17 June 2012

SIKUR TA KISHIM DËGJUAR FAIK KONICËN- Thanas Gjika

Prof.As.Dr. Thanas L.Gjika: SIKUR TA KISHIM DËGJUAR FAIK KONICËN

(Me rastin e 115-vjetorit të pagëzimit të Faik Konicës)

Në historinë e popullit shqiptar nuk është kuptuar dhe as është vlerësuar si duhet akti i pagëzimit të djaloshit Faik bej Konica, i cili u konvertua në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verën e vitit 1895, kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon (Dijon) të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi.
.
Ky djalosh mori mësimet e para në sarajet atërore në Konicë, ku u njoh me qytetërimin persian e arab gjatë mësimit të arabishtes, persishtes dhe turqishtes prej një hoxhe të shkolluar, kurse italishten nisi ta mësonte prej një mësuesi privat. Duke parë zgjuarsinë e tij të veçantë, prindërve të tij iu sugjerua ta dërgonin për studime në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ku ai shkoi e jetoi dy vjet. Ky dërgim për vijimin e studimeve në një shkollë katolike jezuite tregon, nga njëra anë, tolerancën fetare të prindërve të Faikut dhe, nga ana tjetër, se mësuesi i tij privat duhet të ketë qenë një katolik (jezuit), shqiptar ose i huaj. Si tregon lista e botuar e nxënësve të kësaj shkolle me rastin e 50-vjetorit të saj, Faiku studioi aty në vitet 1884 dhe 1885, kur ishte 9 e 10-vjeçar.
.
Në Shkodër, kryeqendrën e katolicizmit shqiptar, Faiku mësoi më mirë italishten dhe u njoh më nga afër me idetë e qytetërimit europiano-perëndimor. Përvetësimit dhe përhapjes së këtyre ideve ndër shqiptarët, siç dihet, ai u kushtoi gjithë jetën. Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën katolike franceze të Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota universitare Faiku i kreu në Dizhon të Francës në vitet 1890-‘95 dhe ato pasuniversitare në Paris në vitet 1895-‘97, më tej ai studioi edhe në Universitetin Harvard të Bostonit në vitet 1909-1912, vitet e para të emigrimit të tij në SHBA. Gjatë gjithë jetës shkollore Faik Konica doli me rezultate të shkëlqyera, gjë që dëshmon për zgjuarsinë dhe aftësitë e tij të veçanta.
.
Zgjuarsia e tij e veçantë u shfaq në rezultatet e larta shkollore, në shkrimet e tij publicistike, letrare e shkencore dhe në rastin e konvertimit të tij nga mysliman në i krishterë me vullnetin e tij të lirë. Një veprim të tillë nuk e kishte menduar asnjë shqiptar tjetër para tij. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-‘97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar. Pas vitit 1895, ai nuk e mohoi kurrë faktin se ishte konvertuar në i krishterë, edhe pse emrin Domenik nuk e përdori gjatë në shkrimet e tij.
.
Shtysat kryesore që e nxitën këtë djalosh, pinjoll të një familjeje të shquar myslimane, të pagëzohej si i krishterë, mendojmë se duhen kërkuar në formimin e tij kulturor e shkencor në shkolla katolike, si dhe në përkushtimin atdhetar, në tolerancën fetare dhe në intuitën e tij. Duket se Faiku e shihte zgjedhën osmane si një tjetërsim të karakterit europian të popullit shqiptar, prandaj ai mendonte se për të arritur çlirimin kombëtar duhej kryer së pari afrimi shpirtëror me Europën e krishterë. Me fjalë të tjera ai sugjeronte një evoluim të mendësisë fetare, shkëputje prej mendësisë myslimane përmes konvertimit në fenë e të parëve, në fenë e krishterë, në fenë e përbashkët të shqiptarëve me kontinentin mëmë të kohës së para pushtimit osman. Pra, sipas tij, shteti i pavarur shqiptar duhej të ishte i njëjtë për nga përkatësia fetare me shtetin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Tërthorazi kuptohet se ai e lidhte procesin e çlirimit kombëtar nga zgjedha osmane edhe me një proces katarsi të pjesës myslimane të popullit tonë, e cila duhej të pendohej për braktisjen që i kishte bërë fesë së të parëve nën trysninë e rrethanave gjatë pushtuesit osman. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindës shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të kombit tonë. Ndasia fetare e popullit shqiptar në të krishterë e myslimanë, e krijuar gjatë pushtimit osman, sipas tij, nuk i shërbente unitetit, por përçarjes kombëtare, pra vonimit të proceseve çlirimtare. Këtë mendim e ka shprehur dhe atdhetari Mustafa Merlika disa dekada më vonë. Veçse duhet të pohojmë se ky mendim i Faikut dhe pagëzimi i tij në i krishterë në vitin 1895, ndonëse ishin vizionare, ishin të parakohshme.
.
Jo rastësisht mendimin dhe veprimin e Faikut nuk e vlerësuan si duhej dhe nuk i dhanë rëndësi konsuj të ndryshëm të shteteve europiane që punonin për krijimin e politikës së të ardhmes në kryeqendrat e vilajeteve shqiptare të Perandorisë Osmane. Për çudinë tonë as atdhetarët shqiptarë nuk i kushtuan vëmendje. Luigj Gurakuqi tha: katolikët shqiptarë nuk fituan ndonjë gjë të madhe nga pagëzimi i Faik Konicës. Madje as studiuesit e Konicës të para vitit 1944 e ata të mbas vitit 1992 nuk e vlerësuan këtë mendim e veprim të tij.
.
Pamundësinë e realizimit të këtij hapi të madh psikologjik të popullit shqiptar e tregoi dështimi i përpjekjeve të këtij rilindësi për ta kthyer pagëzimin e vet në një lëvizje të mbarë intelektualëve shqiptarë myslimanë.
