27 October 2013

Zenepe Luka: E vërteta e tritolit që më vunë në shtëpi në vitin 1998

Zenepe Luka: E vërteta e tritolit që më vunë në shtëpi në vitin 1998 


Profili i publicistes, intelektuales dhe gazetares “rebele”- Zenepe Luka Cekrezi – i përket brezit të artë të gazetareve femra, si një nga gratë e para në median shqiptare që me shpinën e mendjes dhe “kockë intelektuale” të fortë, në sajë të përkushtimit, pasionit e përgjegjshmërisë morale, qytetare e intelektuale na ka dhënë gazetarinë bashkëkohore, profesionale, përvojën dhe eksperiencat e jetës, dhe afirmimin me vizion të gjerë profesional në dekada të tëra. Brez i artë i gazetareve femra që përfaqësohej denjësisht nga Adile Xhabija, Ludmilla Xhabija, Nexhmije Zajmi, Tefta Radi, Valentina Leskaj, Zenepe Luka, Elsa Xhai, Kozeta Mamaqi, Donika Tele, Albana Mëlyshi, Jorgjeta Gjanci, Frosina Papa, Kozeta Zavalani, Julia Naci, Shirma Minga, etj., me arritje të papara gjatë karrierës së tyre dhe kanë sfiduar skeptikët e kritikët e kohës edhe për çështjet më të rëndësishme në jetën social-kulturore politike të vendit. Ky brez i artë gazetaresh së bashku me kolegët e tyre burra- bënë rrotacionin mediatik më spektakolar, profesional e historik mes kufirit të dy epokave –Gazetarisë para ’90-s dhe pas viteve ’90-t- në vazhdim e deri më sot-pra bënë historinë e medias shqiptare. Ja si shprehet shkrimtari i shquar i letrave shqipe, Dritëro Agolli për gazetaren Zenepe Luka: “Në kuptimin e marrëdhënieve shoqërore, të jesh gazetar, do të thotë; të njohësh dhe të të njohin shumë njerëz, t’a kesh për nder, që i njeh dhe ta kenë për nder ata, që të njohin. Në këtë larmi organesh shtypi, Zenepa Luka vazhdoi të përparojë stilin publicistik të gjinive të ndryshme të gazetarisë. Është një shprehje: Vrapojmë, të arrijmë Horizontin, Horizonti largohet duke paraqitur një pejsazh tjetër. Horizonti i shoqërisë politike shqiptare, ndryshoi, ndryshoi edhe përmbajtja dhe forma e gazetarisë. Nuk kishte më kontroll të rreptë të shtypit, u bë mënyra e të shkruarit më dinamike, më e thjeshtë, duke larguar ekstazën. Këtë përmbajtje dhe formë të re të shtypit, mundi ta përvetësojë edhe Zenepe Luka. Ajo filloi të shkruajë më thjeshtë, duke shmangur kozmetikën e frazës, kozmetikë, që fsheh përmbajtjen dhe zbeh faktin.’ Ndërsa babai i gazetarisë shqiptare, Prof.Dr.Hamit Borici, do të shprehet kështu për ish-studenten e tij Zenepe Luka: ”Zenepe Luka më sjell në kujtesë studenten që ngulmoi për të ndërruar degën, nga Gjuhë–Letërsi në Gazetari. Tashmë ajo është një gazetare e afirmuar me vision të gjerë profesional dhe përfaqëson një punë të madhe dhe me përkushtim në fushën e gazetarisë dhe publicistikës bashkëkohëse, profilin shoqëror e qytetar të njohur e vlerësuar jo vetëm nga kritika e kohës por edhe nga opinion publik shqiptar.” Në këtë intervistë ju do të mësoni disa gjëra për herë të parë port ë vërteta, për sfidat dhe kalvarin e sakrificës e profesionalizmit të gazetares Luka.
 
Znj.Luka, jeni një penë publicistike mjaft e njohur në Shqipëri e krejt trojet shqiptare. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare?

Gjëja e parë që dua të shpreh është mirënjohja për Ju, zonja Moisiu, një publiciste dhe krijuese shumë e njohur, që po më mundësoni dhënien e kësaj interviste. Shkrimet e para të miat, botuar tek “Zëri i Rinisë”, revista “Shqiptarja e Re”,janë përpara se përfundoja studimet. Nëse bëhet fjalë për shkrimet pasi jam diplomuar gazetare, plot 40 vjet më parë, në maj të vitit 1973, janë në gazetën lokale “Kukësi i Ri”. Po e kujtoj shkrimin e parë. Sidoqë isha një vajzë e re, që vija në një rreth aq të largët, redaksia më dërgonte shpesh me shërbim në fshatra. Shkrimi i parë ka qenë pas një shërbimi në Shishtavec, lidhur me një fenomen shumë të bukur: Dashurinë e të rinjve me shkollë. Meqë më ra rasti të zë në gojë shkrimet në këtë gazetë lokale, nuk mund të harroj një rast, që për pak, më kushtoi shumë. Unë kisha bërë një shkrim për rastet që ndodhnin shpesh në këtë rreth verior, që thuajse ishte fenomen. Bashkëshorti i linte shenjë gruas, kur ajo e tradhëtonte, duke i prerë veshin, hundën, duke e ndëshkuar kështu tërë jetën. Në shkrimin tim vura edhe emrin e bashkëshortit dhe kur ai e kish lexuar erdhi në redaksi i revoltuar dhe me mendjen për të më prerë edhe mua veshin, pasi sipas tij” e kisha turpëruar”. Kam shpëtuar për qime, duke u mbrojtur se fajin e ka kryeredaktori që ka vendosur emrin e tij.

Çfarë ka ndikuar te ju, që ju zgjodhët të bëni gazetaren? Si iu lindi ideja për të qenë pjesë e gazetarisë shqiptare e Ballkanike -si pjesë narrative jetësore e rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo….?

Mendoj se gazetaria, përveçse profesion, është edhe pasion. Unë e kam trajtuar gjatë rrugën e mundimshme, që kam përshkuar, deri sa u futa në degën e gazetarisë, që çelej për herë të parë si degë më vehte në Universitetin Shtetëror të Tiranës në fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Vija nga qyteti i vogël i Librazhdit dhe të shkoje në këtë Fakultet, ku ishin fëmijët e anëtarëve të Byrosë Politike, nuk ish e lehtë. Me guxim dhe këmbëngulje ndërrova degën, pasi bursa më kish dalë për Gjuhë-Letërsi, hyra në konkurs dhe u pranova në këtë degë. Duke qenë se e kisha pasion gazetarinë, unë pranova të shkoj në terren, ku vazhdoj të jem edhe sot që mbusha 40 vjet në këtë profesion të bukur dhe të vështirë. Sigurisht, pasi ke marrë njohuritë e domosdoshme të gazetarisë dhe je diplomuar,bëhesh e përgjegjshme edhe për misionin që ka gazetaria. Gjykoj se jam fatlume, sidoqë në fillim e pata shumë të vështirë, që gjithë kohën kam qenë gazetare në terren, ku është gazetaria e vërtetë. Pikërisht të qenurit në terren, të krijon hapësirat për të trajtuar problematikët e shumta që ka pasur dhe ka shoqëria. Shkrimet nga terreni ishin dhe mbetet “ushqimi” më i vyer për gazetën. Sigurisht, të punosh kaq gjatë në këtë profesion, të provosh peripeci deri edhe në dhimbje për shkak të tij, padyshim do të bëhesh zëri i vërtetë i shoqërisë së kohës. Pas rënies së regjimit komunist, kur gazetaria mori lirinë e munguar, padyshim ky zë do të vinte edhe nga trevat e shtetet ku jetojnë shqiptarë, nga shtetet ku emigruan bashkëkombësit për një jetë më të mirë. Për gazetarin, por jo vetëm, kjo është një pasuri e madhe, e çmuar, një brilant në historikun e gazetarisë shqiptare..

Duke pasur një karrierë të gjatë në fushën e gazetarisë, ju keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?

