27 October 2013

Zenepe Luka: E vërteta e tritolit që më vunë në shtëpi në vitin 1998

Zenepe Luka: E vërteta e tritolit që më vunë në shtëpi në vitin 1998 


Profili i publicistes, intelektuales dhe gazetares “rebele”- Zenepe Luka Cekrezi – i përket brezit të artë të gazetareve femra, si një nga gratë e para në median shqiptare që me shpinën e mendjes dhe “kockë intelektuale” të fortë, në sajë të përkushtimit, pasionit e përgjegjshmërisë morale, qytetare e intelektuale na ka dhënë gazetarinë bashkëkohore, profesionale, përvojën dhe eksperiencat e jetës, dhe afirmimin me vizion të gjerë profesional në dekada të tëra. Brez i artë i gazetareve femra që përfaqësohej denjësisht nga Adile Xhabija, Ludmilla Xhabija, Nexhmije Zajmi, Tefta Radi, Valentina Leskaj, Zenepe Luka, Elsa Xhai, Kozeta Mamaqi, Donika Tele, Albana Mëlyshi, Jorgjeta Gjanci, Frosina Papa, Kozeta Zavalani, Julia Naci, Shirma Minga, etj., me arritje të papara gjatë karrierës së tyre dhe kanë sfiduar skeptikët e kritikët e kohës edhe për çështjet më të rëndësishme në jetën social-kulturore politike të vendit. Ky brez i artë gazetaresh së bashku me kolegët e tyre burra- bënë rrotacionin mediatik më spektakolar, profesional e historik mes kufirit të dy epokave –Gazetarisë para ’90-s dhe pas viteve ’90-t- në vazhdim e deri më sot-pra bënë historinë e medias shqiptare. Ja si shprehet shkrimtari i shquar i letrave shqipe, Dritëro Agolli për gazetaren Zenepe Luka: “Në kuptimin e marrëdhënieve shoqërore, të jesh gazetar, do të thotë; të njohësh dhe të të njohin shumë njerëz, t’a kesh për nder, që i njeh dhe ta kenë për nder ata, që të njohin. Në këtë larmi organesh shtypi, Zenepa Luka vazhdoi të përparojë stilin publicistik të gjinive të ndryshme të gazetarisë. Është një shprehje: Vrapojmë, të arrijmë Horizontin, Horizonti largohet duke paraqitur një pejsazh tjetër. Horizonti i shoqërisë politike shqiptare, ndryshoi, ndryshoi edhe përmbajtja dhe forma e gazetarisë. Nuk kishte më kontroll të rreptë të shtypit, u bë mënyra e të shkruarit më dinamike, më e thjeshtë, duke larguar ekstazën. Këtë përmbajtje dhe formë të re të shtypit, mundi ta përvetësojë edhe Zenepe Luka. Ajo filloi të shkruajë më thjeshtë, duke shmangur kozmetikën e frazës, kozmetikë, që fsheh përmbajtjen dhe zbeh faktin.’ Ndërsa babai i gazetarisë shqiptare, Prof.Dr.Hamit Borici, do të shprehet kështu për ish-studenten e tij Zenepe Luka: ”Zenepe Luka më sjell në kujtesë studenten që ngulmoi për të ndërruar degën, nga Gjuhë–Letërsi në Gazetari. Tashmë ajo është një gazetare e afirmuar me vision të gjerë profesional dhe përfaqëson një punë të madhe dhe me përkushtim në fushën e gazetarisë dhe publicistikës bashkëkohëse, profilin shoqëror e qytetar të njohur e vlerësuar jo vetëm nga kritika e kohës por edhe nga opinion publik shqiptar.” Në këtë intervistë ju do të mësoni disa gjëra për herë të parë port ë vërteta, për sfidat dhe kalvarin e sakrificës e profesionalizmit të gazetares Luka.
 
Znj.Luka, jeni një penë publicistike mjaft e njohur në Shqipëri e krejt trojet shqiptare. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare?

