28 July 2014

Prof. dr. Klara Kodra: Mbi letren e N.Jorgaqit per I.Kadarene

PROF. DR. KLARA KODRA. VEPRAT DUHEN GJYKUAR NË KUADRIN E KOHËS (PËR LETRËN E HAPUR TË N. JORGAQIT KADARESË)
klara-kodra

Debati i  ndezur në shtyp  ditët e fundit  lidhur me letrën e hapur  që i drejtoi  N.Jorgaqi  Kadaresë prek  disa pika nevralgjike në vlerësimin e letërsisë shqiptare nga  kritikët dhe studiuesit: analizën objektive të rrethanave historike në të cilat  janë shkruar  veprat letrare (që  edhe strukturalisti Markeze i pranon  si “strukturë  historike” përbërëse  të veprës), çështjen e drejtimit të  himnizuar (dikur) dhe të anatemuar  e demonizuar  (tani) të realizmit  socialist, problemin e  të pasurit a jo të  një disidence  në letërsinë  shqiptare, çështjen e “letërsisë së  sirtarëve” që nuk u botua  dot në kohën e diktaturës dhe që tani  i drejtohet  një publiku të ri dhe ndeshet  me një tjetër  “horizont pritjeje” (dhe mundësisë së mistifikimeve).
Jemi të mendimit që N.Jorgaqi u nxitua  duke hedhur hipotezën  e një mistifikimi  lidhur me kohën ku u  shkrua “Mjegullat e  Tiranës” (që  vendoset prej tij  më 2012 dhe jo më 1958);  gjithsesi  kjo çështje  mund të zgjidhet  nëpërmjet  ekspertizave të ndryshme.
Po mendojmë  gjithashtu  se  Jorgaqi ka pasur të drejtë  të kundërshtojë  gjykimin nënvleftësues (që niset  nga  kriteret e sotme) që Kadareja  jep  (pa e  përmendur si titull)  për novelën e tij “Dashuria  e Mimozës” e shkruar  pikërisht  në kohën  kur letërsia  e ideologjizuar  dhe,  në shumicën e rasteve, mediokre e viteve 50-të  u ndesh  me  avangardën  e shkrimtarëve të  viteve  60-të që i shkaktoi  mjaft  të çara  mburojës zyrtare  të rregullave të “realizmit socialist”.  Kjo vepër  e Jorgaqit  – lirike  dhe e freskët  (ndonëse vetë shkrimtari  e kapërcen  estetikisht  në vitet e mëvonshme) është e lidhur  pikërisht me fillimet  e “disidencës  estetike”, me orvatjen e krijuesve për të  marrë  kalanë e letërsisë “nga  brenda”,  duke futur në mënyrë  të fshehtë  në të elemente  të realizmit  dhe të  modernizmit.
Në fakt  kjo novelë vinte  në qendër  me guxim temën  e dashurisë  që në  atë kohë  shihej  si  dytësore në krahasim  me temat “e mëdha”  të luftës  apo ndërtimit  të vendit, thyente  me guxim  skemën e “fundit të lumtur”, duke pohuar,  në përputhje  me realitetin, se  mendësia patriarkale  ishte ende  shumë e fortë; krijonte  karaktere të besueshme në bazë  të parimeve  të realizmit  (jo socialist), duke  u ndalur  në thelbin  social  dhe psikologjik  të tyre  (karakteret e  kundërta  të Mimozës  dhe Maries, nga të  cilat i pari dallohej  për një  kompleksitet; nuk  ishte heroinë “pozitive”, “luftëtare e së resë”,  po zotëronte  cilësi  objektivisht  të mira, zemërbardhësi, ndjenjë  solidariteti, aftësi  për dashuri të thellë e të sinqertë dhe  nga ana tjetër edhe dobësi  vullneti, paaftësi për të luftuar  deri në fund, sentimentalizëm  të  tepruar.
Figura e Luanit, protagonistit tjetër,  nuk  mishëron  aspak  “heroin  pozitiv”  skematik të realizmit socialist: është  thjesht  figura e një të riu ku ndërthuren  ana  racionale me botën  e ndjenjave, disi  ëndërrimtar,  po edhe  realist; figurë  që në rrafsh  estetik  nuk  shtjellohet deri në fund, meqenëse nuk e shohim “nga brenda” si Mimozën, po  ndriçohet  vetëm  në disa  momente  të caktuara  si ditari; figurë  disi e idealizuar  nga shkrimtari që dëshiron t’ia  komunikojë lexuesit simpatinë për të, por, e  përsëritim, kurrsesi figurë  skematike, zëdhënëse e thjeshtë  parimesh.
