Sikur PPSH-ja të mbetej në fuqi edhe pas zgjedhjeve të marsit të viti 1992,besa ti do të kishe qenë gjithnjë në krye të partisë dhe shtetit enverist,aq sa ajo të ishte në fuqi,për disa ose shumë vjet.
Ja përse shoku Ramiz Alia të besoi që ti ta udhehiqje këtë parti,e cila sa për sy e faqe u quajt parti socialiste,sepse duke pasur në gjirin e saj të tillë enveristë të thekur si Gramoz Ruci,ish-sekretar i Partisë në Tepelenë,pastaj ministër i Brendshëm në qeverinë e stabilitetit më 1991,emëruar nga vetë shoku Ramiz, apo Namik Doklen e plot të tjerë enveristë të denjë ,ti drejtove partinë, pastaj i fute stërkëmbthin edhe Ilir Metës që të bëheshë edhe kryeministër, se kështu ishin rregullat e lojës.
Duan të thotë se që këtu filloi përcarja në partinë socialiste,sepse, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, dhe ti e di mirë këtë, qeverinë atëhershme Iliri po e drejtonte bukur mirë, dhe nuk duroi dot këtë prockë tënden e kësisoj krijoi LSI-në, ku të mori edhe plot kokrra të tua zgjedhura.
Duan të thonë se ti sa ishe kryeministër kaloje edhe 150 ditë pushimesh të gjata në brigjet e vendeve arabe duke bërë rrush e kumbulla paratë e tua, por edhe të shtetit,duan të thonë se ti, dashnor i paepur i pijeve akoolike, një natë të vitit 2003,kur drejtoje makinën ,ashtu sic drejtoje i dehur edhe… shtetin,ti pra mu pranë fshatit Shkallnuer shtype pa dashje një fakir 70-vjecar dhe jo vetëm nuk nuk e more në makinë, për ta cuar në spital,por e degdise si kafshë në kanal buzë rrugës,duan të thonë se kur në Kanalin e Otrantos, në mes të detit, humbën jetën të ngrirë më shumë shqiptarë,kur në ato ditë e tërë Shqipëria kërruste kokën për këtë tragjedi, ti,sic të kemi parë në ekranin e TV Klanit, së bashku me Xhoin tënd të shtrënjtë shkriheshe së qeshuri në një nga buzuqet e Selanikut.Ishte e natyrshme:Ti e mbaje dhembjen për të fatkeqësi brenda mullëzës tënde të dyndur dinga me lloj lloj pijesh me ngjyra e pa ngjyra,që ta kishin qorollepur mendjen, vetëm e vetëm që të harroje në avujt e alkoolit këtë fatkeqësi që kishte pllakosur vendin,kryemnistër i të cilit ishe ti,i madhi Tos.
Ja kjo ishte arsyeja që ti ato ditë ndodheshe në midis ahengut.
Dhe meqë përmenda Xhoin,shumë të kanë sharë me libër shtëpie se ti, kur u martove me këtë zockë,duke lënë gruan tende aq fisnike që me sa e sa derte të kishte ndjekur deri në Burgun e Bëncës, zockë që një ditë të bukur na mbiu supermilionere,ti kurdise në Kishën Ortodokse të Tiranës një alamet ceremonie ku tërë adhuruesit e tu,të cilët cuditërsht i kanë quajtur “sahanliprësit e tu”,të dhuruan secili me mijra euro e kështu kjo dasmë u kthye në biznes e shkuar biznesit për ty.Po c’faj ,kishe ti në këtë mes që ata të bënë dhurata të kësojllojshme.Ishin ata që t’i blatuan e jo ti që… ua kërkove.
Duan të thonë se kur dilje më shërbim jashtë shtetit, sefte vizitoje kazinotë, ku me mish e me shpirt harxhoje një lumë parash,se kur i sosje ato u zhvatje bizmesmenëve që të rrinin peqe- lepe nga pas, me demek borxh,por që të cilat nuk ua ke kthyer as sot e kësaj dite.
Duan thonë se ti e solle këtë shtet në atë derexhe, sa PS-ja humbi në zgjedhjet e vitit 2005 dhe ti, jo burracakërisht, dhe dorëheqjen nga kryetar i saj dhe i shtetit.
