29 June 2014

Pse heshtin Mero Baze dhe Fatos Lubonja për vrasjen e Artan Santos / nga Kastriot Myftaraj

Artan Santo 1956-2014
PSE HESHTIN MERO BAZE DHE FATOS LUBONJA PER VRASJEN E SANTOS

Nga Kastriot MYFTARAJ

Vrasja e bankierit Artan Santo është nga ato ngjarje për të cilat dy opinionistët e famshëm, Mero Baze dhe Fatos Lubonja, të cilët kanë një mendim për të shprehur për gjithçka të rëndësishme që ndodh në vend, duhej pritur që të shkruanin së paku nga një artikull. Dhe meqënëse Baze dhe Lubonja reagojnë shpejt ndaj ngjarjeve të tilla, duhej pritur që artikulli i tyre të ishte botuar të nesërmen e vrasjes së Santos. Meqënëse kjo ngjarje ndodhi në mëngjesin e së enjtes, Baze dhe Lubonja kishin shumë kohë gjatë ditës për të shkruar artikullin e tyre, që duhej ta kishim parë të nesërmen në gazetat ku shkruajnë ata, “Tema” dhe “Panorama”. Por as të nesërmen dhe as të pasnesërmen, pra sot, dy analistët e mëdhenj nuk u ndjenë, a thua se nuk kishin mësuar gjë.
Mero Baze për vite të tëra, në kohën që Berisha ishte Kryeministër, e ka shigjetuar Artan Santon dhe bankën e tij në editorialet e tij në gazetën “Tema” dhe në rubrikën satirike politike “Antena brenda familjes”. Meroja e quante Bankën “Credins” si banka e familjes Berisha, dhe Santon si bankierin e familjes kryeministrore. Sipas Meros, kjo bankë kishte privilegje të posaçme nga Qeveria “Berisha”, për shkak se një nga aksionerët dhe drejtuesit e bankës ishte burri i mbesës së gruas së Kryeministrit Berisha. Në të vërtetë Elvana Hana, që përfolej nga Meroja nuk ishte mbesa e Liri Berishës, se babai i saj quhet Astrit Hana dhe nuk është vëllai i Lirisë, gjithashtu edhe nëna e Elvanës nuk është motra e Lirisë se është vajza e Kamberit nga Gramshi, ndërsa Liria është vajza e Rexhepit nga Vuthaj, që është një fshat shqiptar në Mal të Zi. Por, gjithsesi Meroja kishte të drejtë kur thoshte se Banka Credins kishte fituar privilegje të mëdha nga Qeveria “Berisha”, duke siguruar qindra milionë euro të ardhura në sajë të këtyre privilegjeve. Berisha abuzoi me pushtetin duke privilegjuar këtë bankë.
Për këtë gjë unë nuk kam ndryshuar mendje, por duket se ka ndryshuar mendje Mero Baze. Se befasisht, një ditë, sulmet e Meros kundër Santos dhe Bankës “Credins” u ndërprenë. Në gazetën e Meros u shfaq reklama e Bankës “Credins”. Meroja nuk e gjeti të nevojshme që t’ ju shpjegonte lexuesve se çfarë kishte ndodhur. Por ishte e qartë se Meroja ishte shitur duke marrë një shpërblim të mirë në euro nga Banka “Credins” U fol për 200 mijë euro në dorë dhe për një shumë mujore me të cilat në fakt u ble heshtja e Meros. Që kjo gjë ishte një marrëveshje personale mes Bazes dhe Santos kjo u kuptua nga fakti që reklama e Bankës “Credins” u zhduk nga faqja online e gazetës “Tema” pak orë pas vrasjes së Santos. Merret vesh, Meroja edhe këtë herë kishte vepruar sipas instinktit të tij të cubit, i cili mbulon fytyrën me çorape dhe u vendos gjoba njerëzve. Meroja me kokën e mbuluar me çorape qëndron denjësisht në skuadrën e vrasësve të Santos, përkrah dy kriminelëve me helmeta të zeza.
Nëse nënshkrimi i Meros nuk do të gjendej në shumë karta të Santos, ai nuk do të rrinte dot pa bërë një editorial plot helm ku të aludonte se në vrasjen e Santos kishte dorë Sali Berisha, dhe këtë ta “provonte” me faktin se burri i mbesës së gruas së Berishës, e zëvendësoi Santon e vrarë në postin e drejtorit të përgjithshëm të bankës. Në të vërtetë, siç kam thënë, zonja Korkuti-Hana nuk është mbesa e Liri Berishës (ndonëse ka lidhje gjaku me të) dhe tashmë as Santo dhe as Maltin Korkuti nuk zotëronin më aq aksione sa të mund të kontrollonin bankën nga posti i drejtorit të përgjithshëm. Të tjerë ishin aksionerët mazhoritarë. Por, meqënëse për Meron nuk ka rëndësi e vërteta, mbetet pyetja se përse heshti Mero Baze për vrasjen e Santos dhe nuk e përdori këtë ngjarje sipas stilit të tij. Meroja nuk mund të rrinte pa aluduar se në vrasjen e Santos kishin dorë bosët e drogës së Lazaratit, për të cilët Meroja do të thoshte se pastronin paratë te kjo bankë. Edhe në këtë rast Meroja, i cili gënjen trashë, nuk do të shqetësohej për atë se sa njerëz e besonin gënjeshtrën e tij. Se pastrimi i parave të drogës është një proces i ndërlikuar dhe paratë nuk kanalizohen drejtpërdrejt nga trafikantët te bankat por kalojnë më parë në filtra të tjerë. Por gënjeshtrat e Meros i drejtohen përgjithësisht shumicës injorante të popullsisë dhe kanë si qëllim që të bëjnë efekt vetëm te njerëzit që nuk kanë as kategoritë minimale intelektuale për të gjykuar mbi raportin mes “analizave” të Meros dhe realitetit.
