30 November 2012

Hasan Prishtina: 11 janar 1912, fjalimi në Parlamentin turk

Hasan Prishtina: 11 janar 1912, fjalimi në Parlamentin turk

 

Nga Kristo Frashëri.

Kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 Hasan Prishtina, për shkak të vështirësive të krijuara nga marshimi i ushtrive serbe, malazeze dhe greke në viset shqiptare, nuk pati mundësi të merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Megjithatë, kontributi që ai dha në fitoren e Pavarësisë qe tepër i rëndësishëm.
Para se të shpallej Pavarësia, Hasan Prishtina njihej nga opinioni publik shqiptar. Ai ishte një nga udhëheqësit e kryengritësve kosovarë, të cilët nga mitingu i organizuar prej tyre në Ferizaj i drejtuan më 23 korrik 1908 Sulltan Abdyl Hamitit II ultimatumin historik, me të cilin i kërkonin të shpallte menjëherë Kushtetutën, përndryshe do të kalonin në kryengritje të armatosur. Ultimatumi e tronditi aq tepër sulltanin sa që ai e shpalli menjëherë Kushtetutën. Mitingu i armatosur i Ferizajt qe një nga kontributet më të rëndësishme që shqiptarët dhanë për fitoren e “Hyrietit” (Liria), emërtim me të cilin ka hyrë në histori fitorja e revolucionit antiabsolutist turk i vitit 1908.
Siç e thotë vetë Hasan Prishtina, prejardhja e familjes së tij ishte nga fshati Polancë i krahinës së Drenicës. Gjyshi i tij, Haxhi Ali Berisha, para 150 vjetëve u largua nga fshati Polancë dhe u vendos në Vuçitern. Fillimisht mbiemri i tij ka qenë Hasan Polanca ose Hasan Vuçiterna.
Hasani lindi në Vuçitern më 1873. Pasi mbaroi shkollën fillore osmanishte në vendlindje, shkoi për t’u arsimuar në Selanik pranë të atit, i cili merrej me tregti. Atje ndoqi liceun frëng dhe më pas fakultetin “Mylkije” në Stamboll, ku studentët ndiqnin kursin e Magjistraturës dhe përgatiteshin për të shërbyer në administratën shtetërore. Roli që luajti në mitingun e Ferizajt e bëri Hasan Prishtinën të njohur në opinionin publik kosovar.
Në sajë të kontributit që dha në përmbysjen e absolutizmit sulltanor dhe të gojëtarisë së tij tepër tërheqëse për publikun, Hasani u zgjodh më 1908 deputet i Prishtinës në Parlamentin osman. Tani e tutje Hasan Vuçiterna u popullarizua me emrin Hasan Prishtina në kuptimin Hasani deputeti i Prishtinës.
Në Parlamentin perandorak osman merrnin pjesë 25 deputetët shqiptarë. Midis tyre H. Prishtina gjeti gjuhë të përbashkët në mënyrë të veçantë me një nga deputetët e tjerë shqiptarë. Ky ishte Ismail Qemali, deputeti i sanxhakut të Beratit, në të cilin përfshihej edhe Vlora.
Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina për sa u përket pikëpamjeve dhe temperamenteve politike kishin pika takimi të njëjta, por edhe të ndryshme midis tyre. Që të dy dëshironin ta shihnin Shqipërinë shtet më vete, të përparuar dhe të qytetëruar. Por ata dalloheshin nga mënyra e përpjekjeve që shqiptarët duhej të ndërmerrnin për ta realizuar aspiratën e tyre madhore. Më 1908 kur ata u njohën, Ismail Qemali ishte 64 vjeç. Pra, për nga mosha i takonte brezit të vjetër. Si i tillë së bashku me eksperiencën e pasur kishte fituar edhe urtësinë e veprimeve. Përkundrazi Hasan Prishtina, i cili atë vit mbushte 35 vjeç, për nga mosha i takonte klasës së re politike shqiptare. Për nga formimi ideologjik ai ishte i mbushur me energji revolucionare dhe për zhvillimin e aksioneve politike me hapa të shpejta.
Që të dy e njihnin mirë Revolucionin frëng të vitit 1789. Por Ismail Qemali e kishte tejkaluar vrullin e ditëve të revolucionit, që përmbysi absolutizmin dhe kishte përqafuar idetë e demokracisë liberale, të cilat u përhapën pas zbutjes së shpërthimeve revolucionare. H. Prishtina përkundrazi, si i ri, lundronte ende në ujërat e Revolucionit Frëng dhe mezi priste të krijonte Shqipërinë e lirë me shpërthime revolucionare. Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se I. Qemali besonte më shumë në artin e diplomacisë sesa në krismën e armëve. Hasan Prishtina besonte të kundërtën: më tepër pushkën sesa diplomacinë.