Prandaj, nuk përligjet  në asnjë mënyrë qëndrimi skajshmërisht  kritik i Kadaresë ndaj këtij  personazhi  në  konsideratat  me të  cilat  ai i  paraprin  romanit: “M’u  duk një tmerr  i vërtetë. Dhe ky  tmerr lidhej  në radhë të parë, me personazhin  kryesor që duhej të isha unë  vetë … duke  kujtuar se më bënte nder (autori  – shënimi ynë K.K.) më kishte  vënë  në qendër të veprës si “hero  pozitiv… Personazhi  qendror, domethënë  unë vetë, isha një  student  që më  rrinte mendja  ditë e natë  se si  pas mbarimit të  studimeve  të shkoja  ku të  më dërgonte  partia,  për t’i  shërbyer popullit. Që  ia kisha  bërë të qartë të dashurës sime studente  …. se  mbi dashurinë  ndaj popullit s’vija  asgjë,  madje as atë vetë …” (“Mjegullat e Tiranës”, Sh.B.Onufri, 2014, f. 17).
Mendojmë se (duke lënë mënjanë faktin që Kadareja, i cili si mik  i Jorgaqit, kishte  ndjekur  novelën  qysh në  lindjen e saj, s’kishte  pse priste  gjysmë shekulli për t’ia  shfaqur  mikut të  vet  pakënaqësinë  për  vizatimin e protagonistit) personazhi  konkret  i novelës  nuk i përgjigjet  këtij  karakterizimi: ai  është një i ri  normal, me ndjenja  normale, midis  të cilave  është  edhe ëndrra për t’i shërbyer popullit (të cilit  në fakt i ka  shërbyer  se vjen  nga radhët e mësuesve), po  edhe dashuron  sinqerisht  vajzën që ka zgjedhur, i do  dëfrimet  e moshës së vet (madje  ankohet  natyrshëm për varfërinë e vet si student, një  tipar  ky që s’do t’i shkonte  një  “heroi pozitiv”,  të prirur  për sakrifica).
Jemi  të mendimit se Kadareja  gabon  duke ia kundërvënë  njera tjetrës  dy veprat  me subjekt të ngjashëm që u frymëzuan  nga i njëjti  episod  real, “Dashurinë e Mimozës” së Jorgaqit  dhe romanin  e vet “Mjegullat  e Tiranës” për shkak të pjesëmarrjes së pretenduar të së parës  në veprat e “realizmit socialist” dhe  shmangies  së të dytës  nga ky drejtim, dallim  që quhet “thelbësor” dhe  “fatal”  dhe duke  shprehur “mllefin”  për  pozitivitetin e vet “të  padurueshëm’ si edhe  duke  pohuar se ishte shpikur  një mallkim  i ri “të pafsha  hero pozitiv  në një roman  të realizmit  socialist”! (Po aty, f. 18).
Qëndrimi  i Kadaresë  në këtë  drejtim na duket, jo vetëm i gabuar, i skajshëm, prej  kritizeri, po edhe antihistorik: ai  gjykon për një vepër të fillimit  të viteve 60 nga pozitat e sotme.  Dhe kështu  lind një  paradoks: një  vepër që u gjykua  me “të meta  ideore”  nga kritika sociologjike  e kohës (aq sa  përkthimi i saj  italisht nuk u lejua të qarkullojë), sot na dilka  një vepër  “konformiste”  e përsosur!
Nuk po themi  se “Dashuria e Mimozës” ka qenë  kryevepër  në rrafshin  ngushtësisht  estetik. Themi se ajo në atë  kohë  dëshmonte  për guxim  nga ana e autorit  që  u ndesh  me redaktorët dhe kritikën konformiste të atyre viteve, që  i dërgonte  një mesazh  rinisë së kohës, lexuesve dhe shkrimtarëve të ardhshëm  për hapje  ndaj rregullave të ngurta të  një drejtimi i cili po shndërrohej në  neoklasicizëm. Këtë  mesazh  rinia e kohës  në të cilën bënte pjesë  dhe e nënshkruara, e receptoi  me entuziazëm (mbaj mend  se  shokët e mi gjimnazistë  të asaj kohe e  lexuan veprën  që në bocat  e shtypit të cilat  ia morën  një redaktori dhe e qarkulluan dorë më dorë në një gjendje ekzaltimi).
Mbaj mend  sesi  nëna ime,  kritike letrare e poete, përfaqësuese e brezit të  viteve 30, shprehu  menjëherë dëshirën ta përkthente  italisht  këtë novelë  dhe në fakt e përktheu  (ndonëse përkthimit në atë kohë iu ndalua qarkullimi).
Madje edhe sot kjo novelë – ndonëse autori i  saj e ka kapërcyer  estetikisht në vepra  si “Manastiri  i dashurisë” apo “Na ish  një  herë një dashuri” – ruan  një freski  që i vjen nga  lirizmi dhe çiltërsia. Dhe si e  tillë  u vlerësua  edhe nga  botuesit italianë.