.
Pas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat bej Toptanit, të pagëzohej edhe ai e të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se nuk mund ta bënte një hap të tillë, pasi vëllezërit Frashëri, te të cilët ai ishte dhëndër, do ta dëbonin nga shtëpia. Murati pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ky nuk nguli më këmbë për këtë problem…
.
Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund ta lejonte një kapërcim aq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza ose shekuj që jetonin si myslimanë.
Ndërkohë duhet të shtojmë se karakteri i parakohshëm i mendimit të Konicës, për t’i pagëzuar shqiptarët myslimanë në të krishterë për të forcuar unitetin kombëtar të tyre dhe për të nxitur procesin e europianizimit të mendësisë së tyre, nuk e dëmton karakterin vizionar të këtij mendimi. Karakteri vizionar i këtij mendimi shfaqet në faktin se ai i parapriu kohës dhe hapi një epokë të re, gjë që e tregon ecuria e mendësisë fetare të shqiptarëve nga viti 1895, viti i pagëzimit të tij, deri më sot, kur shohim se koha ka punuar për lënien mënjanë të mendësisë myslimane dhe për përqafimin e mendësisë së krishtere ose të asaj ateiste.
.
Po sjellim disa fakte, pa dashur të fyejmë ndjenjat e besimtarëve të mirë myslimanë, sepse për ne, besimtarët e mirë, qofshin myslimanë ose të krishterë, janë njësoj të vlefshëm për shoqërinë shqiptare dhe atë botërore. Madje ne mendojmë se të vlefshëm janë dhe jobesimtarët, pra ateistët, kur ateizmi i tyre buron nga bindjet e tyre dhe nuk kalon në antifetarizëm:
1. Që në dhjetëvjeçarët e parë të shtetit të pavarur shqiptar, në familjet myslimane atdhetare filluan të emëroheshin fëmijët jo me emra të mirëfilltë myslimanë si Muhamed, Myftar, Mahmud, Mehmet, Hanëme etj., por me emra malesh a lumenjsh (Tomor, Korab, Drin, Vjosa etj.); me emra lulesh a stinësh (Lule, Vera, Manushaqe etj.); me emra kafshësh a shpendësh (Luan, Dash, Skifter, Pëllumb, Petrit etj.), si dhe me emra të tjerë që s’kanë lidhje me Kuranin e besimin mysliman si Drita, Dritan, Dritëro, Liri etj.
.
2. Ahmet Zogu, mbas marrjes së pushtetit, në vitin 1925, aprovoi si kalendar zyrtar të shtetit shqiptar kalendarin europian dhe jo atë mysliman; vendosi heqjen e ferexhesë dhe hapi vende pune për gra, dha shumë bursa studimi për të rinj e të reja në vendet e Europës Perëndimore etj. Këto masa tregojnë për synimet e tij proeuropiane dhe jo promyslimane aziatike, synime që u bënë edhe më të dukshme kur ai u martua me një bijë të krishtere hungareze të një familjeje kontësh dhe jo me ndonjë bijë të mbretërve a sheikëve të pasur të botës myslimane. Kjo martesë e Mbretit të shqiptarëve me një grua të krishtere europiane nuk erdhi nga shkollimi i tij në shkolla katolike dhe as duhet kuptuar si përbuzje ndaj fesë së prindërve të tij. Martesa e Mbretit Zog tregon se ai e sakrifikoi besimin mysliman për hir të një ardhmënie më të mirë europiane të popullit të tij. Martesa e Mbretit Zog me konteshën Geraldinë dëshmon se për sa i përket kahut që duhej t’i jepte shtetit të tij drejt Lindjes apo drejt Perëndimit, kishte mendësi prej prijësi. Si prijës ai kuptoi se interesat e atdheut e të popullit kërkonin që ai të kryente një proces të kundërt me procesin që kishin kryer stërgjyshërit e tij. Ashtu si shumica e shqiptarëve, stërgjyshërit e Ahmet Zogut, të detyruar nga rrethanat, kishin sakrifikuar besimin e krishterë e ishin konvertuar në myslimanë jo vetëm për lehtësim të zgjedhës osmane, por dhe për të mbrojtur qenësinë e tyre shqiptare nga presionet asimiluese të kishës ortodokse serbe e asaj greke. Në kushtet e reja, Mbreti Zog i dha familjes së tij një kah drejt botës së krishterë. Bijtë e vet ai i pagëzoi me emra të krishterë, kurse fëmijët e djemve të tij mendojnë e jetojnë sot si të krishterë. Ky kah që po i jepte Mbreti ynë Shqipërisë drejt Europës së krishtere, po të mos kishte ndodhur Lufta e Dytë Botërore, do të kishte ndikuar për një largim të ngadalshëm e pa dhunë të shumë të rinjve shqiptarë nga myslimanizmi.
.
3. Gjatë regjimit komunist, propaganda antifetare dhe procesi i dhunshëm i luftës kundër besimeve fetare, ndikoi për dobësimin e besimit fetar te shqiptarët, por ky proces solli dëme më të mëdha te besimtarët myslimanë, pasi besimi i tyre ishte një besim më i ri e me rrënjë më të dobëta. Populli shqiptar në trojet e veta kishte gati njëzet shekuj që kishte përqafuar fenë e krishterë prej misionarësh të mëdhenj si: Shën Pali, Shën Timoteu, Shën Asti, Shën Kostandini i Madh, Shën Jeronimi etj. Nga radhët e besimtarëve të krishterë kishin dalë gjatë shekujve shumë bij të shquar, klerikë ose jo, si dhe shkrimtarë e martirë që kishin dhënë jetën për ruajtjen e lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për lirinë e atdheut. Kurse pjesa myslimane e popullit shqiptar kishte vetëm dy a tre shekuj që ishte konvertuar dhe këtë konvertim shumica e tij e kishte bërë nga halli. Prej pjesës myslimane të popullit shqiptar, edhe pse përbënte pjesën më të madhe numerike të popullit, bijtë e shquar dhe martirët e gjuhës shqipe dhe të lirisë ishin më të paktë. Edhe procesi i dhunshëm për emancipimin e gruas shqiptare, ndalimi i martesave me më shumë se një grua, nxjerrja e grave patjetër në punë etj., ndikuan për dobësimin e mendësisë myslimane, e cila e trajton femrën vetëm si qenie shtëpiake dhe jo shoqërore.