Shqipëria e viteve të fundit e sundimit osman kishte nevojë për të dyja këto filozofi politike. Nga kjo pikëpamje, Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina plotësonin njëri-tjetrin. Për këtë arsye, ata bashkëpunuan derisa realizuan qëllimin e përbashkët: shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Duke anashkaluar për mungesë dhe kohe bashkëpunimin e këtyre dy personaliteteve të rëndësishëm të viteve të fundit të sundimit osman, do të ndalemi të viti fatbardhë 1912.
Tashmë dihet se partia xhonturke “Bashkim dhe Përparim” (Ikttihad ye Terakki), e cila fill pas Hyrietit mori pushtetin në dorë, i shkeli menjëherë premtimet që kishte dhënë se do të respektonte demokracinë e brendshme në Perandorinë Osmane dhe se do t’ua njihte të drejtat që u takonin kombësive të sunduara prej saj. Shqiptarët të zhgënjyer nga premtimet xhonturke kaluan nga përkrahës në kundërshtarë të tyre. Kështu filluan kryengritjet kundër qeveritarëve xhonturq. Si përgjigje xhonturqit kaluan në dhunë të hapur kundër shqiptarëve. Ata ndërmorën për 3 vjet me radhë (1909-1911) operacione ndëshkimore kundër popullsisë shqiptare.
Në fund të vitit 1911 marrëdhëniet e shqiptarëve me pushtetin qëndror xhonturk ishin acaruar në kulm. Madje, në vjeshtën e vitit 1911, sapo Perandoria Osmane i shpalli luftë Italisë për t’i shkëputur asaj Tripolin, orvatjet e Portës së Lartë për të mobilizuar rezervistët shqiptarë në ushtrinë perandorake e ndezën edhe më tepër pakënaqësinë. Në këto rrethana, në muajin dhjetor qarqet patriotike shqiptare i drejtuan qeverisë së Stambollit një peticion me të cilin kërkonin me këmbëngulje t’ua njihte shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare. Si dhe më parë, qeveria xhonturke bën veshin e shurdhët.
Gjendjen e ndërlikuar politike ku ndodheshin marrëdhëniet e acaruara të shqiptarëve me qeveritarët xhonturq në fund të vitit 1911, Hasan Prishtina në “Kujtimet” e botuara me 1921 e përshkruan në mënyrë të përmbledhur me këto fjalë:
“Kah fundi i vjetit 1911 tue u frymezue nga idhnimet e mizorisë tyrke partia kundërshtare bani një pyetje mbi gjendjen e Shqipnisë e ngushtoi Haki Pashën me dhanë hesape mbi kët pikë përpara Parlamentit. Shumica e deputetënvet të Shqypnis më patën ngarkue me i ba ball shpjegimeve të Vezirit turk, tue u mbështetë dokumentave qi kishin mbledhun përmbi këto mizorina. Biseda (në Parlament – K.F.) u hap e qysh në fillesë shkoi tue u ashpërsue. Çashtja kishte një landë të pakufizueme. Na ishim të fortë në lame të logjikës e me prova të gjalla në dorë. Mora pra edhe unë fjalën”. (Hasan Prishtina, Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen e shqiptarëve të vjetit 1912. Shkodër, shtypshkronja Franciskane, 1921, f. 5 – ribotuar nga shtëpia botuese, “Eurolindja”, 1995, f. 5).
Debati i Hasan Prishtinës në emër të grupit të deputetëve shqiptarë u zhvillua në seancën plenare që u mbajt në Parlamentin osman më 11 janar 1912. Në shkurtoren e “Kujtimeve” të veta ai jep një përmbledhje prej disa rreshtash të fjalës së tij. Ndonëse shkurtorja e përmban thelbin e fjalës të Hasan Prishtinës, ajo është e pamjaftueshme po të kemi parasysh tronditjen që pësuan qarqet qeveritare xhonturke nga fjalimi i H. Prishtinës. Ne po i sjellim publikut shqiptar tekstin e plotë të fjalimit që mbajti Hasan Prishtina në seancën plenare të Parlamentit osman më 11 janar 1912 si dhe emrat e deputetëve turq, që ndërhynë gjatë fjalimit të deputetit shqiptar.