“Mjegullat e Tiranës” spikat, pa  dyshim,  për nivel të  lartë estetik  dhe dëshmon  për një pjekuri të hershme   estetike të  Kadaresë. Po ky roman  nuk u botua.  Nuk u ndesh  konkretisht  as me redaktorët, as me kritikën  e kohës. Autori për arsyet e veta (ideore ?  estetike ?)  nuk e botoi.  Vepra  nuk komunikoi  me publikun  e atyre  viteve (pamundësi  objektive? Po  ndonjë vepër  tjetër e Kadaresë që thyente  skemat  si “Përbindshi” arriti  të shohë  dritë. Edhe  romani i tij i parë i botuar  “Gjenerali i  ushtrisë së  vdekur” thyente  “horizontin  e pritjes” së kohës dhe do të  ngjallte  debate, pa  përmendur mandej vepra  vërtet  disidente  si: “Nëpunësi i  Pallatit të Ëndrrave” ose “Koncert në fund  të dimrit”).
Kjo vepër  mund të shihet  nga studiuesit  e letërsisë në kuadrin e zhvillimit të  Kadaresë si autor, të zigzageve  në  krijimtarinë e tij,  po në  arenën e komunikimit  me publikun hyri vonë.
Në rrafsh  estetik,  si vepër e realizuar, ruan  aromën e vet.  Në atë kohë do të  kishte  thyer “horizontin e pritjes”,  do të përbënte  risi.
Pra, “Mjegullat e Tiranës” mund të  qëndrojë  lart si dukuri estetike, po  nuk u bë  fakt  letrar në atë  kohë siç u bë  përkundrazi “Dashuria e Mimozës”, të cilën  do ta  përfshinim   në realizmin  kritik  dhe jo  në realizmin  socialist.
Le t’i  rikthehemi debatit  në shtyp: çuditërisht  Kadareja s’e ka  dhënë  ende përgjigjen e vet  “letrës së hapur” të  kolegut të tij; në vend  të tij  janë përgjigjur  botuesi dhe admiruesit e tij.
Ndër  artikujt e botuar më ngjan disi e skajshme  indinjata e Spartak  Ngjelës, e shprehur  në aforizmin “Shenjtorët  nuk preken” në artikullin e tij të  botuar te “Gazeta Shqiptare” e datës  24  korrik 2014 ku afirmohen  vlerat  evropiane të veprës  së Kadaresë, madje  edhe disidenca e tij dhe jepet  mendimi se Jorgaqi “atakon” një shkrimtar “me  staturë botërore” me qëllim për t’ia  zbehur vlerat  veprës së tij.  Madje në këtë shkrim  hidhet  dyshimi se Jorgaqi  përpiqet  në këtë mënyrë  të  mbrojë  “realizmin  socialist”.
Në fakt,  Jorgaqi nuk ia  hedh poshtë  Kadaresë  gjithë  krijimtarinë, po ndalet  në një vepër të tij që në  të  vërtetë nuk i shton  shumë lavdisë  së shkrimtarit, as konflikteve të  tij me  diktaturën.
Jemi të mendimit që  Jorgaqi  kishte plotësisht të drejtë  të mbronte  veprën e vet nga kritika negative  e padrejtë e Kadaresë, madje  edhe vepra të tjera  me vlerë të botuara  në atë kohë, çka  nuk do të  thotë se mbron “realizmin socialist”, po  ato  vlera që i  mbijetuan kohës (si i mbijetoi, ta zemë, vepra e Dantes  rënies së  perandorive mesjetare  apo vepra e D’Anuncios  rënies së  diktaturës fashiste).  Jo të  gjitha  veprat  e shkruara  në diktaturë mund të identifikohen  me “realizmin socialist”, madje  vetë ky  drejtim  në vende  të tjera  evropiane mundi të  jepte vepra të nivelit të lartë, meqenëse  e keqja  nuk qëndronte në vetë drejtimin, po  në  degjenerimin  e tij  nën trysninë e partisë-shtet dhe sociologjizmin  vulgar.
N.Jorgaqi i kaloi  caqet  duke  shfaqur  dyshime  për një  mistifikim nga ana e Kadaresë  lidhur  me romanin e fundit, duke  mos  pasur, as fakte  të sigurta, as  argumenta  të mjaftueshme (heshtja e Kadaresë për atë  roman mund  të shpjegohej  shumë  mirë  me pakënaqësinë  e tij me  këtë vepër  apo me  vetëcensurën).
Si  Kadareja  ashtu edhe Jorgaqi e kanë  konsoliduar  tashmë  vendin e tyre  në hartën e letërsisë  shqiptare (ndonëse mund  ta plotësojnë  ende).  Gjykimin përfundimtar  për ta  do ta  japë  kritikja  më e  mirë – koha.
Ndërkaq do të  ishte  me  vend  që të  dy  shkrimtarët të respektonin  krijimtarinë e njeri-tjetrit  dhe që  palët e  tjera  të mos i hidhnin benzinë  zjarrit të  kontradiktave  midis tyre.

NACIONAL