24 October 2012

Kastriot Myftari replike me Skenderin nipin e Zogut

Nga Kastriot MYFTARAJ 

Kur nipi i Ahmet Zogut, Skënder Zogu, reagoi në gazetën “Panorama” mbi shkrimin tim “Fejesa me motrën e vogël të Zogut, Princeshën Maxhide, sekreti më i madh i Enver Hoxhës, dhe eliminimi i Mehmet Shehut”, të botuar në nëntor të vitit të kaluar, për të cilin në atë kohë fola dhe në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, në Tv Klan, unë nuk pata mundësi që t’i përgjigjem se atëherë isha i zënë me probleme gjyqësore për shkak të një shkrimi tjetër. Gjithsesi, për të mos e lënë pa përgjigje nipin e Naltmadhnisë, po i përgjigjem tani. Skënder Zogu, nipi i Ahmet Zogu, në një intervistë në gazetën “Panorama”, në 8 dhjetor 2011, e ka quajtur si të pavërtetë atë që kam thënë unë për fejesën e Enver Hoxhës me Princeshën Maxhide. Unë si autori i shkrimit, e gjej qesharake që Skënder Zogu reagon në emër të familjes mbretërore për këtë çështje, duke ditur historinë e babait të këtij njeriu brenda familjes Zogu. Skënder Zogu nuk është i besueshëm për të reaguar, duke ditur marrëdhëniet që kishte Mbreti Ahmet Zogu, me babain e Skënderit, Xhelalin, i cili ishte vëllai i Ahmetit, por me nënë tjetër. Xhelal Zogu kishte lindur në 1881 nga martesa e Xhemal Zogut me gruan e parë. Marrëdhëniet e Ahmetit me gjysmëvëllain e madh, Xhelalin kanë qenë gjithmonë të ftohta, duke shkuar madje deri në armiqësore. Është fakt, të cilin e pohon edhe Skënderi, në intervistën e vet, se kur Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria në prill 1939, të dy vëllezërit shkuan në drejtime të ndryshme. Ahmeti shkoi në Greqi, nëpërmjet Korçës, ndërsa Xhelali shkoi në Jugosllavi. Skënder Zogu kërkon që ta trivializojë rëndësinë e këtij fakti duke thënë se, të dy vëllezërit u bashkuan në Stamboll. Por, e vërteta është se edhe kur Ahmeti u largua nga Stambolli, ai nuk e mori me vete Xhelalin, i cili vdiq në Turqi.
Kjo tregon se kur Ahmeti u largua nga Shqipëria, ai nuk kishte lënë takim me Xhelalin në Stamboll, por Ahmeti thjesht e kishte gënjyer Xhelalin, duke i thënë se do të largohej për në Jugosllavi, kur në fakt shkoi në Greqi. Xhelali i shkretë, siç e pohon edhe Skënderi, shkoi nga Tirana në Shkup dhe atje priste Ahmetin. Në ndërkohë, Ahmeti kishte ikur në Greqi, nga ku shkoi në Stamboll. Kur mori vesh Xhelali këtë, u nis dhe ai në Stamboll, duke iu qepur pas të vëllait. Ahmeti e gënjeu edhe në Stamboll, duke mos e njoftuar fare kur u nis për në Rumani, në rrugëtimin e gjatë që e çoi në Francë dhe Britaninë e Madhe. Xhelali 58 vjeçar mbeti në Stamboll, ku vdiq në një azil pleqsh të braktisur.
Armiqësia midis dy vëllezërve të familjes Zogu, Ahmetit dhe Xhelalit, ishte e hershme dhe datonte që me vdekjen e babait të tyre, Xhemal Pashës, për të cilin historia zyrtare e kohës, kur Ahmeti ishte mbret, thoshte se vdiq në 1911, por që realisht kishte vdekur në 1904. Armiqësia mes dy vëllezërve u krijua për shkak të rivalitetit mbi atë se kush do të ishte i pari i familjes. Xhelalit, si vëllai më i madh, i takonte e drejta që të zinte vendin e babait si i pari i oxhakut. Por, vejusha, nëna e Ahmetit, Sedija, mbështeste pretendimin e vëllait të vogël, djalit të saj, Ahmetit. Xhelali u përpoq që ta mbyllte llogarinë me Ahmetin duke e vrarë gjysmëvëllain, gjatë kohës që ky gjendej në shkollë në Stamboll. Lalë Krosi, të cilin nëna e kishte dërguar pas Ahmetit për t’u kujdesur për të, ia shpëtoi jetën. Këtu zuri fill lidhja e veçantë mes Ahmetit dhe Lalë Krosit. Të dy gjysmëvëllezërit më pas u pajtuan për sytë e botës, por Ahmeti, kur u bë mbret u kujdes që Xhelali, ndonëse në letër ishte princ, të rrinte larg oborrit mbretëror.
