26 May 2014

Përse i shërben PD-së aleanca e pistë e Lulzim Bashës me Irfan Hysenbelliun

 PËRSE I SHËRBEN PD-së ALEANCA E PISTË E LULZIM BASHËS ME IRFAN HYSENBELLIUN

 Shkruar ng KASTRIOT MYFTARAJ

Ditën e enjte, në 22 maj, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, u zhvillua një dialog shumë domethënës midis Kryetarit të PD Lulzim Basha dhe Robert Rakipllarit, kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, që është pronë e biznismenit Irfan Hysenbelliu. Në një moment në emision, Rakipllari i bëri Bashës një pyetje të gjatë, të cilën e zhvilloi madje deri në një deklaratë të gjatë politike personale kundër qëndrimit të opozitës, e gjithë kjo me synimin e qartë që tjetri të mos kishte mundësi të përgjigjej. Aq sa Basha i tha me ironi: “Pyetjen po e përsërit për veten tënde?”
Më në fund kur Basha arriti që ta merrte fjalën, ai i tha Rakipllarit:
“Pjesën e fundit e komplikove pak se the një të pavërtetë dhe ma atribuove mua. Nuk kam kërkuar dhe nuk kërkoj dorëheqjen e qeverisë për mashtrimin me legalizimet…”
Rakipllari e ndërpreu: “Ku ka mashtrim? Mashtrimet do t’ i themi në fund të mandatit mor zoti Basha, s’ i themi për gjashtë muaj.”
Basha iu përgjigj: “Po lere, unë të dëgjoj. Më ler të mbaroj…”
Rakipllari e ndërpreu përsëri: “E pra, meqënëse the ‘të pavërtetë’. Ju po thoni një të pavërtetë.”
Basha më në fund ia tha hapur taktikën që po përdorte Rakipllari: “Ti flet dhe nuk do që të marrësh asnjë përgjigje…”
Rakipllari e ndërpreu përsëri: “Se unë s’ po them asnjë të pavërtetë për ju…”
Basha: “Po mirë pra, dëgjoje përgjigjen…”
Më në fund, pas shumë përpjekjesh të Rakipllarit për të mos e lejuar Bashën që t’ i përgjigjej pyetjes së tij, ky i fundit mundit të kthente përgjigje. Basha i tha Rakipllarit:
“Më atribuove diçka të pavërtetë kur the që opozita ka kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës për legalizimet…”
Rakipllari e ndërpreu përsëri: “Shqipëria në protestë’ Është thënë që në janar.”
Basha: “Tani mos më bëj që të përdor një term më të rëndë…”
Rakipllari: “Po përdore pra…”
Basha: “Sepse the një të pavërtetë. Me mua duhet të jesh i saktë zotëri. Sepse unë jam i saktë me ty. Nëqoftëse nuk je mësuar me këtë standard, mësohu me këtë standard. Mund të mos jetë faji jot që s’ je mësuar…”
Rakipllari: “Unë nuk po them asnjë të pavërtetë…”
Basha: “Ka rëndësi që ta kuptosh që nuk do të ketë legalizim falas…”
Rakipllari e ndërpreu përsëri: “Po kur, për gjashtë muaj do të ketë legalizim falas”.
Basha iu përgjigj: “Ke ligjin mor zotëri. A nuk e kaloi ligjin javën e kaluar? Apo s’ e di që e kaloi ligjin?”
Rakipllari: “E di që e kaloi ligjin”.
Basha: “A kishte legalizim falas aty?”
Rakipllari heshti dhe atëherë u përgjigj vetë Basha për pyetjen e vet: “Jo”.
Në këtë moment Rakipllari tha: “Kishte procedurë…” (Nuk e mbaroi fjalinë se qeshi dhe zgërdhirje në fund të saj, duke treguar se nuk kishte qenë serioz, dhe se kishte dashur të tallej.)
