28 April 2015

Athanas Gegaj Intervistë ne 1968 mbi Gjergj Kastrioti-Skenderbeun


ATHANAS GEGAJ
Triesh, 3 janar 1904 - Los Angeles, 28 janar 1988

Luka, siç qe dhe emri i pagëzimit, i biri i Prenkës dhe Mrisë leu në Buxhë të Trieshit në Malësi të Madhe, që tash është në Mal të Zi, më 3 janar 1904. Kushtet e para i kreu më dt. 7 gusht 1923. Studioi në kolegjin Illyricum t'etënve françeskan në Shkodër ku kreu maturën 1927-'28. U nis më 1931 me studime në të Louvain në Belgjikë, ku u laureua në histori-filozofi. Porsa u kthye në Shqipëri u shugurua frat. Jep mësim në kolegjin françeskan deri me të hymë të italianëve, për shkak të kundërshtimit ndaj regjimit fashist e internuan në Itali dhe nuk e kthyen më. Më 1941 braktis petkun e françeskanëve dhe del civil[1].Mbas Luftës Botnore Gegaj shërbeu si sekretar i Ahmet Zogut në legatën e tij në mërgim. Më 1962 shkon drejt ShBA-së ku u bë redaktor i të përjavshmes "Dielli që dilte në Boston deri më 1971. Vdiq me 28 janar të 1988 në Santa Monica, Los Angeles, California. Ndër veprat kryesore që mbahen mend janë monografia "L'Albanie et l'invasion turque au XVe siècle" (Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV, Louvain - 1937), dhe artikuj të ndryshëm në shtypin françeskan të "Hyllit të Dritës".(Wikipedia)
VOICE OF AMERICA: Intervistë me historianin Dr.Athanas Gegaj
 (Me rastin e 500-vjetorit te vdekjes së Skenderbeut - Kjo intervistë u transmetua nga Zëri  i Amerikës  më 18 e 19 Janar të vitit 1968)


-Zoti Gegaj, kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi Skënderbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skënderbenë ishte më e mbaruara qe kishte parë dritën gjer në vitin 1949,si nga forma,nga lënda dhe nga baza dokumentare.Përsa kohë punuat per këtë  vepër dhe kur e mbaruat?

Athanas Gegaj:  I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit për laudërim që shprehi për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të ”,  At Noli ka qenë një njeri me kulturë  të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një ekspert  i çështjeve të historisë meskohore të Shqipërise. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra qe e interesuan si studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i madh që ishte, ai çmonte në kulm çdo gjë që ka te bëjë me historinë e popullit shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb. Për sa i përket veprës time “Shqipëria dhe invazioni turk në të XV-tin shekull” kam punuar dëndur dy vjetë. Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për shtyp,por duke qenë thezë doktorale ,m’u desht ta mbroj publikisht në një nga Aulat e Universitetit të Louvain,ku kisha kryer studimet  e mia. Libri u gjet interesant dhe autoritetet e Universitetit aprovuan botimin e tij. Libri në fjalë u botua më 1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për shpërndarjen  dhe shitjen e tij.

-Ku i bëtë kërkimet dhe, në qoftë se i mbani mënd, nën cilët profesorë?

Athanas Gegaj: Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj,ku veçanarishtë në “Bibliothèque Nationale”të qytetit gjeta shumë material të dorës së parë. Kurioziteti im u ngjallë veçanarishte kur për  kombinacion, më ra në  dorë një botim i të mirënjohurit profesor rumun, Constantin Marinesco,i shkruar frengjisht: “Alfonsi i V, mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e Skënderbeut”, botuar në formë broshure nga Shkolla Rumune në Paris më 1923. Libër i vogël po por një zbulesë për sa i përket historisë së Skënderbeut e relacioneve mes Shqipërisë dhe mbretërkisë së Aragonës e të Napolit. Nga Parisi kalova në Napoli, në Romë, në Firenze  dhe në Venedik, duke u ndalua për ca kohë dhe në Milano. Në arshivat  dhe në bibliotekat  e këtyre qyteteve gjeta material të shumtë dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur,që e mbikqyri të tërë materialin më dha aprovimin  e tij për botim, ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit te Louvain.

-Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër mbi Skënderbenë?

Athanas Gegaj: Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj është heroj i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare  që zotëron në historinë e Europës  në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu është aj personalitet që ka nderuar dhe nderon çdo kohë popullin shqiptar.Po interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në Shkodër, dhe veçanarishtë kur arrijti nga Amerika “Historia e Skenderbeut” botua në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër entuziazmoi të tërë moshën  e re shqiptare,sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të bukur,por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i këtij libri  më ka shoqëruar për shumë vjetë e më në fund më shtyti të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë,për t’i paraqitur, edhe botës së jashtëme Skenderbeun sipas nevojave të kritikës historike,duke ndarë në sa ishte e mundur fytyrën e tij gjigante nga legjendat.

-Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë shkrimit të kësaj vepre?.

Athanas Gegaj: Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së pari duhej që unë t’u çveshja nga çdo simpathi e ndjenjë personale. Historia në këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës, mbi botime, me vlerë kritike që në çdo kohë janë bërë mbi Skenderbeun. E qe një problem i rënde, sepse Skenderbeu, si në çdo zemër shqiptare,ashtu edhe në mua,mbetej përherë heroj i kombit,që gjësend nuk mund ta shëndrrojë ftyrën e tij! Nga ana tjetër kërkova me çdo mjet të konfrontoj historinë e vertetë me botime të panumrta mbi Skenderbeun. Këtu m’u desht të luftoj për të paraqitur një Skenderbe sipas dhënjeve historike;po në të njëjtën kohë kërkova, me çdo kusht me çdo mjet,që Skenderbeu të mbetej dhe aj, që na e paraqet legjenda ose më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova,por kërkova të mbetem objektiv në çdo rast.

-Cilat janë disa nga gjërat e ra,që nuk diheshin më parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?

Athanas Gegaj: Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skenderbeun. Botimet kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skenderebeut, dhe ato që u paraqiteshin si histori kritike,kishin mungesa te shumta nga çdo pikëpamje. Merita modeste e veprës time është kordinimi i të gjitha këtyre botimeve,duke i konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në ndamjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të jetës dhe të veprave te Skenderebeut. Për këtë gjë gurrat e arshivave dhe aktetet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vertetë e Skenderbeut.

-Ç’është rëndësia e këtyre zbulimeve?

Athanas Gegaj: Rëndësia e këtyre zbulimve për rreth historisë se Skenderbeut është kryekreje në methodën e re e kritike që përdora për të paraqitur Skenderbeun në dritën e vërtetë të jetës se tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë kërkova që Skenderebeu të mbetej aj që është. Dhe më vjen mirë të ju them se historia e Skenderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër,por historia e kritika,gjë që kërkova të realizoj me çdo mënyrë,nuk e vogëlsojnë fytyrën e tij si luftar, si strateg,si hero i një kohe dhe i një kombi.

-Sipas mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skëndërbeut për Shqiptarët në kohe të sotme?

Athanas Gegaj: Jeta e veprat e Skenderbeut janë nje shëmbëll i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e indipendencës së tij. Jeta dhe vepra e Skenderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara,ashtu edhe sot,jeta dhe veprat e Skenderbeut janë te bazuara mbi vëllazerim te gjithe shqiptarëve,mbi lirinë  e vendit nga i huaji,mbi të drejtat e barabarta te çdo qytetari,mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të  besës, të burrërisë, të mikpritjes  dhe të krenarisë kombëtare. Për më tepër Skenderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend per t’i ardhur në ndihmë nje shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashktë shqiptar,ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashigim të parët tonë.Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve,ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dignitet e në bashkim, ashtu  siç na mësoi Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri,pa u bë skllav i huaj, pa perulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.

-Cili është shkaku që Skenderbeu vonoi të kthehet në Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e Turqëve?