Po edhe këto janë “merita”, sepse, më thoni, ju kam rixhanë cili, burrë shteti tjetër i ka bërë këto?...
Duke pasur një horizont shumë largamës ti u tërhoqe në jetën private,ashtu sic i ka hije një shtetari të vërtetë. Ti, pra deri tani ke provuar te jesh sekretar i KM, kryeministër,kryetar partije…Të ka mbetur të behesh vetëm president.Pse jo, kur ke kaq… përvojë. Provoje dhe këtë.Me të tëra meritat që të vumë në dukje, e ke hak e shkuar hakut.
Dikush kur dëgjoi këtë sihariq, tha:”Nano mund të jetë president i politikanëve të parlamentit ,por kurrsesi i popullit,sepse, sikur ky presidenti të zgjidhej prej tij, ai nuk do të merrte as edhe 2 përqind të votave edhe këto të atyre që ai i ka pasur dikur pas vetes duke shpresuar se të tillë do të jenë përsëri.
Na vjen për të qeshur për këto lajthitje. E kush e pyet popullin që në këtë rast që nuk është vecse bagëti?Punë e madhe fort se populli nuk të dashka!...
Dikush të krahasoi me Esat pëshë Toptanin,që pasi u dëbua nga mileti më 1914, u bashkua me ushtrinë franceze në Selanik, krijoi nje qeveri në mërgim dhe në Konferencën e Paqes në Versajë më 1918-20,doli me pretendimin se ai dhe askush tjetër duhej të ishte president i Shqipërisë.Por mjerisht për të u gjend Avni Rustemi që me dy plumba në plënc e dërgoi në ferrhapsanë...
Kështu,pra thonë edhe për ty, i shtrenjti Tos.E kanë jangllësh!...Se ti,vërtet e ndjek së largu jetën shqiptare,por jo si Esat pasha me dylbitë e frengjëve të dikurshëm,por me …antenë satelitore në një prej dhomave të një hoteli luksoz, si “Kontinentali”, para të cilit Esat pashë Toptani ngriti patkojtë nga dielli.
Ju,lexues mund të bëni pyetjen se kush qenkermi ne që kërkojmë që Fatos Nano të jëtë president.Ne vërtet jemi shumë pak,por shpresojmë se ky fatos i lavdishëm do t’ua bëjë mendjen dhallë politkanëve, sa majtas ,ashtu edhe djathtas, dhe do të na bëhet president e të na japë edhe neve ndonjë llokëm…

03 December 2011

NJE ROMAN I RI I SKIFTER KELLIÇIT( Nga Mehdi Hyseni)


RECENSION
TRAGJEDIA E 11 SHTATORIT ’01 NE FAQET E NJË ROMANI TRONDITËS

(Me rastin e 10-vjetorit të saj) Nga Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Me krijimtarinë e shkrimtarit dhe të komentatorit të njohur sportiv të RTVSH-së, Skifter Këlliçi, jam njohur në fund të viteve ’60 me disa vëllime me tregime dhe sidomos nga fundi i viteve 80-të me romanin “Atentat në Paris”, ndër romanet më të mira të letërsisë shqiptare me temë historike, i cili asokohe arriti të depërtonte edhe në Kosovë e të pritej mirë. Arsyeja ishte sepse ky roman lartëson aktin heroik të atdhetarit të njohur, Avni Rustemi, i cili më 13 qershor të vitit 1920 me dy të shtëna vrau në mes të Parisit tradhtarin me damkë,Esat pashë Toptani, që gjoja në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë ishte gati t’u bënte lëshime tokësore ambicieve të fqinjëve dhe veçanërisht atyre serbë, që kishin pushtuar Shkodrën dhe vise të tjera shqiptare të Shqipërisë Etnike.