Basha: “Por çfarë procedure, mos bëjmë tani, mos fshihemi pas gishtit.”
Ky ishte dialogu i ditës së enjte mes Bashës dhe Rakipllarit. Në debatin Basha-Rakipllari kishte të drejtë Basha, dhe vetë Rakipllari ishte i vetëdijshëm për këtë gjë prandaj zgërdhihej gjatë emisionit. Është një fakt i tillë, i njohur gjerësisht, ai që ligji i miratuar në Kuvend nga shumica e majtë nuk e parashikon legalizimin falas të ndërtimeve informale, çka ishte një premtim i Edi Ramës para zgjedhjeve të qershorit të kaluar. Rakipllari e dinte këtë fakt, prandaj zgërdhihej kur dialogonte me Bashën, i cili ku i tha “Tani mos më bëj që të përdor një term më të rëndë…”, me këtë donte t’ i thoshte: “Tani mos më bëj të të quaj ashtu siç e meriton: provokator!”
Rakipllari e provokoi Bashën dhe u tall me të, por u tall duke poshtëruar vetveten, ashtu siç bëjnë ata një kategori fshatarësh të paneleve të debateve televizive, të cilët kanë kanë arritur shumë më lart se ç’ e meritojnë, pikërisht duke kryer misione të tilla. Që këta janë të gjithë fshatarë ky është një fakt stastikor nuk është një fyerje a priori, dhe më së pari nga këta njerëz duhet të ndjehen të fyer fshatarët të cilët në njëfarë mënyre përfaqësohen intelektualisht prej tyre. Në rastin e Rakipllarit ai e tregoi se e meritoi licencën e parë sekrete që ka marrë në komunikimin publik, si “Provokator kafenesh”, e cila është në bazë të forcave të fshehta që i dhanë shtytje karrierës së tij si burokrat mediatik. Por këtu lind një pyetje: A mund të sillej kështu Rakipllari me Bashën, kur ai e di mirë se çfarë marrëdhëniesh ka pronari i tij, Irfan Hysenbelliu me Bashën? Irfan Hysenbelliu është miku i madh i Bashës që prej kohës kur PD erdhi në pushtet, në 2005. Nëse bëhet lista e biznismenëve që kanë përfituar më shumë nga PD gjatë tetë viteve që kjo parti ishte në pushtet, nga viti 2005 në 2013, Irfan Hysenbelliu hyn padyshim në pesëshen e parë së bashku me Bashkim Ulaj, Samir Mane, Mihal Delijorgji, Aleksandër Frangaj. Duke ditur se Rakipllari është njëlloj si punëtorët e skelave të pallateve apo e ngarkim-shkarkimit të arkave të birrës të Irfan Hysenbelliut, që vepron sipas urdhrave të këtij të fundit, mund të thuhet me siguri se Rakipllari nuk do të guxonte kurrë që të sillej ashtu me Bashën, nëse nuk do të kishte marrë urdhër nga Hysenbelliu që të sillej ashtu. Në të vërtetë dialogu Basha-Rakipllari ishte dialog mes Lulzim Bashës dhe pronarit të Rakipllarit, Irfan Hysenbelliut. Ditën e enjte Rakipllari kishte marrë urdhër që ta provokonte dhe ta nervozonte Bashën dhe arriti që ta bënte këtë gjë, ndonëse me koston që e tregoi veten publikisht gënjeshtar edhe për faktet e njohura gjerësisht.
Mënyra se si u soll Rakipllari me Bashën tregon se Irfan Hysenbelliu, pasi ka marrë gjithçka çfarë ka dashur nga Qeveria e Berishës gjatë tetë viteve kur PD ishte në pushtet, tani, si dhe pasi mori ç’ deshi edhe nga Basha, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, deri edhe muajt e fundit pas daljes së PD-së në opozitë, tani po kërkon t’ i prishë marrëdhëniet me Bashën, domethënë me PD-në. Dhe këtë gjë kërkon ta bëjë në mënyrë brutale, duke shpresuar se me këtë do të fitojë simpatinë dhe mbështetjen e Edi Ramës, me të cilin nuk i ka pasur aspak mirë punët, për arsye të miqësisë së tij me Bashën.