.
4. Pas viteve 1991-‘92, shkërmoqja e komunizmit në Shqipëri dhe kthesa e madhe që duhej marrë, kërkonte një proces katarsisi. Ish-udhëheqja e Partisë Komuniste shqiptare, e cila e kishte udhëhequr popullin në një qorrsokak plot sakrifica e krime të panevojshme, mbas dështimit të sistemit socialist, duhej t’i kërkonte të falur popullit për gabimet dhe sidomos për krimet e kryera. Zoti Ramiz Alia, zonja Nexhmije Hoxha e kompani, duke qenë njerëz që e urrenin besimin e krishterë, urrenin edhe thelbin e tij, pendesën dhe ndjesën, pra kërkesën e të falurit, që ndihmon për t’u korrigjuar e shkuar përpara. Për më keq akoma, klani Hoxha e Alia punuan që njerëzit e tyre të filtroheshin në udhëheqjet e partive të reja për të vijuar krimin e mbajtjes së pushtetit, si dhe pasurimin e tyre në kushtet e reja të pluralizmit. Madje edhe sot, pas 20 vjetësh, ata nuk i kërkojnë falje popullit për krimet e bëra, por justifikohen duke thënë: ashtu ishte sistemi shoqëror. Sundimi i tyre gjakatar dhe kjo këmbëngulje për të justifikuar krimet e tyre, tregon se ata nuk kishin pasur kurrë ndjesi prej prijësi të popullit. E kush nuk e di se me të tjerë njerëz, si: Zai Fundo, Zef Mala, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Drita Kosturi, Selfixhe Broja, Ymer Dishnica etj., që ata i mënjanuan, sistemi komunist do të ishte zbatuar me tolerancë, me pasoja jo aq të rënda dhe së fundi dështimi e shkërmoqja e tij mund të ishte shoqëruar me një proces pendese dhe me largim të sinqertë nga pushteti.
.
5. Pas vitit 1992, populli i thjeshtë iu fut rrugës për një shpëlarje shpirtërore, filloi një proces i rikthimit te besimi fetar. U rihapën kishat, xhamitë e teqetë dhe populli filloi t’i frekuentonte ato për të treguar se nuk e kishte dëshiruar mbylljen dhe prishjen e tyre të vitit 1967. Filloi një fushatë pagëzimesh e ripagëzimesh. Krahas pagëzimit të ish-besimtarëve të krishterë e bijve të tyre, pati edhe shumë pagëzime të shqiptarëve ish-myslimanë në të krishterë, sidomos në të krishterë protestantë, por asnjë shqiptar ish i krishterë nuk u konvertua në mysliman.
.
6. Pas vitit 1992, botimi i veprave të Pjetër Pepës, At Zef Pëllumbit, Lek Pervizit etj., ku përshkruheshin përndjekjet, torturat dhe vuajtjet e klerikëve, sidomos të atyre katolikë gjatë regjimit komunist, e forcuan më tej respektin dhe dashurinë ndaj fesë së krishtere.
7. Shkrimtari i talentuar shqiptar, Ismail Kadare, edhe pse ishte ateist për nga bindjet fetare, u bëri thirrje shqiptarëve në vitet 1993-‘94, pikërisht që nga Franca, prej ku u kishte bërë të njëjtën thirrje gati një qind vjet më parë Faik Konica, që të ktheheshin në fenë e të parëve, duke u pagëzuar si të krishterë katolikë. Kësaj thirrjeje në kushtet e reja iu përgjigjën mjaft intelektualë dhe njerëz të thjeshtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
8. Intelektuali dhe udhëheqësi i shquar i popullit shqiptar të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, gjeti një nga nxitjet dhe frymëzimet kryesore për pavarësinë e Kosovës te jeta dhe vepra e priftit katolik Pjetër Bogdani dhe në bëmat e mirësisë së Nënë Terezës.
9. Sot, mjaft të rinj e të reja, që shkojnë për të punuar a studiuar në vendet e krishtera të Europës ose Amerikës, po pagëzohen si të krishterë, ndoshta të detyruar nga rrethanat konkrete, por ndoshta edhe nga bindjet e reja fetare që përvetësojnë aty. Ky fenomen po shtrihet sidomos te fëmijët që lindin në ato vende. Mesa duket, prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre në këto vende të mos jenë të ndryshëm për nga formimi kulturor e fetar në krahasim me fëmijët vendas. Ky proces, me thënë të vërtetën, ndikon në asimilimin e shpejtë të shqiptarëve të diasporës së sotme, prandaj prindërit, si dhe shteti shqiptar duhet të ndihmojnë që fëmijët e diasporës sonë të re ta mësojnë gjuhën shqipe me të folur e me të shkruar, të mësojnë historinë dhe kulturën shqiptare.
.
10. Sa më shumë kulturohen shqiptarët, sa më shumë shtetet ku ata jetojnë (Shqipëria, Kosova e Maqedonia) u afrohen Europës e Amerikës; sa më shumë vajzat shqiptare pëlqejnë të vishen me minifunde e dekolte; sa më shumë ato marrin pjesë në jetën shoqërore, kulturore, politike të vendit, aq më shumë ato dhe bashkë me to e gjithë shoqëria, i largohet mendësisë myslimane…
Shkurt mund të themi se shumica e popullit shqiptar gjatë kohës së sundimit osman, e ndikuar prej mendësisë sunduese myslimane dhe presioneve asimiluese të kishës greke e asaj serbe, u detyrua të ndërronte besimin nga i krishterë në mysliman. Në atë kohë u krijua mendësia se nuk ishte diçka për t’u mburrur të qenët i krishterë, por se ishte më mirë të ishe mysliman, të ishe i një feje me sunduesin. Ndërsa gjatë viteve të shtetit shqiptar të pavarur, gjatë kohës së diktaturës dhe sidomos sot, kur synimi kryesor mbetet bashkimi me shtetet europiane, ku sundon besimi i krishterë, dashur pa dashur, shqiptarët po jetojnë procesin e rikthimit te feja e të parëve, pra rikrishterizimin e tyre, atë proces që e hapi 115 vjet më parë djaloshi vizionar, njëzetvjeçari Faik Konica.