Athanas Gegaj : Shkaku kryesor që Skenderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës shqiptare,qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thllë e fuqisë Ottomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë,që te ishte gati te përballjë ushtritë  e sulltanëve,që po marshonin gadhenjyese në të gjitha anët. Shqipëria ishte ndarë në principata,pothuajse të gjitha nën influencen e huaj, turke ose veneciane. Kishte për më tepër parasysh historinë  e atit të tij,që nuk pati perkrahje, dhe sa herë ngriti krye,qe përulë nga ushtritia e sulltanëve. Me gjithë këta Skenderbeu ishte në kontakt me princat shqiptarë dhe ëndërronte të kthej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar rezistencën shqiptare. Kur pa se nje fuqi e re,Hungaria po luftonte në brigje të Danubit,atëherë Skenderbeu gjeti kohen e volittëshme,u ktyhye në Shqipëri dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Ottomane. Deçizioni i Skenderebeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë ottomane është një nga deçizionet më me pergjësi të historisë. Vetëm një Skenderbe mund të merrte një deçision të atillë!E për këtë gjë,ai është i madh dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.

-Cilët kanë qënë faktorët që Skenderbeu, me nje fuqi të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha  e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëvë të Turqisë?

Athanas Gegaj : Faktorët kryesorë që Skenderbeu me një ushtëri te vogël mund t’u bëjë ballë forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë,sipas mejtimit tim,janë këto:Skenderbeu ishte strateg i përsosur,një komandant, që nuk dinte çka është frika,nje njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skenderbeu nuk e la kurrë armikun që t’i impnojë planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare Skenderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ky linte përherë një reservë  dhe shtegun të hapur,që te mos rrethohej nga armiku. Më tepër Skenderbeu qe aj që  e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Aj perballonte vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte Skenderbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kerkonte të bëjë atë gjë që bënte Skenderbeu! Më në fund Skenderbeu dhe kapetanët e ushtarët e tij luftonin për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër veçse vdekjes ose lirisë . Për këtë gjë Skenderbeu  e trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të shekullit të XV.Kjo është epopeia më e bukur e çdo kohe.

-Skenderbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti edhe Krishterimin dhe qyteterimin e Evropës nga sulmet e Turqëve. Pra përse disa vende të Evopës,sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?

Athanas Gegaj : Nuk ka dyshim se Skenderbeu mbrojti qytetërimin europian dhe ua thej hovin fuqive ottomane që ishin gati të marrshojnë në Itali  dhe në Europën qëndrore.Skenderbeu pati ndihma  nga Alfonsi i V i Aragonës  dhe i Napolit,si dhe nga papët e Romës që e kishin kuptuar mirë rrezikun ottoman. Sa për Venedik,sadoqë ishte një fiuqi e madhe detare kjo për shkaqe tregëtare kërokonte  të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë;dhe ishte rivale e mbretit të Aragonës e të napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi Skenderbeun,por qe tepër vonë.

-Pas “Lidhjes së Kapedanëve”që u bë në Lezhë, e cila e vuri në krye Skenderbenë,ç’farë forma administrative u shtuan asi kohe në Shqipëri?

Athanas Gegaj : Sipas Lidhjes së Lezhës,Skenderbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare. Dalë nga dalë të gjithë i bashkoi për rreth vehtjes së tij,duke u lënë liri në administrimin e principatave  të tyre.Këto principata ishin shumë të kifizuara e shpesh te okupuara nga Turqit ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skenderbeut përkrahjen me ushtarë,por shpezat e luftës i përballote Skenderbeu,shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti Alfons,papët e Romës, nga Raguza  dhe nga të ardhurat e kripës.Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku.Forma administrative në Shqaipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë,duke mos harruar se deri qyteti i Krujës ishte qytet i lirë,prandaj forma administrative u mbështet në ligjet e vendit.

-Sipas mendimit tuaj,ç’farë drejtimi do të kishte marrë fati i Shqipërise sikur Skenderbeu të kishte jetuar më gjatë?