Nëse anëtarët dhe votuesit e PD-së, ata që dalin në protestat e thirrura nga Basha, do t’ i dinin marrëdhëniet e Bashës me Hysenbelliun, ata do të kishin të drejtë që të pyesnin se përse i shërbeu PD-së aleanca e Bashës, që në fakt ishte edhe aleancë e Berishës, me Hysenbelliun? Me aq para sa ka përfituar Irfan Hysenbelliu nga PD, gjatë tetë viteve që kjo parti ishte në pushtet, dhe gjatë këtij viti të nëntë nga Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Basha, PD mund të kishte krijuar një kompani mediatike me një njeri të besueshëm që t’ i shërbente për ditët e vështira. Në vend që të vepronte kështu, PD parapëlqeu që të financonte me të gjitha mënyrat gazetën “Panorama” të Hysenbelliut, si dhe ta ndihmonte këtë që të merrte edhe Televizionin News 24. Gazeta “Panorama” e Irfan Hysenbelliut ka marrë gjatë tetë viteve miliona euro nga Qeveria “Berisha”, për botim të njoftimeve publicitare qeveritare. Por, mund të thotë dikush, kjo ka ndodhur se “Panorama” ka qenë gazeta më e madhe në vend. Por edhe këtë “Panorama” e ka arritur me ndihmën e Qeverisë, duke marrë lajme ekskluzive të kronikës së zezë nga Policia e Shtetit, me të cilat kjo gazetë ka siguruar më shumë se gjysmën e lexuesve të saj. Për këtë mjafton që t’ u hedhësh një sy titujve të mëdhenj të faqes së parë të kësaj gazete në vite.
Në kohën kur PD ishte në pushtet, në vitet 2005-2013, banka më e privilegjuar nga Qeveria ishte “Credins”, e njohur si banka e familjes Berisha. Kjo bankë kishte një klient të privilegjuar, i cili ishte Irfan Hysenbelliu. Kur pronari i Universitetit “Luarasi” nuk arriti që të shlyente dot kredinë bankare që kishte marrë, banka e konfiskoi këtë Universitet dhe ia dha Irfan Hysenbelliut, i cili mori përsipër pagimin e kredisë. Në të vërtetë Irfan Hysenbelliu ishte një kreditor i keq bankar që para se ta merrte përsipër këtë kredi, duke qenë se ai kishte disa kredi të tjera bankare, me pagesën e të cilave kishte probleme, kështu që Banka “Credins” nuk duhet që t’ ia jepte atij edhe këtë kredi. Por atij iu bë një privilegj, për shkak të ndërhyrjes së Berishës dhe Bashës. Si të mos mjaftonte kjo, Irfani ishte mësuar që kreditë bankare t’ ia paguante Qeveria, kështu që ai i kërkoi Qeverisë “Berisha” ndërtesën e konviktit të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja, e cila gjendet në një zonë shumë të pëlqyer urbane të Tiranës, te Rruga e Elbasanit. Sipas praktikës së zakonshme të grabitjes së pronës publike në periudhën e tranzicionit, u kërkua që kjo ndërtesë, së bashku me një siëprfaqe të madhe oborri përreth saj, t’ i jepej me qira afat gjatë Universitetit “Luarasi” domethënë Irfanit. Dhe këto objekte të marra me qira afatgjatë përfundojnë që të privatizohen nga qiramarrësi.