Një rrugë kaq e gjatë dhe intensive, që në 40 vjet numërohen mbi dhjetëmijë shkrime, padyshim do të përjetosh kënaqësinë e profesionit, do të njohësh dhe intervistosh mijëra e mirë njerëz. Në 20 vitet e para të karrierës time, që i përkasin periudhës së regjimit komunist, sigurisht kam ndjerë mungesën e lirisë të të shprehurit, por ama më është dashur të udhëtoj me mushkë, në këmbë me orë të tëra, të ngjitem në stabilimentet e sharrave, të kaloja turnin e tretë me minatorët, për të sjellë realitetin. Sigurisht, para se të botohej shkrimi, në redaksi do ti bëhej “grimi” i duhur, për të minimizuar problemet dhe për t’ia dedikuar ”arritje partisë, sistemit socialist”. Pra në një farë mënyre kishte censurë, kjo duhet pranuar. Por edhe pas viteve 90-të, kur prekëm erën e demokracisë, lirisë, mos kujtoni se gjithçka shkon vaj. Unë kam qenë për 10 vjet gazetare e gazetës “Koha Jonë” në Vlorë, që përkon me ndryshimet që pësoi shoqëria, që, për shkak të daljes nga izolimi, u përball me fenomene të dhimbshme si trafiku i qenieve njerëzorë, prostitucioni, tronditja e familjes, që më parë ishte një institucion, fenomene këto që duheshin trajtuar. Periudha më dhimbshme, për mua si gazetare, sikurse për të gjithë shoqërinë shqiptare, janë ngjarjet e vitit 1997, që e kishin kryeqendrën në Vlorën, që ishte njëherësh kryeqyteti i firmave piramidale. Sigurisht, unë kam ndjerë pasojat e trajtimit të këtyre fenomeneve, përfshi edhe korrupsionin e pushtetit në të gjitha nivelet, të gjyqësorit, që kanë shkuar deri në dhunë fizike dhe përballja në shumë procese gjyqësore. Ngjarjet e vitit 1996, 97, 98 që precipituan vrullshëm jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë vendin, janë gjurmët e dhunës fizike, që u kurorëzuan me aktin fundamentalist të 10 majit 1998, kur më vendosën tritolin në banesë, që shkatërruan jo vetëm shtëpinë dhe kabinetin dentar të bashkëshortit tim, por u plagosëm burrë e grua dhe dy fëmijët. Është e dhimbshme, që megjithëse kanë kaluar plot 15 vjet, ende nuk janë gjetur dhe ndëshkuar autorët. E vërteta është se edhe pse kanë kaluar kaq vite, unë vazhdoj të bëj gjyqe, tashmë me gazeta, shërbëtore të Qeverisë, që më anatemojnë si përgjegjëse për trazirat e 1997-tës. Ndjehem e lodhur, por njëherësh e qetë që kam fituar dinjitetin me këta artikujshkrues-shërbëtorë të pushtetit dhe politikës.

A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetare profesioniste dhe një nga më të kërkuarat e më të pëlqyeshmet e shtypit shqiptar në tërësi?

Kam pasur një fëmijëri të vështirë. Jam fëmija i shtatë nga tetë fëmijët që lindën prindërit e mi dhe kam mbetur pa baba, kur isha 6 vjeçe. Fati i fëmijëve ka qenë sepse kishim nënë një mokrare me një histori të dhimbshme, por që rriti me dinjitet fëmijët, duke i arsimuar. Për të fituar degën e gazetarisë nuk qe e lehtë për mua, m;u desh të ndërroja degën, të futesha në konkurs, që e fitova me lehtësi dhe mbi të gjitha të rezistoja vështirësive që më solli jeta dhe profesioni. Jam krenare që në muajin maj mbusha 40 vite karrierë në gazetari me mbi dhjetëmijë shkrime të botuara, duke qenë gazetare e terrenit. Duke qenë gazetare profesioniste dhe për 10 vjet pandërprerë gazetare e gazetës së pavarur “Koha Jonë”, por duke punuar edhe në Vlorë, për vetë ngjarjet e rënda që kaloi më 1997-tën, më është dashur të rriskoj si askush tjetër. Por tek e fundit, ky është profesioni. Gazetaria është profesion, por edhe mision. Kjo është qasja ime. Kjo do të ishte edhe nëse unë sot nisja nga e para karrierën.

Ç’mund të na thoni për momentet më të dhimbshme të familjes tuaj, dhunimi, tritoli në shtëpinë tuaj, kërcënimi i jetës dhe familjes tuaj, -i referohem vitit të mbrapshtë’97-ës. Cila është e vërteta e atij momenti të trishtë –dhe cili ishte kërcënimi që gazetarja rebele Zenepe Luka i sillte pushtetit të asaj kohe. Mendoni një çast se mos e keni tejkaluar misionin e gazetarit?

Një pyetje e vështirë, pasi më duhet të kthehem jo vetëm prapa në kohë, por edhe të rendis ngjarjet e dhimbshme, që kanë tronditur qenien time dhe të familjes, vetëm për shkak të profesionit. Fakti që jam gazetare e terrenit, që për gjatë 10 vjetëve kam punuar tek gazeta e pavarur “Koha Jonë”, por edhe për shkakun se punoj e jetoj në Vlorë, qytet-port me problematika të shumta, janë disa nga shkaqet që kanë ndikuar në dhunën fizike e psikologjike tek unë dhe familja. Sigurisht, kryeshkaku ka qenë dhe mbetet, ajo që është qasja ime, përgjegjësia për të përcjellë të vërtetën në shkrimet e mia, që kurrë nuk u ka munguar emri i autores, ndërthurur kjo me problematikën dhe fenomenet, që solli tranzicioni. Sigurisht të shkruaje për trafikun e klandestinëve, të femrave, të zije në gojë emra skafistësh, trafikantë droge, të godasësh korrupsionin deri në qelizë, në organet e drejtësisë, padyshim duhet të llogarisësh rriskun. Dhuna e parë ndaj meje është ushtruar më 30 maj të vitit 1996, teksa po ndiqja mitingun e opozitës, që kundërshtonte zgjedhjet e 26 majit të këtij viti. Një djalë i ri me emrin L. Halla, më goditi papandehur. Sigurisht ai dëshmoi se i kishin thënë të policisë të më qëllonte dhe u dënua nga gjykata, por ky akt ishte filli i lëmshit të incidenteve të mëtejshme ndaj meje edhe pse isha grua, nënë e dy fëmijëve. Vetëm për shkak të shkrimeve, jam dërguar në gjykatë mbi dhjetë herë me paditës prokurorë, pronarë firmash, gjyqtarë, avokatë, procese që i kam fituar. I kam fituar sepse e drejta ishte me mua dhe se paditësit nuk kish asnjë provë, që unë kisha shpifur. Nuk kanë munguar edhe rastet kur jam kërcënuar edhe nga zyrtarë deri edhe “bosa”, që janë kritikuar prej meje, sepse kanë marrë padrejtësisht pronën publike. Dhuna kulmoi me vendosjen e tritolit në banesën time mesnatën e 10 majit të vitit 1998, një akt fundamentalist ky, që synoi asgjësimin e familjes, po të kemi parasysh orën që u vendos dhe sasinë e madhe të tritolit prej 6 kg

Jeni në gjendje ta përshkruani ndodhinë tragjike të asaj nate?

E kujtoj në detaje, pasi më 10 maj u mbushën 15 vjet. Minuta fatale e orës 22.30 e 10 majit, solli tragjedinë. Dyer e dritaret e shtëpisë, dolën nga vendi dhe u thërrmuan copë-copë në faqet e mureve, duke rrëzuar edhe suvanë e mureve në të dy katet e shtëpisë. Ballkoni ra, shtëpia u shndërrua në gërmadhë. Shpërthimi solli edhe dëmtimin e linjës elektrike, kështu në errësirë të plotë, kërkoja fëmijët, nuk dija se çfarë kish ndodhur me ta. Pashë tim shoq që kish vënë duart në kokë dhe kërkonte të ndizte një qiri. Dëgjova zërin e vajzës, që thirri: Mami, ku je? E mora në prehër, e përkëdhela në kokë, flokët ishin lagur me gjak. Djali ishte zgjuar dhe thërriste: “Ku je, mami”. Në këtë situatë tragjike, u gjendën makinat e zjarrfikëses, që ndriçuan gjithçka kish ndodhur. Më pas erdhën forcat e policisë, që me mjetet e tyre na dërguan në spital. Shpërthimi kish plagosur edhe dy fëmijët e fqinjës, Ardian Kapllani, që jetonin në një aneks në katin e parë, ngjitur me rrugën. Ishin orë tmerri, ishte një natë e përgjakur e 10 majit, muajit të luleve. Më vjen keq, që ky krim makabër u mbyll në dosje me pretekstin se nuk janë identifikuar autorët. Në ditën e 15 vjetorit i dërgova një letër Kryeprokurorit të Republikës, që të rihapë dosjen dhe unë mund ta ndihmoj me gjetjen e autorëve, njëri prej të cilëve me thotë çdo ditë: Mirëmëngjes. Ju pyesni nëse kam tejkaluar misionin e gazetarit? Absolutisht jo. Kam botuar në një libër të veçantë kronikën e përgjakur të viti të mbrapshtë dhe sot, që bisedojmë bashkë, nuk i heq as presjen. Në parathënien e librit shkrimtari i madh Dritëro Agolli, shprehet: ”Libri Vlora-Vlora është një dokument histori, që pas shumë vjetëve, ata që do të merren me historinë, do të thonë duke cituar”: Dëshmitarja e kohës gazetarja Zenepe Luka, shkruan…”. Kolegia ime,duhet të dimë gjënë më elementare të gazetarisë, që, gazetari i terrenit ka për detyrë të përcjellë ndodhinë,duke qenë vetë në ngjarje,të informojë lexuesin çfarë ndodhi, si, qysh, në ç’rrethana? Këtë kam bërë edhe unë. Po nuk e kam bërë vetëm unë,kishte edhe gazetarë të huaj që jepnin çdo ditë kronikat në stacionet italiane,por edhe gazeta të tjera në Shqipëri. Askush nuk i kundërshton ato, por ndalen vetëm tek gazetarja e gazetës “Koha Jonë”. Aspak nuk kam tejkaluar misionin si gazetare,fatkeqësisht komentin e bënin të tjerë që i shihnin me dylbi ngjarjet në Vlorë. Ata nuk ishin gazetarë, 2-3 kokrra mjeranë të lidhur me pushtetin, që po binte, për faj të vetë pushtetit, që kërkuan poste dhe nuk i muarën dot edhe kur u rikthyen në pushtet. Për mua, ata janë bashkëpunëtorë në vendosjen e tritolit në banesën e gazetares së KJ, mesnatën e 10 majit të 1998 dhe këtë e kam thënë disa herë publikisht. Ishin dy gazeta,shërbëtore të pushtetit që më 10 maj shkruanin me gërma të mëdha: ”Zenepe Luka dogji Vlorën dhe në mesnata shpërtheu tritoli. Me to unë jam përballur në gjykatë, që i ka dënuar për shpifje dhe mua më kanë dëmshpërblyer.

