08 February 2017

Kadare - një mal drite që nuk i shpëton dot hijes së vet- nga K.Traboini

Ismail Kadare




KADARE, NJË MAL DRITE QË NUK I SHPËTON DOT HIJES SË VET.

Nga Kolec TRABOINI

Përshkruan bukur Kadare në gjithçka që shkruan. Meriton lavde të pafund. Padyshim ai është stilisti më i shquar i kohës.  Është shqiptari më i madh në njëzet e më shumë  vjet demokraci (dua mirëkuptim se do të lë jashtë shkrimtarsinë  dhe kohen pa lavdi të diktaturës e të merrem me shqiptarsinë e tij tipike në kohën e ankthshme që jetojmë). 
Gjithë vandakët e burrave që kanë drejtuar këtë vend, shtetërisht a politikisht, kanë qenë e vazhdojnë të jenë hije përpara tij. Një president i zgjedhur në këtë epokë mjerane në krye të shtetit të keqtrajtuar shqiptar, a kryeministër qoftë,  duket një mizë përpara Kadaresë. Kjo thotë shumëçka.
Kadare, ky burrë dinjitar,  nderon shqiptarët dhe historinë e vendit të vet, i mbron në botë me një pasion të zjarrtë prej Prometeu, që kërkon respekt prej nesh sepse ndokush tjetër do të hiqej përskaj e nuk do merrej me ne shqiptarët. Por jo, ai i qëndron në mbrojtje të çdo gjëje shqiptare në botë me një krenari që brezat e rinj  duhet ta kenë si shëmbëllesë se si duhet te duhet Atdheu.  
Europian e properëndimor me dimensione të mëdha,  që shpreh më së miri edhe thelbin e popullit të vet, që ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në Rilindjen e këtij kontinenti shumë më tepër se popujt e tjerë ballkanik e me gjërë. Po të ishin politikanët e shtetarët tanë në lartësinë e Kadaresë, ne sot do të ishim pjesë e Bashkimit Europian pa patur nevojë të rrimë prapa porte me dekada dhe pa hyrë në Kotecin e Vendeve Islamike ku jemi edhe sot e kësaj dite për turpin e faqezinjëve tanë antikombëtar e plehra të historisë.
Ismail Kadare në ndihmesën që ka dhënë për afirmimin e shqiptarisë në botë e mbrojtjen e kombit shqiptar,  ja ka bërë vetes monumentin që në të gjallë.
Por... anipse e falshme, nuk rri dot pa e thënë se ai  herë-herë nuk i shkon të mirës deri në fund dhe e le malin e vet të dritës të bëjë hije. Trill i një njeriu të madh ndoshta. Ndalon ndonjëherë i murrëtyer e inatçor, si gjithë në shqiptarët,  pra zbret tek populli i vet dhe përskajon gjithçka që ka bërë aq mirë.
Tipike kadarejane është ajo  çfarë thotë në fund të një interviste me Maks Velon, ku shprehet plot mllef  për  ata që nuk e pëlqejnë veprën e tij apo e kritikojnë për kohën e vjetër e të mjeruar. Thotë janë xhuxha, spiuna thotë e ca fjalë të tjera. Një lexues mund të mos e pelqejë vepren e një shkrimtari pa qënë nevoja të jetë një  xhuxh aq më keq spiun. Fundja në mos Kadare, shkrimtari duhet ta dijë se nuk është faji i xhuxhave që kanë lindur ashtu, edhe ata kanë jetën e tyre pa patur shkak për të urrejtur gjigantët,  ashtu edhe e kundërta. 
Është traditë e fëlligët ndër ne që kushdo që nuk është më mendimin tonë e shtresëzojme si spiun, një ves i politikës i akomoduar në popull. Po pse e thërret zhargonin e nivelit të ulët në ndihmë i madhi Kadare, pasi ka ndërtuar një ngrehinë kaq të ndritur nuk e di. Ndoshta se ai vetë duke qënë shqiptar deri në âsht në virtyte e mllefe, kërkon të ketë për rreth veç njerëz që i përkulet deri në tokë e asnjë kokë krenare lart. Ai thotë se unë fal, kur në të vërtetë Ismail Kadare megjithë madhështinë e tij nuk fal kurrë. Gen shqiptar i patjetërsueshëm dhe ai. Mjerisht ka ndodhur në histori, dhe ndodh ende që shqiptarët i luftojnë armiqt deri në vdekje, por nuk i urrejnë, urrejtjen e kanë për një njeri-tjetrin. E këtu nuk ka asgjë për të falur, asgjë për të mëshiruar a dënuar, ata që merren me apologjinë e faljeve e bëjnë tepër ligsht punen e priftit me fjalë, ndersa në jetë e bëjnë aq mnershëm. Hipokrizi fund e maj.
Kadare, shqiptar i madh, të përshëndes pikërisht se je kështu, si të gjithë ne, si kombit  të cilit i përkasim e asqysh tjetër-  të pafundëm në lavdi e të paepure në urrejtje. Dielli që ka perënduar dje nuk e errëson sado pak shkëlqimin e diellit të sotëm. As nesër po ashtu...
Dola për të folur për Kadarenë, për veprën e tij le të flasin ata që janë kampuar në dy llogore, o e duan deri në çmënduri  ose e urrejnë krejt pa logjikë.
Meqë nuk i përkas llogoreve, fola vetëm për njeriun, për malin,  për dritën e hijet e tij.