Në
Leningradin e vitit 1960, në kafenenë ku ulej për të biseduar për
poezinë me Ana Akhmatovën, Joseph Brodsky do të takonte për herë të parë
Marina Basmanovën. Ishte e hënë. Ajo dhe Ana sapo kishin lënë studion,
për të takuar djaloshin që shkruante vargje të ndjera. Marina, piktore e
re ruse po realizonte një portret për Anën. Nuk ishte e lehtë të merrje
miqësinë e Ana Akhmatovës. Ajo kishte qenë e famshme që me fillimin e
Luftës së Madhe, një talent që mishëronte jetën bohemiane të Shën
Petërburgut perandorak. Por Brodsky kishte mundur të futej lehtë tek
ajo, përmes vargjeve të tij. Ky qe takimi i tyre i parë, nën qiellin e
Leningradit, ku bisedat kalonin përmes pikturës dhe poezisë. Një takim
që nuk do të mbaronte aty, për të vijuar më pas në studion e Marinës dhe
shëtitjen në rrugën që po pushtohej nga errësira. Që atë ditë, Joseph
Brodsky e ndjeu se Marina Basmanova do të ishte një femër e rëndësishme
në jetën e tij. Pak kohë më pas, teksa shihte historinë e tyre të
reflektuar në piktura, ai e kuptoi se e donte këtë grua. Brodsky
shkruante vargje të cilat ia lexonte teksa ajo hidhte ngjyrat mbi
telajo. “Aq e huaj na dukej çdo surprizë/sa përqafimet tona trup me
trup/turpëronin çdo psikanalizë…”, shkruante ai. Janë pafund vargjet e
dashurisë që ai i shkroi asaj, në Leningradin që përhumbej mes
tensioneve politike. Si artist ai nuk mund të duronte dot censurën e
vendosur nga komunizmi. Marina nuk ishte vetëm e dashura e tij, por dhe
mikesha më e mirë e bisedave për artin dhe politikën. Lidhja me këtë
grua, ashtu si Brodsky shprehej do ta bënte poet. Fitues i çmimit
“Nobel” në letërsi më vitin 1987 Joseph Brodsky është një nga
personalitetet e letrave ruse. Ai lindi në Leningrad më 24 maj 1940.
Babai i tij, Aleksandër Brodsky, ishte fotograf i njohur. Nëna, Maria
Volper, ishte përkthyese letrare. Atmosfera intelektuale në të cilën u
rrit do të ndikonte në prirjet drejt letrave të djaloshit. Prindërit e
futën që të vogël të studionte gjuhë të huaja, çka e ndihmoi të lexonte
autorë të ndaluar perëndimorë. Miqtë e kujtojnë atë si një njeri të
pazakontë, me një karakter të pavarur. Me ndjesinë e një artisti, ai
ishte gjithnjë në kundërshtim me sistemin sovjetik. Mënyra e tij e të
menduarit, ishte kundër filozofisë së komunizmit. Propaganda dhe
portretet e Leninit në shkolla do ta lodhnin.Ndaj,
në moshën 15-vjeçare, ai vendosi të linte shkollën dhe nisi të bënte
punë të ndryshme, deri në sanitar në morgun “Kresty”, ku dhe u burgos
për shkak të një incidenti. “Thjesht ,nuk munda të duroj disa surretër
të klasës sime dhe kryesisht, mësuesit. Dhe ja, në një mëngjes dimri, pa
ndonjë arsye të dukshme, u ngrita mes mësimit dhe në mënyrë
malodramatike u largova, duke ditur mirë se kurrë nuk do të kthehem”,
kujton ai. Në moshën 16-vjeçare ai zbuloi pasionin për poezinë dhe nisi
të shkruante. Takimi me poeten e njohur ruse, Ana Akhmatova, në vitin
1961 do të ndryshonte përgjithmonë marrëdhënien e tij me poezinë.
Akhmatova e inkurajoi djaloshin të vazhdonte të shkruante, pasi vargjet e
tij ishin të bukura. Ajo e prezantoi atë me një rreth të njohur poetësh
dhe shkrimtarësh në Rusinë e atyre viteve, çka do ta ndihmonte Brodskyn
të orientohej drejt rrugës së duhur. Pikërisht në këtë kohë ai u njoh
me piktoren Marina Basmanova, e cila do ta frymëzonte të shkruante një
koleksion të tërë vargjesh me dedikimin M.B. Regjimi sovjetik do ta
sulmonte Brodsky-n, pasi shkroi poemën “Isaku dhe Avraami” bazuar në
Dhiatën e Vjetër, të cilën ai u përpoq ta botonte në vitin 1963. Ai u
arrestua dhe gjyqi ndaj tij u kthye nga qeveria si një spektakël për të
frikësuar të gjithë intelektualët që guxonin të dilnin kundër censurës.
