15 September 2014

At Konrrad Gjolaj O.F.M / Vizita e Papës Gjon Pali i Dytë

At Konrrad Gjolaj O.F.M

 At Konrrad GJOLAJ O.F.M
 (1918 – 2000)
NJI  VIZITË  E  PRITUN  PREJ  SHEKUJSH
 Vizita e Shejtnisë së Tij Gjon Pali II, dashtë e padashtë, do të hyjë n’ analet e historisë si ajo ma e shkurta ndër komunitete, gati si provë e s’ dij se çkahit, si nji udhëtim nga A në B, rekord i vërtetë shpejtësie.
 Shtypi katolik e ai laik, agjensitë botnore të lajmeve, ndoshta edhe vetë qarqet e Vatikanit e patën shumë të vështirë t’a percaktojnë e t’i japin nji emen këtij evenimenti tepër të madh per vendin tonë të vogël. Sepse asht përnjimend e vështirë me përcaktue karakterin e kësaj lëvizjeje fort të shkurtë, me nji program ma se konçiz për t’u quejtë “pelegrinazh” për nderim të gjakut të derdhun gjatë 500 apo 50 vjetëve.
Nuk mund të quhet as ost-politikë e Vatikanit, pse nuk pat asnji element të kësaj natyre, posë nji puthjeje toke, puthje duersh, fjalime e përshëndetje për popullin shqiptar e për lidhjet e tij të vjetra me Selinë e Shejtë.
Qe pozitiv tipari i vetëm se nuk pati asnji incident, as prej të huejve, as prej vllazënve të vjetër, as prej anmiqve të sotëm.
Nuk mund të ndodhte ndryshe.
Zyrtarisht u tha se kjo vizitë kishte për qellim të vetëm, shugurimin e katër ipeshkëve shqiptarë. Ashtu duhet të ketë qenë. Por ndoshta faqja tjetër e medaljes mund të jetë edhe ma interesante. Shumë shprehje tepër bombastike për miqsinë e vjetër ndriçuese...por gati kurrgja për pozitën historike të kristianizmit në Shqipni, as për rezistencën primare kundër metodave dhe eksperiencës së komunizmit shkencor, koncentrat i të zezave të nji periudhe jo vetëm 500 vjeçare, por 2000 – vjeçare.
 Vlera e nji populli matet me forcën e kulturës së ndërgjegjës, aftësinë aktive në mjedisin ku jeton dhe aftësinë e transmetimit si rrezatim ndriçues të kozmopolitizmit, përçues ndër vende e nëpër arteriet e etapave historike të kulturave etnike, të pasunisë së traditave, gojëdhanve e sagave, shprehje të dinamikës. Matet edhe nëpër forcën e rezistencës së tregueme gjatë atapave historike të pafavorshme. Nji popull asht aq i madh sa të jetë e madhe rezistenca e tij. Nji popull nuk zhduket si komb nga historia, shtypjet, okupacionet e kulturat anësore, po qe se ai ka me çka të rezistojë, madje, po pati vitalitet e thesar kulturor e sidomos shpirtnor që t’asimilojë t’ ardhunit, qoftë edhe me armë.
Banorët e gadishullit të Ballkanit Përendimor, të papërcaktuem si fuqi etnike qysh më zhdukjen e forcës ushtarake romake dhe të stancimit filozofok grek, qendrojnë në histori vetëm në saje të ruajtjes së zakoneve e traditave të mbështetuna përherë në boshtin fis–gjak, të ruejtuna që prej fillimit të Erës së Re. Ndonse qe fjala për nji shoqni shumkombëshe, për arsye të ligjëve t’ egzistencës ajo kuagulohet tue marrë tiparet e nji shoqnie tribale plot me vlera historike. 
 Asht kjo periudhë që, si rrjedhim i ballafaqimeve të ndryshme në trekandshin ballkanik, qet në sipërfaqe  nji përmbledhje gjithë kontradikta, si rrjedhim i fillimit të përplasjeve të dyndjeve të hueja dhe popujve vendas, që përfundon me zhdukjen e dalëngadalshme por sistematike të sistemit ekonomik e politiko – etnologjik të të dyja palëve, tue nxjerrë në dritë nji shoqni shumënyjshe, tepër heterogjene, pa kurrfarë tiparesh as të trashëgimnisë së kalueme historike, as të atyne pushtuese të ndryshëm që dominuen mbi këta rajone.
Vetëm mbas invadimesh të njimbasnjishme të sllavëve dhe formimit të shtetit sllav në shekuj të mavonshëm, të coptuem në krahina të vogla, ata do të luenin rol me randësi, herë pozitiv, herë negativ, sidomos në periudhën historike të invadimit osman, bashkë me etnitetet e vogla fisnore, mbetje etnike të popujve të ndryshëm të vjetër.