.
Duke parë ecurinë e mendësisë fetare të shqiptarëve gjatë këtyre 115 vjetëve të kaluara, mund të kuptojmë kahun e ecjes për 100 vjetët e ardhshëm. Natyrisht që nuk mendojmë se do të shkohet te zhdukja e besimit mysliman midis shqiptarëve, por te ndryshimi i raportit midis besimit mysliman e atij të krishterë. Shqiptarë myslimanë ka për të pasur sado që të shtohen radhët e të krishterëve dhe të afetarëve, për shkak të forcës së zakonit, për shkak të lidhjeve dhe interesave të ndryshme, si dhe për shkak të interesimit dhe investimit të vijueshëm që tregojnë disa qarqe myslimane botërore, të cilat urojmë të mos kenë qëllime të këqija prapa investimeve të tyre.
.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se shqiptarët myslimanë, duke përbërë shumicën e kombit, ndiejnë për detyrë që të forcohet karakteri kombëtar i kishës së krishterë, sidomos i asaj ortodokse. Këtë fakt e tregoi ndërhyrja energjike e Uran Butkës me shokë më 1992-shin gjatë ceremonisë për emërimin e peshkopit grek Anastas Janullatos si kryepeshkop të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
.
Duke ditur se pjesa kryesore e kishës nuk janë muret e godinës, por anëtarët që bëjnë jetën fetare në të, mendojmë se po të ketë çdo kishë ortodokse në Shqipëri shumicën e anëtarëve shqiptarë atdhetarë, kjo shumicë e detyron klerikun e kishës dhe kryeklerikun, që të mbajë edhe mesha të veçanta për probleme që forcojnë lidhjet shpirtërore të kombit tonë. Të tilla mesha mund të mbahen për viktimat e shqiptarëve të Çamërisë, si dhe për çdo shqiptar që vritet sot padrejtësisht në emigracion etj. Forcimi i karakterit kombëtar e autoqefal të kishës sonë ortodokse ka nevojë për shtimin e radhëve të besimtarëve me shqiptarë atdhetarë. Për këtë arsye konvertimi i shqiptarëve myslimanë në ortodoksë është një veprim ku mund të shfaqet e duhet të shfaqet atdhetarizmi i tyre.
.
Në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore, po të arrihet që kishat ortodokse të mbushen me shumicë besimtarësh shqiptarë atdhetarë, këta do të nxjerrin nga radhët e tyre klerikët e vet dhe do të fillojnë ta mbajnë meshën në gjuhën shqipe. Me këtë rrugë dalëngadalë kishat ortodokse në këto vende mund të rishqiptarizohen dhe të kthehen në origjinën e tyre si ishin para pushtimit serbo-bullgar e atij osman.
.
Ndër mësimet themelore që dalin nga ky vështrim i shkurtër mbi ecurinë e besimit fetar të shqiptarëve, mund të përmendim disa:
1. Sikur shqiptarët ta kishin vlerësuar e dëgjuar Faik Konicën dhe të kishin filluar qoftë dhe ngadalë procesin e rikrishterizimit të tyre që në vitet e Rilindjes, ata dhe trojet e tyre do të kishin pasur një fat më të mirë në vitin 1913, vitin e ndarjes së kufijve.
2. Ecuria drejt europianizimit të Shqipërisë e drejtuar prej Mbretit Zog do të kishte qenë më e fuqishme dhe më rezultative.
3. Diktatura shqiptare do të kishte qenë më tolerante dhe shkërmoqja e diktaturës do të kishte qenë e shoqëruar me pendesë e katarsis, ndoshta si në Poloni.
4. Shumë të rinj e të reja që sot nuk ushqejnë asnjë ndjenjë pozitive për edukatën fetare dhe mburren që nuk shkojnë as në xhami e as në kishë, do të kishin marrë një edukatë të mirë fetare dhe do të kishin ndihmuar në forcimin e karakterit kombëtar të kishës shqiptare ortodokse, që po merr ngjyra greke dhe të xhamisë shqiptare që po merr ngjyra arabe, ngjyra që ato nuk i kanë pasur më parë.
5. Udhëheqësit e tranzicionit nga të dyja palët do të kishin pasur një edukatë më qytetare dhe nuk do të luftonin aq egërsisht midis tyre për pushtet, por do të kishin luftuar për demokratizimin e jetës, për rritjen e mirëqenies së popullit dhe do të ishin ata që do ta kishin paraprirë e shpejtuar procesin e europianizimit të shqiptarëve.
6. Intelektualë të shquar si I. Kadare e I. Rugova, nuk do të kishin bërë vetëm deklarata për rikrishterizimin tonë, por do të ishin pagëzuar vetë me fëmijët e tyre.
7. Shqiptarët, të cilët kanë qenë e janë tolerantë ndaj besimit fetar, po ta kishin dëgjuar Faik Konicën, do ta kishin përqafuar më shpejt e më masivisht procesin e ndërrimit të besimit fetar për një ardhmëri më të mirë kombëtare europiane.
8. Përqafimi i sinqertë i krishterimit do ta ndihmonte popullin shqiptar të çlirohej nga disa ndjenja të tepruara egoizmi e kapadaillëku dhe do ta kishte bërë më tolerant e më dashamirës ndaj njëri-tjetrit.
Si përfundim mund të themi se ndërrimi i fesë nuk i ka armiqësuar shqiptarët midis tyre dhe nuk i armiqëson as sot. Armiqësinë fetare ndër shqiptarët e nxisin vetëm disa qarqe të huaja shoviniste ose fondamentaliste, që nuk ia kanë dashur e nuk ia duan të mirën kombit tonë, por përpiqen ta kthejnë atë në mish për top.
.
Sot shqiptarët mund të marrin një qytetari të dytë, atë amerikane, greke, italiane, gjermane, kanadeze etj., sipas vendit ku jetojnë, por nuk duhet të ndërrojnë përkatësinë kombëtare, pasi ky ndërrim ka pasoja shumë të rënda, që shpejt a vonë i shpie në armiqësi me bashkëkombësit e vet.
.
Prof. As. Dr. Thanas, L. Gjika