Përveçse gazetare, ju jeni edhe autore e disa librave. Cila është tema që keni trajtuar?

Krijimtaria ime ka nisur me botimin në shtypin e kohës, vjersha,tregime,që kur isha nxënëse në shkollën Normale të Elbasanit dhe më pas studente. Kur isha në vitin e fundit në Universitet, dorëzova edhe një vëllim me poezi të titulluar “vajzëri”, por nuk u aprovua. Redaktori, më ktheu përgjigjen se dominon lirikat dhe nuk kishte edhe një rresht për jetën e re,aksionisten,partinë…I kam ato vjersha,do të konsultohem me bashkëshortin dhe fëmijët dhe pse jo, t’i botoj. Ka qenë vetëm viti 1996, kur botova librin e parë,novelën “Rënkimi i Shpirtit.” Në vitin 1998, u botua libri publicistik “Vlora-Vlora. Një jetë në Shërbim të Kombit” është botim i vitit 2002,për tu pasuar me “Unë gazetarja rebele”” Në vitin 2005 doli nga shtypi libri voluminoz “Rrëfej Nermin Vlorën-Ishim tri” dhe në vitin 2007 u promovua libri “Violeta Manushi, Kryezonja e Skenës”. Në maj të vitit 2008 doli libri “Al Bano dhe Albania”, në gjuhën shqipe që ia dhurova këngëtarit të madh në ditën e 65 vjetorit të lindjes, që e festuam bashkarisht në Vlorë. Në korrik të vitit 2012, në vendlindjen e Al Banos, Celino San Marko promovuam librin në gjuhën italiane “Dashuri shqiptare për Al Bano”, ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës Prof. Bamir Topi dhe ku unë u vlerësova me titullin e “Mirënjohjes. Më 30 maj të këtij viti me rastin e 40 vjetorit të diplomimit “Gazetare” dhe 40 viteve karrierë, u promovua libri i fundit”Kjo është jeta ime”. Kam në duar librin “Jabanxheshat e Vlorës” dhe “50 gazetaret e shquara shqiptare”.

18 korrik 2013

Intervistoi Rajmonda Moisiu

26 October 2013

Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, Paris (1919)


Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, Paris (1919)


 Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie ; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.
Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i Ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.
Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.
Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.
Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë. Por çka se, simbas teorisë wilsonjane (të Presidentit amerikan Willson) për me mundë nji popull me u sundue në vetvete, përpos kombësisë, duhet të mirret para sysh edhe ndërgjegja e tij kombëtare. Tashti, për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhdrivillue në vetvete, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar ?
Kaluen po pushtuesit mbi Shqipni, por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrendë drojen dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni, zotni, se unë këtu jam tuj ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej me vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipni :
“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës”.
Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te papriturave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, - dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, - kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.
Botën mbarë në zi do ta mbështillte. - Të flegruem droje shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkëmbu të thepisun. Mbi krye trishtueshëm flakë i shkëlqen tarogëza përkrenarja me brirë që tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut. Ai asht fatosi i ndimun Gjergj Kastrioti, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, stuhi bore prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.
E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë asht nji lule e rimuun me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimni shqiptare kanë luftue. Jo besa, por Greqinë e kanë lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë mundue se sa disa Pushtete të mëdha të cilat aso kohe bajshin spekullime mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot edhe mbi Shqipni. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ju a vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë ai, ja u kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.
Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.
Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, - por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë ; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.
Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.
E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!
Prej këtyne punëve, - për mos me folë për të tjera, - duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.
Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë :
a) barbarë,
b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se
c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun...
Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, - meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe evropiane, kisha me thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, - e megjithate sot ata munden me qenë shtete të lira; - po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme?
Serbt, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden shqiptare bash ne të XX qindvjetë, ndersa sot Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera, kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun? Por edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë qenë po me ato garanci që ka pasë kombi shqiptar. Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të veten me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.
Asht gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji kombi, në qoftë se ne nën fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose breshtninë e shpirtit të tij, ashtu siç duen me e kuptue kundërshtarët e tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej ligjeve të jashtme dhe prej të metave të organizimit shoqnor të nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për të cilët nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën shenjte lexohen këto fjalë : Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21) Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”... Il prezzo qualcuno accetta del’ucciso figlio o del fratello; e l’uccisor, pagata del suo fallo la pena, in una stessa citta dimora col placido offeso.” (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri vrasjen - fyerjen e parë.)
Duket pra mirëfilli se prej të marrunit të gjakut - vendetta - nuk mund të thohet se kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeverisë në vetvete dhe i pamvarun. Por “JO!” thonë kundërshtarët tonë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej faktoreve të jashtëm, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e cila edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se asht e vërtetë, - sikurse njimend asht e vërtetetë! - se poezia popullore asht pasqyra e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, - thonë ata, - prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjaku.
Përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk shfaqet kurrë i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se nga e ka rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi botë, - sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu mbi botë, - e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët mbështeten historianët e sotshëm, t’i kishin dajtë me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë që të gjithi të nji fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s’kanë qenë shtet më vete. Por edhe po e zamë se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë shtet më vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë qenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqishoqin bash mbrenda kufijve të vet.
E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi për arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e sajë, Franca ka hy në luftë botnore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pamvarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?
Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se kombi shqiptar duhet mbajtun për barbar për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat e tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t’i mbrojë ato interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të huej të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu desh domosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jipte do familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin. Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete. Prandej fakti që kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekscentrik dhe barbar, por prej faktoreve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë se si me i shndërrue. E, me e vertetue se kombi i ndamë në shumë fise nuk asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit shqiptar.
U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai i mbajturi në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj... E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po përse tash, inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50 vjetëve jetë kostitucionale nuk përfton kurgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le të lihet nji herë në paqe shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me kombe të tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.
Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.
Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “ Histoire et descriptions de la Haute Albanie” , ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron gërthet nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.” Dëshmi janë këto, Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të qytetnuem.
...
Tash, Zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët, më duhet t’ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë
a) për nji pamvarësi politike;
b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. Mbi pamvarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra, me fjalë të tjera edhe prej Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre, por i respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës. Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të Europës, tash ne nuk na mbetet tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të shtetit shqiptar, dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e pamvarësisë.Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas (që nuk mban anë) memzi mundet me e njohtë me nji të këqyrun. Edhe nji nanë shpesh e ka të vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me përgjakje arma e armikut. - Prandaj lypset të përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skutë toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa duhet.
Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë.
Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i imponohet nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet.
Gjuha tatohet ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por si prej njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk ka qenë ma i fortë se popujt që ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare. E për këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.
Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”, tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet shqiptar.
Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht shqiptare. Serbt na thonë se banorët e Kosovës me prejardhje janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe sikletit.
Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë kurrë me gri - e në ç’mënyrë mandej! - me qindra e mijëra vëllazën “bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë grek.
Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen.
Por për me i forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu (në diplomaci - asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.”
Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve.
Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë që me 24 nandor 1880 thonte në Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë. E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri ? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit ? Vetëm mbështetun në parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë... Në mos paça harrue, siç kam ndi prej profesorëve të mij, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Anì, ndërrojani zotat, por të paktën pyetini këto bagëti njerëzore që quhen popull !”

25 October 2013

Drama e robërisë dhe e lirisë nder shqiptaret- Nga I.Kadare

Ismail Kadare komenton deklaratat e 3 kryeministrave në Prishtinë.