Asht interesante të konstatohet se edhe etnia e vjetër greke pëson ndryshime të mëdha psikologjike e kulturore, tue mbetë materialisht vetëm si kujtim i gjuhës e i kulturës së vjetër greke, plus shtresave të dinastisë së vjetër: bizantinizmit dhe levantinizmit.
Era kristjane luen nji rol me randësi në formimin shpirtnor, por edhe në galvanizimin  etniko – kulturor, tue ruejt mbrenda strukturës së re etnitetin kulturor e tradicional fetar, pak a shumë të pastra, por gjithmonë të forta. Forcat e doktrinës kristjane vëprojnë ma intensivisht në fshat se në qytet, ku jetojnë klasat që mbajnë fuqinë në dorë. Megjithëkëte bërthamat ilegale të komunitetëve kristjane janë tepër aktive dhe përpiqen t’a transmetojnë shoqninë skllavopronare n’anë të depërtimit t’ ideve jetëdhanse të barazisë e dashunisë njerzore edhe ndër klasat sunduese.
Kur kristjanizmi legalizohet dhe bahet forcë zotnuese e drejtuese e asaj periudhe,  – dhe i tillë mbetet për shumë shekuj me radhë, – nisë me veprue mbi invadimet e popullsive sllave tue i ba pjesë integruese në mbarë aparatin administrativ, për me anue ma vonë në drejtim të Perandorisë Lindore, tue marrë gjithshkahën në dorë, që prej fuqisë ushtarake dhe deri n’ ate gjyqtare e periferike me njerëz vendas e tue e transformue krejt strukturën e vjetër. Kristjanizmi, shpeshherë i përçamë e i përndjekun, përpiqet të plazmojë jetën e mbrendëshme shpirtnore, strukturat familjare dhe ato shoqnore. 
Gjatë pushtimit të gjatë osman mbështetet n’ antitezën e popujve ballkanikë edhe si ruejtës i kombësive për gati 500 vjetë. Zhvillon luftat legjendare për vetëmbrojtje kombtare, kulturore e shoqnore, me Gjergj Kastriotin në krye, për hesap të vet e të Botës. Asht nji mrekulli historike se si nji grusht i vogël populli, nën gjithë atë shtypje psikologjike, ekonomike, kulturore e strukturore, shoqënore e fetare, i primë gjithmonë prej udhëheqsash të ndritun, të dijtun e plot ideal, të përcjellun përherë prej salvimesh, t’ ia mërrijnë të shpëtojnë kombsinë e nji populli të vogël, me të gjitha tiparet e nji populli të madh, si të gjitha kombet tjera, me nji kulturë, histori, tradita e virtyte të veta specifike. Kjo meritë i takon klerit katolik, që me vullnetin e çeliktë, me gjakun e derdhun pa kursim, me pishtarin e gjuhës e të dijes, i hapën rrugën popullit shqiptar drejt pamvarsisë e qytetnimit: lista e tyne, që prej Buzukut deri te Fishta, asht aq e gjatë sa nuk numrohet. Periudha e komunizmit, kulmi i barbarizmit të këtyne shekujve, synonte me la hesapet njiherë e përgjithmonë me klerin dhe katoliçizmin në Shqipni; këte e kanë të qartë të gjithë shqiptarët dhe kurrkush nuk mund të mohojë, as t’a shtremnojë. 
Ishte për këtë që pritej aq shumë ardhja e Shejtnisë së tij Gjon Palit II në Shqipni: shpërblim këtu në tokë i asaj rezistence burrnore. Pritej që të bekonte të gjitha vorret e martirëve të ramë gjatë këtyne shekujve ndër malet tona, luginat e fushat, të shpërndamë në të katër anët e Atdheut. Pritej me entuziazëm prej 500mijë katolikëve shqiptarë mbrenda kufijve, e po ashtu, prej vllazënve të tjerë kureshtarë, por të sigurtë për rranjët e prejardhjes. Kjo Kishë gati 2000 vjeçare, në vendin ma të afërt me Vatikanin për kah largësia gjeografike, nuk mjaftohej me nji bekim prej së largu. Ishte nji vizitë e pritun pothuej prej shekujsh. Por ç’ u kuptue nga fjalimet e mbajtuna zyrtare? 
Nuk u çek aspak se prej këtyne tribunave publike tirani dhe suita e tij çirreshin para Europës e mbarë Botës, se ia kishin mbyllë gojën Papës së Romës, dhe prej këndej baheshin  fyemjet ma provokuese që ka njoftë historia.  