Gjëja e parë që dua të shpreh është mirënjohja për Ju, zonja Moisiu, një publiciste dhe krijuese shumë e njohur, që po më mundësoni dhënien e kësaj interviste. Shkrimet e para të miat, botuar tek “Zëri i Rinisë”, revista “Shqiptarja e Re”,janë përpara se përfundoja studimet. Nëse bëhet fjalë për shkrimet pasi jam diplomuar gazetare, plot 40 vjet më parë, në maj të vitit 1973, janë në gazetën lokale “Kukësi i Ri”. Po e kujtoj shkrimin e parë. Sidoqë isha një vajzë e re, që vija në një rreth aq të largët, redaksia më dërgonte shpesh me shërbim në fshatra. Shkrimi i parë ka qenë pas një shërbimi në Shishtavec, lidhur me një fenomen shumë të bukur: Dashurinë e të rinjve me shkollë. Meqë më ra rasti të zë në gojë shkrimet në këtë gazetë lokale, nuk mund të harroj një rast, që për pak, më kushtoi shumë. Unë kisha bërë një shkrim për rastet që ndodhnin shpesh në këtë rreth verior, që thuajse ishte fenomen. Bashkëshorti i linte shenjë gruas, kur ajo e tradhëtonte, duke i prerë veshin, hundën, duke e ndëshkuar kështu tërë jetën. Në shkrimin tim vura edhe emrin e bashkëshortit dhe kur ai e kish lexuar erdhi në redaksi i revoltuar dhe me mendjen për të më prerë edhe mua veshin, pasi sipas tij” e kisha turpëruar”. Kam shpëtuar për qime, duke u mbrojtur se fajin e ka kryeredaktori që ka vendosur emrin e tij.

Çfarë ka ndikuar te ju, që ju zgjodhët të bëni gazetaren? Si iu lindi ideja për të qenë pjesë e gazetarisë shqiptare e Ballkanike -si pjesë narrative jetësore e rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo….?

Mendoj se gazetaria, përveçse profesion, është edhe pasion. Unë e kam trajtuar gjatë rrugën e mundimshme, që kam përshkuar, deri sa u futa në degën e gazetarisë, që çelej për herë të parë si degë më vehte në Universitetin Shtetëror të Tiranës në fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Vija nga qyteti i vogël i Librazhdit dhe të shkoje në këtë Fakultet, ku ishin fëmijët e anëtarëve të Byrosë Politike, nuk ish e lehtë. Me guxim dhe këmbëngulje ndërrova degën, pasi bursa më kish dalë për Gjuhë-Letërsi, hyra në konkurs dhe u pranova në këtë degë. Duke qenë se e kisha pasion gazetarinë, unë pranova të shkoj në terren, ku vazhdoj të jem edhe sot që mbusha 40 vjet në këtë profesion të bukur dhe të vështirë. Sigurisht, pasi ke marrë njohuritë e domosdoshme të gazetarisë dhe je diplomuar,bëhesh e përgjegjshme edhe për misionin që ka gazetaria. Gjykoj se jam fatlume, sidoqë në fillim e pata shumë të vështirë, që gjithë kohën kam qenë gazetare në terren, ku është gazetaria e vërtetë. Pikërisht të qenurit në terren, të krijon hapësirat për të trajtuar problematikët e shumta që ka pasur dhe ka shoqëria. Shkrimet nga terreni ishin dhe mbetet “ushqimi” më i vyer për gazetën. Sigurisht, të punosh kaq gjatë në këtë profesion, të provosh peripeci deri edhe në dhimbje për shkak të tij, padyshim do të bëhesh zëri i vërtetë i shoqërisë së kohës. Pas rënies së regjimit komunist, kur gazetaria mori lirinë e munguar, padyshim ky zë do të vinte edhe nga trevat e shtetet ku jetojnë shqiptarë, nga shtetet ku emigruan bashkëkombësit për një jetë më të mirë. Për gazetarin, por jo vetëm, kjo është një pasuri e madhe, e çmuar, një brilant në historikun e gazetarisë shqiptare..

Duke pasur një karrierë të gjatë në fushën e gazetarisë, ju keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?