Atëherë përse heshti Mero Baze? Një nga arsyet se përse ka ka ndodhur kështu është se Meroja Baze ishte një nga njerëzit që kishte marrë përsipër të ndërmjetësonte midis Santos dhe Kryeministrit Rama për një problem që kishte Banka Credins dhe që pa ndihmën e Kryeministrit mund të kishte çuar fare mirë në fundin e kësaj banke. Se qysh e si u bë kjo punë, me Kryeministrin Rama që i tha një fjalë Ministrit të Financave, ky është një detaj që nuk ka rëndësi këtu. Por ky është celësi që shpjegon marrëdhënien e re që kishte krijuar Santo me Kryeministrin Rama si dy “çuna Tirona” dhe nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk i kërkon këto dokumente në Ministrinë e Financave dhe në Bankën e Shqipërisë, as që ka për të hyrë në shtegun e zbulimit të së vërtetës së vrasjes së Santos. Mero Baze ishte implikuar kohët e fundit aq shumë me Santon, saqë Berisha nuk mungoi që të bënte një aluzion publik se Mero ishte shitur te Santo.
Berisha nuk kishte iluzione, se me daljen e PD-së në opozitë, Santo do të mbështeste PD-në me televizionet dhe gazetën e tij, nga të cilët pjesën më të madhe Santo nuk i kishte nën kontroll efektiv, për shkak të konfliktit me ortakun e tij, i cili ia kishte uzurpuar ato. Berisha e dinte se Santo ishte i detyruar që të përpiqej të bënte marrëveshje me Edi Ramën, për hir të bizniseve të tij. Berisha dhe Santo patën një bashkëpunim me interes të ndërsjelltë, sa kohë që Berisha ishte Kryeministër. Më pas rrugët e tyre ndaheshin. Santo kishte bashkëpunuar me Kryeministrin Berisha, jo thjesht me Sali Berishën. Por, pasi Santo të afrohej me Edi Ramën, Berisha do të kishte të drejtë që ta përdorte politikisht këtë gjë, duke e akuzuar Ramën se tashmë njeriu dhe banka, që PS i përdori si lëndë të parë për akuza ndaj tij (Berishës) kur ky ishte në pushtet, tashmë qenë në oborrin e Kryeministrit Rama. Santo nuk mërzitej nga kjo gjë, e merrte me sportivitet.
Por arsyeja kryesore për të cilën Baze heshti për vrasjen e Santos është një tjetër. Mero Baze është një akuzator medial me licencë. Ai dje akuzonte me lejën e Sali Berishës, sot me lejën e Edi Ramës. Kështu që Baze nuk mund ta akzuonte Berishën për vrasjen e Santos veçse me lejën e Edi Ramës. Dhe Edi Rama nuk mund t’ ia jepte Bazes këtë leje se kjo do të shkaktonte shkallëzimin e debatit, do të thotë Berisha do të bënte akuza drejtpërdrejt ndaj Ramës për çështjen “Santo”. Tashmë që Berisha nuk e ka më Meron në shërbim të tij si akuzator special medial, e ka marrë përsipër vetë edhe këtë rol, dhe duket se kjo gjë e argëton shumë ish-Kryeministrin.
Përse për vrasjen e Santos heshti edhe Fatos Lubonja, moralisti i madh? Pse nuk pamë as dje dhe as pardje një artikull të Lubonjës në gazetën “Panorama” për këtë çështje? Në këtë rast vlen shprehja: “Qeni nuk kafshon dorën e atij që e ushqen”. Gazeta “Panorama” ku shkruan Lubonja është pronë e Irfan Hysenbelliut, i cili ka qenë partner në biznis me Santon. Të dy, Santo dhe Hysenbelliu kishin në bashkëpronësi kompaninë mediale “Fokus” (Tv News 24, “Gazeta Shqiptare”, “Balkanweb”), si dhe Universitetin “Luarasi”. Pas vdekjes së Santos, Irfani zbuloi befas se ka pasur një afeksion të madh për ish-ortakun e tij Santo, ndonëse me të kishte pasur një konflikt të madh, prej një viti, dhe vëllai i Irfanit, që është administrator i kompanisë kishte urdhëruar rojet që të mos e lejonin Santon të shkelte në zyrat e kompanisë dhe në selinë e Tv News 24. Irfani me këtë rast tha publikisht se nuk e besonte dot që ka vdekur ortaku i tij. Edhe Lubonja, ndan të njëjtën ndjeshmëri me pronarin e gazetës, dhe nuk e beson dot se Santo ka vdekur. Prandaj Lubonja nuk mund të shkruajë ende për vdekjen e Santos. Kur Irfani të besojë se Santo ka vdekur, këtë gjë do t’ ia tregojë Lubonjës dhe atëherë pritet që ky i fundit të shkruajë artikullin e vet moralizues për vdekjen e Santos.

