13 November 2012

Ahmet Zogolli e Tania Visirova

Diplomati Hoxha: Pse erdhi e çfarë kërkonte ish-gruaja e Ahmet e Zogut në ambasadën tonë në Francë


TANJA E ZOGUT-1
“Tanja Visirova kërkoi pension si ish-gruaja e Mbretit dhe shitjen e 10 ha tokë që Zogu i kishte falur Tanja Visirova në Xhafzotaj”

Quhej Tanja Visirova. Ishte një vajzë pa të ardhme, që ‘gjuhet’ dhe përfundon si valltare në kabaretë e lokalet e Parisit. Atu pikaset nga Lalë Krosi, e ftohet si valltare për të kërcyer në Shqipëri për Mbretin Ahmet Zogu… Mbreti bie në dashuri me Visirovën dhe kërkon ta marrë për grua. Por Nëna Mbretëreshë e kërcënon se ‘sa të jem gjallë unë, ti nuk do të marrësh grua jo myslimane”. Kështu, për më shumë se 4 vite rresht, Visirova bëhet gruaja e Ahmet Zogut(martesë monogamike, pa kurorë)… Më vonë braktiset… Por në vitin 1997, ish-gruaja e Zogut troket në ambasadën e Shqipërisë në Paris dhe kërkon ‘pension si ish-grua e Mbretit dhe shitjen e 10 hektarëve tokë në Xhafzotaj, të cilën Zogu ja kishte dhuruar me dokument’… Një histori e rrallë, pothuaj e pa njohur për shqiptarët… Diplomati e publicisti Idajet Hoxha, ish- Sekretar i Ambasadës së Shqipërisë në Francë, personi që është marr me problemin ‘Visirova’, sjellë këtë histori interesante për ‘Dita’…

Zoti Hoxha! Ju keni publikuar kohët e fundit një fakt të pa njohur apo pak të njohur publikisht, bashkëjetesën e Ahmet Zogut me një grua të huaj, që njihet si gruaja e parë e Ahmet Zogut?
-Po. Kjo lidhet me aktivitetin tim si diplomat karriere, përkatësisht gjatë kohës që kam qenë në detyrën e Sekretarit të Ambasadës së Shqipërisë në Paris e njëkohësisht konsull i Përgjithshëm për disa vende të tjera… Gruaja e parë e Ahmet Zogut është një rumune me emrin Tanja Visirova dhe ka bashkëjetuar, apo siç thuhet‚ martesë morganatike (pa kurorë)… Nuk është histori e pa njohur kjo, por dhe unë shpreh habinë se përse është kaluar ky fakt në heshtje si në vitet e monizmit, ashtu dhe në këto 20 e ca vite të demokracisë…

Po nga u kujtuat pikërisht pas gati gjysmë shekulli të flisni tani për gruan e parë të mbretit Zog?
-Në fakt, unë nuk jam kujtuar tani, por me kohë, të paktën që në vitin 1975, kur ish-gruaja e parë e Mbretit Zog erdhi në ambasadën tonë në Paris për probleme të saj që lidheshin me faktin e të qenit dhe përfitimet që ajo kërkonte si ish-gruaja e Ahmet Zogut… Ka qenë një emision televiziv të kohëve të fundit, ku mes të tjerave, jepeshin disa sekuenca filmike kur Ahmet Zogut i bënë atentat jashtë vendit… Në krah të tij(Zogu dihet shpëtoi e u vra adjutanti mirditor), ishte një grua… Ishte Tanja Visirova, gruaja e parë e Ahmet Zogut… U kujtova lidhja e dikurshme me ‚të kur kryeja detyrën diplomatike në ambasadën tonë në Paris…

Diçka më konkrete në këtë aspekt?
-Po. Tanja Visirova, pas katër vitesh u braktis nga Ahmet Zogu, e ju rikthye jetës së dikurshme të kabareve të Parisit… Por u rrënua… Jetonte në vështirësi… Këtë kohë, erdhi në ambasadën tonë..