Një rrugë kaq e gjatë dhe intensive, që në 40 vjet numërohen mbi dhjetëmijë shkrime, padyshim do të përjetosh kënaqësinë e profesionit, do të njohësh dhe intervistosh mijëra e mirë njerëz. Në 20 vitet e para të karrierës time, që i përkasin periudhës së regjimit komunist, sigurisht kam ndjerë mungesën e lirisë të të shprehurit, por ama më është dashur të udhëtoj me mushkë, në këmbë me orë të tëra, të ngjitem në stabilimentet e sharrave, të kaloja turnin e tretë me minatorët, për të sjellë realitetin. Sigurisht, para se të botohej shkrimi, në redaksi do ti bëhej “grimi” i duhur, për të minimizuar problemet dhe për t’ia dedikuar ”arritje partisë, sistemit socialist”. Pra në një farë mënyre kishte censurë, kjo duhet pranuar. Por edhe pas viteve 90-të, kur prekëm erën e demokracisë, lirisë, mos kujtoni se gjithçka shkon vaj. Unë kam qenë për 10 vjet gazetare e gazetës “Koha Jonë” në Vlorë, që përkon me ndryshimet që pësoi shoqëria, që, për shkak të daljes nga izolimi, u përball me fenomene të dhimbshme si trafiku i qenieve njerëzorë, prostitucioni, tronditja e familjes, që më parë ishte një institucion, fenomene këto që duheshin trajtuar. Periudha më dhimbshme, për mua si gazetare, sikurse për të gjithë shoqërinë shqiptare, janë ngjarjet e vitit 1997, që e kishin kryeqendrën në Vlorën, që ishte njëherësh kryeqyteti i firmave piramidale. Sigurisht, unë kam ndjerë pasojat e trajtimit të këtyre fenomeneve, përfshi edhe korrupsionin e pushtetit në të gjitha nivelet, të gjyqësorit, që kanë shkuar deri në dhunë fizike dhe përballja në shumë procese gjyqësore. Ngjarjet e vitit 1996, 97, 98 që precipituan vrullshëm jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë vendin, janë gjurmët e dhunës fizike, që u kurorëzuan me aktin fundamentalist të 10 majit 1998, kur më vendosën tritolin në banesë, që shkatërruan jo vetëm shtëpinë dhe kabinetin dentar të bashkëshortit tim, por u plagosëm burrë e grua dhe dy fëmijët. Është e dhimbshme, që megjithëse kanë kaluar plot 15 vjet, ende nuk janë gjetur dhe ndëshkuar autorët. E vërteta është se edhe pse kanë kaluar kaq vite, unë vazhdoj të bëj gjyqe, tashmë me gazeta, shërbëtore të Qeverisë, që më anatemojnë si përgjegjëse për trazirat e 1997-tës. Ndjehem e lodhur, por njëherësh e qetë që kam fituar dinjitetin me këta artikujshkrues-shërbëtorë të pushtetit dhe politikës.

A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetare profesioniste dhe një nga më të kërkuarat e më të pëlqyeshmet e shtypit shqiptar në tërësi?

Kam pasur një fëmijëri të vështirë. Jam fëmija i shtatë nga tetë fëmijët që lindën prindërit e mi dhe kam mbetur pa baba, kur isha 6 vjeçe. Fati i fëmijëve ka qenë sepse kishim nënë një mokrare me një histori të dhimbshme, por që rriti me dinjitet fëmijët, duke i arsimuar. Për të fituar degën e gazetarisë nuk qe e lehtë për mua, m;u desh të ndërroja degën, të futesha në konkurs, që e fitova me lehtësi dhe mbi të gjitha të rezistoja vështirësive që më solli jeta dhe profesioni. Jam krenare që në muajin maj mbusha 40 vite karrierë në gazetari me mbi dhjetëmijë shkrime të botuara, duke qenë gazetare e terrenit. Duke qenë gazetare profesioniste dhe për 10 vjet pandërprerë gazetare e gazetës së pavarur “Koha Jonë”, por duke punuar edhe në Vlorë, për vetë ngjarjet e rënda që kaloi më 1997-tën, më është dashur të rriskoj si askush tjetër. Por tek e fundit, ky është profesioni. Gazetaria është profesion, por edhe mision. Kjo është qasja ime. Kjo do të ishte edhe nëse unë sot nisja nga e para karrierën.

Ç’mund të na thoni për momentet më të dhimbshme të familjes tuaj, dhunimi, tritoli në shtëpinë tuaj, kërcënimi i jetës dhe familjes tuaj, -i referohem vitit të mbrapshtë’97-ës. Cila është e vërteta e atij momenti të trishtë –dhe cili ishte kërcënimi që gazetarja rebele Zenepe Luka i sillte pushtetit të asaj kohe. Mendoni një çast se mos e keni tejkaluar misionin e gazetarit?