14 June 2012

Akademik Mark Krasniqi kunder Halil Matoshit

Akademik MARK KRASNIQI




___________________________

Reagim kundër HALIL MATOSHIT

LE TA DIJE EVROPA MBARE - TASH E MBAS S'JEMI SHQIPETARE 

Kështu këndon gjeli mbaje koshit, një këngë të re të Halil Matoshit
Për të na zhdukur si komb, Serbia e Greqia dhe kisha ortodokse e tyre, na kanë pagëzuar me emra të ndryshëm e jo si shqiptarë, por si Arnautë, Turq, Myslimanë, Jugosllavë, Arvanitas e tj., madje edhe si Shiftarë, Testerashë (Sharraxhinjë). Por jo si shqiptarët në Shqipëri, me të cilët, sipas politikës dhe përpjekjeve greko-sllave, nuk jemi një popull, një komb.

Por e gjithë kjo nuk është për të na habitur, sepse nga okupatori, nga armiku shekullor s’ke çka pret tjetër përveç dhunës e padrejtësisë nga çdo aspekt dhe në çdo rast. Megjithatë, ne kemi

qëndruar burrërisht, madje duke luftuar me fakte, me diplomaci, por edhe me armë në dorë, për të mbrojtur territoret tona etnike dhe emrin tonë etnik shqiptar, nën flamurin e lavdishëm kombëtar të heroit tonë të pavdekshëm, Gjergj Kastrioti – Skënderbe.

Këto pak fakte i di gjithkush prej nesh, por unë i përmenda vetëm për t’i lidhur me rastin e disa shkrimeve të zotëri Halil Matoshit, të cilin personalisht nuk e njoh, kështu që nuk kam kurrfarë raportesh me të, as pozitive, as negative. Por ky zotëri më ka motivuar të reagoja në disa shkrime të tija në gazetën ,,Koha Ditore’’, maj 2009, me 14 prill dhe 1 dhjetor 2010.