Dhe ja, kohëve të fundit, pas kaq vitesh pata rastin të lexoj një vepër tjetër të këtij shkrimtari të njohur shqiptar-romanin me temë shqiptaro-amerikane “Shtatori i gjëmës së madhe “ (botoi “Albin”, Tiranë, 2010), i pari i këtij lloji në letërsinë shqiptare, që këtë radhë i kushtohet një ngjarjeje tjetër historike, por bashkëkohore dhe me përmasa mbarëbotërore-tragjedisë së 11 shtatorit të vitit 2001 në Kullat Binjake të Qendrës Tregatre të Nju-Jorkut, ku, si shkak dhe pasojë e sulmeve terroriste të fundamentalistëve islamikë mbetën të vdekur rreth 3000 njerëz të pafajshëm, nga të cilët, edhe tre bashkatdhetarët tanë, Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj. Duke u bazuar në motive të jetës së këtyre bashkatdhetarëve autori, krahas personazheve të tjera amerikane, ose të ardhur nga vende të tjera të botës, frymëzohet dhe arrin të krijojë tre personazhe të reja, me një shtrirje gjeografike dhe përgjithësim ideoartistik edhe më të madh dimensional. Këta janë Besim Vokshi nga Kosova, Rrok Camaj nga trevat etnike shqiptare nën Mal të Zi dhe Mark Muzaka, arbëresh me prejardhje nga kjo familje e njohur feudale shqiptare, e lidhur ngusht me Skënderbeun, që së bashku me qindra e qindra familje të tjera shqiptare u detyrua që pas pushtimit turk të linte atdheun dhe të vendosej në krahina të Italisë së jugut. Dhe po t’u shtojmë këtyre edhe Sokol Kamën, ish-gazetar i RTVSH-së që ka emigruar në Amerikë pas vitit 1990, një personazh që na kujton vetë autorin e romanit “Shtatori i gjëmës së madhe”, kuptohet se lajtmotivet shqiptare me retrospektivat e personazheve na krijojnë idenë se brenda 188 faqeve të këtij romani që nuk janë shumë, lëvizin masive ngjarjesh të stuhishme historike që na shpien nga tragjedia e viseve shqiptare të Ulqinit, Hotit, të Grudës, të Plavës, të Gucisë, të Tuzit, që pas Kongresit të Berlinit të vitit 1878 ranë nën sundimin malazez, për të ardhur më 1913, kur pas Traktatit të fshehtë të Londrës, Kosova u gllabërua nga shovinistët serbë. Jo vetëm Kosova, por edhe territore të tjera të Shqipërisë Etnike. Përfundimi që nxorëm me të lexuar pjesën e parë të romanit me titull “20 Maj 2001, pasdite, rreth orës 17.00”: këto personazhe nga bota shqiptare, si pasojë e këtyre fatkeqësive që kanë goditur kombin tonë në shekuj, i bashkon mërgimi në Amerikë, me shpresë se një ditë do të kthehen përsëri në trojet amëtare të Shqipërisë etnike. Kjo është njëra anë e medaljes, që e bën këtë roman të ketë së pari temë shqiptare e pastaj amerikane, falë retrospektivave, megjithëse ngjarjet zhvillohen në Amerikë. Dhe, nuk mund të ndodhte ndryshe, përderisa këta bashkatdhetarë të ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë, jetojnë dhe punojnë në Amerikë, pra midis amerikanësh. Dhe, është meritë e autorit që lidhja e shqiptarëve të mësipërm me amerikanë bëhet nëpërmjet Stiv Fergusonit, një gazetari të CNN-it, të këtij gjiganti televiziv me famë botërore. Ky gazetar, siç pasqyrohet në faqet e romanit, është ngjitur në katin e 107-të të së njërës prej kullave binjake për t’u njohur me kosovarin Besim Vokshi dhe me arbëreshin Mark Muzaka për të përgatitur një dokumentar televiziv kushtuar këtyre shqiponjave që me guxim të pashembullt , të futur në kosha, pastrojnë nga jashtë qelqet e kateve të larta të kullave binjake, në lartësi mbi 300 metra,kur këta kosha në dimër a verë lëkunden nga erërat si të ishin lëvozhga arre. Ndaj dhe dokumentari