Kastriot Myftaraj/28 qershor 2014

26 June 2014

Kush e vrau Artan Santon? - nga Kastriot Myftaraj

Artan Santo 1956-2014
DY KONFLIKTE TE ARTAN SANTOS ME PARTNERET E VET
DHE ME TEJ CFARE DI DHE FSHEH POLITIKA
- Kush e vrau Artan Santon - veshtrime i Kastriot Myftaraj-


KONFLIKTI  ARTAN SANTO - IRFAN HYSENBELLIU
për kompaninë mediatike “Fokus” (Tv News 24, “Gazeta Shqiptare”, Ballkanweb)

Shkruar
nga Kastriot Myftaraj 20 dite para vrasjes se Artan Santos( 1956-2014).

Në vitin 2011 bankieri Artan Santo dhe biznismeni Irfan Hysenbelliu blenë bashkërisht nga dy pronarët italianë të saj kompaninë mediatike të përbërë nga Televizioni News 24, “Gazeta Shqiptare”, Radio Rash, Ballkanweb. Me këtë rast, Santo dhe Hysenbelliu krijuan kompaninë mediatike “Fokus”, ku u bënë bashkëpronarë me nga 50% të aksioneve. President i Kompanisë “Fokus” u bë vëllai i Irfanit, Kasëmi. Marrëdhëniet mes dy bashkëpronarëve ishin të mira sa kohë ishte Berisha në pushtet. Që prej largimit të Berishës nga pushteti, mes tyre ka nisur një konflikt i madh. Konflikti është shkallëzuar deri atje sa që Irfani i ka porositur rojet që të mos e lejojnë Santon të kapërcejë pragun e kompanisë mediatike, ndonëse Santo është bashkëpronar i saj. Madje President Kasëmi i kërkon Santos të paguajë edhe spotin publicitar të Bankës “Credins” që transmetohet në News 24, ndonëse Santo është drejtor ekzekutiv dhe bashkëpronar i bankës. Kur Santo kërkon të dijë nëse veprohet njëjtë me spotet e panumërta publicitare që transmeton Neës 24 për Birra “Korça” që është në pronësi të Irfan Hysenbelliut, nuk merr përgjigje.
I mërzitur nga të gjitha këto, Santo i ka ofruar një zgjidhje Irfan Hysenbelliut, që njëri prej tyre të bëhet pronar i vetëm i kompanisë. Pra, ose Irfan Hysenbelliu t’ i paguajë Santos 3 milionë euro dhe të marrë dhe pjesën e tij të aksioneve, ose t’ i paguajë Santo atij 3 milionë euro dhe të marrë edhe pjesën e aksioneve të tjetrit. Por Irfan Hysenbelliu nuk e ka pranuar këtë ofertë të Santos. Në biseda me miqtë Irfani thotë se tani kompaninë e zotëron ai dhe Santo nuk ka më punë atje.
Në këto rrethana, Santo pritet që të nisë procedurat për të marrë në zotërim krejt aksionet e Kompanisë “Fokus”. Hysenbellinjtë ia kanë dhënë të gjitha provat e nevojshme Santos që të veprojë ligjërisht për ta arritur këtë. Një bilanc i rremë në vlerën fiktive prej 20 milion euro është vetëm një nga bëmat e kundërligjshme të atyre të cilët kanë marrë nën kontroll këtë kompani. Me marrjen e kompanisë “Fokus” nga Santo nis dhe shkrirja e perandorisë mediatike të Irfan Hysenbelliut, e cila nisi të ndërtohet me gazetën “Panorama”, që pritet të jetë dominoja e fundit që do të bjerë jo shumë vonë pas rënies së dominove mediatike të kompanisë “Fokus”.
Të dy, Irfan Hysenbelliu dhe Artan Santo janë bashkëpronarë dhe te Universiteti “Luarasi”, ku gjithashtu kanë mosmarrëveshje. Këtu ishte Irfan Hysenbelliu që i bëri një ofertë Santos, duke i thënë që ta shisnin Universitetin për 3 milion euro. Santo e pranoi ofertën, por u tërhoq kur mësoi se që të realizohej shitja duhet që ai ta kalonte pjesën e vet në emër të një pjestari të familjes së Irfan Hysenbelliut. Duket se ky i fundit nuk kishte asnjë ofertë për të shitur Universitetin por thjesht donte që të merrte edhe pjesën e aksioneve që zotëronte Santoja. Kështu që edhe në këtë biznis të përbashkët të dy ortakët gjenden në një rreth vicioz./Kastriot Myftaraj