Athanas Gegaj : Po të kishte jetuar më gjatë Skenderbeu ,sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet e Shqipërise  do të ndryshonin. Aj me 1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i suguroi Shqipërisë përkrahjen  e saj dhe ai vetë qe emëruar komandant suprem  i ushtrive shqiptare veneciane. Për më tepër Skenderbeu  do të kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin,kështu që rezistenca shqiptare e përkrahur nga tjera fuqi europiane,do të mund t’i siguronte Shqipërise lirinë  dhe indipendencën;këtë gjë e meritonte  dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.

-Dhe qysh prej kohës që është  botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi Skenderbeun, a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë rreth jetës dhe luftërave të Skenderbeut?

Athanas Gegaj : Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skenderbeut nga koha e botimit  të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së pari është vazhdimi  i botimit të Acta Albania dhe Acta Albanie Veneta;këto të fundit përgatitur  nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Italisë.Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te”Fondazionit Cini”, që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujëve XIV-XV. 500-vjetori i vdekjes së Skenderbeut nga shume pikëpamje shpresoj të jetë deçisive përsa i përket epokës së Fatosit tonë kombëtar.


KOHA JAVORE, Podgoricë, 23 & 30 prill  2015, f.14-15

Letër një socialisti/ nga Ben Blushi

Letër një socialisti

Nga Ben BLUSHI


Një socialist më pyeste këto ditë se pse shkruaj dhe pse flas. Duke e mirëkuptuar, dua t’i përgjigjem.

I nderuar mik,

Bota ka disa mijëra vjet që lufton për të zgjidhur dilemën mes fytyrës dhe pasqyrës. Me pak fjalë, shumica e mendjeve të hapura dhe popujve të civilizuar kanë ecur përpara përmes të vërtetës. Kur e vërteta nuk thuhet, kur fshihet dhe deformohet, popujt nuk ecin përpara. E vërteta është busulla e popujve. Për të vërtetën ka pasur njerëz që kanë shkuar në turrën e druve. Ata janë djegur, por e vërteta jo. Ajo ka mbetur dhe sot na ndriçon rrugën edhe kur rrugë nuk ka.
Historia jonë dëshmon se ne kemi pasur një marrëdhënie të shtrembër me të vërtetën. Me pak fjalë, sa herë që nuk na ka pëlqyer e vërteta e fytyrës, ne ia kemi hedhur fajin pasqyrës. Ende këtu jemi. Jemi duke thyer pasqyrën për të mbrojtur fytyrën. Unë këtë nuk e pranoj. Unë nuk besoj se fuqia e fytyrës është t’i shpëtojë pasqyrës. Dua që ta detyroj fytyrën të shohë pasqyrën. Siç është.
Megjithatë, meqenëse më pyet, edhe unë dua të të pyes për sa më poshtë:
A e di se qysh se kemi ardhur në pushtet, në Partinë Socialiste nuk ka më zgjedhje? A e di se kryetari i partisë ka një mandat unik gjashtëvjeçar, ndërkohë që sipas rregullit mandati duhet të ishte katër vjet? A e di se pse i janë shtuar edhe dy vjet? A di gjë se kush dhe pse vendosi kështu? A e di se edhe në kohën e Partisë së Punës zgjedhjet bëheshin një herë në katër vjet? A e di se nuk ka më asnjë parti në Europë që nuk bën zgjedhje? A e di se sipas statutit të partisë sonë, Asambleja Kombëtare duhet të mblidhet një herë në tre muaj? A e di se Kryesia duhet të mblidhet një herë në muaj? A e di se asnjë kandidat për kryetar bashkie nuk kalon pa vendim Kryesie? A e di se asnjëra nga këto nuk ka ndodhur prej dy vitesh dhe kjo jo për faj të pasqyrës, por për faj të fytyrës? A e di se çdo vendim që merret në Partinë Socialiste, nuk është më kolegjial, por vetëm personal?