Nuk u fol asnji fjalë për dhunimin barbar të Elterit të Shejtë të Katedrales Katolike, në rastin e delirit euforik të kongresit të grave të Shqipnisë me 1973. Nuk u dha kurrnji deklaratë publike se sot e mbrapa elementi katolik i Shqipnisë dhe kleri i tij, nuk do të vuejshin prej asnji forme të Gjenocidit të praktikuem deri tash... 
Ndoshta diplomacia shqiptare mbeti pak e zhgënjyeme nga që nuk ia doli t’ implikonte Atin e Shejtë ndër ngatrresat ballkanike, as me realizimin e vizitave të dyshimta, as me miratimin
për atë ost – politikë shqiptare të projektueme dikur në librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, të shpallun ma vonë prej Alisë e Çarçanit, e që korri “sukseset e para” nëpërmjet diplomacisë demokratike, me dorëzimin e krejt fushave katolike të Shkodrës e Maleve të Mirditës katolike, si konçesione afatgjata oazeve arabike, tue marrë shpërblim nji kothere bukë misri e nji kanaçe vajguri, për me ndezë përsëri këtu bishtukun famëmadh si “fener ndriçues i Europës”. Vizita e Papës u mbyll pothuej sikur nji eveniment i madh i zhvilluem në terr. 
Asht punë për mbas-median: bahet zhurmë e madhe për nji , dy, tri ditë e hidhet në histori, pa dijtë se kur nisi e kur mbaroi. Vetëm ajo thirrja e lëshueme Popullit Shqiptar prej Sheshit Skenderbeg, duhet të mbetët e ngulun gjithmonë: “Shqipni, qindro në naltësinë e kësaj beteje të madhe...” !

Konrrad Gjolaj, “Çinarët”, në faqe 226,  Shkodër 1966
- Ma parë botue në 
Revisten “Hylli i Dritës” 1993-  
 


Shenim nga F. Radovani
At Konrrad Gjolaj O.F.M. (ose Tomë Marku) (1918–2000) ka le në Velipojë të Shkodres. Ishte nxanës i Don Alfons Trackit. Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian në Shkoder dhe ata të naltat teologjike në Romë. Në vitin 1943 ka krye stydimet mbasuniversitare po në Romë, ku asht laurue për Dirito Canonicum. Në 1943 vjen në Shkoder dhe ishte profesor i Gjimnazit Fretenve. Në vitin 1948 arrestohet dhe mbas një viti hetuesi lirohet “pa faj”. Nuk pranon me nenshkrue Statutin e Kishës Katolike Shqiptare, perpilue nga shteti komunist, kështu me 10 Janar 1959, arrestohet bashkë me Don Dedë Malaj, që u pushkatue. At Konrradi lirohet në vitin 1972. Punon në punë të randa dhe jeton tek mesa e vet Angjelina. Në vitin 1994 fillon me shkrue librin “Çinarët”, ku pershkruen me saktësi pikrisht atë pjesë të pashkrueme të Historisë së vertetë të Popullit Shqiptar nën diktaturen komuniste.At Konrrad Gjolaj, mbasi i la Shqiptarëve këte thesar, mbylli sytë në vitin 2000.
 
***
Ky artikull botohet nga Fritz Radovani, në pragun e vizitës një ditore në Tiranë, me 21 Shtator 2014, të Shejtnisë së Tij Papës Françesku. 
Melbourne, Shtator 2014.