Zotëri Halil Matoshi shkruan se ne kosovarët nuk mund të kemi të njëjtin identitet kombëtar me shqiptarët e Shqipërisë, as me ata të diasporës së gjerë shqiptare, sepse ne duhet të jemi kosovarë e vetëm ata në Shqipëri shqiptarë. Sipas Z. Matoshit, edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të quhen serbë, në Maqedoni - maqendonas, në diasporë gjithashtu: – zvicierianë, gjermanë, në Skandinavi etj., gjithashtu e gjithëqysh, por jo shqiptarë. A do të quhen edhe serbët e Kosovës kosovarë me kombësi? Madje, serbët në Republika Srpska nuk dinë si do të quheshin, ose hungarezët në Serbi dhe në Rumani e kështu me radhë. Atëherë nëse na mohohet identiteti ynë shqiptar, ne për të qenë shqiptarë, duhet të bashkohemi me Shqipërinë dhe minoriteti i vogël grek në jugun e saj, do të quhet shqiptar, e jo grekë e kështu me radhë. Kjo do të thotë se minoritetet në përgjithësi duhet ta braktisin përkatësinë kombëtare të tyre dhe të deklarohen se janë të kombësisë së popullit shumicë, emrin e të cilit e ka shteti i tij. Por Zotëri Ahtisari në rastin e Kosovës vepron krejtësisht në drejtim të kundërt. Ky zotëri i nderuar, në Pakon e vet të famshme, e cila është baza e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sajon ligje vetëm për të drejtat e minoriteteve etnike, përkatësisht për minoritetin serb, i cili nuk e njeh fare pavarësinë e Kosovës, por megjithatë i jep të drejta e privilegje të cilat nuk i ka asnjë minoritet etnik në botë. Nga ana tjetër, Ahtisari nuk i përmendë fare shqiptarët, të cilët kanë luftuar gjatë shekujve për ta krijuar këtë shtet. Por, këto ligje dhe kjo Kushtetutë, janë jetëshkurtër dhe duhet të zëvendësohen me ligje e Kushtetutë krejtësisht tjetër, në pajtim me sovranitetin e vërtetë e të plotë të shtetit.

Ky asimilim, siç e predikon Z. Matoshi, tash për tash i dhunshëm, mund të realizohet në Evropë pas një kohe shumë të gjatë, në kushte të volitshme demokratike, ekonomike dhe përgjithësisht shoqërore. E tillë tash është Amerika, përkatësisht SHBA-ja, ku gjatë shekujve pjesëtarët e popujve të ndryshëm e kanë kolonizuar Amerikën,janë asimiluar pas disa gjeneratave në një ,,etnikum’’ - qytetar, kështu që nuk ekziston një popull, ose komb shumicë, i cili do të ishte dominues mbi pakicat kombëtare. Zyrtarisht ekziston vetëm gjuha angleze, megjithëse kombet e ndryshme ende flasin, komunikojnë dhe kanë publikime të ndryshme në gjuhët e tyre, deri diku edhe traditën, zakonet e tyre. Kam parë në Uashington e në Nju – Jork varreza të përbashkëta, pa dallim feje e kombësie, megjithëse ende kishte shumë rrasa mermeri të varreve me shkrime hebraike, arabe, anglishte, e tjera, me simbole të feve të ndryshme. Të gjitha në nji ledinë, varr pranë varrit, në qetësi e në ,,rehati’’, pa kurrfarë problemesh.... Kur Evropa ,,të bëhet Amerikë’’, me kulturë, demokraci, ekonomi etj., pra, një shtet, ose union, federatë, apo konfederatë e shteteve, mbas një kohe të gjatë, ndoshta do të bëhet një unifikim i ngjashëm si në Amerikë. Por ky asimilim në Evropë do të vonohet, sepse çdo komb në Evropë ka kulturë, traditë, gjuhë e histori të vetën, të gjithë janë autoktonë me shekuj në Evropë, kështu që secili do ta ruajë identitetin e vet kombëtar. Amerika është kolonizuar me mërgimtarë të Evropës e të kontinenteve të tjera. Ne shqiptarët jemi popull autokton, më i lashtë në këtë pjesë të Evropës, dhe kemi kulturë, traditë, histori e gjuhë të posaçme, kështu që duam të jemi komb shqiptar edhe shumë shekuj. Prandaj teoria e Z.Matoshit as nuk duhet të përmendet fare, lere më të zbatohet qysh sot, me 28 Nëntor të vitit 2010. Tash kjo tendencë mund të kualifikohet madje edhe si tradhti. Tash për tash, vetëm nga ky aspekt mund të trajtohen shkrimet e qëndrimet e tilla siç janë këto të Z.. Halil Matoshit.


Zotëri Matoshi edhe festën tonë kombëtare, të njohur me ligjin e Kosovës si e tillë, e quan si prononcim politik. Ai e dënon ,,Vetëvendosjen’’, e cila ka stolisur kryeqytetin e Kosovës vetëm me flamuj kombëtarë të Skënderbeut. Unë mendoj se ,,Vetëvendosja’’ ka bërë shumë mirë që ka vepruar në këtë mënyrë, sepse 28 Nëntori është festë e madhe gjithëshqiptare e Flamurit tonë kombëtar. Flamuri i bukur kombëtar është simbol i bashkimit i të gjithë shqiptarëve kudo që janë në botë. Unë kam pasur kënaqësinë të shohë flamurin tonë kombëtar si valëvitej në çdo festë e gëzim familjar dhe manifestim kulturor shoqëror, gati në të gjitha shtetet e Evropës, në Amerikë dhe në Australi. Shqiptarët, pa dallim feje e krahine, përreth flamurit të bashkuar si vëllezër të një gjuhe e të një gjaku, nderonin këtë simbol tonin historik me të cilin identifikohen si shqiptarë.