A di se ne erdhëm në pushtet duke premtuar 300 mijë vende pune? A e di se sipas shifrave zyrtare papunësia është shtuar me 7 për qind? A e di se Shqipëria po zvogëlohet? A e di se çdo ditë nga Shqipëria ikën një lagje? A e di se çdo muaj zhduket një fshat? A e di se vetëm gjatë vitit të kaluar nga Shqipëria kanë ikur 46 mijë shqiptarë? A e di ç’do të thotë kjo? A e di se kjo do të thotë se një qytet si Pogradeci është zhdukur për një vit? A e di se këta njerëz ikin nga Shqipëria se nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë shërbimet e duhura? A e di se Shqipëria po shpopullohet nga të varfrit dhe kjo, përveçse cinike, është tragjike? A e di se kemi një qeveri të papërgjegjshme, e cila ende nuk i ka bërë thirrje kujt të mos largohet nga Shqipëria, por me pabesi thotë se fajin për eksodin e kanë qeveritë e Europës, që marrin emigrantë për të përballuar nevojat e tregut të tyre të punës? A e di se asgjë nuk e rrezikon më shumë një popull të vogël, sesa braktisja dhe emigracioni? A e di se mund të mos jemi më pas disa dekadash? A e di se asnjë pushtim nuk na ka bërë më shumë dëm se ky mjerim?
A e di se lindim pothuajse po aq sa vdesim dhe se, nëse vazhdojmë kështu, do tretemi dhe do përfundojmë një grusht njerëzish? A e di kush do blejë dhe kush do shesë, kush do shkojë në shkollat tona, kush do i punojë tokat dhe punishtet tona, kush do i pastrojë shtëpitë, ujërat dhe ngastrat tona, nëse të gjithë ikin? A e di që po firojmë pak nga pak, jo se nuk kemi tokë, diell, ujë dhe ajër, por se qeverisemi keq e mos më keq?
A e di se premtuam që do ulet çmimi i naftës, ndërkohë që sot e paguajmë naftën më shtrenjtë se çdo popull në rajon dhe më shtrenjtë se çdo popull në Europë? A e di se ne jemi i vetmi vend me burime nafte në rajon dhe megjithatë përfitojmë për buxhetin publik vetëm 30 për qind të asaj që duhet të përfitojmë? A e di se njerëzit po mbyten nga helmi aty ku ka naftë dhe ende nuk ka asnjë penalizim për ata që i mbytën?
A e di sa kokë bagëti dhe sa hektarë tokë u përmbytën përpara një muaji? A e di se atë ditë shteti nuk ishte aty për t’i mbrojtur? A e di se sa prej tyre janë zhdëmtuar? A e di se bujqit e Shqipërisë kanë kostot më të larta në rajon? A e di se ne premtuam naftë pa akcizë për gjithë fermerët e Shqipërisë? A e di që jemi vendi i parë në Europë që subvencionon tregtarët dhe jo prodhuesit me një skemë që askush nuk e di si funksionon? A e di cilët janë tregtarët që subvencionohen dhe në cilat shifra? A e di se shteti ndihmon mallin dhe jo prodhimin?
A e di se ne fituam zgjedhjet duke thënë se do ta ulim çmimin e energjisë elektrike? A e di se sot çmimi i energjisë është rritur për shumicën e shqiptarëve? A e di se sa shqiptarë të varfër janë terrorizuar, janë burgosur për shkak të faturave të papaguara? A e di kush konsumon me shumë energji, të varfrit për t’u ngrohur, apo të pasurit për të prodhuar? A e di se në Parlament po votohet një ligj që parashikon t’i sekuestrohet shtëpia atij që nuk ka paguar energjinë elektrike? A di ndonjë rast kur dikujt i është sekuestruar shtëpia për shkak të abuzimit, korrupsionit apo evazionit fiskal? A e di se duan ta votojmë këtë padrejtësi që quhet reformë?
A e di që sot në Shqipëri nuk lejohet të ndërtosh? A e di qe nëse të duhet të rregullosh shtëpinë që ta përmbyti dimri apo lumi i tërbuar, duhet të marrësh leje në qeveri? A e di se përndryshe ky meremetim quhet ndërtim pa leje? A e di se rrezikon burgun nëse rregullon çatinë e prishur? A e di sa vende pune i ka kushtuar vendit ky centralizim asfiksues? A e di se nevoja për estetikë kaotike ka fshirë mijëra vende pune dhe ka falimentuar me dhjetëra biznese që jetojnë duke shitur materiale ndërtimi? A e di sa taksa i kemi mohuar buxhetit publik për shkak të këtij ngërçi tekanjoz?
A e di se ne premtuam që do ta ulim borxhin publik? A e di se në 2 vjet kemi marrë 1 miliard dollarë borxh? A e di se borxhi ishte rreth 6 miliardë dollarë kur ne erdhëm në pushtet dhe sot është më shumë se 7 miliardë? A e di ti se ku shkon ky borxh? A e di se sa paguan ti dhe të gjithë ne për të shlyer një borxh që nuk e kemi krijuar vetë, por është mbledhur për shkak të mediokritetit, paaftësisë dhe abuzimit në vite? A e di se çdo shqiptar që lind, duhet të paguajë një borxh prej 3000 eurosh që brezat ua lënë brezave pa asnjë arsye të qenësishme? A e di si do ta lajmë këtë borxh? A e di se qeveria mendon se borxhi lahet duke marrë borxh? A e di shpenzimi kryesor i qeverisë është pagesa e borxhit, në vend që të ishte arsimi, shëndetësia, pagat, pensionet dhe shërbimet publike?
A e di se sot shqiptarët konsumojmë më pak se një vit më parë? A e di se sa janë shtuar listat e mëshirës në dyqanet e Shqipërisë? A e di sa fëmijë nuk blejnë dot libra dhe fletore, megjithëse u tha se ato do ishin falas?
A e di se të varfrit sot marrin më pak ndihmë nga shteti i tyre? A e di se numri i atyre që marrin asistencë sociale është reduktuar me 30 për qind? A e di ku kanë shkuar tepricat e këtij kursimi? A e di se këto kursime kanë shkuar për të trukuar fytyrën në mënyrë që të gënjejnë pasqyrën?