Me sa dihet, teksti i plotë i fjalimit. historik që Hasan Prishtina mbajti në gjuhën turke në Parlamentin osman nuk njihet në historiografinë shqiptare në përkthimin shqip. Madje, edhe në origjinalin turqisht, fjalimi i tij i bujshëm qëndron ende i strukur në vëllime të pluhurosura të bisedimeve të Parlamentit osman. Autori i këtyre radhëve e ka shtënë në dorë tekstin e këtij fjalimi rreth 40 vjet më parë. Me lutjen time, ato janë përkthyer në gjuhën shqipe nga njohësi i kualifikuar i osmanishts, i ndjeri Mykerem Janina. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, fjalimi historik i Hasan Prishtinës po botohet për të parën herë në variantin e plotë shqip.
Përkthimi është mbështetur në tekstin e plotë turqisht, botuar në serinë e procesverbaleve të mbledhjeve të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit osman – viti IV, sesioni i parë, mbledhja 3 e enjte, 29 dhjetor 1927, ora 10,10, ff. 764-765.
Seanca e datës 11 janar 1912 e Parlamentit osman, e cila kryesohej nga Ahmet Riza beu, u hap me këtë rend dite: nëse Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti perandorak në veprimet e tyre kishin respektuar ose jo statutin e regjimit konstitucional, nëse sulltani kishte të drejtë absolute apo fiktive të shpërndante Parlamentin, nëse obstruksioni i pandërprerë i Parlamentit ishte ose jo një akt legjitim. Në valën e këtyre debateve e mori fjalën Hasan Prishtina.
Hasan beu (deputet i Prishtinës): Zotërinj! Para se gjithash dua t’ju them duke deklaruar n’emrin tim, ashtu dhe n’emër të të gjithë popullit, por sidomos n’emër të shqiptarëve, se ne dëshirojmë me të vërtetë që të drejtat sovrane të jenë të gjera. prandaj kësaj detyre, sado e vështirë qoftë, ne duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur.
Ne e kuptojmë fort mirë se po të ndryshohet neni 35, ashtu siç propozon pushteti ekzekutiv, Dhoma e Deputetëve do të bëhet një lodër në duart e qeverisë; bile unë dua të shkoj edhe më tej dhe të them se, sikur kjo dispozitë e Kushtetutës së vjetër të mos ishte ndryshuar siç ka ndodhur, kjo tribunë nga e cila sot po shpallen shumë të vërteta, do të kishte mbetur e shurdhër dhe e heshtur. Dhe ne, zotërinj, do të ishim në krahinat tona, bile ndofta një pjesë nga ne do të kalbeshin nëpër burgje. Ngjarjet e këtyre ditëve, për shembull, mjaftojnë për të vërtetuar thëniet e mia dhe sipas meje, ky është një fakt i vërtetuar me siguri matematike. Dikur vetë partia e “Ittihad ye Terekki” ka pas kërkuar ndryshimin e këtij neni të Kushtetutës së vjetër dhe asokohe kjo kërkesë na udhëhiqte si flamur në këtë drejtim. Ndërsa sot ajo na shtron teorinë e balancimit të forcave. Me të vërtetë, shkakun e këtij qëndrimi reaksionar nuk arrij ta kuptoj. Po e lodh mendjen dhe pa dashur them me vete se mos ata tërhiqen nga arsyetimi i gabuar, duke menduar le të mos na shpëtojë nga dora shumica që kemi, makar le të shpërndahet edhe Parlamenti.
Zotërinj, unë ngul këmbë dhe e përsëris se shumica ka hyrë në një rrugë pa krye. Dhe për të vërtetuar këtë po ju kujtoj se ajo që e futi jetën politike të shtetit në ngatërresa dhe i shkaktoi dëme e mjerime të pandreqshme, ka qenë pushteti ekzekutiv që mbështetej në partinë “Ittihad ye Terekki”. Gjithashtu nuk ka qenë shkaktare qeveria që mbështetej në partinë e “Ittihad ye Terekki”, që u bë shkaktarja e një varg ngjarjeve, si ato që shpërthyen në Tripoli, në Shqipëri, në Qereq e Hevram të Sirisë? Para këtyre fakteve kuptimplote, nuk besoj se populli do të zgjedhë përsëri deputetë të partisë “Ittihad ve Terakki”. Veç kësaj, kam bindje se, megjithëse se në partinë e “Ittihad ve Terakki” ka nja 5 ose 10 deputetë (shqiptarë – K.F.), në zgjedhjet e ardhshme, dhe këtë mund ta them me siguri, nuk do të ketë asnjë deputet shqiptar ose arab në radhët e tyre.
