08 February 2017

Pjellëkombasit Spahiu, Matoshi e të tjerë.../ nga Kolec Traboini


PJELLËKOMBASIT
-Nexhmedin Spahiu, Halil Matoshi e do pjellës kombesh të tjerë -

Nga Kolec TRABOINI

E pafrytshme do të qe çdo përpjekje  për ti mbushur mendjen ndonjë artikullshkruesi se nuk ka kurrfarë zbulese në teorizimet e tyre se prej një kombi na u krijuakan edhe kombe të tjerë si në lojën e kungulleshës që “kam një komb dhe e ndaj në dy pjese, pse dy, po sa , tre”  e kështu me radhë. Kjo për faktin se këtu kemi të bëjmë me njerëz që e kanë marrë seriozisht këtë punën e pjelljes së kombeve në laboratorin e tyre krijues. Po nuk janë dhe aq t
ë vjetra këto histori me pështjellime kombesh, sepse edhe para një shekulli, kur kishin dy vjet pavarësi, u bë një komplot nga një agjent ushtarak i Stambollit me origjinë nga Grebeneja,  për ta na bashkuar sërish me sulltanët, sepse mendja e tij e çartur na konsideronte një komb turk.  

Mjerisht krijuesi i teorisë famëkeqe të kombit kosovar, Nexhmedin Spahiu, analist e mësimdhënës nga Mitrovica, këto kohë në rrjetat sociale po del nga loja si intelektual e zbret të flas si një i zakonshëm që grindet në një kafene rruge tek i drejtohet publicistit Fahri Xharra në Gjakovë:"...kujt i referohesh kur thua "Kombi i ardhmërisë, Kombi Kosovar? Përzierje me kënd?." Për të qenë komb mjafton të kesh shtetin tënd, nuk është e thënë të përzihesh me askënd. Kombi kosovar është monoetnik, përbehet vetëm nga pjesëtaret e etnisë shqiptare, përfshi edhe idiotët dhe zagarët si ti.".
Le te shohim cilët janë disa nga titujt e veprave të analistit Nexhmedin Spahiu para se të japim dy mendime mbi nulitetin historik të ideve të tij: "Drejt Kombit Kosovar", Mitrovicë, 2004.,"Kombi në Inkubator", Prishtine, 2010, "Foshnjëria e Kombit Kosovar", Prishtinë, 2014. Për çdo shqiptar atdhetar këta tituj janë iritues, me ti shti dreqnit do të thoshnim, e nuk mund të mos shoqërohen nga një ironi si reflektim i absurditetit që përcjellin. Kësisoj pra, në këtë turr të pjellakombësve  mund të vazhdohet të dalin edhe vepra të tjera si  “Adoleshenca e Kombit Kosovar”, “Puberteti i Kombit Kosovar” “Martesa e Kombit Kosovar” “Andropauza e Kombit Kosovar” si dhe së fundmi “Pleqëria e bjerramendja e Kombit Kosovar”,   sepse,  meqë krahasimi është bërë me jetët njerëzore, kush plaket qe besa edhe rrjedh bukur mirë. Po jo ama të rrjedhë aq shumë e aq shpejt siç po terrahupet tërë kjo sajesë që na kujton një vezë të prishur, të cilën ngrohe sa të duash, kurrë prej saj nuk do të dalë ndonjë zog pule me emrin Komb Kosovar. Por problemi tashmë është jo efekti i këtyre teorive që po konsiderohen përralla me komb, por zbritja nga teoritë konfuze të librave të tillë në debate të një niveli të ultë në rrjetat sociale, çfarë tregon shumëçka  nga qerthulli ku marrakoten teoricienët e krijimit të kombeve në inkubator. Me sa duket tashmë u janë shkarkuar bateritë e inkubatorit të sajesës komb e po merren me vulg-biseda që më shumë të qorrollepsin se sa të kthjellojnë. Kësaj i thonë as më pak e as më shumë, por kur pula nuk po na bën më vezë,  të paktën të kënaqemi me glasat.   Duke parë rrethanat  e kësaj sajese komb kosovar, që kundërshtohet nga çdo mendje e kthjelltë shqiptare, ndoshta gjenden dhe arsye që autorët e kësaj sajese ka kenë humbur qetësinë e të shpërthejnë  si nëpër zënka adoleshentësh gjaknxehtë. Se vërtetë ka qenë tepër e lodhshme mbi një dekade të rreket një profesor për të sajuar kombin kosovar. Kaq aventuror e kaq i pamend ky përkushtim sepse nuk ka e nuk ka për të pas kurrë komb kosovar. U duhet thënë hapur tashmë se po behën anakronikë: Lërini këto hamendësime se periudha historike e krijimit të kombeve është e kryer në këtë botë. Kombi nuk krijohet si robotët në laborator. Ah po, përpiqen të sajojnë një komb islamik  të fandaksurit e Kalifatit në Irak e Siri. Po a ja vlen te imitohem këto injoranca të shoqërisë njerëzore  që po përgjakin popujt me kokëprerje si në epokën më të errtë të mesjetës. Mos vallë ky është inspirimi edhe i pjellakombësve tanë nga Kosova?! Ta kthesh historinë së prapthi, të nisesh e të jetosh me mendje në kohën e krijimit të kombeve është si të marrësh Rosinantin e Cervantesit e ti biesh pash në pash Kosovës e Shqipërise duke kaluar edhe nëpër Iliriadë e Maqedoninë e Shkupit. Është mirë të lihen në një anë përpjekjet alogjike, naive e destruktive, qëllimkëqija, që në thelb janë antikombëtare e rrjedhimisht antishqiptare. Është një përçapje absurde  që nuk i nderon, ju humbet edhe ato çfarë kanë fituar si autor shkrimesh.  