Ende kujtohet përgjigjja që ai i dha gjykatësit, kur e pyeti për
profesionin. Poet, tha Brodsky. Poezitë e tij u akuzuan që dëmtonin
komunizmin dhe u dënua me 5 vjet punë të vështirë. Brodsky u internua në
një fshat të largët në veri të vendit. Internimi i tij solli reagimin e
intelektualëve të kohës, mes të cilëve dhe Sartri. Marina shkoi të
jetonte me të në ato kushte dhe në vitin 1965 ajo u bë nëna e djalit të
tij, Adrei. Por lidhja e tyre nuk mund të regjistrohej në regjistrat
sovjetikë, të cilët nuk e pranuan asnjëherë. Ajo e regjistroi djalin me
mbiemrin e saj. Pas protestave të gjata, Brodsky kthehet në Leningrad në
vitin 1965. Në të njëjtin vit një përmbledhje e poezive të tij u botua
në SHBA. Ndërsa në Shën Petërburg, poeti u detyrua të shkonte në një
spital psikiatrik. Kjo situatë pa kthim në raportin mes tij dhe
komunizmit do ta bënte Brodskyn të mendonte arratisjen. Më vitin 1972 ai
arratiset nga Bashkimi Sovjetik duke bërë një ndalesë në Vjenë, më pas
në Londër për të mbërritur në SHBA. Për shumë vite ai punoi si profesor
në disa universitete. Në vitin 1978 ai mori titullin doktor në letërsi
nga Universiteti i Yale-s. Në vitin 1979 u bë anëtar nderi i Akademisë
së Arteve Amerikane. Gjatë qëndrimit në Amerikë, ai u përpoq të merrte
prindërit. U shkroi shumë letra ambasadave, autoriteteve përkatëse, por
regjimi sovjetik nuk ia bëri të mundur diçka të tillë. Në vitin 1980 ai
botoi një libër kushtuar Marina Basmanovës, me të cilën nuk mundi të
shihej më pas ikjes në SHBA. Ndaj do t’i kushtonte vargje dhimbjeje
poetit, për gruan që dikur e bënte të shkruante vetëm për dashurinë.
Largësia do t’i kushtonte shumë kësaj marrëdhënieje dhe në vitin 1990
Brodsky martohet me studenten e Sorbonës, Maria Sozzani, me të cilën
lindi një vajzë. Poezitë dhe esetë e tij nuk ishin vetëm për dashurinë.
Brodsky ishte një antikomunist, prirje të cilën e shprehu hapur në
poezitë politike që shkroi. Në fjalimin e mbajtur në Akademinë Suedeze
gjatë marrjes së çmimit “Nobel”, ai ia dedikoi çmimin njerëzve që kishin
ndikuar në rritjen e tij si poet, mes të cilëve dhe Ana Akhmatovës.
“Zemërimi, ironia apo indiferenca e shprehur nga letërsia në lidhje me
shtetin, është në thelb, reaksioni i të përhershmes, më saktë të themi –
i të pafundmes, kundrejt të përkohshmes, të kufizuarës. Të paktën deri
atëherë kur shteti do t’i fusë hundët në punët e letërsisë, letërsia ka
të drejtën e vet të ndërhyjë në punët e shtetit. Sistemi politik, forma e
rendit shoqëror, sikundërse çdo sistem në tërësi, është, për vetë
natyrën e saj të përcaktuar, formë e kohës së shkuar që rreket ta quajë
veten formë të së tashmes (shpeshherë edhe të së ardhmes), dhe njeriu,
profesioni i të cilit është gjuha, është i mbrami që mund t’i lejojë
vetes ta qesë në harresë këtë gjë. Rreziku i vërtetë për shkrimtarin nuk
është dhe aq mundësia (dhe shpesh siguria) e përndjekjes nga shteti,
sesa mundësia për t’u ndier i hipnotizuar nga tiparet e shtetit, të
cilat, të përbindshme apo të nënshtruara ndryshimeve për mirë, janë
përherë të përkohshme”, do të shprehej ai. Brodsky është përkthyer në
shqip nga Agron Tufa. Vetëm pas rënies së regjimit komunist ai mundi të
kthehej në Rusi e të takohej me të birin. Brodsky vdiq nga një atak në
zemër në moshën 56-vjeçare.