08 December 2012

MONARKI APO REPUBLIKE? - nga Moikom Zeqo

MONARKI APO REPUBLIKE?

 




MOIKOM ZEQO

 

Titulli i mësipërm ngjan (duket) bizar, paradoksal dhe tejet sfidues. E them që në fillim se jam plotësisht i vetëdijshëm se ky titullqëllimisht është intrigues, d.m.th, kërkon të ngrejë në reliev diçka që nuk shkon, diçka që është një marrëzi, konceptual edhe juridik. Le të më lejohet një shpjegim i përkorë. Kushtetuta e përcakton saktësisht dhe pa asnjë ekuivok
se rendi shtetëror yni emërtohet si Republika e Shqipërisë. Ky emërtim është substancialisht juridik. Nuk është një titullaturë virtuale, as e rastit, por as edhe e kotë. Është një titullaturë kushtetuese fund e krye. Është substancë e patjetërsueshme. Por ç’do të thotë Republikë e Shqipërisë? A duhet t’i përmbahemi dhe të jemi në harmoni të plotë dhe në thelb me këtë titullaturë? A duhet ta respektojmë apo në mënyrë subjektive dhe të marrëzishme ta mohojmë? Nëse ky është një realitet kushtetues dhe thelbësor, cili ka të drejtë nga ne qytetarët e kësaj Republike të bëjë lodra groteske me emërtimin fuqiplotë dhe historik të Republikës së Shqipërisë? Ky është problemi që duhet të shtrojmë. Një problem i thekshëm, por edhe universal. Një problem i vetëdijes dhe kulturës tonë etatiste. Ç’do të thotë Republikë e Shqipërisë? Së pari, fjala Republikë anulon, rrëzon, mohon emërtimin Monarki. Republika dhe Monarkia, janë dy gjëra që nuk përputhen, janë dy koncepte juridike që mohojnë pambarimisht njëra-tjetrën. Titullatura e shtetit ka rëndësi përcaktuese dhe të pamohueshme. Titullatura e shtetit ka gjithmonë një histori kronologjike. Kështu ka ndodhur në histori për të gjitha shtetet e Europës dhe të botës. Këtë nuk e mohon dot askush, përveç njerëzve të marrë dhe të pandërgjegjshëm. Me këtë rast dua të them urbi et orbi se titullatura e shtetit shqiptar të kohës së Ahmet Zogut juridikisht u quajt për 15 vjet si Mbretëria Shqiptare deri më 7 prill 1939. Ahmet Zogu u vetëshpall Mbret i Shqipërisë. Emërtimi Mbret i Shqipërisë është çështje e titullaturës që parakupton një njohje ndërkombëtare. Është e qartë që vetëshpallja e Ahmet Zogut si Mbret i Shqipërisë nuk e pati juridikisht miratimin e subjekteve ndërkombëtare që kanë të drejtën e njohjes së kësaj titullature. Kjo është arsyeja që Qeveria Britanike në të gjitha dokumentet e saj mbas vitit 1939 e ka përcaktuar Ahmet Zogun me fjalët zyrtare “self made king”. Pra, i vetëshpallur Mbret. Por kjo pikë nuk paraqet ndonjë interes shumë të madh. Ajo që është më e rëndësishme është fakti i pamohueshëm se mbas çlirimit të vendit, në bazë të një akti juridik, të pashfuqizuar ende edhe sot, Shqipëria u shpall Republikë më 11 janar 1946. Ky emërtim substancial gjithashtu, çoftë edhe për karakterin e tij formal (përtej çdo aspekti ideologjik, por në fund të fundit edhe politik) nuk është tjetërsuar dhe nuk është vënë në pikëpyetje me qëllim për t’u shfuqizuar apo për t’u eliminuar. Është pikërisht ky fakt historik që i mbijeton edhe sot në aspektin formal juridik deri në Kushtetutën aktuale, e cila emërton Shqipërinë si Republikë. Emërtimi Republikë është anulimi i plotë dhe pa asnjë mëdyshje i emërtimit Monarki ,ose Mbretëri. Këtë gjë nuk e kemi bërë vetëm ne shqiptarët. Shtete me tradita monarkike të gjata si Italia dhe Greqia juridikisht u shpallën dhe janë edhe sot Republika e Italisë dhe Republika e Greqisë. Të mos harrojmë se ky realitet juridik është kushtetues. Republikë do të thotë që qytetarët janë njëkohësisht dhe taksapaguesit e Qeverisë së Republikës. Por shikoni se çfarë ndodh në Shqipëri? Qeveria shqiptare ndërmerr nisma dhe paguan fatura të mëdha për të bërë mauzoleun e Mbretit të vetëshpallur Zog si dhe statujat kushtuar atij. Si mund të justifikohen këto fatura të paguara nga taksapaguesit e Republikës? I kam studiuar me kujdes ngjarjet që kanë ndodhur në Itali dhe Greqi. Edhe aty ka patur zhvendosje të eshtrave të monarkëve, krijime të mauzoleve apo edhe të statujave të pjesëtarëve të familjeve monarkike, por vetëm në rrafshin e shpenzimeve të bëra nga vetë familjet dhe pinjojtë monarkikë, apo edhe të fondacioneve që lidhen me to. Në asnjë rast Republika Italiane nuk ka shpenzuar për familjen monarkike Savoja. Në asnjë rast Republika Greke nuk ka paguar fatura për familjen e tyre mbretërore. Në Shqipëri ndodh marrëzishëm ndryshe. Pse ndodh kështu? Dhe pse duhet të ndodhte kështu? Përcaktimi që zë në histori dhe në politikë emri i Ahmet Zogut nuk është aspak një çështje qeveritare, por është një subjekt i historisë shkencore të mirëfilltë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që një shtet i quajtur Republikë të ketë një mëtim dhe përkushtim kaq të madh ndaj Monarkut. Është e pakuptueshme dhe jashtë sensit të historisë një gjë e tillë. Në mënyrë të veçantë është jashtë çdo vlerësimi dhe detyrimi kushtetues. Është jashtë çdo logjike që në pritjen e dhënë nga Presidenti i Republikës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ai që deri dje quhej Pallati i Brigadave, tani emërohet (jashtë çdo ligji dhe përcaktimi juridik të miratuar) si Pallati Mbretëror. Është e vërtetë që mbreti Zog aty donte të ndërtonte pallatin e tij, por ai mbeti përgjysmë dhe vetëm në kohën e Jakomonit u përfundua. Nëse e përfundoi Jakomoni, pse mos ta quajmë për shkak të vërtetësisë historike formale si Pallati i Jakomonit? Ja ku të çon grotesku dhe marrëzia! Shikoni dhe përvojat e tjera ndërkombëtare të vendeve fqinje si Bullgaria dhe Rumania që kanë qenë monarkike. Ato nuk kanë vepruar aspak siç kanë vepruar në Shqipëri. Atëherë, përse jemi jashtë rregullit juridik? Kujt i hyn në punë kjo gjë? Sepse në kundërshtim të plotë me titullin e mësipërm të shkrimit tim të shtruar në formën e një pyetjeje, përgjigja është e qartë: Shqipëria nuk është Monarki, por është Republikë. Nuk është as edhe hibrid i Monarkisë dhe Republikës. Dhe ky është një produkt i pashmangshëm dhe emancipues historik. Politikanët tanë, kushdo qofshin ata, të djathtë apo të majtë, janë të detyruar nga Kushtetuta ta respektojnë pafundësisht këtë gjë!

No comments:

Post a Comment