A e di se asnjë lek nga fondet që i janë hequr skemës së asistencës për të varfrit nuk ka shkuar për shkolla, për spitale, për rrugë, për subvencionim të punësimit apo të produkteve bujqësore? A e di se nuk ka mbaruar asnjë rrugë në këta dy vjet? A e di se premtimi kryesor i qeverisë në një qytet bregdetar është një pishinë publike? A e di se nuk ka më asnjë qeveri në botë që financon pishina, kulla, trena turistikë, pista patinazhi, stadiume dhe ishuj mbi lumenj? A e di ti se pudra e fytyrës kushton më shumë se e vërteta e pasqyrës?
A e di se ekonomia jonë po prodhon çdo dite e më pak? A e di se rritja ekonomike gjatë vitit të shkuar duhet të ishte 2. 2 për qind dhe në fakt ajo ishte 1.7 për qind? A e di se shpenzimet për të mbajtur në këmbë administratën janë rritur me gati 15 për qind, ndërkohë që duhej të ishte e kundërta? A e di se shteti po mbledh mesatarisht 20 për qind të ardhura më pak si pasojë e rënies së ekonomisë, rënies së tregtisë dhe konsumit? A e di se dy vjet më parë morëm një kompani të huaj për të na i shtuar të ardhurat në dogana dhe për ta favorizuar atë që duhej të punonte kundër favorizimit, i hoqëm TVSH? A e di se kjo kompani nuk ka sjellë asnjë lek shtesë në të ardhurat tona? A e di se nuk ia kemi hequr TVSH asnjë investimi të huaj, asnjë të varfri, asnjë të mjeri, që blen gjithçka më shtrenjtë se dy vjet më parë?
A e di që premtuam shëndetësinë falas? A e di se sa është shtrenjtuar kostoja e shëndetit? A e di se shteti duke braktisur spitalet publike po favorizon spitalet private, të cilat nuk i detyron të njohin kontributet e sigurimeve shëndetësore që i paguajmë që nga lindja?
A e di se qeveria parashikon të shpërndajë taksat tona për të favorizuar universitetet private? A e di se të paktën 5000 fëmijë ikin çdo vit nga Shqipëria për të mësuar në Europë dhe shteti nuk u kthen familjeve të tyre asnjë lek nga taksat që ata kanë pagur për arsimin? A e di se ne nuk ia paguajmë më transportin mësuesve që shkojnë në fshatra? A e di sa i kushton një familjeje shkolla e fëmijës që është 10 km larg çdo ditë, në dimër dhe në verë? A e di se kemi fëmijët më të paarsimuar në rajon dhe se investojmë më pak se kushdo tjetër për shkollat?

