FESTIVALI I
GJINOKASTRES
DHE SHEMTUESIT
E KOSTUMIT KOMBTAR
SHQIPTAR
Edhe këte sahat naltë në Kala, e keni
zhgulë në Kishat Katolike të Shkodres!
Ditë e natë u mendue vetem si me e shkatrrue,
plaçkitë e me e qitë faret qytetin e Shkodres!
Po, edhe Rozafa... vazhdonte punen e Saj: “Me u
mëkue disa Burrave me qumështin e vet, ata tipare të pavdekshme të Trojeve
Ilire, që ruente thellë nder temelet e gurt’ e Saj historikë!
Kostumi kombtar i Shkodres, trashigohej dhe
ruhej si rrelike nder shtëpijat tona!
Nëse nuk perdorej... Ai shihej në të gjitha
dhomat e pritjes së shtëpijave të vjetra, kjoftë edhe nder fotografi që vareshin
në krye të vendit. Stergjyshët tanë vazhdonin me na nderue edhe ne!
Arkat e vjetra të grave ishin të kudondodhuna me
thesaret e Etnografisë sonë kombtare.
Kostumi kombtar shkodranë i grave shihej nder
disa raste i veshun nga gjyshja ime Ninja e Pjeter Prennushit, Lezja, nana e
Gasper Ugashit, Maria e Gjon Mark Shllakut Rusit, Zina e Kolë Dajës, Ninja e
Kolë Gurashit, Shaqia e Shan Tarrnakut, Silja e Zef Krajës, Katrina e Gjelosh
Shalës, Roza Krroqi e ndonjë grue që koha më ka shlye emnat e tyne. Ndersa,
gratë kosovare që kanë jetue në Shkoder, binin në sy per veshjen e tyne
kombtare dhe shumë të bukur tue fillue prej të shoqes Zef Batalakut, Luigj
Shalës, Mati Thaçit, Pashko Berishës, Tade Shirokës etj...
Kostumi i grave shkodrane e tham pa pikë dyshimi
se asht i papersëritshëm edhe nder vendet tjera të qytetnueme. Bukuria e tij
tregonte kulturen shekullore që trashigohej nder breza...
Ishte i vetmi kostum kombtar i mbetun në një
qytet Martirë, në Shkoder; mbasi nder qytetet tjera të Shqipnisë veshjet e tyne
kombtare ishin “asimilue” nga turqit, sllavët dhe grekët... Prandej, dhe ai
duhej perçudnue mbas viteve 1967, ashtusi, mendohej me e shpartallue edhe
Shkodren!
Këte fakt e verteton “Festivali Folklorik i
Gjirokastres”...
Fara e qytetnimit Europjan në Shkoder nuk
shqimet kurrë!
Nga familja shumë e vjeter Kamsi njoha në vitin
1978, në moshen 84 vjeçare Burrin e dijtun e trim, mikun e Luigj Gurakuqit,
Gjon Kamsin. Një ditë më dha një leter që i kishte shkrue Kryetarit të
Institutit Folklorit në Tiranë, shokut Profesor Zihni Sako... Sigurisht, me
shpresë se ajo leter, do të shkojë në zyret dhe tavolinat e të gjithë atyne
“profesorëve” (ose edhe ma naltë), që mendonin dhe punonin pa pushue me turpnue
veshjen e Grave Shkodrane.
I kerkova leje me e kopjue! Ai më dha atë të
drejtë, tue shtue që “mbasi t’a lexoj, me i dhanë pershtypjen time per
permbajtjen e saj!”
Unë do të botoj letren e plotë, pergjegjen e sh.
Zihni Sako, dhe pershtypjen time t’ atëhershme:
“Shokut Profesor Zihni Sako, Drejtuer i Institutit
të Folklorit Tiranë.
Shkoder, me 30 Tetuer 1978.