6 qershor 2014 


Menjehere pas vrasjes se Artan Santos, opinionisti Kastriot Myftaraj shkruan nder te tjera per dy pista dhe dyshimet cfare fsheh politika:


Dy pistat kryesore në të cilat mund të hetohet për vrasjen e Santos janë dy:
 
1)Konflikti i Santos me një bankë azere të kontrolluar nga familja e diktatorit të Azerbajxhanit, Alijev, mbi një shumë prej 75 milion euro të depozituara nga azerët te Banka Credins e drejtuar nga Santo, dhe që iu dha biznismenit Rezart Taçi, pa miratimin e azerëve. Nëse shkaku i vrasjes është ky, atëherë del se diktatori azer Alijev ka bërë një vrasje në Tiranë, me miratimin dhe në përshtatje me agjendën politike të Kryeministrit Rama.
 
2)Konflikti i Santos me familjen Hysenbelliu për shkak të partneritetit problematik në bashkëpronësinë mbi kompaninë mediale “Fokus” (News 24, “Gazeta Shqiptare”, Balkanweb), por edhe për shkak të bashkëpronësisë mbi Universitetin “Luarasi”. Për këtë gjë kam shkruar hollësisht në statusin tim në Facebook, në 6 qershor të këtij viti, me titull: “Konflikti Artan Santo-Irfan Hysenbelliu për kompaninë mediatike ‘Fokus’ (Tv News 24, ‘Gazeta Shqiptare’, Balkanëeb)”.

Në konfliktin Santo-Hysenbelliu qenë përzier disa njerëz të tjerë të fuqishëm nga mazhoranca parlamentare, dhe Kryeministri Rama e di mirë se cilët janë e si janë përzier në këtë histori.
Një gjë është e sigurt. Kjo vrasje është një shenjë se në Shqipëri është duke u skicuar një kartel politiko-kriminal që dha një shenjë të fuqisë së tij duke kryer një vrasje në qendër të establishmentit shtetëror-politik-financiar të kryeqytetit shqiptar. A mund të ketë dorë ish-Kryeministri Berisha në këtë vrasje? Banka Credins ka qenë shumë e lidhur me familjen e ish-Kryeministrit. Në çdo rast, nëse vrasjen do ta kishte urdhëruar Berisha, ai me siguri që nuk do të shqetësohej që të respektonte agjendën politike të kundërshtarit të tij, Ramës, pra vrasja do të kishte ndodhur para 24 qershorit. Fakti që vrasja ndodhi të pasnesërmen e ditës kur u mbajt mbledhja vendimtare për Shqipërinë e Këshillit Europian, tregon se Kryeministri Rama është njeriu që e di më së mirë se kush e e vrau Artan Santon dhe përse./

CityFM Online Radio 26 qershor 2014

23 June 2014

SHËRBËTORËT E BEOGRADIT MANIPULOJNË OPERACIONIN “SHIGJETA”...



SHËRBËTORËT E BEOGRADIT TRANSFORMOJNË DHE MANIPULOJNË OPERACIONIN “SHIGJETA”, SIMBOLIN E LUFTËS FRONTALE TË UÇK                     

      Në 31Maj 2014 në Gorozhupe të Prizrenit historik, u përkujtua akti heroik i 15 dëshmorve të kombit Shqiptar, të rënë gjatë luftimeve të rrepta të betejës së Pashtrikut, një evinement luftarak tepër i rëndësishëm dhe simbol i luftës frontale të UÇK-ës. Në këtë përkujtim të përvitshëm, erdhën dhe morën pjesë si gjithmonë në manifestimin madhështor, luftëtar të atij operacioni dhe ish luftëtar të trija luftrave çlirimtare të trevave etnike Shqipëtare. Heroizmi luftarak i martirve të rënë në altarin e lirisë dhe vepra e luftëtarve që lufta i kurseu, u përkujtua në këtë përvjetor tërësisht e gjallë dhe e plotë, si pjesë e pandarë e Epopesë së Lavdishme të UÇK-ës. Si përherë, në këtë tubim u  kremtua ajo pjesë e historisë kombëtare, ku kjo ushtri çlirimtare edhe pse jo e barabartë në forca e mjete me armikun, diti të lidhë aleanca politike e ushtarake dhe në ditën e duhur, solli një botë të tërë në ndihmë të popullit e vendit të vetë, ku për  rezultat të atij bashkëpunimi direkt e indirekt të dukshëm, realizoi ëndrën dhe aspiratat kombëtare për çlirimin e Kosovës, njëherë e përgjithmonë nga pushtuesit nacionalistë të tërbuar Serbë. Në këtë ditë të shënuar, të asaj lufte madhore dhe pse Kosova zjente nga ethet zgjedhore, nuk munguan përfaqësues të qeverisë në largim e sipër. Por edhe pse kanë kaluar vite të tëra, e djeshmja dhe e sotmja u bënë bashkë me luftëtarët, popullin, miqtë, aleatët e dashamirësit luftës dhe i treguan armiqve tanë të djeshëm në luftë e sot kundërshtar në paqe, se ja ku jemi ne ata që na kini shtypur disa shekuj mizorisht, këtu në trojet tona të lirë e të pavarur, në sajë të atij gjaku të derdhur, nga mijëra dëshmor të rënë anë kënd atdheut tonë të shtrenjtë.