Irfani e bëri këtë kërkesë në kohën që kryetar i Bashkisë së Tiranës u bë Lulzim Basha. Konvikti ishte në administrimin e Bashkisë, e cila ishte dakord që t’ ia jepte me qira Irfanit. Por kishte një pengesë, se Senati i Universitetit Publik të Tiranës i kishte bërë kërkesë Qeverisë për ta marrë këtë ndërtesë për nevojat e Universitetit. Universiteti Publik kishte nevojë për ndërtesa shtesë, gjë për të cilën i kishte bërë me kohë kërkesë Qeverisë. Gjithsesi, Irfani do t’ ia kishte arritur që ta grabiste këtë pronë publike nëse nuk do të kishte reaguar fuqishëm rektori i Universitetit Publik të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, i cili ngriti zërin dhe inicoi një lëvizje akademiko-civile për mbrojtjen e kësaj prone publike. Si pasojë kundër Rektorit Kule nisi një fushatë e ashpër shpifjesh nga gazeta “Panorama” dhe Tv Neës 24. Kjo ishte lufta e rektorit me oligarkun, e cila përfundoi me fitoren e rektorit, se Berisha u tërhoq kur mësoi se protesta mund të shkallëzohej deri në grevë urie me pjesëmarrje nga stafi mësimor universitar.
Kur Banka “Credins” konfiskoi pronat që kishte vendosur si kolateral Carlo Bollino për kredinë e papaguar që kishte marrë nga kjo bankë, këto prona “Gazeta Shqiptare” dhe Tv Neës 24 iu dhanë Irfan Hysenbelliut, i cili mori përsipër të paguante kredinë e Bollinos. Edhe këtë herë duhet të vlente rregulli se Irfan Hysenbelliut, si një kreditor i keq bankar që ishte para se ta merrte përsipër këtë kredi, Banka “Credins” nuk duhet që t’ ia jepte këtë kredi. Por edhe këtë herë atij iu bë një privilegj, për shkak të ndërhyrjes së Berishës dhe Bashës.Në fakt Irfani nuk kishte si qëllim vetëm që të merrte gazetën dhe televizionin, por ai donte të merrte para së gjithash ndërtesat dhe një sipërfaqe të gjerë toke te ish-Kombinati i Autotraktorëve në Tiranë, të cilat Bollino i kishte marrë me qira afatgjatë nga Qeveria e PS, që para vitit 2005. Sipas praktikës që kam përmendur më lart, Irfani mendonte që t’ i privatizonte këto prona publike në të ardhmen.
Para se të largohej Berisha nga pushteti, oligarku i “Panoramës” bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën, bëri projektin e mahnitshëm që të gjitha bizniset e lojërave të fatit që gjendeshin në Tiranë, të shkonin në mjediset e ish-kombinatit të autotraktorëve. Kështu, të gjitha bizniset e lojërave të fatit do të formonin praktikisht një kooperativë, kryetar i së cilës do të bëhej Irfani. Dhe të gjithë bizniset e lojërave të fatit të Tiranës do t’ i paguanin qera Irfanit, i cili pasi t’ i jepte Bashës pjesën e tij, do të shlyente kreditë me pjesën e mbetur. Aq me pasion e kishte marrë Irfani këtë projekt saqë kishte bërë gati dhe billboardet gjigande me drita, që lexonin “Las Vegas Tirana”. Por, në prag të zgjedhjeve Berisha kishte probleme të tjera, kështu që Irfanit i mbetën tabelat, dhe nuk e bëri dot Shkozën “Las Vegas”.