MYFIT BEU (deputet i Izmirit): Ajo është në dorë të popullit.
Hasan beu (vazhdon fjalën): Megjithëse as që shpresoj që të mblidhet prapë Dhoma e Deputetëve.
HIZR LUTFIU (deputet i rajonit Zor-Siri): E sikur të mos mblidhet?
HASAN BEU (vazhdon): Del se, në atë rast vendi do të hidhet në kryengritje, do të shpërthejë revolucioni. Dhe një ndër të parët që do të marrë në dorë flamurin e revolucionit, ndofta i pari ndër të parët, do të jem unë.
MYFIT BEU (deputet i Izmirit): Këtë fjalë mendoni prapë!
HASAN BEU (vazhdon fjalën): Po e përsëris edhe një herë, ndryshimi revolucionar që u bë nuk mund të quhet në kuptimin e plotë të fjalës një revolucion. Po, ashtu është. Ky lloj revolucioni nuk është gjë tjetër veçse një tranzicion. Megjithëse e di fort mirë se puna qëndron kështu, jam gjithashtu i bindur se ky vend mund të jetojë vetëm me një regjim konstitucional. Bile, edhe ushtria që sot mbron Kushtetutën (mashrutijetin) dhe që përbëhet nga vëllezërit tuaj e tanë, ndonëse nuk dua të besoj një gjë të tillë, edhe sikur të donte, nuk do të ishte më në gjendje ta kthente absolutizmin. Sidoqoftë, nuk ka dyshim se ne nuk do të ngurrojmë në asnjë mënyrë për të mbrojtur deri në fund këtë regjim konstitucional, i cili do të sigurojë patjetër lumturinë dhe mbarëvajtjen e këtij vendi.
MYFIT BEU (deputet i Izmirit): Hasan, ky popull nuk e lëshon më “meshrutijetin”.
HASAN BEU (deputet i Prishtinës): Edhe sikur të dojë ta lëshojë, nuk mundet më. Sepse ky pushtet, i përbërë nga kombësitë e ndryshme ka për të shtypur çdo forcë që do të dojë ta marrë atë nëpër këmbë. Të jeni i sigurt mbi këtë gjë.
MYFIT BEU (deputet i Izmirit): Është populli vetë qe s’ka për ta lëshuar.
HASAN BEU (deputet i Prishtinës): Patjetër.
AHMED HAMDI EFENDIU (deputet i Bruses): U tha se arabët dhe shqiptarët nuk do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre, nga kjo shprehje del një veçim i këtyre dy kombësive.
HASAN BEU (deputet i Prishtinës): Jo, or zot, s’është ky qëllimi i im. Po ta them: si shqiptarët, ashtu edhe arabët kanë shkuar dhe kanë për të shkuar pas turqve me të gjitha forcat e tyre. Qëllimi që përmenda vetëm këta, ka qenë që të tregoj se vendet e këtyre kombeve janë ato që kanë pësuar edhe dëmet më të mëdha. Por turqit duhet ta kuptojnë këtë realitet. Ky shtet nuk është (gjë) tjetër veçse një shoqëri anonime me interesa të përbashkëta. Prandaj edhe qëndrimi i juaj duhet të pajtohet me atë që thashë. Përkundrazi, në qoftë se e konsideroni veten ndryshe nga ata duhet ta dini se këtë vend po e rrokullisni në greminën e mjerimeve.
MYFIT BEU (deputet i Izmirit): Turqit deri sot s’kanë menduar një gjë të tillë.
HASAN BEU (deputet i Prishtinës): Shiko, or zot i mirë, ti megjithëse je tyrk, nuk mund t’i duash tyrqit sa unë, po s’mund t’i duash sepse mua më shtyjnë, më detyrojnë shumë të drejta të fituara dhe interesi që të bashkëjetoj me tyrqit edhe në të ardhmen.
SEJID BEU (deputet i Izmirit): Për pjesën e fundit të fjalës së Hasan beut unë si tyrk, e falenderoj. Ndërsa për pjesën e parë të fjalës shpreh indinjatën time, sepse ne, duke qenë tyrq, nxuarrëm një deputet shqiptar nga prefektura Denizli e Izmirit.