Nëse ka ndonjë gjë për të cilën duhet të reagojë djali i Xhelal Zogut ky është libri i studiuesit amerikan Bernd Fischer “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, ku Fischer thotë se Xhelalin e mban të izoluar larg oborrit mbretëror për shkak se nuk ishte në rregull mendërisht. Megjithëse ky libër ka tre dekada që është botuar në Perëndim në anglisht dhe Skënder Zogut duhet t’ i ketë rënë në dorë shumë kohë para se të botohej në shqip, në mes të viteve nëntëdhjetë, ai nuk ka bërë asnjë reagim ndaj këtij libri. Arsyeja nuk është e vështirë për t’ u kuptuar. Ishte një lloj sekreti publik se Xhelali mbeti gjithmonë një problem për familjen Zogu. Midis vitit 1908 dhe vitit 1933, Xhelali u martua katër herë. Skënderi është djali i Xhelalit me gruan e tretë. Xhelal Zogu kishte reputacionin e një njeriu të mangët nga trutë, të cilin e braktisnin gratë. Me gruan e parë, Ruhije Doshishti, Xhelali u martua në vitin 1908, në moshën 27 vjeç. Ata u divorcuan katër vjet më pas, në 1912- ky është fakt i pamohueshëm. Arsyet mund të diskutohen, por e vërteta është se familja e nuses e mori atë, pas ankesës së saj për sjelljet prej të çmenduri të burrit. Xhelali u martua përsëri në vitin 1931, dhe gruaja e tij vdiq më pak se një vit më pas. U tha se ajo vdiq gjatë lindjes, por duke njohur natyrën e Xhelalit, mund të thuhet se gruaja e dytë, e cila quhej Ikbal, vdiq për shkak se guxoi të martohej me njeriun me të cilin paraardhësja e saj nuk pati guxuar që të vazhdonte martesën. Vdekja e gruas së dytë ngjalli edhe më tepër dyshime, për shkak se Xhelali u martua për herë të tretë, në 1932, vetëm pak muaj pas vdekjes së gruas. Shqiptarët, duke marrë shkas nga fakti që vëllai i mbretit po martohej për herë të tretë, në kohën që Ahmeti, mbreti, nuk ishte martuar ende, bënin humor politik duke thënë se Xhelali po martohej edhe për llogari të vëllait mbret.
Nga martesa e tretë e Xhelalit, në vitin 1933, lindi Skënder Zogu, i cili sot polemizon me mua. Sado e pabesueshme që t’i duket lexuesit, Xhelali u nda edhe me gruan e tretë, më pak se një vit pas martesës, në 1933. Skënder Zogu, po të dojë le ta mohojë këtë fakt. Në të njëjtin vit që lindi Skënderin me gruan e tretë, pra në 1933, Xhelali bëri martesën e katërt me Hyrijeten. Ahmeti, mbreti, e pa se tash u teprua, prandaj urdhëroi që Hyrijetes t’i vihej një mbrojtje speciale, kështu që kjo martesë zgjati dhe nuk përfundoi me vdekjen e shpejtë të nuses. Natyrisht se as që bëhej fjalë që Ahmeti t’i tregonte Xhelalit sekretet e familjes siç mund të ishte fejesa e motrës së vogël, Maxhides me Enver Hoxhën.
Sa për reagimin e Skënder Zogut në gazetën “Panorama”, edhe këtu ka një episod komik, se ndonëse në pyetjet që i bëheshin nipit të Ahmet Zogut gjatë intervistës përmendej shkrimi im, gazeta e vetëshpallur si më e madhja në vend, nuk u soll sipas standardeve që predikojnë me mburrje në emisionet e ndryshme televizive kryeredaktori dhe drejtori i saj, pra që të kërkonte dhe prononcimin tim. Arsyeja është se drejtori i “Panoramës” Andi Tela është kushëri nga nëna me Skënder Zogun, me gruan e tretë të këtij të fundit. Tani kam kohë e nge për ta rifilluar debatin me nipin e Naltmadhnisë, madje Andi mund t’i bëjë pa frikë shërbime të njëanshme në gazetën e tij, se unë jap fjalën që nuk do të tregoj publikisht se si ndodhi që djalit, familja e të cilit kishte krushqi me derën e Ahmet Zogut, iu dha e drejta e studimit për oficer në kohën e regjimit komunist.

TELEGRAF 17 korrik 2012