       Nuk ishte i pranishëm në atë përvjetor, ish përfaqësuesi Politik i asaj lufte të UÇK-ës për vite të tëra, Hashim Thaçi djali trim i Drenicës heroike, që për momentet e përkujtuara, ishte Udhëheqësi kryesor i atij evenimenti luftarak, njëkohësisht Kryeministër i QPK-ës e Komandant i përgjithshëm i UÇK-ës.  Gjithashtu, nuk u ndodh në atë përkujtim dhe komandanti i heshtur e fjalë pakë i UÇK-ës, i mirënjohuri Azem Syla, që pas Konferencës së Rambujesë, u emërua  Ministër i Mbrojtjes i QPK-ës dhe nisur nga kjo detyrë, për organizimin e punës e mbarëvajtjen e atij operacioni, mori vendime e nënshkroi disa urdhra konkret, për zbatimin e detyrave përkatëse, që do të kryenin  njësitë pjesmarrëse të UÇK-ës. Nuk mori pjesë në atë përvjetor edhe heroi i dy luftrave i Bosnjes dhe Kosovës Bislim Zyrapi, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm deri në fund të Prillit 1999, më pas Ndihmës i Ministrit të Mbrojtjes dhe njëkohësisht Komandant i atij operacioni, ushtaraku që braktisi armatën Jugosllave dhe që pas luftës së Bosnjes, me bagazhin teorik e praktik të fituar në atë luftë, erdhi në Kosovë në vitin1997 dhe bashkë me disa kolegë të tjerë, ristrukturoi UÇK-ës, duke i dhënë asaj një pamje të re institucionale, të pranushme jo vetëm për politikën dhe diplomacinë Europiano-Botërore, por dhe për gjithë opinionin publik ndërkombëtar. I harruan këta udhëheqës, drejtues e komandues për ti ftuar, apo harruan këta veten, për të marrë pjesë në përkujtimin e atij evenimenti luftarak, që vetë e planëzuan, organizuan, drejtuan dhe e realizuan, deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës, këtë nuk e pranon vetë përkujtimi, që u organizua me këtë rast, e që duhet gjente zgjidhjen e duhur, për tu realizuar, sa më konkret e në raport të drejt  me realitetin historik të asaj kohe.

      U fol në atë përkujtim për dëshmorët dhe për atë operacion, ashtu si u fol dhe 12 vite më parë në sallën e teatrit të Prishtinës në 22 Qershor 2002, ku mëndësitë e asaj kohe u shfaqën sërish, për të mos nxjerrë në dritë ato realitete historike, e për më keq të kohës që po jetojmë, skenaristë të ndryshëm kerrjeristë, të veshur me ose pa pushtet, tentuan të marrin përsipër autorsinë e atij evenimenti të rëndësishëm luftarak të epopesë së lavdishme të UÇK-ës. Ai operacion nisi në 9 Prill 1999, me betejën e Koshares dhe vazhdoi me betejën e Pashtrikut në fund të muajit Maj 1999. Urdhërin për fillimin e veprimeve luftarake në agim të datës 9 Prill 1999, Rustem Berishës Komandantit të Drejtimit Operativ Nr.1(Br.138 etj.) e dhanë Azem Syla si Ministër i Mrbrojtjes të QPK-ës dhe Bislim Zyrapi si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës dhe Komandant operacioni njëkohësisht. Ku ishin këta autor që pretendojnë sot, të dalin tani në paqe si “komandant të mëdhej” të UÇK-ës në 9 Prill 1999, këtë e di i madh e i vogël, jo vetëm nga Shqiptarët e Kosovës, por dhe ata që u shullëhën në diellin e Kroacisë në atë kohë lufte. Për atë vepër luftarake të UÇK-ës, është folur, shkruajtur e janë dhënë intervista të ndryshme nga autor me kahje të kundra, për vite të tëra në pas luftë. Cilido në këto kohëra plurale, ka të drejtën e vet ligjitime, për të folur e për të shkruar atë që mendon vetë, por kurrsesi nuk i lejohet asnjërit, të përmbysë realitetet historike, për të ndërtuar kapituj të rinj në interes të vetes e njerzëve të tijë që e rrethojnë. Nisur nga kjo e drejtë lirie e secilit, duhet theksuar me forcën e arsyetimit llogjik, se historia e asaj luftë i takon atij populli, që u përball, luftoi e sakrifikoi denjësisht  me armikun dhe si e tillë, ajo nismë lyftarake është e do mbetet një monument i historisë kombëtare sot e në përjetësi, si pjesë e patjetërsueshme e tijë.

