Djali i Kristo Kirkës, akuza të rënda në emisionin e Mustafa Nanos
Biri i vetëm i Kristo Kirkës
(autoritet i kohës së vetë, vdekur në burgun e Burrelit më 1955), Niko
Kirka, vuajti burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar, për 8 vjet
rresht. Edhe kur mbaroi dënimin, Nikos nuk i zunë këmbët vend, duke
shkuar nga një kantier në tjetrin, i ndjekur këmba – këmbës, nga
fantazmat ish- Sigurimit të Shtetit. Në fillim të viteve 90’ Niko Kirka
me familjen e tij, mori rrugën për në SHBA, ku ai kish lindur. Ai
vendoset ne Nju Jork me familjen. Niko Kirka ka ofruar detaje tejet
interesante të jetës së tij në emisionin “Jamais Vu” të Mustafa Nanos,
ku ndër të tjera ka spikatur revolta e tij ndaj promovimit publik në
vitet e demokracisë të njerëzve që në fakt kanë qenë të lidhur
ngushtësisht me sistemin komunist, veçanërisht strukturën e sigurimit.
Ai përmend Preç Zogajn, Elsa Ballaurin për raportin hipokrit me të
kaluarën e të atit, Artan Hoxhën si dhe godet fortë Amik Kasoruhon, i
dekoruar vetëm pak kohë më parë nga Presidenti Bujar Nishani si “Nderi i
Kombit”. Më poshtë është shkëputur pjesa e intervistës me Mustafa Nanon
ku Kirka përmend këta personazhe, sikundër nuk i ka denoncuar askush më
parë publikisht.
M.NANO: …Dëgjo, të të bëj një pyetje unë. Një pyetje sintezë. Çfarë mendoni për Abaz Ermenjin?
N.KIRKA: Abaz Ermenji ka qenë në pozita të drejta.
Të drejta?
Po.
Kur ka ardhur këtu vizitë në Tiranë unë kam qenë shumë kureshtar,
sepse e kam pasur dhe nga zona ime nga Skrapari. Kam marrë pjesë në një
takim që ai ka bërë në Akademinë e Arteve. Ai në thelb tha që
komunistët shqiptarë dhe Enver Hoxha kanë luftuar me tepër se ne. E mbaj
mend gabim?
Po kur kanë luftuar, pyes unë tani. Se shiko…
Me një fjalë nuk jeni dakord me atë çfarë ka deklaruar Ermenji?
Jo.
jo. T’i marrim me sira punët. Unë di që për të shkatërruar fraksionin e
Sadik Premtes, Mehmet Shehu ka dërguar Idriz Seitin për ti vrarë. Idriz
Seiti, ka vrarë me plumb në ballë komandantin e çetës, Xhemil Çakërri.
Më pas plagosi në dorë Ymer Vangjon. Domethënë këta partizanë që kishin
dalë të luftonin italianin, pushkën e parë nuk e shkrehën as kundër
italianit, as kundër milicëve por kundër shokëve të idealit. Pra vranë
njëri-tjetrin. Unë lexova përpara disa kohësh, një broshurë të Kostë
Çekrezit të quajtur, “Plani për ndarjen e tretë të Shqipërisë”. Kostë
Çekrezi ka qenë në një kamp përqendrimi në Francë dhe ai tregon që
Skënder Luarasi, Mehmet Shehu dhe Kudusi spahiu. Kur u zu njëherë me
Mehmetin, Mehmeti i tha: “Neve, ata që janë kundërshtarë të komunizmit,
kemi për t’i shfarosur”. Dhe ky e pyeti: “Po sikur shumica e popullit të
jetë kundërshtar?”. “Po”, – i tha Mehmeti, do t’i shfarosim. E tregoi
dhe realiteti, nuk i vrau, por i shkatërroi si njerëz. E shohim këto
turpet që shohim sot. Ka më turp, dalin gazetarët të bëjnë analizë dhe
më del Preç Zogaj. Që ka deklaruar vetë se ka qenë agjent i sigurimit.
Epo tani, të lutem tani. Ai do të na bëjë analiza? Del Artan Hoxha, e
çfarë t’i them Artanit unë tani? Që e kam dhe djalin e mikut, të Ilmiut.
Të drejtën për të folur, s’mund t’ia heqim apo jo?