Përdorimi i flamurit kombëtar nga shqiptarët e Kosovës, thotë. Z. Matoshi është vepër penale, sepse është ilegale, është përdhosje e ,,flamurit të huaj’’. Zotëri Matoshi harron se për këtë flamur shqiptarët gjatë shekujve kanë derdhur shumë gjak nga okupatori i huaj, sidomos nga serbët e grekët ortodoksë, por edhe nga maqedonët e malazezët. Rinia shqiptare, për këtë flamur është përjashtuar nga shkollat në Jugosllavi, është dergjur në kazamatet serbe, malazeze e maqedone, ka derdhur gjakun e vet dhe ka dhënë jetën për të. Më vjen shumë keq dhe shumë çudi, si mund të jetë një intelektual shqipfolës deri në këtë shkallë antishqiptar. I tillë është edhe psikopati i njohur, kryetari i socialistëve në Shqipëri, Edvin Rama, i cili, si kryetar i Bashkësisë së Tiranës, nuk ka lejuar të stolisej Tirana me 28 Nëntor me flamuj kombëtarë dhe me ndonjë manifestim kulturor. Ndoshta Halil Matoshi ka pasur urdhër nga ky majtist i Tiranës për të shkruar në këtë mënyrë për Festën e Flamurit tonë kombëtar. Nga ana tjetër, Matoshi nuk i përmendë fare serbët e Kosovës, të cilët në çdo rast e përdorin vetëm flamurin e Serbisë.


Përsa i përket identitetit kosovar në lidhje me disa ndryshime folklorike dhe linguistike, atëherë s’ka nevojë që të shqyrtohet ky dallim mes Kosovës e Shqipërisë, sepse dallime të tilla, të parëndësishme nga ky aspekt, kemi sa të duash edhe në Kosovë dhe në Maqedoni etj. Shumë zona etnografike në Kosovë dallohen njëra nga tjetra me kostumin kombëtar, me këngë dhe valle të tyre burimore, me theksin, apo shqiptimin e disa fjalëve, me ndonjë ,,adet’, madje, edhe me arkitekturën popullore etj. Por të gjitha kanë një identitet kombëtar, të gjitha zonat janë thjeshtë shqiptare,.siç janë mes nesh, po ashtu janë edhe në Shqipëri e kudo. Por kjo është vetëm pasuri e kulturës popullore, e jo etnitete etnike të veçuara. Në çdo shtet, në çdo popull ka dallime të tilla. Madje, ne kemi dy dialekte kryesore – toskërishten e gegërishten, por edhe fustanella e tirq prej zhguni me gajtana të zinj. Megjithatë, kemi gjuhën letrare të përbashkët, historinë, traditën, kulturën, gjakun dhe vetëdijen kombëtare shqiptare, e cila ka rëndësi të posaçme. Por kjo vetëdije kombëtare dikujt i mungon fare, zakonisht atyre shqipëfolsve me pedigire komuniste në Kosovë e në Shqipëri, të kamufluar si demokratë, socialistë, bile edhe si atdhetarë, të cilët i kanë ende në trurin e tyre buburrecat e kuq, kurse vetëdija e tyre kombëtare, qëllimi i vetëm i tyre është kolltuku i ministrave, i kryetarëve, drejtorëve etj., sidomos korrupsioni – hajnia, duke dëmtuar kështu shtetin, atdheun e tyre.


Ti zotëri filozof, ia lejoni vetës të drejtën për të qortuar, madje për të fyer, jo vetëm kosovarët, por edhe ambasadorin e nderuar të Shqipërisë në Kosovë, Dr. Islam Lauken, sepse ai nuk proteston me një notë zyrtare ndaj Qeverisë së Kosovës për përdorimin ,,ilegal’’ të flamurit të shtetit tij nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Madje, shton ky biqim filozofi se ky ambasador nuk proteston kundër ,,Vetëvendosjes’’, (e cila e zbukuroi Prishtinën me flamuj kombëtarë) sepse ,,është i preokupuar me konstitucionin mental e jo me atë politik. Ai duket ka simpati për ilegalen e jo për legalen, ai parapëlqen patriotizmin romantik e jo atë ligjor’’... Kështu analizon ky analist i mençur punën e qëndrimet e ambasadorit të Shqipërisë. Populli thotë për dikë që mendon se është shumë i mendshëm: ,,Kaq din, e kaq flet’’, përkatësisht - nuk di asgjë, është injorant. Do t’ia shtoja kësaj edhe një tjetër thënje popullore dhe një latine, përkatësisht ,,Mos u ban çka s’je, e mos shit çka s’ke’’, dhe ,,Si takuises, filosofus manzises’’, shqip - ,,Sikur të kishe heshtur, do të mbeteshe filozof’’. Kjo porosi vlen për shumëkënd, por me këtë rast po ia kujtojmë zotëri Matoshit

Zotëri Matoshi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Dr. Islam Lauka, është diplomat i shkolluar dhe i njohur si i tillë, është intelektual i kualitetit të lartë kulturor, shkencor e letrar, është doktor i shkencave juridike, është njëri me përvojë profesionale, një nga shefat në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, është njeri shumë i ndershëm, inteligjent dhe racional në mendimet e veprimet profesionale të tij, është patriot i vërtetë, demokrat pa hile, me ndjenja të larta të përgjegjësisë ndaj detyrës së ndershme që i është besuar nga Kryeministri shumë i suksesshëm në përpjekjet e tij për ndryshimin e gjithanshëm pozitiv të Republikës së Shqipërisë, Dr. Sali Berisha. Në këto përpjekje shumë të suksesshme të tij, Kryeministri Berisha e ka krah të djathtë edhe ambasadorin e nderuar Dr. Islam Lauken.

