08 February 2017

Mendime për librin"Çamëri, zemra ime" nga Bilal Maliqi


ZËRAT POETIKË PËR ÇAMËRINË 
 "Çamëri zemra ime" përg. F.Kulli dhe K.Traboini, Pantheon Books, 220 f.,
Tiranë-Prishtinë 2014.

Nga Bilall Maliqi

Çamëria plagë e pashëruar, sikurse edhe pjesët e tjera të coptuara shqiptare nëpër kabinete kabinetarësh, të cilët patën, e kanë edhe më tutje fatin e kësaj pjese të degdisur të etnisë janë të vetmuara, të përlotura, të shkelura, të ngopura me padrejtësi të natyrave të ndryshme në çdo sferë të jetës shoqërore ekonomike, politike dhe kulturore dhe si të tilla në zemrat tona pasqyrojnë dhembje emocionale, të cilat vazhdojnë edhe më tutje të trokasin në zemër dhe në shpirtrat tanë e sidomos në shpirtrat e atyre që përmes vargjeve qoftë poetike, qoftë edhe në shkrime të karaktereve të ndryshme këto dhembje t’i paraqesin emocionalisht si përkushtim shpirtëror për këtë pjesë të këtij nënqielli që flet shqip.
Këto inspirime emocinale poetët i kanë paraqitur nëpër kohë dhe situate të ndryshme duke i shkruar kështu kësaj pjese shqiptare vargje dhembjeje për vëllezërit e tyre jashtë sinoreve të shtetit natyral shqiptar, por edhe poetët çam siç është poeti i madh Bilal Xhaferri, mandej brezat tjerë të poetëve me origjinë çame si Fatime Kulli, Arben Kondi, Bedri Myftari, Agim Bajrami, Ahmet Mehmeti, Namik Selmani etj., japin një pasqyrë panoramike për vendin e tyre, për vendlindjet e ndara me gurëzinj e me kufij ndarës e përçarës.

Antologjia

Për Çamërinë janë shkruar edhe më parë Antologji poetike, ku në dhjetë vjetshin e fundit janë publikuar tri sosh, njëra nga poeti Ali Podrimja, tjetra e hartuar nga Ahmet Mehmeti, e tani Antologjia më e re e hartuar nga poetja Fatime Kulli dhe nga poeti Kolec Traboini me titull „çamëri zemra ime“, vjen në  100 vjetorin e konferencës së Londrës, konferencë kjo kobzezë si për këtë pjesë, por edhe për pjesët e tjera të shkëputura shqiptare kur ju shkëputën Shqipërisë një pjesë bukur e mirë e territorit të saj dhe iu falën shteteve përreth Shqipërisë.
Antologjia në fjalë është përkushtuese për çamërinë, për çamët e ndarë me shekuj të tërë nga trungu shqiptar. Së lexuari të kësaj vepre të rrallë para nesh na del Camëria, na  dalin peizazhe malli, na pasqyrohen vuajtje shpirtërore të çamëve, na dalin varg padrejtësish të panumërta që iu kanë bërë dhe që po u bëhen nga shteti grek siç e kemi edhe rastin e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, në Maqedoni e në Luginën e Preshevës. E këta protagonist poetik janë këtu, janë brenda kopertinave të këtij libri, kanë mall për këtë pjesë, kanë dhembje shpirtërore për vëllezërit e tyre e të gjitha këto i kanë vargëruar në vargje poetike të cilat janë plot ndjenja, plot dhembje, plot lotë dhe janë përkrahëse të një bashkimi, e cila është edhe mesazhi poetik i shumicës së poetëve dhe të poezive në këtë vepër antologjike.
Në këtë libër janë të përfshira poezi të poetëve çam, poetëve nga Maqedonia, nga Kosova, nga Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës, të cilët me vargjet e tyre treguan seriozitetin e tyre si në gjetje të brumit poetik përkushtues, por edhe në forcimin e vargjeve të poezive të tyre për këtë pjesë të etnikumit shqiptar.
Poezitë e librit kanë mesazh të qartë , shpërfaqin zërat poetik të tyre, kanë forcë shprehëse mbi të gjitha kanë guximin dhe rebelimin poetik karshi atyre që bënë ndarje, coptime dhe padrejtësi të panumërta karshi popllatës çame.