Një pyetje e vështirë, pasi më duhet të kthehem jo vetëm prapa në kohë, por edhe të rendis ngjarjet e dhimbshme, që kanë tronditur qenien time dhe të familjes, vetëm për shkak të profesionit. Fakti që jam gazetare e terrenit, që për gjatë 10 vjetëve kam punuar tek gazeta e pavarur “Koha Jonë”, por edhe për shkakun se punoj e jetoj në Vlorë, qytet-port me problematika të shumta, janë disa nga shkaqet që kanë ndikuar në dhunën fizike e psikologjike tek unë dhe familja. Sigurisht, kryeshkaku ka qenë dhe mbetet, ajo që është qasja ime, përgjegjësia për të përcjellë të vërtetën në shkrimet e mia, që kurrë nuk u ka munguar emri i autores, ndërthurur kjo me problematikën dhe fenomenet, që solli tranzicioni. Sigurisht të shkruaje për trafikun e klandestinëve, të femrave, të zije në gojë emra skafistësh, trafikantë droge, të godasësh korrupsionin deri në qelizë, në organet e drejtësisë, padyshim duhet të llogarisësh rriskun. Dhuna e parë ndaj meje është ushtruar më 30 maj të vitit 1996, teksa po ndiqja mitingun e opozitës, që kundërshtonte zgjedhjet e 26 majit të këtij viti. Një djalë i ri me emrin L. Halla, më goditi papandehur. Sigurisht ai dëshmoi se i kishin thënë të policisë të më qëllonte dhe u dënua nga gjykata, por ky akt ishte filli i lëmshit të incidenteve të mëtejshme ndaj meje edhe pse isha grua, nënë e dy fëmijëve. Vetëm për shkak të shkrimeve, jam dërguar në gjykatë mbi dhjetë herë me paditës prokurorë, pronarë firmash, gjyqtarë, avokatë, procese që i kam fituar. I kam fituar sepse e drejta ishte me mua dhe se paditësit nuk kish asnjë provë, që unë kisha shpifur. Nuk kanë munguar edhe rastet kur jam kërcënuar edhe nga zyrtarë deri edhe “bosa”, që janë kritikuar prej meje, sepse kanë marrë padrejtësisht pronën publike. Dhuna kulmoi me vendosjen e tritolit në banesën time mesnatën e 10 majit të vitit 1998, një akt fundamentalist ky, që synoi asgjësimin e familjes, po të kemi parasysh orën që u vendos dhe sasinë e madhe të tritolit prej 6 kg

Jeni në gjendje ta përshkruani ndodhinë tragjike të asaj nate?

