Nga Gani MEHMETAJ
1. Pak histori të hidhur
Perandoria osmane gjatë pesëqind vjetësh sundimi u shqua me
mizori të pashembullta ndaj shqiptarëve. Edhe në fazën e shthurjes, kur ushtria
otomane tërhiqej nga tokat shqiptare, nuk tregoi mëshirë ndaj të okupuarve, por
i luftonte me egërsi formacionet e armatosura shqiptare që përpiqeshin t’i
dalin para ushtrive të koordinuara serbe, malazeze e greke. Në vend të mëshironte
tokat e pushtuara të cilat po i braktise, duke ua lëshuar okupatorëve të rinj
edhe më mizor, otomanët dogjën qindra katunde e qytete shqiptare, bombarduan me
artileri lokalitete duke lënë pas vetës shkrumb e hi. Ua lehtësuan pushtimin
armiqve tanë, prandaj nuk e patën vështirë trupat serbe, greke e malazeze të
merrnin që në sulmet e para territoret shqiptare, sepse shqiptarët ishin
dërmuar nga ushtria qyqare turke që po tërhiqej nga sytë këmbët para serbëve e
grekëve më të fuqishëm.
Perandoria turke ua fali më traktate të paqes njëzetë vjet
para se të tërhiqej mbi 30 mijë kilometra katrore të territorit shqiptarë
Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, pa e përfillur vullnetin e shqiptarëve. Për
t’ua bërë qejfin Rusisë, Serbisë e Greqisë, Turqia, e shoi me gjak Lidhjen
Shqiptare të Prizrenit, sepse shqiptarët donin t’u dilnin zot tokave të tyre.
Më dashamirës ndaj shqiptarëve nuk u treguan as qeveritë e
mëvonshme civile apo juntat ushtarake që ndërroheshin njëra pas tjetrës. Turqia
moderne e ndihmoi Serbinë e Greqinë të dëbonin sa më shumë shqiptarë, duke
nënshkruar traktate për shpërnguljen nga Kosova e Çamëria. Traktatet e Paqes me
Jugosllavinë ende nuk janë shfuqizuar, ndërsa janë shpërngulur me dhunë disa
milionë shqiptarë. Në Turqi shqiptarët e shpërngulur i sistemuan kolonë në
tokat kurde, duke i armiqësuar me ta për llogari të shtetit turk.
2. Ku ndryshon Turqia e Edogani nga otomanët?
Mendësia e qarqeve
konservatore turke nuk ndryshoi as pas 100 e ca vjetësh. Edhe më tutje kanë
ëndrra budallaqe për pushtimet sulltanore dhe për raja. Pas luftës së vitit
1999 në vend të futeshin në Kosovë si Perëndimi: më promovim të demokracisë, me
fonde që e rindërtuan vendin, që nga themelet, Turqia promovoi mendësi
mesjetare, ndërtoi qindra xhami, ndërsa i kishim me tepri, duke ua zënë vendin
shkollave për të cilat fëmijët tanë patën aq shumë nevojë. Pastaj u shpërndau
ndihma vetëm myslimanëve, duke i diskriminuar katolikët e protestantët, i
kushtëzuan ndihmat e hurmave e bakllavave me lutjet fetare islamike, agjërim,
iftarin etj. Shumica e xhamive të ndërtuara në periudhën e pasluftës nuk kanë
leje ndërtimi, nuk përfillen plane urbanistike, nuk respektuan ndalesën e
zhurmës së lejueshme të altoparlantëve që çirren në kupë të qiellit sa të
çmendin, duke shkaktuar kaos e nervoz në mesin e popullatës shqiptare.
Qindra shoqata islamike turke nuk ndihmuan si bota e
qytetëruar, por e sollën islamizmin më të egër që e ka njohur ndonjëherë toka
shqiptare. Përmes këtyre shoqatave rekrutuan e dërguan shqiptarë për luftërat
fetare në Siri e Irak, që është kapitulli më i turpshëm i shqiptarëve në 100
vjetet e fundit, nxiten përçarje fetare dhe ndërsyen fundërrinat shqiptare (ish
spiunë të Serbisë, UDB-ist, hajdutë e mashtrues, mercenarë me petkun e fesë,
gazetarë e akademikë të shitur më parë të jugosllavët e të ri blerë nga turqit,
islamikë profesionist etj) kundër shumicës shqiptare laikë e besimtarë.
Derisa evropianët sollën ekspertë të ekonomisë, politikës e
të bujqësisë, Turqia me vendet arabe sollën ekspertë të fesë e “hafuza” të
kuranit. Ndërkaq, këta “ekspertë” me hoxhallarët e rekrutuar vendës më shumë
ngjasonin me oficerë zbulimi që merreshin më punë të dënueshme se sa
devotshmëri feje.
