04 September 2014

Për gjuhën shqipe- nga Skifter Këlliçi


Shkrimetari dhe publicisti Skifter Këlliçi 

Për gjuhën shqipe




Nga Skifter Këlliçi,  

 Kur gjatë një bisede me disa miq italianë dhe rusë këtu në Boston, ku jetoj 15 vjetësh, po u argumentoja se gjuha shqipe, ashtu sicc pohohej këto ditë edhe në gazetën e madhe amerikane “Nju Jork Tajms” është ndër më të lashtat dhe më origjinalet në Europë, ata u habitën. Por u habitën edhe më shumë kur u thashë se, megjithatë, gjatë këtyre më shumë se 20 vjetëve të fundit pas shembjes së komunizmit dhe vendosjes së demokracisë, në gjuhën shqipe janë shfaqur dukuri negative, ndër të cilat, futja pa asnjë kriter e fjalëve të huaja, në vend të fjalëve të bukura shqipe si dhe gabime të tjera të rënda gramatikore.
Sidoqoftë, nuk u bëri shumë përshtypje kur përmenda depërtimin e fjalëve të huaja, sepse të tilla, sicc më shpjeguan ata, kanë deportuar dhe po depërtojnë dhe në italishte dhe rusishte, dukuri që e kam venë re edhe unë që lexoj vazhdimisht në internet shtypin italian dhe rus, sidomos sportiv me të cilin më lidh një pasion i vjetër.
 Por kur përmenda se puna ka arritur deri sa kohët e fundit një grup prej 20 intelektualësh, akademikë, profesorë, shkrimtarë dhe artistë, t’i drejtohen edhe e kryeministrit që edhe t’i dalë në mbrojtur gjuhës shqipe, ata ngritën supet. Nuk mund të përfytyronin që në ditë tona një grup i tillë intelektualësh në vendet e tyre t’i drejtoheshin drejtuesve më të lartë të vendeve të tyre për probleme gjuhësore të këtij lloji, të konsoliduara prej shekujsh.
Mirëpo, për fat të keq, kjo ndodh në Shqipërinë e sotme. Ndaj, me këtë rast, pasi ripunova një shkrim të botuar dikur në shtypin tonë për këto probleme dhe për çudi më shkurtime barbare të redaktorëve të saj, thua se po shkruaja për rritjen e… gomerëve, po ua paraqes lexuesve, të cilët do të njihen me disa nga gabimet gjuhësore, për të cilat shqetësohen intelektualët dhe vetë opinioni ynë publik.
 Por së pari, po u kumtoj lexuesve se është për të ardhur keq që studiues të huaj, që me këmbëngulje dhe pasion kanë mësuar shqipen, në shkrimet e tyre nuk i lejojnë vetes gabime gjuhësore që i vërejmë në mediat dhe botimet tona.
 Vendosja pluralizmit demokratik në Shqipëri pas gati 50 vjetëve të diktaturës komuniste, nuk do të thotë që edhe në gjuhën shqipe të vendoset një “pluralizëm demokratik” ashtu si, për fat të keq, e perceptojnë shumë nga mediat e të gjitha ngjyrave, TV-të, si edhe disa nga shtëpitë botuese në Shqipëri.
Ky biçim “pluralizmi…gjuhësor”, i cili ka nisur pas vitit 1991, ka sjellë si pasojë që gjuha shqipe, e shkruar dhe e folur në këto institucione, të ketë gabime, të cilat mund të viheshin re gjatë periudhës ‘20-‘40-të, të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri ende nuk ishin vendosur normat e drejtshkrimit.
 Ndonëse për këto probleme është shkruar dhe vazhdon të shkruhet në media nga personalitete të shquara në fushën e gjuhës shqipe, për ironi të fatit në shumë prej tyre, sidomos televizive, vërehen po të njëjtat gabime gjuhësore, të cilat, madje, për fat të keq, edhe janë shtuar.
 Në këtë shkrim do të ndalem në gabimet më tipike që vihen re në të shtypin e ditës:
 1-Mënjanimi thuajse i plotë i kohës së kryer e thjeshtë të mënyrës dëftore të foljes:
“Dje presidenti Nishani ka deklaruar… “, kur duhet shkruar dhe lexuar edhe në mikrofon, ose kamera: “Dje presidenti Nishani deklaroi…”.
Dhe kjo, sepse e kryera e thjeshtë tregon një veprim të përfunduar plotësisht para çastit të ligjërimit, ose një gjendje, a veprim të kaluar. Kurse e kryera tregon një veprim, a gjendje të kaluar, në mënyre të tillë që rezultatet janë të pranishme edhe në çastet e ligjërimit. (“Fjalor i gjuhës shqipe”faqe 897, 1981).