“Një nga turpet e mendimit shqiptar, që qenia e Shqipërisë u  detyrohet dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist”

“Qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Kështu do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit…”. Këto janë pasazhe nga libri “Mosmarrëveshja” e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i botuar rreth 3 vite më parë, por që pas deklarimeve të tre kryeministrave në Prishtinë duken shumë aktuale, por edhe rihapin debat. Kreu i qeverisë turke, Taip Erdogan, i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe i asaj kosovare, Hashim Thaçi, mbajtën fjalime afeksionuese për marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës, më 22 tetor. Ndër të tjera, Rama e Thaçi thanë se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, dhe e quajtën “vëlla” Erdoganin, ndërsa ky i fundit tha: Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë. Deklarime që kanë shkaktuar mjaft reagime, qofshin pozitive apo negative. Por, për Kadarenë duket se nuk janë të panjohura këto lloj “flirtimesh” mes shqiptarëve dhe turqve. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, në vend të një komenti apo replike, ai sugjeroi pikërisht librin “Mosmarrëveshja”. “Nuk i kam lexuar të plota deklaratat e tyre, por me aq sa jam njohur nuk mund të bëj ndonjë reagim apo koment të çastit. Sepse për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve unë kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”, ndaj nuk kam çfarë të shtoj tani gjë tjetër. Çfarë kam thënë në libër, mbeten aktuale…”, tha Kadare, duke na autorizuar njëkohësisht që të botojmë një pjesë ku flet pikërisht për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve…                                                    e.ilnica

EPILOG ME ZOTIN
…Që Shqipëria kishte pushuar së qeni e shtrenjtë për shqiptarët, ishte e lehtë për t’u besuar, por vështirë të vërtetohej. Që fortësia e saj pengonte dashurinë për të, as kjo s’mund të pranohej. I kapur si në ngërç, mendimi shqiptar për kombin vetvetiu prirej drejt formulës së re: më i fortë se kurrë, më i brishtë se kurrë. Ishte një kushtrim i ri, i sinqertë ose jo, për një rrezik të përfytyruar? Kronika shqiptare rrallëherë jepte shembull të tillë. Kishte pasur aq shumë rreziqe të vërteta, sa nuk mbetej vend për të rremet. Ndërkaq, himni i vjetër i shtetit, ai që na ka shoqëruar në këtë përsiatje, kishte gjasë të na çonte te një kuptim i ri i gjërave. Në fund të fundit, pllaka memoriale koniciane, motërzimi në mermer i himnit, nuk ishte veçse njëri nga kumtet himnoide, atij të fshehtit. Dhe si e tillë do të merrej. Që himni ishte po ai qysh prej krijimit dhe që pllaka memoriale këmbëngulte në të sajën, kjo dëshmonte për një patologji të kthyer tashmë në shenjë identitare. Shenja ishte tepër e pikëllueshme, nga ato që rrallëherë iu binin në pjesë popujve: ideja se ky komb ishte i padashur, për të mos thënë i papranueshëm prej të tjerëve. Ankesa, përveç që kishte diçka të padenjë, siç ndodhte shpesh me viktimizimin, do të kthehej më pas, gjatë rendit komunist, në një fortashtrojë (platformë) që do të përligjte një nga krimet kryesore të kohës: armiqësimin e Shqipërisë me botën, kryesisht me Perëndimin. Miti i një sulmi të mundshëm të këtij do të përligjte rendin diktatorial shqiptar, mizorinë, bunkerët dhe shterpësinë e tij. Krahas me të, si shëmbëllim i kësaj ankese, do të gjëllonte një tjetër, po aq groteske: fantazma e përthithjes sllave. Si rrjedhojë e kësaj, do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Me fjalë të tjera, qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit. Në të vërtetë, sllavët ballkanas në Perandorinë Osmane, duke qenë vetë në gjendjen poshtëruese të rajasë, nuk kishin mundësi joshjeje, aq më pak asimilimi mbi të tjerët. As zhvillimi ekonomik e shoqëror e as identiteti i tyre i shtypur nuk jepnin dorë për diçka të tillë, sidomos përballë identitetit sprapsës e kryeneç shqiptar.
Shqipëria nuk ka qenë dhe as do të ishte e padashur prej familjes së kombeve. Madje mund të thuhej se, ashtu siç kishte zëra që ankoheshin për mosvëmendje ndaj Shqipërisë, po aq, në mos më shumë, kishte zëra të tjerë që ngulnin këmbë për vëmendje të tepërt, për të mos thënë, llastim të saj.
* * *
…Me kalimin e shekujve, jo veç të huajt, por shqiptarët vetë, gati-gati po besonin se Shqipëria nuk rrethohej më nga vise europiane, siç ishte në të vërtetë, por ishte zhvendosur drejt daljes së kontinentit të vet, në kufi me Azinë. Si e tillë, si hapësirë ndërprerëse a urë kalimi aziatiko-europiane, përftohej ajo që e kishte Azinë rreth një mijë kilometra larg. Ky status gjysmak, ky as-as (as Europë, as Azi), nuk do t’i ndahej Shqipërisë edhe pas shembjes së Perandorisë Osmane. Nuk ishte metaforë, por gërmadha e projektit makabër për shuarjen e një kombi. Shestimi kishte mbetur përgjysmë. Në zanafillë të tij ishte një hakmarrje e egër, nga ato për të cilat perandoritë ishin veçanërisht të afta. Nga gjithë popujt e gadishullit, shqiptarët, si dëmtuesit më të mëdhenj të vrullit osman te portat e Europës, do të merrnin edhe ndëshkimin më shembullor. Nga popujt e Ballkanit Perëndimor, ky ngjante si i krijuar enkas për shpagim të tillë. Ndryshe nga grekët dhe sllavët, që kishin mbrojtjen e tërthortë, të parët, të trashëgimisë bizantine, të dytët, të farefisnisë sllave, shqiptarët s’kishin askënd. Midis shpërfilljes dhe heshtjes, pa iu dhimbsur kujt dhe pa dëshmi, ata pësuan një prej zezonave më të mëdha që ka njohur bota: dergjën osmane.
Midis sajesave të botës, ato që mund të pillnin një dergjë ishin ndër më të paparashikueshmet. Në rastin turko-shqiptar, ndodhi diçka që historia nuk e ka sqaruar ende plotësisht. Një lodhje nga ato që cilësohen në të gjithat gjuhët e botës si “lodhje vdekjeje”, por që në këtë rast merrte kuptimin e kryehershëm të saj? Një lodhje sunduesish e të sunduarish bashkë? Një stërvdekje a një mbimort?
Prej shurdhimesh të tilla mund të pritej gjithçka. Nga shurdhimi osmano-shqiptar u sajua diçka e frikshme në befasinë e saj: prirja për t’u marrë vesh. Në vështrim të parë, thirrja e osmanëve “bëhuni turq” do të merrej si një kulm i shpagës e i poshtërimit. Me fjalë të tjera: ju na penguat te portat e Europës? Ne e morëm hakun: ju mundëm. Ua morëm dheun, shpirtin, gratë, foshnjat, gjithçka. Dhe prapë mos kujtoni se e shlyet fajin! Tani ju do të harroni kush ishit. Do të ulni kryet, jo më si shqiptarë, por si ish-shqiptarë, dhe ashtu, në gjunjë, do të kërkoni ndjesë. Në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë kështu. Thirrja për t’u kthyer në turq s’ka qenë asnjëherë e drejtpërdrejtë, por tepër e tërthortë. Dhe asnjëherë me një kumbim hakmarrës, përkundrazi si një venom. Tingëllimi i vërtetë i saj do të ishte: u bë ç’u bë, le ta harrojmë. Në qoftë se doni të shijoni të mirat e perandorisë, bëhuni si ne. Thirrja e fundit ishte gjithashtu tepër e përkorë. Për të shmangur fjalën plagosëse “turk”, ishte gjetur myslimanizmi, një nga tri besimet kryesore të botës. Ishte çelësi i artë, kushti i vetëm për të hapur portën e mundësive të mëdha: karrierës, pasurisë, lavdisë. Ishte joshja që i bënte perandoria fitimtare popullit të mundur, hapësira e pafundme hapësirës së ngushtë, së fundmi favori befasues, që ngjante dyfish i tillë, ngaqë vinte në vend të ndëshkimit.
Tundimi ishte tronditës. Lëkundja gjithashtu. Nuk ishte veç një hap, një zgjedhje, një lamtumirë. Madje dhe kjo e fundit s’ngjante aq dramatike siç mund të ishte dukur. Nën të njëjtin pullaz katolik mund të jetonte vëllai mysliman. Shkurt, prej të njëjtit qumësht nëne mund të rriteshin vëllezër të ndryshëm. Edhe më shkurt: brenda racës shqiptare, po gjëllonin vatrat familjare dybesimëshe. Ndërkohë, mosbesimi i të dy palëve ndaj njëra-tjetrës duhej të ketë qenë i pafund. Ishte e natyrshme që secila palë të dyshonte se tjetra ia kishte me dredhi: shqiptarët do të hiqeshin sikur ishin ndarë me kryqin, pa u ndarë, kurse osmanët s’do të mbanin asnjë premtim, si çdo sundues. Vitet kalonin, por rënia e maskave, aq shumë e pritur, nuk ndodhi asnjëherë. Po ndodhte e kundërta. Shqiptarët, të ndarë më dysh, me kryq e pa kryq, do të vazhdonin jetën e tyre. Ata të kryqit, do të mbartnin, siç thuhej, kryqin, e të tjerët do të gëzonin postet e premtuara. Shqipëria i ngjante një teatri, ku në të njëjtën skenë luhej herë drama e robërisë e herë ajo e lirisë, pa u qartësuar asnjëherë se cila ishte e vërteta dhe cila e rremja.
Në këtë luftë maskash, kombi shqiptar humbte çdo stinë e çdo vit. Shfaqeshin çdo stinë shqiptarë me famë dhe pasuri, por, ashtu si në përrallat me kapërcim të ylberit, fill pas kapërcimit,  pra matanë ylberit, ata s’ishin më shqiptarë. Rrallëherë në histori kishte qëlluar që fama dhe lavdia vetjake e personazheve, në vend që t’i vinte në ndihmë kombit që i përkisnin, ktheheshin kundër tij. Do të mjaftonte vetëm shembulli i postit të kryeministrit perandorak, që iu dha shqiptarëve, prej të njëjtit shtet që ndalonte me dekret shkrimin e gjuhës shqipe, për të kuptuar se në ç’nyjë tragjike kishte hyrë fati shqiptar…
Tiranë-Paris,
Verë dhe dimër 2010-2012