Në Festivalin folklorik të Gjinokastres i
zhvilluem sivjet, më ka ra në sy paraqitja e grues shkodrane, e kerkueme, si
thonë, në veshjen e saj, pa brenavekë fill në këmishë e tlina.
Nji paraqitje e tillë e kerkueme nuk dihet perse
e me ç’ qellim folklorik ka pasë jo pa arsye, nji gjykim të randë nga ata qi
kanë ndodhë ta shofin qysh në çfaqjen e parë, qi asht dhanë në nisjen e grupit
folklorik të Shkodres per Gjinokaster.
E asht per atë arsye e të botës së pranishme,
vendase e të huej në atë çfaqje festivali, qi po due të theksoj gabimin e randë
të ndryshimit të veshjes së grues shkodrane, nga me brenavekë në atë me këmishë
e tlina me bohçe perpara. Ndryshim qi nuk difton asgja të mirë folklorike e
estetike.
Brenaveku nuk asht ashtu si mendohet nji veshje
e thjeshtë me kinda por nji veshje mëndafshi të zi a vjollcë, me kambësa
gajtani të kuq e qendisje mbi cohë të kuqe, lulesh me tehri të zezë, qi
mërrijnë te pulpat e kambës dhe me të perparme, aty ku lidhet në bel me ushkur,
nji ermaç të madh në trajtë zemre, edhe ky i qendisun po ashtu mbi cohë të kuqe
me tehrina të zeza. Per rreth belit, mbi brenavekë, ka brezin e mëndafshit
shumë ngjyrash.
Mandej, brenaveku nuk veshet fill mbas tlinave të ndjeshuna trupit, por
mbi të bardhë me kinda, per nji dukje ma
të hieshme të brenavekëve mbi trup.
Prandej, brenaveku në punimin e veshjen ndjekë
nji kujdes të posaçem të terzis per kambëzat e ermaçin, dhe të grues.
Grueja shkodrane nisë veshjen fillim e mbarim
kështu:
a. Ma parë, njiheri me
tlinat, nji fanelë të hollë me mangë, e bardhë ose e drandofilltë, të veshuna
per mish: Fanela e gershetueme në qafë me nji kordelë, qi lidhet në gushë në
trajtën e nji flutres.
b. Të bardhat pambuku me
kinda me këmishen harkat siper fanelës, me qafë e me grykë, e punueme me
gjylpanë.
c. Jeleku mëndafshi me
lule, merthehet në bel me fodulla të qendisuna me ar e lagjyhera, me komçe të
punueme nga argjentarët;
d. Brenavekët me brez të
mëndafshit si u tha ma naltë;
dh. Mbi
krye me flokët të lidhuna bishtalec, ven sallmanin të qendisun me tertil e
lagjyhera e inxhi, i merthyem
mbi krye me nji lidhcë të gjanë, të qendisun gjithashtu;
ë. Sipri sallmanit degermia e qendisun me lule,
fije mëndafshi të bardhe e diku nëpërte edhe fije ari, e cila, merthehet mbi
krye rreth lidhcës së sallmanit dhe bije krahëve mbi xhybe.
e. Xhybja – pa mangë, e punueme me cohë të kuqe
dhe e qendisun me leheri të zezë, me lule e pikla të kuqe. Asht e punueme e
artit të terziut edhe në premjen e saj, dhe sa e ndjeshun per shpinë aq e gjanë
mbi brenavekë dhe, në hapjen e saj kah parzma asht e stolisun me sumulla vezake
mëndafshi, të zeza me majuca të kuq o të mëndafshta t’ arta.
f. Kambët me çorapë të shkurtë të pambukët a të
leshtë, të bardhë simbas stinës, mbështetë mbi pashmangë me shtrijë të
qendisunen e artë, si gjithashtu, siprina e gishtave qi maron në majuca o me
stivaleti lustrafini të vizatuem e të merthyem anash me sumbulla xhixhë.
