12 February 2017

🟣 Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboini

STINA E MJEKRRAVE TË HAJTHSHME

Nga  KOLEC TRABOINI

Jemi mësuar që me mjekra të shohin figurat e shënjtorëve. Padyshim edhe në fytyrat e heronjëve të lashtësisë, të filosofëve e artistëve, në shtatoret që ka ruajtur dheu, pas rrënimeve që solli sa natyra po  aq vetë njeriu, gjejmë pra figura me mjekërr. Krishtin e Muhametin padyshim nuk mund ti përftyrojmë pa mjekërr. Kristianët ndërkohë që ruajtën shumëçka nga mësimet e Krishtit, apo simbolikat që lidhen me të, si ta zëmë zakoni i pirjes së verës, nuk u ruajt nga katolikët  mjekrra,  e mezi po  kemi aty këtu  ndonjë prift me mustaqe. Orthodoksët me pretendimin se vetëm ata janë kristianët e vertetë e të drejtë, e ruajtën mjekrrën si simbol. Kështu kudo që gjen priftërinj orthodoksë gjen dhe mjekrra, madje kreshnike.
Ndërkohë popullsia që i përkiste këtyre kontensioneve fetare kristiane  nuk u tundua të mjekërrzohej,  madje edhe ata që e kishin  e hoqën sepse kësisoj sillte një pastërti më të madhe dhe bukuri në paraqitje. Klerikët islam e ruajtën edhe ato si orthodoksët  simbolikën mjekërrore, dhe me një fanatizëm fetar u krijua një mikroklimë e tillë që mbajtja e mjekrrës të shprehte edhe përkushtimin e thellë deri në sakrificë  ndaj fesë,  shto mbajtjen e gjithçkaje të vjetër në mosndryshim përballë një bote që gjithnjë ndryshonte mënyrën e jetesës.
Kuptohet se Shqipëria këtë mjekërrzim të shfaqur si përkatësi fetare pas pavarësisë mund të ketë ruajtur aty këtu, por nën influencen e kulturës perëndimore ku shumica e shqiptarëve të rinj kryenin studimet, bëri që mjekrra sa vinte e humbiste terrenin në fytyrat e shqiptarëve. Kuptohet se me ateizmin e sistemit monist, anipse nuk e ndaloi mjekrrën me ligj, nuk u duken më mjekrrat në Shqipëri. Kjo ka edhe spjegimin tjetër veç asaj që u quajt shfaqje e huaj, ku kishin kohë shqiptarët të merreshin me përformimin e mjekrrave kur kishin aq shumë telashe e aq shumë pamundësira.
Por erdhi demokracia sado e kufizuar që lëshoi shumëçka në udhë të vet pa krye. Kësisoj u rishfaqën edhe mjekrrat,  paradoksalisht erdhën në një kohë që kishte shumë varfëri e  pisllëk dhe kësisoj të mjekërrzuar rishtazi nuk u panë for hijshëm nga popullsia. Të ishe emigrant e të mbaje mjekërr tregonte se ose nuk kishe një strehë, nuk kishe as mundësi të laheshe e  të rruheshe, ose ana tjetër imitoje artistët estravagantë perëndimorët të viteve 60-70 për të mos u dukur si një fshatar i provincave të humbura të Shqipërisë mbetur në izolim për pesëdhjet vjet. Por edhe kjo faze e dhjetvjeçarit të fundit të shekullit XX u krye e në fillimin e shekullit të ri nisi të bjerë interesi për mjekrrën si maskim apo si tendencë për tu shfaqur medemek europian i kulturuar, së pari se europianët e tejkaluan edhe vetë këtë mode, por edhe shqiptarët nisën ti kushtojnë më shumë  vemëndje pastërtisë aq më tepër se mjekrra nisi të marrë një simbolikë tjetër, atë të fanatizmit fetar orjental.