17 October 2013

Gegë, toskë… dhe budallenj - nga Ardian Ndreca

Ardian  Ndreca

Gegë, toskë… dhe budallenj

Ardian Ndreca

Nji mik i jemi që ndjek çdo gja që ndodh në Shqipni, tejet i revoltuem, më lutej me e lexue librin e Mustafa Nanos për gegët, e madje më thonte se do të m’a dërgonte menjiherë për me e lexue. S’ia pashë dalë, e ai ashtu bani.
Në Shqipní shumë shpesh mjafton me hedh nji gur në ujë për me u ba i famshëm, dhe Nanoja me atë libër s’ka hedh nji gur por nji kamion të tanë me guraleca, tue shpresue se kur të mbërrinin tek lexuesi do të ktheheshin në shkambinj idesh, mbi të cilët do të dukej i skalitun profili i tij klasik.
Për mos me lanë vend për keqkuptime, po e them pa dorca se ai libër asht nji “summula” marrinash aq të pakuptimta sa që s’mbërrijnë me të lanë as shije të keqe. Mendoj se edhe me pasë vu në rimë e në muzikë numratorin telefonik të Çorovodës do t’i kishte dalë diçka ma interesante.
Miku jem i indinjuem më thonte: – Kujtoja Nanos se në vitin 1944 në Shkodër, në kryeqendrën e “malokëve”, miqtë e tij partizanë gjetën ma se 20 pianoforte ndër shtëpiat qytetare, ndërsa në Skraparin e tij merreshin me zgjidhjen e problemeve të nalta të mekanikës klasike sesi me i hapë birat fyellit.
Kajherë shkodranët kanë fantazi e të bajnë vetëm me qeshë. – Po mirë, i thashë, ndërsa ata shkodranët tu të “belle époque” ngjiteshin në qiellin e shtatë nën tingujt e Chopin-it, skraparllinjt, që kanë rakinë ma të mirë në botë, e mbërrinin nji naltsi të tillë, pa asnji mundim, thjesht me avujt e saj hyjnorë! E ai vijonte me litanitë e tija reaksionare, a thue se Nanoja ka ba nji revolucion dhe jo nji libër që mbrenda nji mueji ka me u kthye prej kah ka ardhë.
Tentativa si kjo e Nanos janë të paracaktueme me dështue e në ketë drejtim mund të jepja me qindra shembuj librash që mëtojnë me dhanë gjykime sa të përgjithshme aq edhe të cekta për popuj, krahina, etni, fise të ndryshme të botës. Këto lloj librash ngjasojnë me muhabetet e kafeve që kanë lezet aq sa kafja asht e ngrohtë, mandej bahen bajate. Nga ana metodologjike libri i Nanos nuk ka, dhe në të vërtetë nuk mëton me pasë, asnji drekcë shkencore, nga ana eksperimentale asht pothuejse baraz me zero. Atëherë ku bazohet? Nanoja asht nji cikrrimtar ase bakall që ka mbledhë mallna gjithnduersh, prej atyne që shiten me peshë e prej atyne që jepen me kokrra, e ngulmon me na i shitë si të ishin nji gja e njitrajtshme, si të ishin mendime të thella rreth gegëve dhe toskëve.
Meqë Nanoja ka vendosë me vu qeleshe maje krejet, ka marrë edhe çiftelinë në dorë dhe asht ba gegë, atëherë efekti i parë i metamorfozës së tij asht theksi i emnit, që nga oksiton i bahet paroksiton: Mustàf-a, madje i tingllon ma mirë pse ia mbledh zanoren e fundit tue i vu nji si brez malcorësh.
Mustafa nuk e din, e s’ka sesi me e dijtë, se nji përpjekje të ngjashme me atë të tijën e ka ba edhe Immanuel Kant-i (që në Shqipnín tonë asht mendimtar ma pak i njohtun se Mustafa) në vitin 1798, kur atëbotë pat nxjerrë në dritë “Antropologjinë në kandvështrimin pragmatik”, ku në nji shenj vendi jep apo citon gjykime interesante, si psh: italianët kuvendojnë në salla të mrekullueshme dhe flejnë në kolibe, anglezët janë popull me oborrësí, themelojnë për vedi institute bamirësie ku s’hyjnë dot ata që nuk janë anglez, francezët janë bashkëbiseduesa të kandshëm sidomos me të huejt, turqit europianë nuk kanë karakteristika për t’u dallue si popull, gjermanët kanë karakter shumë të mirë etj. etj. Në fakt Kant-i nuk mbahet mend për ketë libër, dhe me shumë gjasë edhe Mustafa në mos e shkroftë nji tjetër ka me u harrue shumë shpejt, pse me pohue se me gegët ban komb e me toskët ban shtet, asht njilloj si me thanë se gegët e toskët e të gjitha kohnave, meqë gjykimi asht kategorik, kanë nji mendje të vetme e s’ndryshojnë kurrsesi.
Gegë e toskë ne jemi nji, të ndryshëm por nji, të “detyruem” ambëlsisht prej historisë me jetue dhe me luftue bashkë, asgja nuk na ndan, madje as marrinat që numron Mustafa në librin e tij. I due shqiptarët gegë e toskë, due ma shumë toskët, sidomos polifoninë e tyne që asht ndoshta gjaja ma e çmueshme që kemi. Mes nesh ka ndryshime por jo kundërshtina, prandaj Tosknija asht atdheu jem po aq sa asht Shkodra, vendi ku kam lindë.
Si cikrrimtar i zoti që asht, Mustafa mbledh sa andej këtej jo ide por thanje, p.sh. Antonio Baldacci për të ka randësi pse ka thanë se shqiptarët e njimendt i gjen ndër gegë. Mustafa s’e din ndoshta se Baldacci ka qenë nji botanist i lauruem në veterinari që sot kujtohet për zbulimin në alpet tona të lules që mban emnin e tij “wulfenia baldaccii”. Përposë kësaj mund të kujtohet edhe për nji letër drejtue Enver Hoxhës me 23/6/1947 ku i propozonte me u bashkue me Malin e Zi (shih: “Hylli i Dritës”, n. 4, 2006).
Libri i Mustafës asht nji vepër eseistike ku gjykimet e nji veterineri përmbi shqiptarët merren si bazë shkencore.
Nji tjetër udhërrëfyes i Mustafës asht edhe libri i Indro Montanelli-t për Shqipninë. Nji libër vetvetiut i cekët, mbasi autorit nuk iu holluen as shojet e këpucëve në ato pak ditë që ndejti në vendin tonë, aq ma tepër që asokohe ishte i turbulluem prej vrulleve fashiste e kjo ka qenë arsyeja që ma vonë s’ka pasë asnji dëshirë me e kujtue at’ libër, madje po t’ia përmendje ndërronte bisedë menjiherë. Nji tjetër mentor i tiji asht edhe Schmitt-i i famshëm, i cili tashma citohet vetëm prej gazetarëve dhe s’ka si me qenë ndryshe kur nji historian shtin konceptin e “protoshqiptarit”, tue e përçansue atë si nji diçka prehistorike. Për Schmitt-in shqiptari rrjedh prej protoshqiptarit pak a shumë siç rrjedh njeriu prej majmunit. Të vjen me e pyet a ka zbulue gja rreth protozviceranëve, a mos kanë ecë kambadoras apo kanë ba fluturime pindarike siç ban ai vetë kur shkruen qitabe historijet!?
Nji tjetër autor që frymzon Mustafën asht shkrimtari anonim Jaray që flet për “shqiptarët e panjohtun” e dikund në shenjimet e tija ban ketë oroe gjeniale: krenët e malsive nuk dijnë gjuhë të hueja, ndërsa bejlerët e Vlorës po. Përpara këtyne perlave nuk mund të rrihet indiferent, dhe në fakt Nanoja e nënvizon në librin e tij eseistik, pa u kujtue se asokohe shumica e shqiptarëve, gegë e toskë, ishin thjesht analfabet e kur e lypte puna nënshkruenin me gisht. Nji autore që sillet nepër libër asht edhe N. Clayer, por me ketë nuk e kam ndër mend me u marrë pse asht e paklasifikueshme, ndoshta fati i saj i vetëm përposë hulumtimit të historinave me dervishë të Bosnjës, asht fakti që tue qenë e martueme me nji politolog serb ka mujtë me u ftillue si duhet rreth Shqipnisë dhe shqiptarëve.
Nji tjetër autor që e ka frymzue Mustafën asht Sejfi Vllamasi, i cili tue qenë si i internuem në kohë të komunizmit në Myzeqe, shkruente kujtimet e tija “ad usum delphini” që t’i shkonte për shtat komunistave e mundsisht të kishte ndonji privilegj. Për ketë arsye, Vllamasi, që nuk ishte dallue asnjiherë për ndonji karakter të naltë, hedh baltë mbi shumë personalitete që ishin deklarue anmiq prej regjimit komunist dhe pa pikën e turpit falsifikon fakte historike të padiskutueshme.
Në librin e vet Nanoja ka mbledhë sa andej këtej nektar edhe prej librash tjerë, të cilët nuk i shtojnë vlera pohimeve që ai ban me nji shpengesë të papërfytyrueshme: gegët qeflinj të armëve, toskët të pareve, gegët janë trima, toskët janë mendjehapun, gegët janë fanatikë, toskët janë të shthurun, gegët janë zogollianë, toskët janë fanolianë. Të ishte zgjatë edhe nji grimë do të kishte vijue me krahasime fiziognomike të tipit: lumjanët e kanë kryet si qeser, skraparllitë si djathbebe e të tjera xhevahire si këto.
I gjithë ky libër korkovell nuk asht tjetër veçse nji muhabet mbas kosit, nji golle e madhe logjike. Madje ajo që të fyen disi nuk janë vrejtjet antropoilogjike që autori ban për gegët, por lavdet e pipiriqueme me të cilat sherbetos faqet e atij libri, aq sa pohimi i tij “unë jam gegë” tingëllon si me dashtë me thanë: edhe un jam gay apo edhe un jam zezak!
Leximi i librit eseistik, siç e quen botuesi, vështirsohet prej sintaksës së randueme prej ushqimit të tepërt të autorit me kulturë anglosaksone, aq sa edhe fjalitë ngjajnë kajherë si me qenë në gjuhë të huej. Por ky asht rreziku i gjithë atyne që ushtrohen me zell në lexime dhe studime në gjuhë të hueja. Megjithatë ma mirë se kaq autori s’do të kishte shkrue edhe po ti ishte mbushë mendja me botue nji traktat për prostatën apo për mbarështimin e gjedhit.
Libri asht pritë në lindje prej dy gegësh, njeni gjeografikisht gegë, Henri Çili, tjetri gegë 24 karatësh, Primo Shllaku, të dy kanë asistue nji lindje pa dhimbje, ase e thanun ndryshe nji dështim të suksesshëm: “polli mali dhe bani nji mi qesharak”, kishte me thanë Horaci.
Vetëm kaq, pjesa tjetër e veprës asht e shkëlqyeshme.