g. Marama tisi të bardhë, e hollë dhe e gjatë
deri në gju, aty kah fundi ka nji shirit të qendisun me fije mëndafshi ngjyrë
të kuqe dhe në mes ari, dhe vihet kur grueja del me shetitë. Ajo mbëlon me nji
shestini rreth fëtyrës, me krahët, krejtë të perparmen e trupit.
gj. Japanxha në të kuq të kjartë cohe, pa mangë,
mbëlon trupin deri në gjuj dhe ka nji jakë permbrapa që hidhet mbi krye dhe
lidhet nen mjekerr me nji fije tertili të artë. E perparmja e hapun asht e
qendisun në dy anët e kapakëve me lule të mëndafshta ngjyrë të verdhë, të kuqe
e të qielltë, dhe ka në dy anët e supeve xhufka të mëdhaja me po ato ngjyra, të
cilat derdhen mbi krahë.
l. Parzma ka per stoli gushoren (gjerdan a
kolanë) dhe varsen per dupa, sinxhirin e sahatit me kapakë ari, në veshë ka
vathët e vjerruna, në gishta të dorës unazat me gurë dhe, në kyq të dorës
bylyzykët. Gjithë stolia xhevahiresh të argjentarëve zanatçi shkodranë.”...
Kostume Shkodrane nga
Piktori Kolë Idromeno
Grueja shkodrane, me atë veshje madhshtore të
saj ka ndejë perkrah burrit, i veshun ky jo me tirqi të bardha, qi asht veshja
e pergjithëshme e Maleve të Veriut të Shqipnisë, por me brenavekë të zezë, kur
si grueja që zavendsoi ragjen në brenavekë, poashtu, brijë burrit që edhe ky,
zavendsoi shallvarët cohe të kuqe me brenavekët. Gjithashtu mbështolli inat me
brez mëndafshi me ngjyra. Veshi anteri kumashi të kuq me vija të zeza të
qendisun me tehri. Në parzem të burrit, këmisha e rrahun e ngrime në ujti me
perrreth sumbullat e mëndafshta vezake të arta ose të zeza, me majuca të kuq të
kapakëve të anterisë. Në qafë qafëzen e ngrime, e rrahun në ujti me kravatë të
mëndafshët të zezë, të lidhun flutur, të
cilat zevendsuen gryken e këmishës harkate e punueme me gjylpanë e shtrime
perrreth qafës; jeleku cohe të kuqe i punuem nga terziu me tehrie lule dhe në
buzë të jashtme të kapakëve, gjatë tyne të ngjituna sumbulla të arta mëndafshi
ose të zeza, dhe në maje të kuqe; në krye fes të kuq të madh me xhufkë që
derdhej mbi supa e që u zevendsue me fes të kuq të rrasun mbi krye (tanuz),
gjithnji me xhufkë të madhe të kaltert, sahat me zinxhir perrreth qafës dhe
revolver me dorezë sermi të punimit të argjentarit.
Kjo veshje e grues dhe e burrit fillim e mbarim
kuq e zi të Flamurit Kombit, dhe karakteristike në të gjithë Ballkanin, per atë
bukuri stolinash asht njoftë e vlersue në shkrime e botime europjane si në
Vjenë, Budapest e Triestë, Venedik e Romë të shetinave shkodrane të hershme e
të vona, në krejt Dalmacinë, Bosnjen e Malin e Zi, ku puntorë zanatçi shkodranë
per veshje kombtare, kerkoheshin e punojshin veshjet e popullit të tyne.
Familja e Krajl Nikollës së Malit të Zi, asht
sherbye per veshjet e mbathjet nga zanatçi shkodranë si, po permendi ata ma në
za si kje: Gjon Gjo Kola e Lazer Çefa, të cilët, edhe u kanë mësue fëmijve të
asaj familje edhe gjuhen shqipe, të cilët e kanë folë edhe në moshen e tyne
madhore, si Elena, mbretnesha e Italisë.