Irfan Hysenbelliu nuk mund të rrinte pa u përzier edhe në biznisin e nxjerrjes së kromit në Bulqizë se atje siguroheshin lehtë para cash. Për këtë qëllim Irfani një ditë kur po pinte kafe me Bashën i tregoi me gisht hundën e vet, duke i thënë: “E shikon hundën time?” Hunda e oligarkut ngjan si një domate e rritur me hormone që ka marrë trajtë dhe ngjyrë të çuditshme, por me bazë të kuqen. Basha sigurisht që e shikonte, por me mirësjellje i tha se nuk i vinte re këto gjëra te miqtë. Irfani i tha se ai me miqtë fliste hapur, tani kishte ardhur koha që ta rregullonte hundën por kjo kushtonte shumë para. Për këtë donte dy galeri kromi në Bulqizë. Basha nuk pyeti se përse duheshin dy galeri kromi, kur hunda ishte vetëm një. Nuk mund të bënte ai një politikan tashmë me përvojë një pyetje kaq naive. Se hunda ka dy vrima, dhe siç dihet galeritë janë vrima në tokë, pra duheshin dy galeri, nga një për secilën vrimë të hundës së oligarkut. Për këtë qëllim Irfan krijoi një kompani e cila kishte si administrator kunatën e tij, gruan e vëllait të tij Kasëm Mediatikut, drejtorit të “Panorama Group”. Kësaj kompanie me emrin “Kevger” iu dhanë dy galeri për nxjerrjen e kromit. Por si të mos mjaftonte kjo Hysenbellinjtë donin që të bënin edhe evazion fiskal, duke e fshehur sasinë e kromit të nxjerrë, gjë për të cilën Policia iu konfiskoi disa kamionë me krom. Por ky ishte një lapsus policor dhe Irfani, i cili kishte ndihmën e Qeverisë, e kapërceu shpejt këtë problem. Me paratë që mori Irfani shkoi në një klinikë të famshme dhe të shtrenjtë në Austri që të rregullonte hundën. Mjekët austriakë treguan gjithë talentin e tyre dhe hunda e oligarkut tashmë dukej afërsisht si domate e rritur bio, jo si e rritur me hormone.
Çfarë nuk ka përfituar Irfan Hysenbelliu nga Berisha dhe Basha! Irfani e kishte dërguar vajzën e tij që të studionte në LSE (London School of Economics and Political Science). Por Irfani ishte mësuar që shpenzimet e lukseve tij t’ ia paguante Qeveria. Kështu që i fejuari i vajzës së Irfanit, Rigels Balla, u emërua oficer i ndërlidhjes policore në Ambasadën e Shqipërisë në Londër. Kjo u bë që vajza e Irfanit të strehohej në Londër me paratë e shtetit shqiptar dhe të lëvizte me automjet të paguar nga shteti shqiptar, në sajë të të fejuarit të saj. Ministria e Punëve të Jashtme, që në atë kohë drejtohej nga Basha, e shtoi emrin e vajzës së Irfanit në protokollin diplomatik, si pjesë e personelit diplomatic shqiptar në Londër. E gjithë kjo komedi mori fund kur dhëndrrin e oligarkut e dëbuan nga Britania e Madhe për disa bëma që i dinë ai dhe Basha. Këto bëma kanë qenë aq serioze, saqë kur në maj 2012 kur u bë dasma, e cila nisi në Londër, ku nusja mori fustanin me porosi në një butik shumë të shtrenjtë, dhe do të vazhdonte në Paris, dhëndrri e priste nusen në anën franceze të Tunelit. Dasma vazhdoi në Itali për të përfunduar në Tiranë, në Hotel “Sheraton”, me 300 të ftuar, që mund të kishin qenë fare mirë edhe 400 që të kënaqeshin edhe disa të tjerë, se tekefundit shpenzimet i paguanin Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Bashkisë Basha. Torta e dasmës kishte tetë kate, një simbolikë në llojin e vet kjo se kaq kate pa leje ka pallati i oligarkut që i bën hije Burgut 313.
Dhëndrri, Rigels Balla kishte marrë si dhuratë për dasmën nga Lulzim Basha një vend pune të mirë në Bashkinë e Tiranës, si drejtor për Menaxhimin e Shërbimeve të Infrastrukturës. Merret vesh, pikërisht në fushën ku ka shumë interesa vjehrri i tij. Bëmat e Rigelsit në këtë post janë të tilla që ai do të duhej që të këtë herë të shpallej person non grata nga Qyteti i Tiranës dhe të kthehej në Farkë nga ku e ka origjinën.