MAPO  17 tetor 2013

03 October 2013

NDIHMESI I MUSOLINIT PER ZOGUN - Alessandro Lessona

NDIHMESI I MUSOLINIT PER ZOGUN - Alessandro Lessona

Alessandro Lessona
Ndihmësi i Musolinit:
Si firmoste Zogu në këmbim të parave

Asnjë nga diplomatët që e kishte takuar e kishte biseduar më të, nuk e kishte përshkruar me aq detaje. Sigurisht, atij i ishte dashur ta takonte shpesh dhe të diskutonte me të për çështje të një rëndësie të veçantë dhe madje tepër sekrete.
Alessandro Lessona do të bëhej papritur një nga njerëzit më të besuar të Musolinit gjatë viteve ’30-’40. Ishte fare i ri atëherë, kur mori përsipër të bëhej ndërmjetës mes Italisë dhe Shqipërisë, për lidhjen e një traktati të fshehtë. Ishte ai që do të bindte mbretin Zog me të gjitha mënyrat të hidhte firmën dhe në këmbim do të sillte vetë valixhen me paratë që i duheshin Zogut për të mbajtur pushtetin e tij, të kërcënuar nga të tijtë, në një krizë të thellë financiare. Shtëpia botuese “55″ hedh në treg librin me kujtime të gazetarit dhe politikanit italian Aleksandër Lessona, botuar në maj të vitit 1958 nga shtëpia botuese “Sansoni”, në Firence. Libri është përkthyer nga Kostaq Xoxa, dhe është një vështrim mbi misionin italian në Shqipëri. “Alessandro Lessona ishte një ndër përgjegjësit më të spikatur të politikës italiane në kohën kur Ahmet Zogu ishte në krye të vendit. Në vitet 1929-1936 ishte nënsekretar për kolonitë italiane. Drejtoi dikasterin në vitet ’36-’37 kur, pas shpalljes së Perandorisë, u emërua ministër i Afrikës italiane. Ka pasqyruar arsyet e natyrës politike dhe ekonomike për kolonizimin demografik të Libisë, që u realizua nga Kuixhi Raca (Razza) më 1932 dhe veçanërisht nga Italo Balbo, në vitin 1938. Në vitin 1936 ndërtoi një forcë ushtarake të re, por jo të rregullt, “Trupin e policisë koloniale”, i cili u quajt më vonë (1939) “Trupi i policisë të Afrikës italiane”, që njihej zakonisht nën fillestaret PAI (Policia e Afrikës italiane). Ka pasur detyra në dikastere që kishin të bënin me çështjen e sigurisë publike. Lessona ka qenë një njeri i besuar i Musolinit”, thotë Alda Bardhyli, drejtoreshë e botimeve “55″. Sipas saj, kujtimet e Lessonës hedhin dritë mbi “traktatin e fshehtë italo-shqiptar të 1926-s”. Lessona na ofron të dhëna se si u arrit kjo marrëveshje, “dredhitë” që i është dashur të përdorë për t’i marrë firmën Zogut dhe mendimin që Musolini kishte për Shqipërinë. Por libri merr edhe më shumë vlera prej përshkrimeve të shumta të Lessonës, jo vetëm mbi Shqipërinë e atyre viteve, gjendjen e mjeruar e të prapambetur, por edhe të presidentit shqiptar të asaj kohe, Ahmet Zogut, i cili ende nuk ishte bërë mbret.

Pjesë nga libri
Musolini e ngarkon Lessonën për bisedimet me Zogun


-Jam në një mendje me ju, – më tha Musolini, – por në këtë çast do të ishte e përshtatshme që veprimi juaj të zhvillohet zyrtarisht. Merrni takim me senatorin Kontarini, sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme. Përcaktoni me të kërkesat italiane dhe pastaj shkoni sërishmi në Shqipëri.
Senatori Kontarini ishte një person me përvojë të madhe, por ishte i mbërthyer në sistemin tradicional të diplomacisë së vjetër; veçanërisht në rastin konkret, ishte pikërisht ai që hallakatej në marrëveshjen ballkanike dhe duket se për këtë shkak nuk e gjeta entuziast në idenë për një marrëveshje më vete me Shqipërinë. Por urdhrat e kryetarit të qeverisë ishin të saktësuara dhe senatori nuk u luhat që të më jepte elementet e nevojshme për kërkesat italiane ndaj Zogut. Ka gjasa (dhe në trurin tim vagëllonte ky dyshim atëherë) se ai do të dëshironte që këto marrëveshje, për të cilat po flisnim, të dështonin.
Këto kërkesa, senatori Kontarini dhe unë, pasi i diskutuam gjerësisht së bashku, na çuan në përpilimin e një traktati ushtarak të fshehtë, me anë të të cilit Shqipëria do të vinte në dispozicion të Italisë truallin e saj, në çastin e një lufte me Jugosllavinë; Shqipëria do të ofrohej për koncesione në zonat naftëmbajtëse, për koncesione në zonat bujqësore që do të përcaktoheshin; në ndërtimin e një Banke me monedha shqiptare, të ndihmuar nga kapitali italian.
Kërkesat tona të forta e bënin, sipas mendimit të Kontarinit, të flaktë misionin tim. Por isha i ri dhe, kur i hipa në Bari torpedinierit që u vu në shërbimin tim, isha tërë vrull pune. Detyra ime ishte lehtësuar nga (dëshira e Zogut që të njiheshin synimet e tij ndaj popullit shqiptar që jetonte jashtë kufijve zyrtarë), si edhe të kuptohej nevoja e ngutshme për para dhe për ndërtimin e një ushtrie të rregullt, me përgatitjen e oficerëve dhe me zotërimin e materialeve luftarake të përshtatshme. Kjo pika e fundit kishte të bënte me kundërbalancimin e ndikimit anglez që kishte arritur në pranimin shqiptar për të pritur instruktorët anglezë për policinë.
Në bisedimet me Zogun e dalloja lehtësisht se ishte i prirë gjithmonë që të ma hidhte. Prandaj kam thënë se ishte pa skrupuj. Vetëm kur më fliste për vëllezërit e tij, të cilët ofshanin nën zgjedhën e huaj, m’u duk se shihja në sytë e tij një shkëndijë sinqeriteti dhe ngashërimi.