Përse erdhi Tanja Visirova tek ju në ambasadë?
-Kërkonte lidhjen e një pensioni nga shteti shqiptar si ish-gruaja e Mbretit Zog, si dhe ndërhyrjen për të shitur një sipërfaqe toke që Zogu ia kishte dhuruar në Xhafzotaj me dokument të rregullt… E me këtë problem, u mora unë… Por Tanja Visirova, gruaja e parë e Ahmet Zogut, më saktë historia e saj, është publikuar në një monografi që  hapi shumë probleme për ‘të dhe ne diplomatët shqiptarë që atë kohë u morëm me shqetësimin e Visirovës…

Përse nuk është publikuar ky libër, apo më saktë është siguruar ndonjë kopje e tij?
-Dëgjo. Po u them shkurt se këtë libër, unë e bleva për ambasadën kundrejt faturave, e dorëzova legalisht në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë atëherë, por çuditërisht nuk di se si ‘humbi’, ky libër. Tashmë, vonë, unë e kam siguruar një kopje të tij… Është histori e gjatë kjo… Mua më ndihmoi ditari i shënimeve që mbaja atë kohë, por dhe memoria… Gjithashtu, kam vuajtur jo pak për të kontaktuar Tanja Visirovën lidhur me letrën që ajo dorëzoi në ambasadë. Kjo ishte një nga detyrat e mia funksionale, të cilën unë, u përpoqa ta bëja sa më mirë…

Atëherë, mund të na prezantoni këtë ngjarje, gruan e parë të Ahmet Zogut, si dhe ndjekjen që i bëtë shqetësimeve të paraqitura në ambasadë nga Tanja Visirova?
-Po. Ahmet Zogu i Parë, mbreti i shqiptarëve ka qenë i martuar (jo zyrtarisht) dhe ka bashkëjetuar me Tanja Visirovën për rreth 4 vite. Jo vetëm kaq, por Zogu i ka falur Tanjas një sipërfaqe 10 hektarë tokë në Xhafzotaj të Durrësit…

Ku i mbështesni këto që pohoni?
-Në dokumentet zyrtare të kohës, në praktikën e punës në ambasadën tonë në Francë, në letrën(kërkesën) që Visirova dorëzoi në ambasadë si dhe në shënimet e mia që kam mbajtur atë kohë…

Kur dhe pse ka ardhur Tanja Visirova në ambasadën tonë në Francë?
-Ka ardhur në vitin 1977. Tanja Visirova, një ditë vjen në ambasadën tonë në Francë dhe takon personelin e pritjes. Unë ato momente nuk ndodhesha aty, pasi kisha një problem tjetër në ndjekje. Ajo u prezantohet me emër e mbiemër, pohon se është ish-gruaja e Ahmet Zogut, duke paraqitur dhe problemet që kishte… Me thënë të drejtën, deri para 40 vitesh dhe unë e dija që Ahmet Zogu ka patur vetëm një martesë, atë me Geraldinën. Por isha i gabuar. Faktet flisnin ndryshe. Siç u thash më lart, para disa ditësh, në një kanal televiziv, pashë një sekuencë filmike, nga e cila mësova se mbreti Zog ishte ndodhur para një atentati në Vjenë në vitin 1931. Për çudi, në krahë të djathtë të tij, sikurse dukej në sekuencat filmike, ishte gruaja e tij e parë, Tanja Visirova! Me shkoi ndërmend se, do të ishte normale që në Mauzoleun që do të ngrihet për familjen mbretërore, në njërin krah të mbretit Zog, të zinte vend dhe Tanja Visirova, e cila për 4 vjet ka ngrohur krevatin e mbretit, me një martesë morganatike, pa kurorë, nga viti 1929 deri në vitin 1933.

Të kthehemi tek Tanja Visirova dhe ardhja e saj në ambasadën tonë në Francë?
-Ka qenë dhjetor i vitit 1977. Data nuk me kujtohet me saktësi. Kur u ktheva nga shërbimi që kisha, gjeta një shënim në librin e Ambasadës sonë në Paris që ishte lënë posaçërisht në një tavoline ku ishte telefoni i punës. Në libër (dokument zyrtar i ambasadës) shënohej: “Zonja Tanja Visirova kërkoi një informacion nga Ambasada, nëse ishte e mundur të vihej në shitje një parcelë toke, pronë e saj që ndodhej në Xhafzotaj të Durrësit. Zyrtarisht, isha i detyruar që ta ndiqja këtë problem… Por me thënë të drejtën, shënimi i lënë në librin e ambasadës ishte i shkurtër, me pak të dhëna e më krijonte shumë vështirësi ta ndiqja si problem… Por Tanja Visirova, do të më ndihmonte…

Në çfarë mënyre u ndihmoi ish-gruaja e parë e Ahmet Zogut?
-Pas disa ditësh nga ardhja në ambasadë, Visirova kishte marrë përsëri në telefon dhe personi që kishte qenë në shërbim në ambasadë, i kishte dhënë porosinë që të përshkruante në një letër kërkesën e saj, duke dhënë dhe adresën e saktë dhe numrin e telefonit, për të komunikuar direkt me Konsullin kur të ndodhej në Ambasadë.