3. Kur oficerët e zbulimit veshin veladonin e hoxhës
Si shpjegohet që
imami i xhamisë së Prishtinës, ku u fal kryeministri turk, dhe kryeministri i
Kosovës, kapet me armë (snajperë, pistoleta me silencier, granata dore etj) që
është veprimtari terroriste, ndërsa nuk gjykohet as nuk ndëshkohet. Është nën
mbrojtjen e kryeministrit të Turqisë apo të shërbimit sekret të këtij shteti?
Si shpjegohet që një shoqatë e “myslimanëve të Kosovës” (e mbështetur nga
Turqia me ish spiunë jugosllavë) kërcënon se do t’i dëbojë shqiptarët katolik
përtej detit si para 500 vjetësh, ndërsa
asnjë gazetë nuk reagoi, asnjë prokuror nuk e arrestoi kryetarin e tyre. Jemi
në Turqi e Serbi apo në shtetin e shqiptarëve të Kosovës? Ende do të na
kërcënoj Turqia me dëbimin përtej detit përmes shoqatave myslimane? Shefat e
kësaj shoqate që vazhdimisht kërcënojnë shqiptarët në shtetin e shqiptarëve,
tërë ditën rrinë në xhamin ku u fal kryeministri turk e kryeministri kosovar.
Kjo xhami është bërë çerdhe e antishqiptarëve më të tërbuar që veprojnë si
oficerë zbulimi të disa shteteve, kryesisht të Turqisë e Serbisë.
Shoqatat turke e arabe, nën petkun e bamirësve, me sjelljet
e veprimet e tyre nuk ndryshonin nga ish- zyrtarët xhonturq: arrogantë e
primitiv, fodull e me qëndrim fyes ndaj traditës, kulturës e heronjve
shqiptarë. Kudo tjetër ata do të dëboheshin nga vendi, ashtu si do të
dëboheshin “edukatorët” e shkollave të mesme që erdhën nga Anadolli, themeluan
shkollat e tyre, ndërsa fëmijëve shqiptarë ua shpërlajnë trurin. Nxënësit e
shkollave anadollake në debate ta kthejnë me cinizëm: është e dyshimtë a jemi
shqiptar a jo, sepse atëbotë otomanët bënë shumë përdhunime! Fatkeqit e tillë
tru shpërlarë pranojnë të jenë djem të nënave të përdhunuara e të baballarëve
përdhunues që t’i bëjnë turqit vëllezër! Janë të sëmurë psikik këta djelmosha,
apo ua kanë shpëlarë trurin me acid? Kthyer ndryshe kjo tingëllon sikur po
supozojmë nxënësit shqiptarë qe vijojnë shkollat serbe të thoshin: serbët i
kemi vëllezër, sepse serbët përdhunuan mijëra femra shqiptare!
I kemi turqit e serbët vëllezër? Ka mjerim më të madh të
shqiptarëve tru shpërlarë? Mund të ndërtohet vëllazëria mbi këto postulate
monstruoze?
4. Tru shpërlarësit
Këtë punë të ngulmët antishqiptare, kundër interesave të
vendit pos dhjetëra shkollave po e bëjnë shoqatat e hurmave e bakllavave së
bashku me hoxhallarë gjysmë analfabetë, të cilët mezi e kryen medresën, sepse
ishin nxënës të dobët në shkollën fillore, prandaj nuk i pranoi asnjë shkollë e mesme shqiptare.
Ata s’kanë tru as vetëdije kombëtare. Ndërkaq, oficerët e zbulimit me veladonin
e hoxhallarëve e të shoqatave myslimane, përpiqen të vënë në zbatimin teorinë e
Davutogllusë për ringjalljen e kufomës së osmanizmit apo fantazmës se
neotomanizmit. Të frymëzuar nga kjo teori, por të paguar mirë nga shoqatat
islamike, disa kanë nis të vënë në kokë në falje bajrami fes turk, calik
anadollak dhe dolloma qesharake. Duan t’ua bëjnë qefin turqve të Davutogllusë,
ndërsa duken palaço cirku, nesër po i pagoi Serbia do ta bartnin edhe
“shajkaqen” serbe.
Tru shpërlarësit pas vitit 1999 rekrutuan mijëra mercenarë
jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni. Është e habitshme se si
qeveritarët tonë i toleruan. Janë të shitur? U kanë bërë shantazhe? Apo janë
nën tutelën e tyre?