Populli shqiptar, fukara dhe në mjerim, ruante një ndjenjë të pamatshme të krenarisë kombëtare dhe krekosej me të kaluarën, që përmblidhej në heroin shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili ishte quajtur si shpëtimtari i krishterimit të kërcënuar nga turqit. Çdo gjest imi, çdo veprim, do të duhej të kishte parasysh këtë sedër të madhërishme, që ta bindja se ne bisedonim si i barabarti me të barabartin.
Sapo zbrita në Shqipëri, puna e parë që më duhet të bëja ishte krijimi i marrëdhënieve me ministrin italian në Shqipëri. Para se të nisesha, senatori Kontarini, me urdhrin e kryetarit të qeverisë, më porositi që të mos zbulohej nga askush qëllimi i vizitës sime në Shqipëri, as nga ministri italian madje. Qeveria jonë donte të ishte e përmbajtur për çdo rast, që të mundej të bënte përgënjeshtrimet e mundshme, për çdo pjesëmarrje zyrtare në këtë problem. Kjo më vinte në një gjendje të vështirë, sepse prania ime në Shqipëri dhe vizitat te Zogu nuk mund t’i shpëtonin vëmendjes së autoriteteve publike italiane, të cilat e gjykonin jo me sy të mirë qëndrimin tim (në kundërshtim me rregullat e protokollit, që përcaktojnë që çdo italian jashtë shtetit t’u paraqitej përfaqësuesve të vet diplomatikë); madje mund të më krijoheshin edhe vështirësi pranë Zogut.

Në krye të një shteti me arkat bosh

Bisedat me Zogun, për zhvillimin e të cilave nuk do të zgjatem, qenë më të ngatërruara e të vrazhda, nga ç’i kisha përfytyruar. Vështirësitë që më paraqiti, kur u hymë bisedave për çështje të ndryshme në hollësi, nëse kishin njëfarë justifikimi në qëndrimin ndaj Anglisë dhe ndaj Jugosllavisë, për dyshimin e pranisë sime në Shqipëri, do të duheshin, për më tepër, të shpjegoheshin me këmbënguljen e Zogut në kërkesat e këtij të papranueshme, me synimin e qartë që të kundërbalancohej sa më shumë.
Më propozoi që t’i shisja qeverisë italiane një shtrirje të madhe pyjesh në krahinën e Matit, në pronësi të tij, përveç një subvencioni sa më të shpejtë për një shumë prej një milion e pesëqind mijë liretash. Iu përgjigja se kjo blerje nga ana e italianëve mund të bëhej. Por, që të tregonte nga ana e tij vullnetin e mirë në pranimin e kërkesave italiane, ai duhet të zgjidhte, së paku, koncesionin më të lehtë dhe më të dobishëm për Shqipërinë, atë të Bankës Kombëtare të emetimit të pareve. Ma premtoi. I telegrafova atëherë Romës duke shfaqur mendimin tim që të pranonte propozimin e Zogut dhe, si mora miratimin, u ktheva në Itali për të tërhequr shumën që t’ia bija Zogut. Pyjet u dokumentuan të blera nga hekurudhat e shtetit italian; por në faturën që unë mëtoja për shkarkimin tim, të firmuar nga Zogu, shënohej se ky kishte marrë nga kryetari i qeverisë italiane shumën për shitjen e pyjeve, në pronësi të Zogut.
Dokumenti, që ishte açik komprometues, e habiti mikun tim Paoluçi de’ Kalboli Baronen, shefin e kabinetit të Ministrisë së Jashtme. Kur e lexoi, buçiti: – “Po si ia arrite që të vësh në dorë një dokument me vlerë kaq të madhe?”.
Zogu e mbajti fjalën dhe, pas disa ditësh nga kthimi në Shqipëri, më tha se kishte vendosur që të firmoste konventën ndërmjet qeverisë shqiptare dhe një grupi financiar italian, të përbërë nga bankat kryesore, me përparësi të kreditit italian.
Më së fundi u hodh hapi i parë drejt qëllimit që kisha për detyrë të arrija. I telegrafova Romës që të bëhej akti zyrtar për çka isha marrë vesh. I ngarkuari me aferat, Ugo Sola e vuri në kartë atë që kisha arritur. Komentator Mario Alberti, i kreditit italian, u ngarkua që të ndihmonte Solën si teknik. Më 12 shtator 1925 u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë, duke ruajtur ekskluzivitetin për nxjerrjet e kartëmonedhave. U themelua edhe “Shoqëria për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë (S.S.E.A.), e përcaktuar për t’u bërë ballë nevojave më të ngutshme shqiptare, përmes një huaje italiane prej 50 milionë frangash ari.
Puna ime dhe durimi im kishin përfunduar një pjesë të mirë të marrëveshjes. Tani mbetej më e rëndësishmja dhe më e vështira: ajo e traktatit të fshehtë. Presidenti Zog më kishte siguruar vazhdimisht për çështjet ekonomike. Në të vërtetë, menjëherë pas koncesionit të Bankës, më tha se edhe koncesionet e tjera, ato naftëmbajtëse dhe ato bujqësore do t’i jepeshin Italisë. Më ngurrues tregohej kur fliste për traktatin e fshehtë, nga halli se mos shkaktonte zemërimin e Anglisë, kur ne kujtonim se çështja e këtij traktati ishte vënë në vijë. Një ditë më tha:
-Nëse Anglia do të binte një skuadrilje e të bombardonte Durrësin, a jeni ju të mendimit se Musolini do të rrezikonte një luftë kundër anglezëve për Shqipërinë?
Edhe në këtë pikë më ndihmoi fati. Zogu gjendej në kushte financiare aq të dëshpëruara, saqë ushtarakët nuk ishin paguar prej shumë muajsh. Tani ndihej një pakënaqësi kundërvepruese gjer në ngritje të kryes ose, në rastin më të mirë, për të braktisur detyrën ushtarake e për t’ia mbathur për në shtëpi.
Një pasdite, Zogu më thirri me ngutje dhe, ndonëse mundohej sa më shumë që të ishte i përmbajtur, më njoftoi, përmes shprehjesh dramatike, se edhe malësorët e tij besnikë ia thanë troç se ishin lodhur duke pritur dhe i jepnin ende një afat prej katër ditësh, që të merrnin atë që ua kishte borxh, përndryshe do t’i linin pendët.
-Arkat e mia janë bosh, – më tha, – dhe nëse ju nuk do të jeni në gjendje të më siguroni një hua nga Italia brenda tri ditësh, unë do ta humbas pushtetin dhe për Italinë do të perëndonin shpresat që të vendosnin në këtë anë të Adriatikut ndikimin e tyre.
-Nuk është çasti që të bëjmë ankime, – i thashë, – por nuk mund të rri pa ju thënë se, po të ishit paksa më i shpejtë dhe më pak zvarritës në arsyetime në pranimin e kërkesave italiane, tani nuk do të ndodheshit në një gjendje kaq të rrezikshme. Unë do të bëj gjithçka kam në dorë për t’ju ndihmuar, sepse është edhe interesi i Italisë në këtë mes. Me këtë rast më duhet t’ju përsëris, ndonëse nuk do t’ju duket aq e mirësjellshme, se në të ardhmen do të duhet të jeni pak më i gatshëm e më i papërtueshëm me miqtë tuaj italianë.
Ai u hallakat atëherë në një mal justifikimesh të stërholluara, si për të kërkuar ndjesë, në atë mënyrë që vetëm orientalët janë të zotët ta bëjnë dhe më tha se unë nuk e çmoja si duhet gjendjen e tij skajshmërisht të vështirë. Sidoqoftë, më premtonte solemnisht se do ta nënshkruante traktatin e fshehtë, për të cilin kishim folur gjatë, sapo të kthehesha nga Italia. Atëherë, për të zbutur paksa pjesën e parë të bisedës, i thashë se kisha besim në ndjenjën e tij të nderit dhe e quaja traktatin e fshehtë si të firmosur qysh tani, meqë presidenti i republikës më jepte siguri për këtë.