Shfaqja në këtë botë e Bin Ladenit dhe pasuesve të tij solli edhe erën e re të mjekërrzimit, tashmë jo si modë por si një unitet e manifestim fetar. Këtu nuk kishte më asnjë rëndësi a i kishe kushtet të mbaje mjekërr në aspektin se ajo kërkon pastërti, përkundrazi lihej me një rritje të lirë e pa asnjë rregull estetik, si punë shkurresh të egra. Ndryshe nga njerëzit e kulturës dhe të artit që nëse linin mjekërr bënin kujdes për të duke i lënë vend që të shprehin talentit e vet edhe berberët stilistë, këta të tjerët, që i përkisnin njerëzve që nuk kishin fare të bënin me kulturën, të jepnin përshtypjen se je përpara një pylli ku mund të rriteshin të gjitha llojet e bimëve e drurësh e askush nuk tregonte kujdes për të. Kush ka patur rastin të udhëtojë nëpër kësisoj pyjesh që u themi të virgjër, një lloj xhungle, gjithmonë është shoqëruar me një frikë drithëruese,  e spjegueshme kjo prej drojës se prej këtij pylli mund të shfaqej befasisht çdo lloj kafshe e egër dhe e rrezikëshme. Në fakt kësisoj edhe ka ndodhur e  jo vetëm në pyjet por edhe në shoqëritë njerëzore. Të drithëron e tmerron mendimi i kamikazhëve që shfaqen krejt ngjashëm me daljen e kafshëve të egra nga pylli dhe hedhin në erë avionë udhëtarësh, stacione trenash apo lokale publike pa patur mëshirë për njerëzit e pafajshëm.
Tashmë mjekrrat tek ne janë një realitet, ndoshta jo dominues e zotërues por kanë zënë të shfaqen e të fitojnë mjaft terren në përditshmëri. Ca thonë se për mbajtjen e mjekrrës dikush andej nga thellësia e Orjentit edhe të stimulon, të lidh një pension të vogël të paktën sa për të mbajtur frymën se ky shtet të lë të vdesësh urie. Pra paskemi në shoqërinë shqiptare edhe një kategori mjekërrzimesh për mbijetesë. Nuk ka pse tu themi “Pse?” këtyre njerëzve sakohë që shteti dhe instancat e pushtetit e politikës as që e vrasim mendjen se si ti zgjidhin problemet e papunësisë që është kryeproblemi vrastar i këtij vendi.
Ka edhe një grupim fetaresh islamikë të cilët mbledhur pas një sekti konservator e fanatik e manifestojnë mjekërrzimin duke e bërë sa më të pranishëm në shfaqjet publike me qëllim të përhapjes së itharëve të saj. Shumimin e mjekrrave publike ata e konsiderojnë një fitore që do të kurërozohet me islamizimin politik dhe me premisë marrjen e pushtetit. Ata janë programuar asisoj dhe janë në vazhdën e punës së vet, me një kushtëzim,  sa më e mjeruar të bëhet jeta e njerëzve aq më dominant do të jenë ata, radikalët fetarë. Megjithëse frikë e panik nuk ka pse të kemi, por gjithësesi mendjelehtësia e figurave të politikës e të pushtetit të cilët nuk bëjnë asnjë kujdes për njerëzit,  por i lënë ata në fatin e vet të mjerushëm, është një ndihmesë e madhe për shkarjen në ekstremizma të shumëllojshme.
Po a është çdo lloj mjekërrzimi shfaqje e mentalitetit fetar? Sigurish që jo.  Dhe padyshim që askush nuk ka ndërmënd të diskriminojë ata që e kanë mbjellë rasatin e mjekrrave në fytyrë të vet  sepse jetojmë në një vend të lirë,  por nuk është e drejtë dhe as e dobishme të jemi indiferent, të bëjmë sikur nuk shohim, të bëjmë sikur nuk ka probleme në këtë vend, dhe se edhe shfaqja e shumimi i mjekërrzimit nuk e ka një shkak e nuk e ka edhe një kosto, akoma më tepër  dhe një pasojë në balancat sociale në aspektin e larmisë së religjioneve në Shqipëri.