HASAN BEU (deputet i Prishtinës): Po edhe ne, si shqiptarë, në vendin tonë zgjodhëm një deputet tyrk: Vasfi Beun, të caktuar si deputet i Tashllixhasë.
Fjala e Hasan Prishtinës, sidomos fraza e tij se “një ndër të parët që do të marrë në dorë flamurin e revolucionit, ndofta i pari ndër të parët, do të jem unë”, plasi në Parlament si një bombë e papritur. Në thelb ai qe një ultimatum drejtuar qeverisë perandorake xhonturke dhe një kushtrim për bashkatdhetarët e tij shqiptarë, qe të përgatiteshin për revolucionin e armatosur çlirimtar.
Kur dolëm nga Parlamenti, shkruan në “Kujtimet” e përmendura Hasan Prishtina, deputetët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Stambollit treguan një gëzim të jashtëzakonshëm dhe “më përshëndetën me një simpati krejt të posaçme”. Një përgëzim të veçantë atij i shfaqi, nënvizon ai, Ismail Qemali, i cili i kërkoi të takoheshin atë mbrëmje për të biseduar me gjatë për gjendjen e re të krijuar. Takimi u zhvillua në shtëpinë e Hasan Prishtinës. Ndoshta në këtë shtëpi është shkrehur fotografia e njohur që po botohet këtu pranë.
Atë natë (11-12 janar 1912) të dy deputetët, shkruan H. Prishtina, biseduan “gjerë e gjatë mbi fatin e Shqipërisë”. Më në fund, pohon ai, ata vendosën t’u jepnin fund mizorive xhonturke me një kryengritje të armatosur. Në mbyllje të bisedimeve, Ismail Qemali i tha Hasan Prishtinës: “Hasan beg, i besoj fetarisht karakterit të Zotnis s’Ate. Ky besim më ka shtyrë t’i shkruaj në zemrën time ato fjalë qi i përdore në Parlament, duke thënë se kam me qenë njeri e ndoshta i pari i atyre që kanë për të ngritur flamurin e kryengritjes”. Hasani u përgjigj: “Ismail beg, para se të them një fjalë matem shumë e pastaj flas, por mundem me ju sigurue se e kam zakon ta mbaj fjalën që më del nga goja. Pra, mbase edhe zotnija juaj po e ndjen nevojën për nji kryengritje, ndoshta vendimi ynë nuk mund të mjaftojë për me qitë në krye kët qëllim, e me duket qi do të na duhet me u bashkue edhe me katër- pesë deputetë rreth këtij vendimi”.
Ismail Qemali u përgjigj se ishte dakord me mendimin e Hasan Prishtinës dhe vendosën ta vazhdonin bisedën ditën e nesërme me 12 janar 1912. Kështu mbaroi kjo ditë historike, shkruan Hasan Prishtina, që nuk la shteg pajtimi midis Shqipërisë dhe Komitetit xhonturk. (H. Prishtina, Po aty, ff. 5-6). Të nesërmen, me 12 janar 1912 Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina u takuan në hotelin e famshëm “Pera Palace” të Stambollit. Në përfundim të bisedimit të tyre të gjatë, përmbajtjen e të cilit nuk e njohim, ata vendosen të thërrisnin në një “kuvend” edhe katër deputetë të tjerë shqiptarë – Myfid bej Libohovën, Esat pashë Toptanin, Aziz pashë Vrionin e Syrja bej Vlorën – për të biseduar dhe vendosur programin e mëtejshëm të punës, pika më e rëndësishme e të cilit ishte organizimi i kryengritjes së armatosur për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha perandorake osmane. Kuvendi u vendos të mblidhej në shtëpinë që Syrja Vlora kishte në lagjen “Taksim” të Stambollit. Nga shtëpia ku u mblodh takimi ka marrë në histori emrin mbledhja e Taksimit, kurse Hasan Prishtina në “Kujtimet” e përmendura e quan “Komploti i Taksimit”.
Mbledhjen e Taksimit, shkruan H. Prishtina, e kryesoi Ismail Qemali. Merrnin pjesë të gjashtë deputetët shqiptarë të Parlamentit osman. Para se të fillonin bisedimet H. Prishtina deklaroi se mbledhja do të ishte e fshehtë dhe se pjesëmarrësit duhet të betoheshin të mos i tregonin askujt për çka do të bisedohej dhe për çka do të vendosej në atë mbledhje. Pas betimit Kuvendi u hap.