E çfarë nuk bënte Qeveria e PD-së për Irfanin! Çfarë nuk kërkoi ky dhe nuk ia plotësuan dëshirën! Irfani donte që vëllai i tij, megjithëse me shkollim bazë për piktor, të bëhej Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Palueshme, e njohur në gjuhën popullore si Hipoteka, ose siç njihet në gjuhën zyrtare zëvendës i kryeregjistruesit. Se Irfani ka shumë interesa në fushën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pasi ka shumë ndërtime problematike. Dhe Berisha e Basha nuk mund të mos ia plotësonin dëshirën. Shkollimi i tij nuk ishte problem. Vëllait të Irfanit i duhej një diplomë prej inxhinieri ndërtimi, të cilën e mori në vitin 2008, kur PD ishte në pushtet. Dhe Besnik Hysenbelliu u bë zëvendës i kryeregjistruesit. Zëvendëskryeregjistruesi shikon nga dritarja e zyrës pallatin e tij me tetë kate pa leje. Ai e mban këtë detyrë edhe sot e kësaj dite. Irfani kërkoi një doktoraturë për vëllain tjetër, Kasëm Mediatikun, nga Akademinë e Mbrojtjes, se Kasëmi ka një diplomë si oficer. Dhe Kasëmi u bë Doktor i Shkencave Ushtarake. Meqënëse Kasëmi mban mend emrin e vjetër të shkollës, ai mendon se është bërë Anëtar i Akademisë së Shkencave nga fusha e mbrojtjes, por për momentin nuk duhet ta thotë këtë gjë, se i prish punë vëllait.
Të gjitha shërbimet që Berisha dhe Basha mendojnë se i kanë bërë PD-së që nga viti 2005 e këtej gazeta dhe televizioni i Irfan Hysenbelliut, fare mirë mund të kompensoheshin nëse Qeveria “Berisha” do të kishte bërë atë që bën Edi Rama sot dhe të shembte me dinamit pallatin e Hysenbellinjve pranë Zyrës së Regjistrimit të Paurive të Paluajtshme në Tiranë (“Hipoteka”), që me tetë katet e tij pa leje i bën hije burgut 313. Në fakt është fjala për një kompleks ndërtesash (pallatesh), për të cilin vite më parë shtypi ka shkruar shumë duke paraqitur dokumente që tregonin se Oligarku Hysenbelliu kishte hyrë në oborrin e selisë së Hipotekës duke uzurpuar mijëra metra truall, gjë që u bë shkak që që Banka Botërore të tërhiqej nga financimi i një pjese të projektit për modernizimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pallati më i lartë i kompleksit ndërtimor, i cili i bën hije Burgut 313, që gjendet aty afër, është monument i pushtetit abuzues që siguruan disa oligarkë si Hysenbelliu, duke keqpërdorur gazetat dhe televizionet që kanë në pronësi, në kohën që PD ishte në pushtet, në vitet 2005-2013. Është e vërtetë se lejën fillestare për ndërtim Hysenbelliu e mori nga Edi Rama, por katet pa leje i ndërtoi se kishte garancinë nga Berisha dhe Basha se nuk do t’ i prekeshin ato.
Kohët e fundit, Lulzim Basha i dha Irfanit një leje ndërtimi te ish ndërmarrja e mjeteve mësimore “Hamid Shijaku” për një kompleks ndërtesash, nga shitja e të cilave nxirren të ardhura në shumën e përgjithshme 120 milion euro. Me këtë Irfani shpreson që të shlyejë kreditë e tij bankare për të cilat nuk i ka aspak punët mirë me bankat. Në fakt Irfani është në listën e top 10 kreditorëve më të këqinj bankarë në Shqipëri. Është paradoks që një njeri i tillë të jetë edhe pronar i kompanie të madhe mediatike.