Cilat ishin kërkesat e zonjës Tanja Visirova?
-E përmenda dhe pak më sipër. Dy ishin problemet e ish-gruas së Ahmet Zogut, për të cilat kërkonte ndihmë e zgjidhje nga ambasada jonë në Paris. Ajo, si ish-gruaja e Mbretit Ahmet Zogu, kërkonte nga shteti shqiptar lidhjen e një pensioni pleqërie. Kërkonte gjithashtu të njihej me procedurat ligjore për shitjen e një sipërfaqe 10 hektarë toke që Ahmet Zogu ja kishte dhuruar në Xhafzotaj të Durrësit…

Dhe ju u vutë në kërkim të Tanja Visirovës?
-Sigurisht që po. Nuk di sa kohë kaloi, por duhet të ketë qenë muaji shkurt i vitit 1978. Ambasadori Dhimitër Lamani më thërret në zyrën e tij dhe më jep një letër në të cilën kishte vënë shënimin: “Po kjo!. Ç’do kjo!? Çfarë pensioni kërkon kjo?!”. Unë e lexova shënimin e lënë prej tij, por me thënë të drejtën, nuk e kuptova dhe këtë shënim…

Si vepruat më pas?
-U njoha fillimisht me letrën e Tanja Visirovas. U befasova nga ato që Tanja shkruante në letër si dhe kërkesën e saj për ndihmë nga ana jonë…

Çfarë shkruante ish-gruaja e parë e Zogut në këtë letër?
-Dua të theksoj se detyra jonë ishte jo vetëm ta ruanim këtë letër, ashtu si çdo dokument që vinte në ambasadë, por dhe të operonim për zgjidhjen e problemit, duke mbajtur kontakte dhe me sektorin përkatës në Ministrinë e Jashtme në Shqipëri. Ja çfarë shkruante në letër Visirova: “Kam qenë në martesë pa kurorë me mbretin Zog nga viti 1929 deri në vitin 1933. Zogu më ka dhuruar një parcelë tokë prej 10 ha, që ndodhet diku në vendin e quajtur Xhafzotaj. Unë nuk e di se ku ndodhet ky vend dhe asnjëherë nuk kam shkelur në atë pronë që më është falur me dokumentet që kam, nga Mbreti… Jam e lodhur, pa të ardhura, pa shtëpi… Banoj në hotel pensioni në qytetin e Vensës. Kam shitur kujtimet e mija për të fituar pak të holla për jetesë. Nëse autoritetet tuaja mund të më akordojnë një pension të vogël për vitet që kam qëndruar në strehën mbretërore dhe nëse mund të vihet në shitje sipërfaqja e tokës që më është dhuruar”…

Çfarë bëtë pas njohjes me shqetësimin e Visirovas? 
-Në fakt, nuk u interesova për shënimet që kishte vënë Ambasadori Dhimitër Lamani, pasi nuk kisha asnjë informacion për këtë njeri. Letra kishte kërkesa që nuk mund të përmbusheshin nga ana ime dhe në rastin më të afërt, unë e futa këtë letër në postën që iu dërgua Ministrisë Jashtme. Por duhet të kalonte një vit, që unë të përballesha përsëri me Tanja Visirovën, por në një mënyrë tjetër e të pa pritur…