Njoftimet që kemi se çka u bisedua, çka u vendos i mësojmë nga Hasan Prishtina. Në shkurtoren e “Kujtimeve” të veta ai shkruan shkurtimisht se në Kuvend u përmenden të gjitha mizoritë që kishin kryer xhonturqit në Shqipëri dhe se politika e tyre, çështjet e shkollave shqipe dhe të gjuhës kombëtare kishin ardhur vazhdimisht duke u acaruar. Në lidhje me privilegjet që u takonin shqiptarëve u tha, se jo vetëm nuk shpresonin të merreshin vesh me xhonturqit, por as nuk e shihnin të mundshme të hynin në bisedime me ta. Për këtë arsye, Kuvendi nuk zgjati shumë, mbasi pjesëmarrësit u morën shpejt vesh se për t’u dhënë fund zvarritjeve të qeveritarëve xhonturq duhej organizuar një kryengritje e përgjithshme.
Në të vërtetë, Hasan Prishtina shkruan se qëllimi i kryengritjes ishte “t’i jepej fund politikës turke në çështjen e kulturës kombëtare dhe të siguroheshin disa privilegje politike për Shqipërinë”. Ai nuk e zë në gojë rrëzimin e pushtetit xhonturk, as sigurimin autonomisë administrative të Shqipërisë, ndoshta për arsye se tre nga pjesëmarrësit e Kuvendit – Esat pashë Toptani, Syrja bej Vlora dhe Myfit Libohova – edhe pse të zhgënjyer vazhdonin të ishin anëtarë të partisë xhonturke “Bashkim dhe përparim”. Sikurse treguan ngjarjet, deputeti kosovar ishte i bindur se pasi të fillonte kryengritja e armatosur për të siguruar “disa privilegje politike për Shqipërinë, ajo (kryengritja) shpejt do të shndërrohej në një revolucion çlirimtar”. Mbledhja procedoi edhe me ndarjen e detyrave. Ismail Qemali do të nisej nëpër Evropë për të siguruar përveç përkrahjes politike të çështjes shqiptare edhe armë (rreth 15.000 pushkë dhe të holla (rreth 10.000 napolona flori) për nevojat e kryengritjes.
Kryengritja do të fillonte në Kosovë. Për organizimin e saj u ngarkua Hasan Prishtina, njeriu më i përshtatshëm dhe më i devotshëm për një revolucion të armatosur. Ismail Qemali, përkundrazi, u ngarkua të merrej me fushën e tij të preferuar të punës – me përkrahjen diplomatike të çështjes shqiptare nga Fuqitë e Mëdha, njëkohësisht me sigurimin e armëve dhe të financave për të cilat kishte nevojë revolucioni çlirimtar. Të tjerët – Esat pashë Toptani, Myfit Libohova, Syrja Vlora dhe Azis Vrioni – do të organizonin, sapo të fillonte kryengritja në Kosovë, lëvizjet e armatosura në viset e tjera të Shqipërisë.
Në të vërtetë, siç e treguan ngjarjet, tre prej tyre – Myfit Libohova, Esat pashë Toptani dhe Syrja Vlora, – nuk i përmbushën detyrat që morën përsipër t’i realizonin në mbledhjen e Taksimit. Edhe pse u larguan nga partia xhonturke, që të tre kur shpërtheu kryengritja e përgjithshme qëndruan pothuajse spektatorë.
Nga fjalimi i rreptë që Hasan Prishtina mbajti në Parlamentin osman më 11 janar 1912, qeveritarët xhonturq u bindën se revolucioni çlirimtar shqiptar po trokiste në dyert e perandorisë. Mendohet se nën efektin e këtij fjalimi gjashtë ditë më vonë, më 17 janar 1912, xhonturqit e shpërndanë Parlamentin dhe vendosen të organizonin në pranverë zgjedhje të reja parlamentare, sigurisht me synimin që në Parlamentin e ri të zgjidheshin vetëm figurantë të lëvizjes xhonturke.
Me vendimin që grupi i deputetëve shqiptarë mori në Kuvendin e Taksimit vihej në jetë, me dijeni ose pa dijeni kjo nuk ka rëndësi, porosia e urtë filozofike që kishte dhënë Sami Frashëri, dy dhjetëvjeçarë më parë, se “fjalëve bajate u jep fund shpata”. Në të vërtetë, tani e tutje morën fund kërkesat e shqiptarëve për të realizuar me lutje nëpërmjet memorandumeve dhe peticioneve aspiratat e tyre kombëtare. Tani do të fliste kryesisht pushka.

Gazeta Shqiptare