Mendoni për një çast sikur ky shtrembërim të bëhej normë në veprat letrare!..
Po shkëpus një dialog të shkurtër nga vepra “Përballë pasqyrës së një gruaje” të Kadaresë, (faqe 148).
-Është krejt ashtu,-i thashë
-Bëjnë sikur na kanë harruar, po mendjen e kanë te ne, -përsëriti ai ngadalë… .
Shkrimtari ynë i madh, si çdo shkrimtar tjetër shqiptar, ka përdorur foljet them dhe përsëris në kohën e kryer e thjeshtë, pra ai shkruan: thashë dhe përsëriti.
Mendoni se sa do të qeshnim, sikur Kadarea të shkruante:
 -Është krejt ashtu, -i kam thënë.
-Bëjnë sikur na kanë harruar, por mendjen e kanë te ne, -ka përsëritur ai.
 2-Zhdukja e pjesëzës “të” në kohën e ardhme e tashme të mënyrës dëftore të foljes:
Do shkojmë…” dhe jo:”Do të shkojmë.., .ose: “Do e bëjmë…” dhe jo: “Do ta bëjmë..”
Madje edhe në tituj artikujsh!..
 3-Mënjanimi i trajtës së shquar të emrit, madje edhe gjatë lakimit:
Bush bisedoi me Putin.”, kur duhet shkruar : “Bushi bisedoi me Putinin.”(Pas parafjalës “me” duhet të përdoret rasa kallëzore).
 4-Përdorimi ndajfoljes “pavarësisht” si parafjalë në rasën rrjedhore:
Pavarësisht rezultateve të arritura…”, kur duhet shkruar: “Pavarësisht nga rezultatet e arritura…”
Çuditërisht kjo dukuri po bëhet vitet e fundit normë në mediat tona dhe përbën një gabim të pajustifikueshëm.
 5-Përdorimi i gabuar i disa foljeve në mënyrën urdhërore, veta e parë, kur në vend të tyre duhet të përdoret mënyra përcjellore.
P.sh.:Të gjitha delegacionet, përjashto delegacionin kinez, mbështetën propozimin e delegacioneve të vendeve të tjera…”
Në këtë rast folja “përjasho”në mënyrën urdhërore duhet të zëvendësohet me të njëjtën folje, por në mënyrën përcjellore, sepse askush nuk jep urdhër.
Pra: “Të gjitha delegacionet, duke përfshirë delegacionin kinez…
Mund të përdoret gjithashtu edhe lokucioni me përjashtim të.
Pra: “Të gjitha delegacionet, me përjashtim të delegacionit kinez.. “
E njejta dukuri vërehet edhe përdorimin e foljes përshi:
Të gjithë shokë, përfshi edhe Petritin, erdhën në takim.
Folja përfshij është përdorur gabimisht, sepse edhe në këtë rast askush nuk jep urdhër.
Kjo folje duhet përdorur në mënyrën përcjellore. Pra:
Të gjithë shokët duke përfshirë Petritin.
 6-Shkrimi i fjalëve, termave, titujve, emrave të personaliteteve të huaja etj., sipas drejtshkrimit të këtyre gjuhëve:
“The New York Times”, George Bush, Ollbright…, kur sipas rregullave të drejtshkrimit emrat, titujt dhe emërtimet në gjuhë të huaja duhen shkruar sipas parimit fonetik të gjuhës shqipe, pra, ashtu siç shqiptohen: “Dhe Nju Jork Tajms”, Xhorxh Bush, Ollbrajt…
 7-Nuk po ndalem në një dukuri të shëmtuar, që vazhdon të mbetet plagë në gjuhën tonë:
Vërshimin pa asnjë arsye të fjalëve të huaja në media, për të cilat është shkruar vazhdimisht, shumica e të cilave zëvendësohen fare mirë me fjalë të gjuhës shqipe, si dhe mosrespektimin e shenjave të pikësimit.
 8-Gabime të rënda në titujt e organeve të shtypit ose të TV-ve:
Dy revista javore kanë titujt: “Klan” dhe “Spektër”, disa gazeta, “Metropol”, “Standart”, “Start”, tituj, pra, në trajtën e pashquar të emrit, të cilat duhet të shkruhen në trajtën e shquar: “Klani”, “Spektri”“Metropoli”…, ashtu siç shkruhen, për shembull, titujt e dy gazetave të tjera: “Panorama” dhe “Tema”…Pra, jo; “Panoramë”, “Temë”….
 Mendoni sa për të qeshur do të ishte sikur dy nga revistat më popullore para vitit 1992, “Hosteni” dhe “Nëntori”, të titulloheshin “Hosten” dhe “Nëntor”.