E kujtoj në detaje, pasi më 10 maj u mbushën 15 vjet. Minuta fatale e orës 22.30 e 10 majit, solli tragjedinë. Dyer e dritaret e shtëpisë, dolën nga vendi dhe u thërrmuan copë-copë në faqet e mureve, duke rrëzuar edhe suvanë e mureve në të dy katet e shtëpisë. Ballkoni ra, shtëpia u shndërrua në gërmadhë. Shpërthimi solli edhe dëmtimin e linjës elektrike, kështu në errësirë të plotë, kërkoja fëmijët, nuk dija se çfarë kish ndodhur me ta. Pashë tim shoq që kish vënë duart në kokë dhe kërkonte të ndizte një qiri. Dëgjova zërin e vajzës, që thirri: Mami, ku je? E mora në prehër, e përkëdhela në kokë, flokët ishin lagur me gjak. Djali ishte zgjuar dhe thërriste: “Ku je, mami”. Në këtë situatë tragjike, u gjendën makinat e zjarrfikëses, që ndriçuan gjithçka kish ndodhur. Më pas erdhën forcat e policisë, që me mjetet e tyre na dërguan në spital. Shpërthimi kish plagosur edhe dy fëmijët e fqinjës, Ardian Kapllani, që jetonin në një aneks në katin e parë, ngjitur me rrugën. Ishin orë tmerri, ishte një natë e përgjakur e 10 majit, muajit të luleve. Më vjen keq, që ky krim makabër u mbyll në dosje me pretekstin se nuk janë identifikuar autorët. Në ditën e 15 vjetorit i dërgova një letër Kryeprokurorit të Republikës, që të rihapë dosjen dhe unë mund ta ndihmoj me gjetjen e autorëve, njëri prej të cilëve me thotë çdo ditë: Mirëmëngjes. Ju pyesni nëse kam tejkaluar misionin e gazetarit? Absolutisht jo. Kam botuar në një libër të veçantë kronikën e përgjakur të viti të mbrapshtë dhe sot, që bisedojmë bashkë, nuk i heq as presjen. Në parathënien e librit shkrimtari i madh Dritëro Agolli, shprehet: ”Libri Vlora-Vlora është një dokument histori, që pas shumë vjetëve, ata që do të merren me historinë, do të thonë duke cituar”: Dëshmitarja e kohës gazetarja Zenepe Luka, shkruan…”. Kolegia ime,duhet të dimë gjënë më elementare të gazetarisë, që, gazetari i terrenit ka për detyrë të përcjellë ndodhinë,duke qenë vetë në ngjarje,të informojë lexuesin çfarë ndodhi, si, qysh, në ç’rrethana? Këtë kam bërë edhe unë. Po nuk e kam bërë vetëm unë,kishte edhe gazetarë të huaj që jepnin çdo ditë kronikat në stacionet italiane,por edhe gazeta të tjera në Shqipëri. Askush nuk i kundërshton ato, por ndalen vetëm tek gazetarja e gazetës “Koha Jonë”. Aspak nuk kam tejkaluar misionin si gazetare,fatkeqësisht komentin e bënin të tjerë që i shihnin me dylbi ngjarjet në Vlorë. Ata nuk ishin gazetarë, 2-3 kokrra mjeranë të lidhur me pushtetin, që po binte, për faj të vetë pushtetit, që kërkuan poste dhe nuk i muarën dot edhe kur u rikthyen në pushtet. Për mua, ata janë bashkëpunëtorë në vendosjen e tritolit në banesën e gazetares së KJ, mesnatën e 10 majit të 1998 dhe këtë e kam thënë disa herë publikisht. Ishin dy gazeta,shërbëtore të pushtetit që më 10 maj shkruanin me gërma të mëdha: ”Zenepe Luka dogji Vlorën dhe në mesnata shpërtheu tritoli. Me to unë jam përballur në gjykatë, që i ka dënuar për shpifje dhe mua më kanë dëmshpërblyer.

Përveçse gazetare, ju jeni edhe autore e disa librave. Cila është tema që keni trajtuar?

Krijimtaria ime ka nisur me botimin në shtypin e kohës, vjersha,tregime,që kur isha nxënëse në shkollën Normale të Elbasanit dhe më pas studente. Kur isha në vitin e fundit në Universitet, dorëzova edhe një vëllim me poezi të titulluar “vajzëri”, por nuk u aprovua. Redaktori, më ktheu përgjigjen se dominon lirikat dhe nuk kishte edhe një rresht për jetën e re,aksionisten,partinë…I kam ato vjersha,do të konsultohem me bashkëshortin dhe fëmijët dhe pse jo, t’i botoj. Ka qenë vetëm viti 1996, kur botova librin e parë,novelën “Rënkimi i Shpirtit.” Në vitin 1998, u botua libri publicistik “Vlora-Vlora. Një jetë në Shërbim të Kombit” është botim i vitit 2002,për tu pasuar me “Unë gazetarja rebele”” Në vitin 2005 doli nga shtypi libri voluminoz “Rrëfej Nermin Vlorën-Ishim tri” dhe në vitin 2007 u promovua libri “Violeta Manushi, Kryezonja e Skenës”. Në maj të vitit 2008 doli libri “Al Bano dhe Albania”, në gjuhën shqipe që ia dhurova këngëtarit të madh në ditën e 65 vjetorit të lindjes, që e festuam bashkarisht në Vlorë. Në korrik të vitit 2012, në vendlindjen e Al Banos, Celino San Marko promovuam librin në gjuhën italiane “Dashuri shqiptare për Al Bano”, ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës Prof. Bamir Topi dhe ku unë u vlerësova me titullin e “Mirënjohjes. Më 30 maj të këtij viti me rastin e 40 vjetorit të diplomimit “Gazetare” dhe 40 viteve karrierë, u promovua libri i fundit”Kjo është jeta ime”. Kam në duar librin “Jabanxheshat e Vlorës” dhe “50 gazetaret e shquara shqiptare”.

18 korrik 2013

Intervistoi Rajmonda Moisiu