i tij do të titullohet “Shqipe mbi kullat binjake.” I dashuruar dhe kureshtar për ta njohur historinë e Shqipërisë dhe Kosovës, të dëgjuar nga goja e miqve të tij shqiptarë dhe leximeve, sidomos të Besimit, i cili në vitet e 60-ta të shekullit XX, për t’u shpëtuar ndjekjeve të UDB-së, është arratisur nga vendlindja,në Shqipëri dhe atje përsëri i ndjekur nga Sigurimi shqiptar arratiset në Greqi, për t’u vendosur më pas në Amerikë, Stivi që kishte marrë me vete në kullë edhe të fejuarën, Zhaklinën, stjuardesë e një kompanie ajrore nga Bostoni, i fton ata në dasmën e tyre që do të bëhej më 20 shtator të vitit 2001. Derisa në pjesën e parë të romanit kemi shtjellimin e ngjarjeve, pra të kësaj tragjedie dhe nyjën lidhëse të ngjarjeve të tjera, që do të pasojnë, në pjesën e dytë dhe të tretë të romanit kemi zhvillimin e këtyre ngjarjeve, sepse tani shfaqen pesë terroristët- Muhamet Ata,arkitekt që ka mbaruar studimet në Egjipt, Satem al Sukami, student në Fakultetin e Drejtësië në Universitetin Mbretëror të Rabatit në Arabinë Saudite, dy vëllezërit Vail dhe Rashid al Shakri, i pari mësues dhe i dyti punëtor mëditës dhe së fundi Abdul al Omari argat, edhe ai nga Arabia Saudite. -Janë personazhe të sajuara këto? –Jo, aspak. Janë personazhe të vërteta, pra pikërisht pesë terroristë në njërin nga të dy avionët e rrëmbyer në Aeroportin Ndërkombëtar “Logan” të Bostonit, me të cilët u goditën dy kullat binjake të Nju-Jorkut. Natyrisht, të trajtuar artistikisht, madje me shumë realizëm.Nuk janë personazhe bardhezi, përkundrazi, kanë botën e tyre shpirtërore, kanë dilemat, sidomos vëllai i dytë, Vaili, kur mendon se së bashku me vëllain e parë, Rashidin, do të vdesin në këtë atentat terrorist, si viktima të premtimit bosh të Bin Ladenit, edhe ai personazh në këtë roman, gjoja se pas këtij aktflijimi, do të shkonin në parajsë, por, nga ana tjetër, do të lënë kërçure nënën burrëvdekur, që mezi i kishte rritur.Ose argati Abdul që kishte lënë në fshat gruan e re me fëmijën dyvjeçar, ishte stërvitur në kampet ushtarake të Afganistanit dhe, tani, sipas bindjes së tij të kot, po shkonte në parajsë. ”Vërtet në parajsë?”- pyet ai vetëvetën? Dhe, Abdul i dyshuar në vetëvetën humb durimin dhe besimin fantazmë, pasiqë bashkëterroristët e tij kishin vrarë përdhunisht dy pilotët, Muhamet Ata drejtonte avionin nga kullat, Abduli i sulet, përleshet me të ,por ishte vonë, tragjedia kishte ndodhur. Dhe, pikërisht faqet që përshkruajnë meditimet e terroristëve,urrejtjen e tyre të pajustifikueshme si fundamentalistë, ndaj Amerikës, ndaj krishterimit, të mbrujtur që në periudhën e kryqzatave kundër islamit, për çlirimin e tokave të shenjta dhe Jerusalemit, të pushtuara nga turqit dhe, që jo rrallë përfunduan me krime ndaj popullsisë së pafajshme myslimane dhe çifute, pastaj urrejtja, gjithashtu e pajustifikueshme ndaj qytetërimit perëndimor,që gjatë meditimeve në avion shërbejnë për t’i shpirtëruar dhe për t’i hovëzuar terroristët drejt veprimeve të tyre kriminale antijerëzore,gjoja në mbrojtje të Islamit, ankthi i pasagjerëve,midis të cilëve edhe i Zhaklinës që si stjuradesë po kryente fluturimin e fundit nga Bostoni, për t’u martuar pastaj me Stivin në Nju-Jork, më 20 shtator, pra pas disa ditësh,ky ankth i pasagjerëve të mashtruar nga Muhamet Ata ,i cili me mikrofon tentoi rrejshëm t’i qetësonte të gjithë pasangjerët në avion, duke u premtuar se po ktheheshin sërish në Boston nga ku