Do të ishte gjithashtu absurde, sikur gazeta italiane “Il Corriere della Sera” të shkruhej: “Corriere della Sera”, gazeta franceze “Le Monde” të shkruhej: “Monde”, gazeta amerikane “The Boston Globe”-“Boston Globe”, pra, pa nyjet e përparme përkatëse “Il”, “Le” dhe “The”, përkatësisht në italishte, frengjishte dhe anglishte.
Në shqip këta tituj do të duhej të përktheheshin: “Korrier i Mbrëmjes”, “Botë” dhe “Glob i Bostonit” dhe kështu do të tingëllonin në mënyrë krejt të panatyrshme.
 9- Një qendër televizive zgjedh titullin “Shijak Televizion” dhe jo “Televizioni Shijak”. Si sëmundje ngjitëse ka, ose ka pasur emërtime të tjera absurde: “Rozafa TV, “Skampa TV”, “Apollonia TV”…..Për pasojë, mos ndoshta ndonjë ditë u dashka thënë Tirana Radio, Shqiptar Televizion…(!?).
Mania për të vënë emërtime me terma nga gjuhë të huaja është bërë “rregull” nga pronarë kompanish, hotelesh, restorantesh, dyqanesh…, sa që pandeh se nuk ndodhesh në Shqipëri, por në një vend të huaj.
Dhe të mendosh se ka vende të huaja, të cilat me vendime qeverie ndalohet rreptësisht përdoromi i emërtimeve të huazuara nga gjuhë të huaja.
Gabim të rënda gjuhësore në vepra të disa shtëpive botuese
Por e keqja më e madhe vërehet në botimin e librave, ku me përjashtime të rralla, mungon emri i redaktorit dhe korrektorit letrar. Si rrjedhim, librat botohen me gabime gjuhësore.
Ka drejtues shtëpish botuese, pa përjashtuar, që, siç duket, duan të kursejnë në kurriz të gjuhës dhe kështu parapëlqejnë që librat e të gjitha llojeve t’i botojnë pa ua nënshtruar redaktimit dhe korrekturës letrare dhe gjuhësore. Madje rastis që në një vepër letrare mund të gjesh vetëm emrin e…recensuesit(!?).Për redaktor a korrektor letrar, as që bëhet fjalë. Gabime gjuhësore vërehen sidomos në veprat e përkthyera dhe botuara nga disa shtëpi botuese. Ka përkthyes që njohin mirë gjuhët nga të cilat i përkthejnë ato, por nuk njohin mirë gjuhën shqipe. Si pasojë, gjuha e këtyre veprave paraqet dobësi të theksuara.
Me këtë rast do të përmend vetëm një rast: Romani “Kodi i Da Vinçit”, i shkrimtarit të njohur amerikan Dan Broun, me sa di është botuar nga dy shtëpi botuese. Në njërën, përkthyer nga një krijues i talentuar, fatkeqësisht ka gabime të mëdha gjuhësore dhe logjike. Duket se libri nuk ka kaluar fare në procesin e redaktimit gjuhësor dhe korrekturës letrare.
Por edhe më e rëndë kjo dukuri vërehet në “Fjalorin Frazeologjik Italisht-Shqip”, vepër e autorëve Naim Balla, Eshref Ymeri, Irena Ndoci, (Lama).Gabimet në këtë fjalor janë shumë të rënda. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur njëra nga korrektoret letrare, ka mbaruar studimet për… rusisht, madje në kohën kur është botuar kjo vepër me vlera, ka punuar korrektore letrare në një nga shtëpitë botuese të librit shkollor dhe do të ishte absurde po të vazhdonte të punonte përsëri aty.(!?)
 Është e habitshme se si drejtuesit e kësaj shtëpie botuese kanë mbyllur sytë para këtij veprimi, kur e kishin për detyrë të gjenin plot redaktorë që kanë mbaruar studimet për gjuhë-letërsi shqipe në UT ose universitete të tjera. Është dhe më e habitshme që Ministria e Arsimit dhe Sporteve të mos bëjë kontrolle që elementë të tillë të zëvendësohen me specialistë të zotë të gjuhës shqipe.
Ndodh, gjithashtu, edhe një dukuri tjetër: ribotohen vepra të përkthyera, që janë botuar dekada me parë, sidomos para se të vendoseshin përfundimisht rregullat e drejtshkrimit, (shtator 1972), por pa kurrëfarë redaktimi, a korrektimi. Si pasojë, vende-vende, ndonëse këto vepra, të përkthyera nga shqipërues të njohur dhe me përvojë, kanë nivel të lartë artistik dhe gjuhësor, çalojnë nga ana drejtshkrimore.