Në Boston të Amerikës, asht njoftë veshja e
grues shkodrane me anë të së shoqes së burrit Kini i Mati Kokës, i vuem, si
thotë Imzot Noli, nga shqiptarët e atyshem, në mbrojtje të tij nga frika se mos
e vrasin grekët, per ndamjen e Kishës me themelimin e Kishës Autoçefale
Ortodokse Shqiptare, me liturgji në gjuhen shqipe, nga ajo greke të propagandës
së Jugut të Shqipnisë, si Vorio – Epir grek.
Ajo grue e hishme e Kinit Mati Kokës, në veshjen
e saj shkodrane si në paraqitjet, në pritjet në shtëpi dhe në shetitjet jashta
shtëpijet asht qitë në fotografi nga fotografi Marubi i Shkodres, dhe asht
perhapë me kartolina të shtypuna të Alterocca – Termi i Italisë. Rishtypë tash
vonë në nji botim të nji artikulli të filologut Dr. Eqrem Çabej, në revisten
“Knjiga o Balkani I” e Belgradit, me emertim “Zivot i običaji Arbanasa” (Jeta
dhe doket e Shqiptarëve), me të cilën rishtypje ka ndriçue veshjen shqiptare me
veshjen e grues shkodrane.
Si para tij asht edhe në botimet e permenduna të
konsujve të Francës së Shkodres Heqvard e Degrand, të Inglizës Miss Edith
Durham, të austriakut Theodor Ippen e të hungarezit Baron Dr. Franz Nopcsa. Me
atë veshje të grues shkodrane madhshtore të artit punës dhe e pasun stolinash
të mëndafshta e të arta, gratë e hueja Konsujsh e të tjera, e kanë pelqye të
dalin në fotografi të Atelierit fotografik Marubi, dhe të zbukurojnë odat e
pritjes kudo në vendet e tyne.
Sot, këtu në Shkoder, nuk shifet ma, asht ndrye
në arkat e nusisë së plakave në Muze, pse edhe ajo kohë e artë e qytetit asht
kthye në ate të thjeshtë të veshjes frenge, e pergjithshme në mbarë qytetin. Ka
mbetë tash në veshjen e Maleve e të katundeve të ndrituna me ato stolina sermi
në parzmat e tyne e qendisjet e tyne, nanë e bij, në të cilen, gjithnji ruhet
ajo ngjyrë kuq e zi e Flamurit të Kombit, i perjetsuem në atë petk shajaku, në
koret, kuq në pjesen e siperme e të fundit, dhe zi në mes të petkut.
Janë per t’ u kujtue per punen e artit të tyne
të veshjes terzitë, mjeshtra Gjok Baba, Mati Tukja, Kolë Raboshta, Mati Ujka,
Gjon Shahini e Zef Nikoll Gera, i qitun ky me puntorët në kartolina nga
fotografi Marubi, me nja 40 puntorë zanatçi në dugajtë e tyne të qytetit per
veshjet e grave dhe të burrave.
Në Pazarin e 2000 e sa dugajve per veshjet e
Maleve e të katundeve në sokakun e veçantë, i quejtun i “Tallaganxhijëve”,
ishin Filip e Jakë Beni, Shan Çefa, Gjon Curani, Kolë Bazhdari, Simon Kadarja,
qi kje edhe poet nen pseudonimin Dimo Akasari, me vjerrshat e tija në të
perkohshmen shqip “Albania” e vjetit 1897 e ma vonë.
Argjentarët per vathë e unaza, bylyzykë e stolina
të parzmave të grave, çibukë, zinxhir sahatash, doreza armësh, kutija duhani e
cingarishte me të tjera filigrane, si në qytet Tuk Jakova, Pjeter Logoreci,
Kristo Jakova, Pjeter Bedeni, dhe në Pazar, në sokakun e quejtun i Kujxhijëve
ishin: Cin Jakova, Gjon Cepi, Nush Cepi, Luigj Bedeni.