Në përfundim, a nuk kanë të drejtë që ata anëtarë dhe simpatizues të PD, të cilët Basha i fton në protesta ta pyesin se përse duhet që ata të sakrifikojnë kur nga pushteti i ardhshëm i PD-së do të përfitojnë oligarkët si Irfani, të cilët as që ia dinë për nder PD-së, dhe që e mbështesin atë kur është në pushtet e mund të përfitojnë prej saj, por e braktisin madje e sulmojnë kur PD është në opozitë, siç u pa qartë ditën e enjte në emisionin e Fevziut?
Irfani tani ka një problem të madh. Ai kërkon të marrë kredi të tjera bankare përveç atyre prej dhjetëra milionë euro që ka marrë deri më sot dhe për këtë i duhet që Banka e Shqipërisë, pra Guvernatori Fullani, ta çertifikojë si kredimarrës të besueshëm bankar, gjë që Fullani mund ta bëjë vetëm me lejen e Edi Ramës. Prandaj Irfani llogarit që duke sulmuar PD-në dhe Bashën në të ardhmen, të sigurojë kredi bankare të reja, këtë herë me ndihmën e Edi Ramës. Dhe kështu do të rritet Piramida e Irfanit deri kur ajo të shembet duke e zënë poshtë.
Në përfundim, dua që t’ i rikthehem edhe një herë dialogut të Bashës me Rakipllarin në debatin televiziv të ditës së enjte, i cili është në fakt një dialog mes Bashës dhe Irfan Hysenbelliut. Episodi i Bashës me Rakipllarin nuk ishte i vetmi i këtij lloji në atë emisionin. Një punonjëse e kompanisë mediatike të Sandër Frangajt, Juli Xhokaxhi, e cila ishte e ftuar në emision si “analiste”, njëjtë si Rakipllari, tha një tjetër gënjeshtër të madhe dhe të hapur. Ajo tha se Tifozët Kuqezi kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës duke i kërkuar kësaj që të gjejë një zgjidhje për Klubin e futbollit “Tirana”. Basha saktësoi se protestën e kanë bërë tifozët bardheblu dhe ajo ata kuqezi. Juli Xhokaxhiu bëri sikur e pranoi lapsusin kur në fakt ajo kishte thënë me qëllim “Tifozët Kuqezi” për të krijuar përshtypjen se kundër Bashkisë së Tiranës qenë tifozët e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Në ekran u pa qartë se Juli Xhokaxhiu madje i shkeli syrin drejtuesit të emisionit Fevziut, duke nënqeshur me ironi. Kjo gjë mund të rishikohet se videoja e emisionit gjendet në faqen elektronike te Tv Klan. E gjithë kjo tregon se kishte një plan të paramenduar për ta vënë në lojë dhe tallur Bashën në emisionet e Fevziut. Në rastin e Juli Xhokaxhiut, pas saj Qëndron Aleksandër Frangaj, një tjetër njeri që ka përfituar shumë nga Qeveria “Berisha” dhe nga Basha. Edhe Frangaj, si Hysenbelliu tani është duke braktisur PD-në, nga e cila nuk mund të përfitojë më, dhe të cilën do ta kishte braktisur që vitin e kaluar nëse nuk do të mendonte se mund të përfitonte edhe dicka në këtë periudhë që Basha është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Basha nuk polemizoi edhe me Xhokaxhiun si me Rakipllarin se mendoi që do të bënte përshtypje të keqe nëse polemizonte kështu me dy gazetarë, aq më tepër që kjo ishte femër. Por duket se kjo ishte dhe llogaria e atyre që e përdorën Xhokaxhiun kundër Bashës. E të mendosh që përveç këtyre të dyve në studio ishte dhe Lorenc Vangjeli, i cili kishte një qëndrim të egër kundër Bashës! Fevzo, një tjetër përfitues i madh nga pushteti tetëvjeçar qeveritar i PD-së, dhe nga ky bashkiak që vazhdon edhe më pas, kishte zbatuar në emision një skenar anti-Bashë./Kastriot Myftaraj