Kjo gjithsesi mund të shtojë një lloj vëmendje mediatike,  por nuk është e mirë për ta si përçues teorish konfuze e pa taban. Pa ne si shqiptarë në një komb të përbashkët me shqiptarët e tjerë në gjithë Ballkanin nuk po kemi dert se po na dalin do guriçka në rrugë a shkopinj nën rrotë. Kësisoj teoricienësh plëngprishës ka pas gjithmonë, edhe tradhtar kemi pas gjithmonë,  edhe njerëz që punojnë për shkatërrimin e kombit shqiptare copëzimin e tij  kemi pasur e vazhdojnë të kemi, por kauza shqiptare ka ecur përpara. Mirë është tu thuhet që të mos i bashkohen mjerimit intelektual, shterpësisë, atyre që e shesin shpirtin për pak para tek qarqet antishqiptarë të fqinjëve e që përfaqësohet së pari nga Kapllan Resul (Buroviçi) e do të tjerë. Të vjen keq  kur po tollovitet mjerueshëm edhe një intelektual e analist si Halil Matoshi, madje me fill të humbur edhe i nderuari Rexhep Qosja. Çfarë po ndodh me këto njerëz që me teoritë e tyre po sjellin aq moskuptime  e marramendje në popull, që po kërkojnë të ndajnë trungun shqiptar, që po kërkojnë ta na tjetërsojnë e te na nxjerrin krejt ndryshe nga se jemi.  A mund të thuhet se Gjermania na paska pas deri sa ra Muri i Berlinit, dy kombe.  Apo Koreja e Vietnami për shkak të ndarjes shtetërore administrative na qenkan dy kombe. Është absurde të mendohet. Ashtu dhe Shqipëria e Kosova. Ndaj të mos shkojnë humbës këto analistë. Jemi një komb e nuk mund të na ndajë askush me kësisoj teorish artificiale e pa taban. Ja si e merr nën mbrojtje këtë teori analisti Halil Matoshi në debatin për çeshtjen e Kombit Kosovar:
“...Teorite e Nexhit u perkasin dijeve sociologjike dhe politike, pra për me i rrëzu ose forcu duhen argumente nga këto dije, mosni burra me albanocentrizëm të shekullit 19”.  Pra sipas Halil Matoshit, të thuash se nuk mund të krijohen kombe të reja përderisa procesi i formimit i kombit shqiptar është kryer, do të thotë sipas tij që intelektualët kombëtar shqiptar notojnë në albanocentrizmin e shekullit të 19.” . Kjo në të vërtetë është një pasqyrë me reflektim të mjerueshëm  në çfarë ujërash kanë rënë teoricienët e krijimit të kombit kosovar. Këshilla jonë për këta kombpjellsa, që sillen si beduinët në shkretinë duke kërkuar një identitet të ri,  është se nuk duhet tu bashkohen “Muhaxhirëve” të satirizuar nga Konica, si njerëz me kujtesë historike të shuar sepse mund të shkojnë vërtetë vulëhumbur si një fare intelektuali i njohur në kohën e vet, por tepër konfuz e aventuror me emrin Beqir Grebeneja. Grebeneja  udhëhoqi një përpjekje për marrjen e pushtetit për të kthyer sulltanët në trojet shqiptare në vitin 1914. Për këtë u kap bashkë me ushtarët komplotistë turq. E gjykuan dhe dënuan me vdekje, por Princ Vidi e fali. Po atë vit, shkoi e luftoi për Turqinë në frontin rus ku  dhe gjeti vdekjen. Por më e rëndë se vdekja për Beqirin nga Grebeneja paska qenë harrimi nga populli i vet, megjithëse ka edhe zëra që lodhshëm përpiqen ta glorifikojnë këtë agjent anadollak. E natyrshëm kjo në kohën tonë  kur  nuk mbeti tradhtar kombëtar pa u shpallur hero. Dhe paradoksalisht kujtimin e halldupit Beqo e ruan Turqia. Prandaj kush është shqiptar, mirë është të mos i shkojë asaj udhe si Grebeneja, që në Shqipëri u shfaq si mercenar i huaj, e me ketë shkak për shqiptarët është i shkuar e i harruar. Nderi i çdo atdhetari është të punojë për kombin e vet, për bashkimin e përparimin e tij e jo të punojë për të tjerët,  jo të përçojmë ide e mendime panikndjellëse e kryekreje të mos hallakatemi  si mizat pa kokë.

12 gusht 2015