Ka edhe veprime të tjera të çoroditura në rinovimet e
objekteve kulturore e të trashëgimisë. Ajo që habitë është paralajmërimi që pas
rinovimit të një xhamie në Prishtinë të pagëzohet me emrin e një sulltani
gjakatar. Kjo i bie sikur të kërkonte Serbia të rinovonte kishën në Prishtinë
të cilën e ndali në gjysmë të ndërtimit NATO dhe ta pagëzonte me emrin e
kriminelit Milosheviq. Ka absurd më të
madh?
5. Bizneset turke në
Kosovë
Çfarë të themi për bizneset turke në Kosovë? Nuk e bënë
asnjë investim për të qenë. Njëqind herë më shumë investuan në Serbi e Maqedoni
(në pjesën sllave) se sa në Kosovë, por e zhvatën palcën kurrizore të ekonomisë
sonë: privatizuan për një shumë qesharake Elektro ekonominë e Kosovës dhe
Aeroportin e Prishtinës. Kosova u shërbeu si deponi e mbeturinave: zbrazen
depot e mallrave të tyre dhe i shitën të ne. Cilësia e mallrave perëndimore i
nxori nga tregu, sidomos në teknikë e teknologji, por pjesa e varfër e
popullatës i blen gjërat ushqimore serbe e turke, sepse janë më të lira.
Cilësinë e mallrave serbe e turke nuk e kontrollin askush.
Industria ushqimore turke e serbe ia ka zënë frymën
bujqësisë në Kosovë, Shqipëri e pjesën shqiptare të Maqedonisë.
6. Në BE apo peng i Turqisë?
Kosova është bërë
sanxhak i Turqisë. Besa edhe Shqipëria gati në këtë gjendje është, duke ia
shkel syrin edhe Serbisë e Greqisë. Pjesa shqiptare e Maqedonisë është territor
nën veprimin e grrmrrit-shkombëtarizimit. Sa të jenë këto kohorta islamike
shkombëtarizuese, Perëndimi do ta mbështes shtetin e dhunshëm maqedonas e
policinë e tyre kriminale kundër shqiptarëve.
Deri kur do të jemi
peng i Turqisë? Me veprimet turke në Ballkan (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) dhe
më servilizmin e qeveritarëve tonë, po e rrezikojmë qenien tonë shtetërore e
kombëtare, po rrezikojmë të mos futemi në BE. Nëse mbesim jashtë BE-se, do të
na mbërthej shtjella e kaosit lindor. Turqia e Edoganit nuk i takon Evropës,
prandaj pse duhet ta lidhim fatin me te. Interesat e grupeve tona politike nuk
janë interesat e shtetit e të kombit, ata janë korruptuar, prandaj na shtyjnë
drejtë kaosit. Por duhet ta shkëpusim nga ky orbitë edhe pjesën shqiptare të
Maqedonisë të cilën e kanë mbërthyer islamikët si qeni mishin.
Meqë garniturat politike shqiptare të korruptuara shpejt
mund të bien, Turqia duhet ta rishqyrtoj
rrënjësisht qëndrimin ndaj shqiptarëve në të tri shtetet. Armiqësia që po e
nxisin brenda shumicës shqiptare mund t’u hakmerret. Erdogani me Davutoglllunë
nuk do ta kenë kurrë simpatinë e shumicës shqiptare me këtë lukuni mercenarësh.
Brezi i ri i shqiptarëve Turqinë e njohin përmes oficerëve
të zbulimit që sillen vërdallë xhamive, përmes ndërmjetësve që i rekrutojnë
shqiptarët në Siri e Irak, përmes hoxhallarëve me mjekra e pa mjekra, në vend
se ta njihnin përmes Orhan Pamukut, Aziz Nesinit, Jilmaz Gynejit, Nuri Bilge
Ceylan e personaliteteve të tjera mëdha të kësaj kulture.
7. Sërish kërkojmë
ndihmën e Perëndimit
Prandaj qe të mos lahemi në gjak në emër të islamit e
neotomanizmit si në Irak e Siri, që të mos na rrëmbej shtjella e kaosit islamik
si në gjithë botën arabe, që të mos e humbasin trenin e fundit për Bashkimin
Evropian, ku e kemi vendin me origjinë, traditë, kulturë e qytetërim, është e
domosdoshme të shkëputemi nga orbita turke e islamike, ku na futi kasta e
papërgjegjshme dhe e korruptuar. Druaj që edhe kasta që po i mpreh dhëmbët për
pushtet nuk ka këllqe të na nxjerr nga bataku, prandaj duhet ta kërkojmë sërish
ndihmën e SHBA-ve e të Evropë Perëndimore, ashtu sikurse kërkoi para njëzetë
vjetësh Ibrahim Rugova, kur gati na mbyti okupatori serb.
25 Gusht 2014
fjala e lire - ora e shqypnise