Zotëri Matoshi, ti me qëndrimet e shkruara tuajat po tregon se je tepër i vogël për të vlerësuar dhe shvlerësuar ambasadorin e Shqipërisë, Dr. Islam Lauken. Madje, unë do të thosha se ti nuk je as hija e tij në planin intelektual, kurse në planin kombëtar duket se je vetëm një buburrec i kuq. Ti përpiqesh të tregohesh i mençur, i dijshëm, duke përdorur sa më shumë citate të autorëve të huaj .Por ato nuk kanë lidhje me situatën aktuale specifike të Kosovës.


Ti përpiqesh të tregohesh si një analist, apo filozof i mirëfilltë, por shkrimet tuaja tregojnë se e ke vendin diku afër derës, e jo në ballë të oxhakut, siç pretendon ti. Në Kosovë ,,analistët’’ janë shtuar si këpurdhat pas shiut. Por këpurdha ka edhe helmuese dhe aso të mira që i përdorim si ushqim. Ti me shkrimet tuaja antikombëtare, antishqiptare, ke vendin në kategorinë e atyre këpurdhave që s’i ha pazari, që askush s’i vë në tenxhere, as në fultere. Këto epitete do të ishin pa vend sikur ti mos ishe kundër bashkimit dhe flamurit tonë kombëtar. Për ty bashkimi kombëtar shqiptar qenka vetëm ëndërr romantike dhe rrezik i madh, sepse nuk u pëlqen fqinjëve tanë grekë e sllavë, të cilët i mbajnë në robëri trojet tona historike dhe etnike dhe një pjesë shumë të madhe të popullit shqiptar, i cili atje diskriminohet, shkelet nga çdo aspekt nga regjimet antishqiptare, sidomos në Çamërinë shqiptare në Greqi. Siç shihet nga trajtimi yt i problemit kombëtar shqiptar, po pajtohesh me këtë situatë, me robërinë e trojeve dhe të popullit tonë. Unë mendoj se asnjë popull, madje as individi, kurrë nuk duhet të pajtohet me padrejtësinë, madje, me robërinë kombëtare në asnjë mënyrë. Por gjithashtu mendoj se në kushtet tona aktuale kjo padrejtësi historike, të cilën na kanë imponuar fqinjët tanë, me bekimin e diplomacisë evropiane të shekullit 19 e 20, patjetër duhet të korrigjohet në mënyrë diplomatike, paqësore, ndoshta në kuader të proceseve integruese bashkëkohore evro-atlantike, pa ndikimin e okupatorëve të trojeve tona dhe me ndikimin dominues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të aleatëve të tyre evropianë. Ne nuk kërkojmë asnjë pëllëmbë të viseve të huaja. Ne kërkojmë vetëm atë që është e jona, madje, në mënyrë paqësore, diplomatike, pa armë. Arma jonë më e fuqishme është drejtësia. Kjo është e drejtë e jona, por edhe interesi i paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës. Unë këtë e kam thënë publikisht shumë qartë para 20 vjetëve për opinionin jugosllav, në gazetën më të madhe të Jugosllavisë, ,,Borba’’ me 16 mars 1993, madje, me titull të dalluar “Nuk ka paqe në Ballkan, pa vetëvendosjen e shqiptarëve!”.


Zotëri Mattoshi, ti ke ambicie karrieriste që të dalësh në shesh si intelektual, politikan, dijetar e shkencëtar i madh. Mendoj se kjo, në përgjithësi, nuk ka asgjë të keqe. Por në rastin konkret, kur ti përpiqesh ta mbërrish këtë qëllim në dëmin e popullit shqiptar, pjesëtar i të cilit ndoshta je edhe ti, kjo është tepër e pandershme. Mos bjerë nën ndikimin e Edvin Ramës dhe të socialistëve të tij, të cilët në luftë të pandershme për pushtet, për kulltuket, duan ta shkatërrojnë pushtetin, qeverinë aktuale demokratike dhe parlamentin, gjithashtu demokratik dhe të suksesshëm, duke penguar kështu procesin e inkuadrimit të Shqipërisë në institucione të ndryshme evro-atlantike. Ne jemi në situatë tjetër. Ne, para së gjithash, duhet të përpiqemi ta kemi shtetin sovran brenda kufijve të caktuar të tij, siç e kemi proklamuar pavarësinë e tij dhe siç na ka njohur faktori ndërkombëtar. Këtë rrugë duhet ta ndjekim tash, pa kombinime me të drejtën e bashkimit kombëtar. Kur të stabilizohemi si shtet, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, do t’i zgjidhim problemet aktuale dhe ato të ardhshmet në mënyrë paqësore, diplomatike, por gjithsesi me drejtësi, me korrigjimin e padrejtësive në të kaluarën. Por me asnjë kusht kurrë nuk do të heqim dorë nga e drejta e vetëvendosjes, nga e drejta njerëzore që të jemi gjithmonë çka kemi qenë e çka jemi sot – popull shqiptar demokratik, tolerant, paqedashës, bujar,besnik, konstruktiv e human, i ndershëm nga çdo aspekt.

Ti, zotëri Halil Matoshi, me shokë të tu shqipfolës, mund të deklaroheni kinezë e çerkezë , polakë e zezakë, si të doni. Por ne kosovarët betohemi: ,,Le ta dijë Evropa mbarë, do të qëndrojmë gjithmonë shqiptarë, nën flamurin tonë kombëtar’’!

P.S Ky regim i është drejtuar gazetës "Koha Ditore" por redaksia nuk e ka botuar prandaj i drejtohem për botim gazetës kombëtare "Bota sot" - Autori

Botuar ne 2011