Jo, unë nuk i heq të drejtën për të folur. Por pashë edhe Elsa Ballaurin. Që doli e filloi të flasë e të thotë se duhen të kërkojnë falje ata që kanë bërë të tilla. Po të kërkojë falje njëherë vetë Elsa, sepse i ati i Elsës, Robert Ballauri na ka dalë dëshmitar akuze neve. Të kërkojë falje për të atin njëherë e pastaj le të dalë të flasë. Tani si mund të pranoj unë që Presidenti i Republikës, më dekoron “Nder i Kombit”, për rezistencë, Amik Kasoruhon, që ka qenë spiun. Le ta dekorojë për çfarë të dojë, por këtë nuk e duroj dot. Këto janë gjëra të dokumentuara apo…?
Hapni dosjet, e keni të thjeshtë. Për të dokumentuar thua ti? Ja po të them unë mbi një dokument origjinal që disponoj. Po ta them me saktësi. Vjet, më 9 korrik 2012, në sallën qendrore të Akademisë së Shkencave, në orën 14:00, bëhej promovimi i librit të Uran Butkës, për tim atë, Kristo Kirkën. Atje, ishte Prof. Dr, Uran Asllani, djali i Fuat Asllanit, që kanë miqësi me këta. Kur erdhi të merrte librin Urani i thashë: “O Uran, vëllai yt Edi Asllani më ka thënë, që kur binte muhabeti për Amik-un, yt atë, ia bënte me shenjë: “Eh mor lere atë”. E ky më thotë: “Shiko, babai e justifikonte se qe i ri”. “Këtu më qëndro , domethënë faktin që ka qenë spiun e pranonte”?, – i them unë. “Po e pranonte, por qe i ri thoshte”, – më tha. Po i ri, 17 vjeç ishte ai po 19 vjeç isha unë, më torturuan por tjetër hesap ky. Le ta dekorojnë për çfarë të duan, për përkthime etj, por jo për rezistencë. Është fyerje more, për ata mijëra që rezistuan. A e dini çfarë do të thoshte t’i rezistoje atij regjimi për tërë jetën? Ishte torturë e përditshme, duhej njëherë të humbje identitetin tënd e të zhdukeshe midis turmës.
A nuk është pak e padrejtë të denoncosh njerëz që kanë vuajtur dhe nga presioni i kësaj vuajtje janë dorëzuar në një moment?
Shiko, për 20 vite iku, se kishte vjehrrin italian dhe rrinte atje. Për 20 vite ikte e vinte, nuk thamë gjëkafshë ne. Ama, të më dekorohet, për rezistencë kundër dhunës, atë nuk e duroj dot. Është fyerje për mijëra e mijëra të tjerë. E di çdo të thoshte t’i rezistoje atij regjimi? Ishte torturë. Sepse ti jo vetëm që nuk duhet të bije në sy, që të mos kujtoheshin ata që ti ishe gjallë, por duhet të mendoje e për gruan e të tjerë. Unë kur u martova me gruan, u martova me shkesi, ishte arsimtare. Pasi u bëmë me fëmijë e thirrën e i thanë : “O ndaj burrin, o do lësh arsimin”. E la arsimin dhe punoi 22 vite në NISH-GOMA.
Ti ke pasur momentet e tua të dobësisë? Kur ke qenë gati të dorëzohesh?
Jo, asnjëherë. E di pse? Ja po ta them. Sepse torturat kishin një gjë. Po të duroje ata 10 shkopinjtë e parë, mpihej trupi e nuk ndjeje më gjë. Më kanë çuar në buzë të varrit, as gëk e as mëk nuk kanë dëgjuar.
Vetëm se nuk është ndonjë gjë e tmerrshme të dorëzohesh në rrethana torture. Është humane dhe po të dorëzohesh, apo jo?
S’kam kundërshtim me këtë që thoni ju unë. Por ama të mos shkonte atje e të më dilte përpara duke u dekoruar “Nderi i Kombit”. Po ata mijëra të tjerë që vuajtën, atyre ç’tu themi? T’i hedhim në pleh ata? Njëherë një miku im më ka informuar për një rast në Shkodër. Dikur një person kishte bërë një denoncim për mikun e vetë të ngushtë. Edhe këta e kishin gjetur, por nuk mund ta shpallnin, se djemtë e tij, njëri ishte inxhinier, tjetri ishte profesor, edhe të PD-së, se kështu e mendonte ai. E lanë me aq se menduan se fëmijët do kishin tronditje. Jo zotni, i thashë, ata duhet ta dinë, se të bijtë e atij që u dënuan, ku vajtën ata? Ata nuk qenë profesorë, qenë hekurkthyes, qenë muratorë. E ata ta dinin, se këtë pozitë e kishin sepse i ati kishte bërë një krim. E pastaj le ta gjykojë populli, por ka bërë një krim ama.
Intervistoi: Mustafa Nano
15 Korrik, 2013
Marrë nga emisioni "Jamais Vu"