Mendova me ju dhanë nji pasqyrë sa ma besnike të
veshjes shkodrane, tue pa të persëritun lanjen e saj mbasdore me Albumin e
Artit Popullor të Shqipnisë, dhe e shemtueme në këte çfaqje Festivali
Folklorik Kombtar në Gjinokaster të këtij vjeti 1978.
Me shpresë se interesimi i Juej, si
drejtuer i Institutit të Folklorit, nuk do ta lejojë ma, të persëritet ma ajo
paraqitje e veshjes së grues shkodrane në atë mënyrë të shemtueme,
me nderime ju
pershndes,
Gjon Kamsi (firma d.v.)
Drejtuesi: Rruga Sumej, nr. 114
Shkoder
Shenim nga F. Radovani: Letra asht kopjue
pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Theksimi në
fund asht ba nga ana ime.
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Akademia e Shkencave
Instituti i Folklorit Tiranë, me 16.XI.1978
Shokut Gjon Kamsi Shkodër
Letren tuaj në lidhje me vrejtjet rreth
kostumeve të grave shkodrane e mora.
Ju falemnderit. Shënimet tuaja janë interesante,
por që ato kanë probleme që duhen studjuar.
Si duket nga shënimet tuaja ju keni njohuri të
mira për kostumet e qytetit të Shkodrës.
Do t’ ju sugjeroja që ato ti zhvillonit në një
punim më të gjatë, me ilustrime e vizatime me ngjyra.
Nga ana tjetër të mund të gjenit fotografi në
banorë të Shkodrës, dhe një kopje t’ ia dergonit sektorit të etnografisë pranë
Institutit të Historisë, që ka punonjës që merren me veshjet.
Unë si Kryetar i Komisionit për veshjet
kombëtare, letrën tuaj do t’ ua kaloj etnografëve të sektorit të etnografisë,
të cilët mund t’ u sugjerojnë për metoden e studimit mbi veshjet për të cilat
bëni fjalë, si dhe për të dhenat rreth mjeshtrave që kanë prerë, qepur e
qendisur kostume të tilla.
Drejtor (Zihni Sako)
firma, vula.
Zotni Gjon Kamsi,
Mendoj se:
Perderisa ka probleme që duhen studjue, duhet t’
ishte në festival, mbasi nuk besoj se ka ndonjë kostum që s’ ka probleme...
Sugjerimi për një studim ma të gjatë asht i
vlefshem per studjuesit e sektorit etnografisë së Institutit të Historisë, të
cilëve, do t’ jua kishte anda me e marrë gati, bile edhe me ilustrime, vizatime
e materiale fotografike.
Etnografët e sektorit etnografisë, të cilët,
mund t’ ju sugjerojnë metodat e studimit, do të bajshin mirë me e lexue nja 3
herë letren Tuej, e mandej me mësue prej saj.
Ju falnderoj per kopjon e dorshkrimit të këtij
materiali, të cilin, unë do t’ a studjoj me shumë kujdes, do të punoj vizatime
dhe do t’ a ruej shumë, mbasi per kohen e ardhëshme ky asht brilant i kostumit
shkodranë.
Me shumë respekt Fritz Radovani.
Shkoder, 30 Maji
1981.
Shenim nga FR: Duhet shenue se n’
aktet Burrnore të Shkodranit nderuem Gjon Kamsi, mbetet në memorjen e Historisë
së qytetit Martir të Shkodres, letra e Tij, drejtue në maje të kupoles së
terrorizmit komunist anadollak, per “shpetimin e shkatrrimit të Vorrezave të Rrëmajit”;
një projekt disa herë i menduem dhe i projektuem nga shteti...mbas 1967.
Kenja e atyne Vorrezave sot, i dedikohet
guximit të pashoq t’ Atdhetarit Gjon Kamsi.
Melbourne, 2014.