    Indinjata për të shkruajtur, lindi nga disa qëndrime e mendime regresive e të turbullta, që janë përhapur e që po vazhdojnë dhe në ditët e sotme, për këtë operacion luftarak të UÇK-ës, ku seicili nga këta kontrapedal, e transformon dhe manipulon sipas interesit të vet, duke e deformuar e falsifikuar realitetin e ndodhur.  Kështu ka vepruar vite më parë Dilogogu i Golemit, i cili duke e vënë veten në rolin e Jovan Bregut, në.intervistën e dhënë gazetës “Shekulli” në 20 dhe 21 gusht të vitit 2000, i mohon UÇK-ës betejat e zhvilluara dhe kur flet për këtë operacion, thekson se “UÇK-ës zhvilloi vetëm luftime dhe planëzoi e organizoi një operacion të emërtuar “Shigjeta”, por që në praktikë, nuk mundi të arrijë përmasat e një operacioni”. Më pas mendimet e tija bëhen paradoksale, sepse në librin autobiografik “Një kolonel midis Prishtinës e Tiranës”, shkruan se ai operacion u drejtua nga shtëpia e tij, familja e tijë e kryesisht djali i tijë në Tiranë. Duke shkuar më tej në pështjellimet e tijë cinike, është po Dilaveri i Goxhajve, që në intervistën e stërgjatur dhënë gazetës “Dita” në Tiranë në 29 Gusht – 21 Shtator 2013, paraqet një tjetër tabllo, ku pretendon se i ngarkuar nga SHP i UÇK-ës,  paska qënë ai, që i ka vënë detyra ish komandantit të ZO të Pashtrikut Tahir Sinanit, për organizimin dhe zhvillimin e operacionit, në një kohë kur dihet, se ai operacion nisi nga kufiri imagjinar Shqiptaro-Shqiptar, e jo në thellësi të Pashtrikut, ku trimi Tropojan  komandonte e drejtonte ZO të Pashtrikut. Për këto hamëndësira të zymta, Dilaverit i është dhënë përgjigja e duhur nëpërmjet disa artikujve si “Organizatorët, udhëheqësit dhe drejtuesit e UÇK-ës, përballë tentakulave të oktapodit Serbo-Sllav”, “Lufta e UÇK-ës midis nihilizmit dhe karrierizmit disfatist Dilaverian”, “Përgjigje mercenarit karrierist e ngatërrestar Dilaver Goxhaj alias Jovan Bregu”, “Shigjeta e UÇK-ës dhe fantazia karrieriste e Jovan Bregut alias Dilaver Goxhaj” e shkrime të tjera, të cilët janë botuar në shtypin e përditshëm të Prishtinës e Tiranë dhe në faqet prestigjioze “Pashtriku.org”, “Agjensia e Pavarur e Lajmeve Kosovapress”, “Ora e Shqypnisë” dhe “Epopeja.org”, ku qëndrojnë të hapura dhe sot e kësaj dite, për ti lexuar kushdo që dëshëron.
    Në këto zhvillime e sipër, Beogradi i pakënaqur nga mosarritja e synimeve të planifikuara, hodhi në veprim Flori Bruqin UDB-ashin e rritur, edukuar, përgatitur dhe rekrutuar personalisht  nga vetë ish shefi i shërbimeve sekrete të regjionit të Deçanit J.Gjorgjeviçi, i cili për më tej e dërgoi në Beograd, ku duke e trajnuar nën kujdesin e specialistëve të shërbimit sekret Serb Çedo Perkoviçit e Vlladan Dorgeviçi, u përgatit për veprim të errëta në prapavijën Shqipëtare të Kosovës. Për të mbuluar veprimtarinë agjenturore të këtij debili të lindur, produkt i hibridit Serbo-Shqiptar, Beogradi financoi pjesë të kapitalit të vet, duke i vënë në dispozicion biznese farmaciotike dhe disa faqe intrneti të njohura dhe anonime, për të propaganduar plagjiaturat marramëndëse, jo vetëm të tijat por dhe të kurtizaneve që i lëpihen për bukën e gojës. Tradhëtitë e tij nuk kanë anë e fund dhe sot nuk do të ndalem për ato poshtërsira, sepse objekt i këtij shkrimi, është mbrojtja e veprës madhore të UÇK-ës, nga transformimet, manipulimet dhe fallcifikimet, që i janë bërë dhe i imponohen asaj historie të lavdishme, nga ky idiot i lindur dhe dy bashkëpuntorët e tij, mashtruesja ordinere, injorantja me arsim të cunguar Rajmoda Maleçka dhe FARK-isti i njohur i bandave të Tahir Zemës dhe  i prapavijave të errëta të falangave Serbe, Shqipfolsi  Fazlli Berisha.      