ishin nisur… dyshimi i Zhaklinës, e cila me celular njoftoi Stivin në zyrat e CNN-it se po ndodhte e kundërta, se avioni po i drejtohej njërës prej kullave, përleshja e pasagjerëve me terroristët, janë nga faqet më emicionuese të këtij romani që e mbajnë lexuesin me frymën pezull. Dhe po t’u shtojmë këtyre epizodeve skenat ngjethëse në njërën nga kullat tashmë të goditura, ku po punonin Besimi me Markun, e shumë kate më poshtë edhe shqiptari i tretë, Rrok Camaj, zbritjen e trandshme të qindra e qindra punonjësve nga shkallët, kur ato shemben nga djegjet,për t’i djegur dhe shkrumbuar edhe ata vetë, plagosjen e Besimit, përpjekjet e Markut për ta shpëtuar atë, bisedën e fundit telefonike të Besimit me të birin, amaneti i tij- që ai me të ëmën një ditë të kthehen pa tjetër në Kosovën e lirë,vdekjen e tij, pastaj fluturimin e Markut, fluturim i vdekjes, nga njëra prej dritareve të kullës, kur sheh se nuk ka rrugë shpëtimi,ashtu si vite me parë, kur i mitur kërcente nga shkëmbinjtë e lumit që rridhte pranë fshatit të tij arbëresh,vdekjen edhe të Rrok Camajt, që, sidoqoftë arrin të dalë nga kulla që po shembej me një fëmijë të vogël, që për ta mbrojtur nga flakët, e kishte mbuluar me xhaketën e tij dhe ua dorëzon zjarrfikësve, si dhe skena të tjera ngjethëse, të përshkruara me gjuhë të zgjedhur artistike që mund ta gjejmë vetëm në prozën e Koliqit, të Pashkos dhe të Kadares,arrijmë në përfundimin se kemi lexuar kështu një roman shumë tronditës, shumë origjinal, me një kompozicion tepër të saktë harmonik, ku ngjarjet ndërsillen natyrshëm brenda pak orësh, herë te kullat binjake, herë në Aeroportin Ndërkombëtar “Logan” të Bostonit, nga ku u nisën terroristët dhe, ku punonte Sokoli, ish-gazetari i RTVSH-së, pra një vetëshembëllim-autori i romanit, i cili, kështu bëhet shqiptari i vetëm i këtij romani që shpëton nga kjo tragjedi. Ja, sepse Stivi që ka transmtuar në CNN tërë kronikën e kësaj tragjedie, ku gjen vdekjen edhe e fejuara e tij Zhaklina, me të cilën do të martohej pas disa ditësh,kur Sokoli, pasi e ngushullon për humbjen e saj, e vlerëson për mjeshtrinë e treguar gjatë këtij transmetimi të drejtpërdrejtë për miliona teleshikues, Stivi pra, gjen forcën që t’i përgjigjet: ”S’është e vertetë, Sokol,…Ti mund të bësh shumë më tepër se ç’bëra unë.Ti mund dhe duhet të shkruash një roman,sepse ti je vetë pjesë gjalluese e tërë këtyre ngjarjeve që i përjetove dhe që po i përjeton…Dhe kujto, i dashur, se ashtu si grekët dredhisht pushtuan Trojën me kalin e drunjtë, ashtu edhe terroristët islamikë me dredhi rrëmbyen avionët dhe me ta goditën kullat. Por nëse ato ranë duke varrosur në rrënojat e tyre sa e sa viktima,me Amerikën kjo nuk do të ndodhë kurrë.Kjo tokë e bekuar nga perëndia do të mbetet prore tokë e premtuar për tërë ata që kërkojnë të gjejnë me këmbëngulje dhe vullnet , strehim, mbarësi, lumturi. Ja, përse ne amerikanët kemi të drejtë ta ndjejmë veten krenarë, edhe pse ajo ka rënë në mort, në atë mort për të cilin ti do të shkruash një ditë.” Konsideroj se romani “Shtatori i gjëmës së madhe”, i autorit Skifter Këlliçi, me temë shqiptaro-amerikane, është një nga prozat më të fuqishme të krijuara në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve të fundit, duke qenë se, në fokus të shtjellimit të tij ka edhe një personazh kosovar që mbart problemet dhe hallet e Kosovës deri në ditët tona, meriton të botohet edhe nga ndonjë shtëpi botuese në Prishtinë.