Përtej kësaj,  vihet se se ka edhe një mjekërrzim allasoj, pak më kontemporan që mund ti kenë nën ndikimin e disa artistëve me famë por ekstravagant. Dihet se një shoqëri foshnjore në zhvillimin e kulturës i shfaqet një mani kolektive, si një lloj majmunërie duke imituar gjithçka çfarë sheh në botën e zhvilluar. Thamë se disa të rinjë shqiptar, pas hapjes së Shqipërisë, nisën të imitojnë ato moda e modele që kishin parë në ekranet televizive e që për ta qe e ndaluar. U shfaqën mjekrrat artistike( artistike u thënshin) ca si Kardinali Rishelje, ca si Don Kishotë e ca të tjerë me mjekrra piktoreske alla Miguel de Cervantes Saavedra. Në të vërtetë këta u shfaqen si ilaritete sepse ajo kohë ishte e perënduar në modë. Kësisoj mjekërrzimi me tendenca të sforcuara deri në raskapitje për tu dukur modern, në të vërtetë tregonte diçka tjetër,  se sa anakronikë e démodé jemi. Gjithësesi këta lloj mjekrrash janë me shpenxime, madje shpenxojnë më shumë kohë e para se vetë gratë e tyre. Dhe ja ku i kemi edhe në parlament edhe në qeveri edhe në krye të insitucioneve mjekërrzimet  “artistike”.  Ca me humor thonë ( ndoshta zërat dalin nga opozita) se Kryemimistri, meqë i ka dobësi kategorinë e njerëzve me mjekrra të estetizuara skajshëm, kur hartonte listen e drejtuesve të institucioneve i binte ballit me dorë se nuk po gjente në Shqipëri njeri me mjekërr intelektuale të denjë ta zëmë për drejtor të Galerisë së Arteve. Pa ç’pa dhe e tërhoqi një emigrant shqiptar nga Franca. Tani në të vërtetë Galeria e Arteve Figurative,  ka një drejtor me një mjekërr të stilizuar pak si Vincent e pak si Paul Gauguin, e denjë për tu shfaqur si progres shqiptar në kulturën europiane. Por ama ekspozitën "PranverArt 5" e pamë në Muzeun Historik Kombëtar e jo në Galerinë e Arteve, çfarë tregon se mjekrrat institucionale  i kemi të bukura, progresive, por punët nuk i kemi po aq.
Por shkoni më tej e vini re me kujdes kush janë drejtuesit e institucioneve kryesore kulturore në Tiranë. Pas Galerise, kaloni tek Teatrin Kombëtar që është fare pranë. E njëjta zgjidh-zgjedhje… Aq ngushtë ka vajtur puna sa dalin fjalë hokatare se ka një inkursion të fshehtë të pozitës për ti marrë apo huazuar ndonjë  figurë mjekrrore opozitës për ta vënë në krye të ndonjë institucioni, e nuk është çudi të riciklohet edhe ndonjë mjekërr  mberthejcore. Ca thonë se Kryeministri edhe këshilltarët i zgjodhi me mjekrra artistike, por më tej edhe një këshilltar nga Kosova që piketoi ishte i stafit filosofik mjekrror, a thënë ndryshe, mjekrra më e hijshme e Prishtinës.
Kësisoj, që të rrimë shtrëmbër por të flasim drejtë, mjekrrat nuk i kemi vetëm tek Xhamia e Dine Hoxhës në rrugë të Kavajës apo dhe rreth xhamive të tjera, nëpër dyqanet e shumta “Hallall” që kanë zënë çdo skutë të Tiranës, të cilat e vënë në panik për ardhmërinë deputetin socialist Blushi, por i kemi edhe nëpër institucionet kryesore të kulturës.
Madje, hëmmmm…., në parlament, në krahun e majtë të deputetit socialist Blushi qëndron një mjekërr socialiste madhështore e denjë për tu bërë ministrore, por ideale do të ishte të bëhej edhe mjekërr presidenciale.
Mesa duken bathët në këtë provincën tonë habitore,  këto mjekrrat institucionale për të cilat tregohet përkujdesje qeveritare nuk ja zënë sytë askujt, madje as opozitës,  sepse shihen si mjekrra të hajthshme, të buta.
Botuar në gazeta SOT 24 prill 2014, f.17