       Fillimisht do ti tregoj dhe shpjegoj opinionit publik Shqiptar të kudondodhur, se si UDB-ashi Flori Bruqi, duke plagjiatuar pjesë të atij operacioni nga faqja prestigjioze “pashtraku.org”, bënë bashkimin tyre në mënyrë të qëllimshme, me sajimet mashtruese të Rajmonda Maleçkës dhe një oficeri të liruar nga ushtria Shqiptare, për përhapjen e panikut në qytetin e Kuksit, nga një sulm i rremë i Serbve kundër popullatës të këtij qyteti. Cili është ushtaraku në fjalë, nuk do të zgjatem më tej, sepse ai duke spekuluar në besimin e ish komandantatit të logjistikës të Fontit të Veriut Xheladin Gashi, në vend që të merrej me detyrat që i ishin caktuar, në qëndrën e grumbullimit të luftëtarve të UÇK-ës, të ardhur në Hellshan të Hasit nga perëndimi, në të kundërt të tyre,  me tepër  u muar me shkëmbim valute dhe veprime ë tjera të cilat kanë të bëjnë me medikamentet e shtrenjta mjekësore, që vinin nga diaspora, për luftëtarët që plagoseshin në frontin e luftës, por që përfundonin në farmacitë enigmatike të Shqipërisë. Dhe jo vetëm ato, por dhe materiale tjera të logjistikës, me të cilat mbushesh bagazhi i një xhipi, para se të nisej, pothuajse për ditë drejt qytetit të Kukësit. Më e keqja e këtij oficeri, është dhe një fakt tjetër domethënës, kur atij ju bë thirrja, për tu rreshtuar krahas luftëtarve të tjerë të operacionit “Shigjeta”, ai u shmang në heshtje sipër, duke i kthyer shpinën frontit të luftës, ndërkohë që në këto  kohëra të pas luftës, sajon gënjeshtra nga më të ndryshme, për veprimtarinë e tij në ndihmë të UÇK-ës   para dhe gjatë asaj lufte.
      Rastin e këtij mjerani e shfrytëzoi agjent i afirmuar i Beogradit Flori Bruqi, i cili duke vazhduar veprimtarinë e tij agjenturore, peshkoi dhe rekrutoi Rajmonda Maleçkën, një mashtruese ordinere me arsim të cunguar tetëvjeçar, e cila prezantohet nëpër Kosovë e trojet etnike, herë si deputete e Partisë Demokratike Shqipëtare dhe herë si Kolonele e forcave speciale të ndërhyrjes së shpejtë dhe të dy këto prezantime, i pështjellon me të qënurit njëkohësisht, shkrirmtare, poete, gazetare, historiane, analiste diplomate, akademike e shumë profecira të tjera të sajuara nga plagjiatori i sajë Flori Bruqi, i cili me paturpësinë e vet të njohur brënda dhe jashtë këtij vendi, e krahason këtë “mikëshën e ngushtë” me heroinën e popullit dhe kombit Shqiptar, Shote Galicën, duke e ofenduar shumë rëndë figurën e kësaj burrneshe historike dhe atje ku i prehen eshtrat në këtë histori të re të Kosovës Shqiptare, të ndarë akoma nga Shqipëria. Rajmonda Maleçka, nga që nuk di të shkruaj ende mirë emrin e vet, bënë sikur shkarravitë dhe këto i plagjaton siamezi vetë Flori Bruqi e të tjerë, që rendin pas fustanit të sajë, në shumë qytete të kësaj toke që ajo i rëndon. Se çfarë shkarravit ajo në ato libra skëterrë, asaj dhe Flori Bruqit u është dhënë përgjigja që meritojnë nëpërmjet artikujve, “Historia e luftës së Kosovës, nuk mund të shkruhet nga mashtruesit e pamoralshëm”, “Këlyshët e Beogradit, kërcënojnë luftëtarin e UÇK-ës”, “Lufta me mullinjtë e erës e Rajmonda Maleçkës, në Hasin mes luftës e lirisë”, “Luftëtar të Ushtrive çlirimtare, mos lejoni fallcifikimin e historisë nga UDB-shët e pamoralshëm Europianë Karla Del Ponte e Dik Marty, Australiani Craig Juriseviç dhe ata vendor të Beogradit vrastar Serbo-Sllav Rajmonda Maleçka e Flori Bruqi”, artikuj të botuar në shtypin e përditshëm të Tiranës e Prishtinës dhe në shumë faqe interneti, që u përmëndën më sipër.
    Nisur nga ngërçi i krijuar nga poliagjentët e vetë brënda rrjetit agjenturial, Beogradi e vazhdoi lojën e tijë aventureske me një tjetër shërbëtor të  bindur, përgatitur dhe rreshtuar brënda rradhëve të FARK-ut, pseudo strategun e ke kësaj paslufte Fazlli Berisha, i cili kohët e fundit, ashtu si pa u ndjerë si tënjë e butë, thur e sajon të paqëna, në mënyrë të qëllimëshme, për operacionin “Shigjeta” dhe luftëtarët e atij operacioni. Duke dalë në faqet e internetit “Bashkimi Kombëtar”, të rekomanduar nga Flori Bruqi, me palo shkrimin “Apo manipulohet me regjistrat e pjestarve të UÇK-ës”, drejtuar OVL të UÇK-ës dhe Presidentes së Kosovës, ky mjeran me mënyrën e të shkruarit dhe përmbajtjen e shkrimit, e pranon vetë idiotësinë, injorancën e karrierizmin e sëmurë që e shtyn, për të sajuar situata të pa qëna në adresë, të atij evenimenti luftarak kryesor të UÇK-ës dhe drejtuesve e komanduesve të këtij operacioni. Me ato që shkruan