Kush shkroi për Çamërinë?!...

Në këtë libër të veçantë, të rrallë dhe përkushtues shkruan poetë nga vise të shumta shqiptare të cilët shpërfaqën botën e tyre imagjinative letrare e përkushtuese për këtë pjesë shqiptare të nëpërkëmbur, e këta poetë janë:
/Aristidh Kola/, /Bilal Xhaferri/, /Ali Podrimja/, /Abdyl Kadolli/, /Abdullah Konushevci/, /Abdulla Zeneli/, /Agim Bajrami/, /Agim Mato/, /Agim Desku/, /Ahmet Mehmeti/, /Anila Dahriu/, /Anjeza Sakaj/, /Arben Kondi/, /Bedri Myftari/, /Bilall Maliqi/, /Brahim Avdyli/, /Fatime Kulli/, /Fatos Mero Rrapaj/, /Fatmir Terziu/, /Fatmir Muja/, /Fehmi Berisha, /Gëzim Ajgeraj/, /Gjoke Beci/, /Hajdin Morina/, /Halil Qendro/, /Hasan Qyqalla/, /Haxhi Muhaxheri/, /Ilam Berisha/, /Iliriana Sulkuqi/, /Keidi Seidini/, /Koçi Petriti/, /Kolec Traboini/, /Laureta Petoshati/,/Lek Dushi/,/Mardena Kelmendi/,/Mehmet Ismail Sejko/,/Miltiadh Davidhi/, /Moikom Zeqo/,/Muhamet Luma/, /Mujo Buçpapaj/, /Murat Gashi/, /Naim Kelmendi/, /Namik Mane/, /Namik Selmani/, /Nexhip Ejupi/, /Petraq Risto/, /Petraq Kote/, /Piro Kuqi/, /Qazim Shemaj/, /Qerim Skenderaj/, /Ramiz Kuqi/, /Rajmonda Mojsiu/, /Rita Saliu/, /Rudi Berisha/, /Rustem Geci/, /Sazan Goliku/, /Shaip Emërllahu/, /Shaip Beqiri/, /Shahadije Lohaj/, /Sheremet Prokshi/, /Shqipe Hasani/, /Tafil Duraku/, /Valbona Hajro/, /Visar Zhiti/, /Vasil Tabaku/, /Vojsava Nelo Jakllari/, /Vesa Ademi/ dhe /Ymer Nurka/.
Këta emra poetësh shkruan poezi përkushtimore çamërisë, këtij vendi me shqiptar të ndarë e të lënë në mëshirë të kohës. E këta poetë kanë bërë protestë poetike për bashkim, e kujtojnë, e pasqyrojnë dhe e ëndërrojnë këtë tokë, këtë vend të bekuar me vëllezëri tanë të një gjuhe e të një gjaku.
Kjo Antologji poetike e ka vlerën e vet, sepse këtu i kanë paraqitur si të thuash pikpamjet e tyre poetike poetë nga vende të ndryshme shqiptare për këtë pjesë të atdheut të coptuar. Merita i takon pëpiluesve të kësaj Antologjie, poetes Fatime Kulli dhe poetit Kolec Traboini, poetëve që shkruan poezitë e tyre e padyshim mbështetësve për botim, poetit Ruzhdi Berisha dhe Klubit Letrar „Zahir Pajaziti“ Prishtinë.

Shënim: Libri është botim i Pantheon Publishing Books 2014, ka dhe një kapitull "Vëllezrit Dino të Çamërisë, Abidin, Arif dhe Ali Dino", me shumë interes jo vetëm për Çamërinë por edhe për kulturën kombëtare shqiptare, sepse janë artistë me reputacion më krijimtarine e tyre që shtrihet në tre  shtete si Francë, Greqi dhe Turqi, poezitë shoqërohen me grafika dhe piktura nga autorë të huaj dhe nga piktori çam Abaz Hado,  por që kanë mbetur jashtë vëmendjes së shkrimit të mësipërm.

Piktori, poeti dhe kineasti çam Abidin Dino, monumenti në Turqi.