 Për më keq ndodh që një vepër e përkthyer, qoftë edhe nga një përkthyes më përvojë, nuk i nënshtrohet redaktimit dhe korrekturës gjuhësore.
Gabime gjuhësore vërehen gjithashtu edhe në përkthimet e dialogjeve të filmave të huaj që shfaqen në televizionet shqiptare.
 Nga këta pak shembuj del në pah një dukuri shumë shqetësuese: gjuha e shkruar, ose e folur edhe në mediat elektronike, si dhe gjuha e librave, jo vetëm nuk është përmirësuar, por, për , mjerisht, po shfaq të meta që kurrë nuk janë vërejtur në botimet e të gjitha llojeve gjatë periudhës komuniste.
 Na vjen ose nuk na vjen mirë, por duhet të pranojmë se në atë periudhë, edhe në gjuhë kishte “diktaturë”, por në kuptimin e mirë të fjalës. Por kjo “diktaturë” ishte e domosdoshme. Nga të gjitha shtëpitë botuese, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Shtëpia Botuese “8 Nëntori’, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Shtëpia Botuese e Librit Universitar…Mjekësor, Bujqësor, Ushtarak, si dhe se fundi, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, asnjë vepër nuk mund të botohej, pa iu nënshtruar rreptësisht redaktimit dhe korrektimit letrar dhe gjuhësor. Madje, edhe korrektimit teknik në shtypshkronjë. Dhe, në qoftë se pas këtyre proceseve ndonjë libër do të kishte gabime, cilado shtëpi botuese, në bashkëpunim me shtypshkronjat, ishte e detyruar të shtonte në fund të tij një fletë-korigjimi. Dhe kjo, për të respektuar lexuesin dhe gjuhën shqipe.
 Gjithashtu, çdo , shtëpi botuese, veçanërisht Shtëpia Botuese e Librit Shkollor ishte e detyruar të kishte në organikën e vet redaktorin, ose korrektorin letrar. Madje me përvojë.
Po kështu dhe në RTVSH kishte një redaktor që kontrollonte titrat dhe dialogët, të përkthyer nga filma te huaj.
Edhe Këshilli i Ministrave kishte gjithashtu një redaktor që merrej me redaktimin gjuhësor të “Gazetës Zyrtare” dhe të urdhëresave më të rëndësishme të dala nga prej tij, në mënyrë që të mënjanoheshin gabimet e mundshme gjuhësore. (Do të ishte çudi që të mos ishte edhe sot një redaktor i tillë).
Veç këtyre, herë pas here në shtyp botoheshin rubrika për pastërtinë e gjuhës dhe për probleme te tjera, të cilat ritrajtoheshin më thellë në revistën “Gjuha Jonë”. Por habitërisht kjo revistë, botimi Akademisë së Shkencave, ka vite që ka pushuar së ekzistuari, thua se problemet drejtshkrimore dhe gramatikore të gjuhës shqipe tashmë janë zgjidhur përfundimisht.(!?).
Mendoj se që gjuha shqipe të shkruhet sa më pastër dhe pa gabime, duhen marrë këto masa”:
-Çdo organ shtypi, ose shtëpi botuese të ketë detyrimisht në organikën e vet redaktorin letrar a gjuhësor, emri i të cilit të publikohet në të gjitha botimet e tyre. Dhe çdo redaktor të këtë si kuran “Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave.
 -Në fakultetin e gazetarisë te UT-së, në qoftë se nuk janë përfshirë deri tani, të përfshihen programe të gjuhës shqipe, sidomos një program i detajuar i rregullave të drejtshkrimit.
Besoj se kështu në një të ardhme të shpejtë në shtypin tonë të shkruar dhe të folur, si dhe në botimet e librave do të kemi përmirësim të dukshëm të nivelit gjuhësor. 
“Nuk na lejohet të shkelim dhe të zhvlerësojmë veprën e ndritur dhe të shenjtë të lëvruesve të gjuhës shqipe dhe të gjuhëtarëve atdhedasës, -shkruajnë intelektualët e sipërpërmendur në letrën drejtuar kryeministrit , -që me punën ngulmuese dhe dituritë e tyre ndërtuan kodet themelore të këtij mekanizmime vlera të pacmuara”.
 Ta shkruajmë gjuhën amëtare sa më mirë, kjo është detyrë atdhetare e cilitdo shqiptari. Mbi të gjitha, e gazetarëve, publicistëve, shkrimtarëve, nga krijmtaria e të cilëve mëson secili nga ne, mëson qytetari shqiptar kudo që ndodhet.

Koha Jonë, 4 shtator 2014