A e di se kur erdhëm në pushtet u tha se të gjithë arsimtarët dhe mjekët e Shqipërisë do merren me konkurs? A e di se këto konkurse nuk prodhuan asnjë ditë më shumë cilësi, më shumë barazi, më shumë transparencë për administratën tonë? A e di se nëse është e vërtetë se mësuesit merren në punë me konkurs, asnjë nga drejtuesit e pasurive publike, përfshi naftën, energjinë, telekomunikacionet dhe të tjera nuk është marrë me konkurs? A e di se drejtuesit e pasurive publike janë zgjedhur me shoqëri dhe pa asnjë kriter cilësie apo merite?
A e di se kush është futur në Parlamentin e Shqipërisë? A e di se shqiptaret mendojnë se në Parlament mund të hysh vetëm nëse vret, nëse vjedh, nëse je i pashkollë apo nëse je i pasur? A e di se në Parlamentin tonë po të vrasësh quhet punë, kurse të bësh një libër quhet dembelizëm i ushqyer me taksa? A e di kush i futi vrasësit në Parlament? A e di pse i futi? A e di që e dinte kur i futi? A e di që partitë e atyre qe vranë janë ende në aleancë me ne? A e di që, nëse duhet të kandidosh për deputet apo kryetar bashkie, pyetja e parë që bëhet është sa lekë ke? Sa vota do blesh? Sa të varfër do ushqesh me miell dhe vaj ditën e zgjedhjeve? A e di që të pasurit vetëm zgjidhen kurse të varfrit vetëm zgjedhin?
A e di se kjo ndodh vetëm me parlamentet e atyre vendeve, partitë e të cilave nuk bëjnë zgjedhje? A e di se po të jesh deputet, mund t’i kalosh policisë me një trafikant në makinë, ndërsa po të jesh i varfër nuk të presin sa ta paguash faturën minimale se përfundon në burg? A ke parë ndonjë të pasur në burgjet tona? A e di se dhe administratat e burgjeve po ndahen mes partive në koalicion? A e di se dhe të burgosurit po ndahen mes partive tona?
A e di se propozimi i vetëm ekonomik që është bërë në këta dy vjet, është legalizimi i kanabisit që, nëse ndodh, mund ta kriminalizojë ekonominë dhe mund të dëmtojë me mijëra të rinj, duke i shtyrë në një hutim kolektiv?
A e di se 1 milion votat që morëm në qershorin e vitit 2013, sot me sa duket nuk dalin? A e di që kemi marrë në koalicion të gjitha partitë që ishin në qeveri deri në qershorin e kaluar? A e di se administrata publike është një plaçkë që ndahet çdo ditë mes partive dhe prandaj kemi administratën më të degraduar dhe më mediokre të Europës?
A e di, i dashur mik, se të gjitha sa thashë janë vendime personale? A e di se askush nuk është pyetur për sa më sipër, por përkundrazi, të gjithë janë detyruar të mbrojnë fytyrën për të ndëshkuar pasqyrën?
A e kupton atëherë pse flas?
A mendon akoma se është më mirë të mos flas?
A beson se dëmtoj më shumë kur hesht apo kur flas?
A e kupton tani kush i bën më shumë dëm Shqipërisë?
Fytyra apo pasqyra?

Apr 27, 2015