Shuma e siguruar

Ishte një mbrëmje e së premtes. Unë kisha në shërbim vetjak për udhëtimet e shpeshta Itali-Shqipëri dhe anasjellas, anijen ushtarake “Bafile” dhe një torpedinier të Marinës mbretërore. Në vendin e ankorimit në Durrës këtë herë më priste anija ushtarake “Bafile” që komandohej nga dhëndri i D’Anuncios, komandanti Montanarela.
Pas bisedës me Zogun, me shpresën se do t’i hipja në kohë anijes për të mbërritur në Bari në mëngjesin tjetër, para orës tetë, në mënyrë që t’ia arrija për të marrë trenin pa ndalesa për në Romë, përgatita me nxitim valixhet në hotel dhe u nisa vrap për në Durrës. Për fat të keq, megjithëse dhashë urdhër që të ecnim me të katërta, mbërrita në Bari mjaft vonë dhe u detyrova të merrja trenin e mbrëmjes, duke mbërritur, kështu, në Romë, të dielën në mëngjes. Që të mundja t’ia sillja paratë që i nevojiteshin Zogut të martën, do të duhej të nisesha po atë mbrëmje. Pra, më mbeteshin vetëm pak orë (duke qenë, madje, edhe në ditë pushimi) që të arrija të pritesha nga kryetari i qeverisë e që të mund të merrja shifrën që më duhej. Një rekord i pabesueshëm.
Për fat të mirë, ia arrita të pritesha nga kryetari i qeverisë po atë mëngjes. Pas shpjegimeve të mia të gjata e të hollësishme, për të treguar se si u zhvilluan marrëveshjet, ai ishte me mua, se Italisë i interesonte që ta përkrahte Zogun për ta mbajtur fuqinë. Jugosllavia e kuptoi se unë nuk isha një inxhinier, por një deputet fashist. Anglia po nuhaste që diçka po luhej nën rrogoz. Por tashmë letra ishte hedhur dhe duhej bërë çdo flijim që të ishte një kartë fituese.
-Tani, Lessona, më tha Musolini, fillojnë vështirësitë më të mëdha. Ku ta gjejmë atë shumë që na duhet? Mbase nuk e besoni, por nuk është e lehtë. Ju duhet të niseni sonte dhe sot është ditë pushimi.
Duçja mori në telefon Kostanco Çianon dhe nga biseda telefonike kuptova se vetëm një pjesë e asaj shifre mund të bëhej gati nga Ministria e Komunikacioneve, që rastësisht mund ta kishte në dispozicion. Po pjesa tjetër? Këtu na polli groshi. U ndodha përpara shfaqjes vërtet interesante me këtë kryetar, përpara të cilit përkuleshin të gjithë, që thuhej se kishte fuqi të jashtëzakonshme, që duhej të vinte në veprim të gjithë autoritetin e tij, që të mund të vinte në dorë shifrën prej 6 milionësh, që na duhej.
Në mbrëmje u bë mrekullia dhe, në orën 20, në trenin që do të nisej për në Bari, m’u dorëzuan gjashtë pako të vëllimshme, brenda të cilave ndodhej çimentoja çudibërëse, për të mbajtur ndërtesën në rënie të Shqipërisë. I mbylla në një valixhe të madhe dhe, i pajisur me dy agjentë të veshur civilë, iu vumë të gëzuar udhës së kthimit. Në stacionin e Barit më priti komandanti i “Bafiles”, që u lajmërua telegrafikisht nga Ministria e Marinës që të ishte gati për të ngritur çengelin e anijes, sapo të mbërrija unë.

Udhëtim në gjendje ankthi

Nga ai çast filluan shqetësimet e mia për valixhen që përmbante ato pako tronditëse. Askush nuk e dinte ç’kishte brenda dhe prandaj ishte e natyrshme që të shtiresha sikur ishte një mall i çfarëdoshëm. Ia dorëzova një marinari, duke i thënë se përmbante dokumente të rëndësishme dhe i dhashë si roja të dy agjentët, por nuk mund ta fitoja qetësinë, pa e parë valixhen në kabinën e komandantit. Gjendja ime ishte boll e vështirë. Kisha me vete paratë, që m’u dorëzuan në mirëbesim, e që duhet të shërbenin për një qëllim të rëndësishëm politik. Po të më vidheshin, apo nëse do të më humbnin, si do të mund të provoja që tamam në atë valixhe ishte shuma që më ishte dorëzuar? Dhe, për më tepër, ç’pasoja rrënuese do të shkaktoheshin për Shqipërinë?
Zogu më ishte lutur që të mos zbrisja në Durrës, kur të mbërrija nga Italia, duke dashur të shmangte që prania ime të binte në sy nga mjaft spiunë jugosllavë dhe anglezë. Vendosëm, së bashku, që të mbërrija në një copë vendi në veri të Durrësit, në natën ndërmjet së hënës dhe së martës, në orën 22.
-Është një pikë e shkretë e bregut shqiptar, – më tha, – dhe unë do ta ruaj përgjatë 4 kilometrash, duke mos lënë të kalojë aty këmbë njeriu. Po të jetë e mundur, do të afroheni me drita të shuara në pikën e saktë dhe bëni atëherë një sinjal të ndritshëm. Ne do të përgjigjemi duke përsëritur po atë sinjal, për tri herë, në pesë minuta ndërprerje. Ju do të përgjigjeni se e keni kuptuar, duke përsëritur tri herë të njëjtat shenja. Atëherë do të ndizet një zjarr i vogël, drejt të cilit ju do të afroheni me varkë. Unë do të jem atje, duke ju pritur.

Aventurë e denjë për Emilio Salgarin

Arrita në orar në pikëtakimin dhe, pasi u shkëmbyen shenjat nga anija në plazh, zbrita në barkë, ku zura vend. Valixhja e famshme u soll nga një marinar, i cili, duke zbritur shkallëzën, rrëshqiti; dhe unë pashë me gjak të ngrirë valixhen që brodhi nëpër atë lakoren e shkurtër nga anija ushtarake në varkë, në të cilën u dëgjua përplasja në këtë të fundit. Dhe nuk mund të përshkruaj se sa i madh ishte çlirimi nga ankthi që më kishte kapluar, se mos ngarkesa përplasej në valët e detit e jo brenda varkës. Që ta nxirrje nuk ishte e lehtë dhe, nga ana tjetër, do të kërkonte mjaft kohë.
Zbarkova me valixhen e famshme në një zonë pa njerëz dhe të shkretë. Gjatë plazhit dhe më prapa, nëpër shkurret, aty-këtu gjendeshin malësorët besnikë të Matit, që ruanin se mos afrohej ndonjëri që nuk e njihte parullën. Ky skenar, i denjë për ngjarjet e përshkruara nga Emilio Salgari, m’u duk i tepruar, ndonëse më zbaviste si një lojë fëmijësh. Por Zogu kishte, natyrisht, arsyet e tij, që të merrte çdo lloj masash, që unë nuk isha në gjendje për t’i vlerësuar.
Qëndrova në pritje për pak kohë dhe, befas, doli nga errësira Koçi, që ishte dërguar për të më pritur.
Ecëm të heshtur. Mund të kishim bërë rreth një gjysmë kilometri, kur një dritë që fekste nga një kolibe, më bëri të mendoja se po i afroheshim vendit të takimit. Dhe kështu ishte. Hyra në dhomën ku më priste Zogu, një dhomëz me mobiliet ibret, të ndriçuar nga drita e mekur e një llambe me vajguri.
Presidenti ishte në një cep, në gjysmëhije. Kur më pa, vura re se mundohej të mos tregonte asnjë emocion; por sytë e tij zhbirues e tradhtonin. Kisha sjellë shpëtimin e tij apo rrënimin e tij? Do të duhej të shkelte gjurmët e mërgimit dhe të heqjeve të përditshme, – që i kishte provuar edhe më parë, – duke hequr dorë nga ambicia e ëndrrës për të qeverisur Shqipërinë? Nga mënyra se si e përshëndeta dhe nga shprehja e fytyrës sime, e kuptoi vetëtimthi se misioni im ishte kurorëzuar me sukses. Për më tepër u sigurua kur pa valixhen. Atëherë, në mënyrë të befasishme, fytyra iu ndriçua nga një kënaqësi e thellë dhe e papërmbajtur, duke e humbur, madje, edhe kontrollin e vetvetes e duke harruar ato largësi në takimet, për të cilat ishte treguar gjithmonë xheloz. Më erdhi përballë dhe, duke më shtrënguar duart, më tha:
-Nuk kam për ta harruar kurrë atë që bëtë për mua. Mirënjohja ime për Musolinin ka për të qenë e përjetshme.
Sa keq! Sa herë gëzimi shpesh të bën të shpërthesh në ndjenja të zjarrta, të cilat shpejt bien në harresë!

Përgatitur: Alma Mile Gazeta "Panorama" , 19 tetor 2011