Në çfarë mënyre?
-Isha frekuentues i rregullt i librarive, për të mësuar librat e rinj që dilnin në shitje në Francë. Kjo ishte dhe në përmbushje të detyrës sime shtetërore. Pas një viti ose ca më shumë, një nga librashitëset e librarisë ‘La Martin’, më kthen për të me prezantuar një libër të autores Maria Krepova me titull ‘Tanja Vizirova’. Për çudinë time, ajo me futi në këndin e veçantë, ku kishte libra dhe pamje pornografike, që ne nuk isha futur ndonjëherë. Mori nga rafti i librave një libër që ishte i ekspozuar. Ishte një libër me autore Maria Krepova. Pa u zgjatur, e pashë se kishte të bënte me Shqipërinë dhe kryesisht me mbretin Zog. Nxora frangat dhe e pagova librin duke i marrë dhe faturën përkatëse. Pasi ngjita shkallët e Ambasadës, e lexova me vështirësi këtë libër. Ndërsa në muajt pasardhës e dërgova këtë libër në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Cili ishte fati i këtij libri?
-Thashë që librin e nisa me postën e ambasadës, në Tiranë. Në një farë mënyre, këtu përfundonte dhe detyra ime. Nuk jam interesuar se Libri ishte i mbushur me foto pornografike dhe me foto të familjes mbretërore. Nga emigrantët zogistë, qarkullonin zëra se ky libër, “është bërë nga propaganda komuniste për të njollosur nderin e Mbretit”… Në fakt, dhe sot habitem se si ky libër qëndroi në ‘hije’ në vitet e monizmit, por dhe në këto më shumë se dy dekada demokraci…
(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI:
-Peripecitë e diplomatit Idajet Hoxha për të takuar Tanja Visirovën, ish-gruan e parë të Ahmet Zogut.
-Si u kërcënua dhe u zhduk Tanja Visirova nga njerëzit e Zogut pas publikimit të monografisë për ‘të.
- Jeta e Tanja Visirovës, lidhjet me Ahmet Zogun, bashkëjetesa 5-vjeçare dhe kujtimet e saj.

SOM 1
“Zonja Tanja Visirova erdhi në ambasadën tonë në Paris e kërkoi një informacion, nëse ishte e mundur të vihej në shitje një parcelë toke, pronë e saj që ndodhej në Xhafzotaj të Durrësit. Zyrtarisht, isha i detyruar që ta ndiqja këtë problem… Por me thënë të drejtën, shënimi i lënë në librin e ambasadës ishte i shkurtër, me pak të dhëna e më krijonte shumë vështirësi ta ndiqja si problem…”

SOM 2
“Kam qenë në martesë pa kurorë me mbretin Zog nga viti 1929 deri në vitin 1933. Zogu më ka dhuruar një parcelë tokë prej 10 ha, që ndodhet diku në vendin e quajtur Xhafzotaj. Unë nuk e di se ku ndodhet ky vend dhe asnjëherë nuk kam shkelur në atë pronë që më është falur me dokumentet që kam, nga Mbreti… Jam e lodhur, pa të ardhura, pa shtëpi… Banoj në hotel pensioni në qytetin e Vensës”

SOM 3
“Librin për Tanja Visirovën, unë e bleva për ambasadën kundrejt faturave dhe dorëzova legalisht në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë atëherë. Por çuditërisht, nuk di se si ‘humbi’, ky libër. Tashmë, vonë, unë e kam siguruar një kopje të tij… Mua më ndihmoi ditari i shënimeve që mbaja atë kohë, por dhe memoria… Gjithashtu, kam vuajtur jo pak për të kontaktuar Tanja Visirovën lidhur me letrën që ajo dorëzoi në ambasadë”

DIPLOMATI IDAJET HOXHA

Diplomati dhe publicisti Idajet Hoxha u lind në vitin 1938 në Tërbaç të Vlorës. Pas përfundimit të arsimit të mesëm në vendlindje, u dërgua për studime të larta për Marrëdhënie Ndërkombëtare (në fushën ushtarake) në Moskë. Që andej, u kthye në Shqipëri me prishjen e marrëdhënieve në vitin 1961. Më pas, ai ka punuar si oficer i Sigurimit të Shtetit në Kukës, në Peshkopi, Fier  dhe Tiranë. Në vitin 1977 emërohet Sekretar i Parë dhe Konsull në Francë, ku përveç Francës, mbulonte dhe Belgjikën, Luksemburgun, Holandën dhe UNESCO-n.  Këtë detyrë e kreu deri në nëntor të vitit 1982. Kthehet në atdhe e punon në detyra të rëndësishme, përfshi dhe atë të Shefit të Katedrës së Shërbimit të Inteligjencës në Akademinë e Policisë. Përveç Akademisë së Policisë, ka mbaruar dhe Fakultetin Juridik pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Është autor i disa librave artistikë, e shumë artikujve shkencorë e publicistikë.

Gazeta DITA  Nëntor 13, 2012