ai, tregohet qartazi, se cili është në vërtetë Fazlli Berisha, nga kush shtyhet në këto marrëzira e kujt i shërben. Ndërsa mashtruesja Rajmonda Maleçka e yshtur nga agjenti i shumë shërbimeve sekrete Flori Bruqi, në një libër të sajë “Hasi mes luftës e lirisë”, nëpërmjet të intervistuarve kotraditor, herë nxjerr Fatmir Limaën si komandant operacioni, herë Kemal Shqirin dhe hera herës Hysni Sylën, rrufjani ngatërrestar Fazlli Berisha, i vazhdon hamëndësitë farkiste, duke i bërë lesh e li me ato sajesat që thur, ku Hysni Sylën e përgojon si komandant të Dr.T.Nr.3, në një kohë që dokumentacioni i firmosur nga ish Ministri i mbrojtjes Azem Syla, e paraqet me firmë e me vulë si komandant të Dr.T.Nr.4. Një ngatërrestar komplet injorant, jo  të pa përgjegjshëm, por krejtësisht të instruktuar, për të dezinformuar opinionin publik Shqiptar të kudo ndodhur, me ato përralla e gënjeshtra që shkarravit në  shkrimin e tij drejtuar Presidentes së Kosovës.
    Nuk janë vetëm këto, ato që ka kurdisur në atë shkrim i hallakaturi Fazlli Berisha, por dhe shumë  sajesa të tjera, që ai thur e i fut aty këtu, për të poshtëruar Komandantin e vet të Dr.T.Nr.3 Ruzhdi Saramatin dhe dëshmorët, që kanë rënë gjatë asaj beteje legjendare, të përmendur dhe nga ish Komandanti i forcave të NATO-s, Gjenerali Uesli Klark, në kujtimet e veta në pasluftë. Për më keq të vetes mjerani FARK-ut, si dorë e zgjatur e Serbisë, duke vazhduar karshillëkun, për habinë e të gjithëve i heq maskën vetes dhe nxjerr fytyrën e vërtetë, kur shkruan se luftën në Gorozhupe e bëri  “Kapedani i trupave të FARK-ut” Fazlli Berisha e jo Dr.T.Nr.3 (ose Br.128) i udhëhequr dhe drejtuar nga Komandanti Ruzhdi Saramati. Ky karrierist i etur për lavdi personale, është kaqë injorant, sa nuk e kupton, që me ato që shkruan, zbulon vetveten dhe prapësirat që propagandon në atë shkrim, kur thotë se historia e atij operacioni, duhet shkruajtur ashtu si do ky bajraktar i FARK-ut e në favor të tijë, dhe jo ashtu si është realiteti historik, që fatmirësisht e sjell plotësisht të pastër në këtë pas luftë vetë dokumentacioni i atyre ndodhive, kur është realizuar kjo vepër madhore luftarake e UÇK-ës. Është më tepër se fatkeqësi, por e vërteta duhet thënë ashtu si është, sepse në të kundërtë nuk mohojmë veten, por dhe krejt atë gjak që u derdh në atë luftë madhore. E theksoj këtë, sepse nuk duhet lejuar ky Shqipëfolës i veçantë, jo vetëm të veprojë, por as të mendojë, për të ndërhyrë sadopak brënda asaj pjese të historisë, me ato që shkruan, e që  nuk di ti shkruajë në gjuhën amtare dhe me fjalët  e shprehjet që përdor, e bastardon atë tepër barbarisht në atë shkrim, ku  duke u shtirur si “politikan i regjur e ushtarak i madh”, kujtonë se do e dëgjoj populli atë dhe ata që struken pas tij si hije, për ato marrëzira që hamëndësonë, ky handikap i kurdisur nga Beogradi. Luftëtarët e UÇKës, duke u betuar para flamurit kombëtar, e zbatuan premtimin dje në atë luftë të ashpër kundër rregjimi më të urryer dhe sot si zotër të vërtetë të vendit, janë gjithmonë të gatshëm e vigjilentë e zotohen përsëri më shumë se kurrë, për të mbrojtur e ruajtur të pastër, historinë e vetes, të popullit dhe kombit, deri sa të egzitojë njerzimi, si pjesë e pandarë këtij rruzulli tokësor. Ajo luftë heroike, që u zhvillua në atë truall Shqiptar, është jeta dhe vepra e luftëtarve që morën pjesë e luftuan, duke sakrifikuar dhe pikën e fudit të gjakut, prandaj mos guxoni ta prekni atë, se ajo ka akoma prushin të ndezur. Ruhuni nga ai prush i ndezur, sepse ai prush, për të ruajtur të pastër idealin e të rënëve anë kënd atdheut tonë të Shtrenjtë, i djeg çibanët që i rëndojnë kësaj toke Iliro Shqiptare.   
            
                                                                                     Spiro Butka
                                               Ish Zv/Komandant i operacionit  Shigjeta” gjatë  luftës së UÇK-ës
                                                            Aktualisht Kryetar i SHVL të UÇKës Tiranë
  
Tiranë:  20 Qershor 2014