08 February 2017

Dy kryeministra ma vodhën mitingun - kujtime nga Kolec Traboini

DY KRYEMINISTRA MA VODHËN MITINGUN
- Kujtime -

 Nga KOLEC TRABOINI

Duke ditur se manipulimet e historisë janë arti i fallxhorëve të politikës, prej vitesh e kisha lënë në heshtje mënyrën e organizimit e zhvillimit të mitingut madhështor të krijuesve e intelektualëve të Tiranës në kapërcyell të vitit 90-91 kur ende diktatura mbahej në këmbë, mirëpo tani që kryeministri i Shqipërisë e cilësoi si "mitingun tonë", ndërsa kryetari i opozitës( tani këta kanë ndrruar portat) edhe ai nga ana e tij në librin e vet “Kurban” e konsideron si një miting partiak, unë edhe më tej nuk mund të hesht, sepse tashmë kjo heshtje do të ishte e pakuptimtë. Këta liderë partish janë në të drejtën e tyre të bëjnë kurban bëmat e veta gjatë këtyre dy dekadave, por jo të personalizojnë apo privatizojnë ngjarje në të cilat kanë qenë thjesht të ftuar e jo organizatorë. As njëri e as tjetri. Kanë aq shumë merita mbi shpatulla këta burra të telekosur shteti sa do të qe e pakuptimtë të rëndoheshin edhe si nisiatorë mitingjesh të bëra prej të tjerëve. Mos vallë me këtë duan të nënkuptojnë se jashtë partive nuk ekzistonte asfarë aspirate për liri e demokraci dhe se kurrkush tjetër veç partiakëve nuk mund të shkruajë histori?

Në librin që botuesja Arlinda Dudaj përcolli me eufori në mediat televizive, “Kurban” të Edi Ramës, kryetarit të opozitës së djeshme, thuhet tekstualisht: “…pak ditë më pas kur ( nënkuptohet Sali Berisha- shënimi im K.T.) donte të na pengonte Ardianin (Klosin), Kasemin( Trebeshinën) dhe mua të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, te Stadiumi “Qemal Stafa”, ku na drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë se “ju s’mund ta merrni fjalën sot se s’kemi kërkuar leje në polici për ju…”
Këtë pjesë libri botuar në gazetën “Panorama” viti X.Nr.3248 datë 28 tetor 2011, redaksia ose autori e kanë shënuar me titull: “Si më largoi Berisha nga mitingu i PD në `91”.
Ne nuk dimë çfarë t`i themi Edi Ramës, as nuk mund t`i japim ndonjë këshillë, sepse ai është në majë të piramidës socialiste e tash edhe pushtetit e zor se i shkon zëri ynë aq lart, por gjithsesi e mira do të qe që ata këshilltarë që i mban me bukë, që mesa shihet janë të painformuar, nuk lexojnë as çfarë shkruhet në gazetat shqipe, apo në TVSH pikërisht për këtë informacion të gabuar që përcjell tek lexuesit e vet. Eshtë shkruar në shtyp se Mitingu që përmend Edi Rama nuk është inicuar e as organizuar nga PD dhe as ndonjë organ tjetër përpos se prej krijuesve të Kinostudios. Do ta shtjellojmë këtë ngjarje të para dy dekadave më me hollësi, por le të shohin se çfarë mendimi kanë për këtë çështje pala tjetër antagoniste e politikës konfliktuale shqiptare.
Mesa duket për gjithçka janë në kundërshti këto dy forca politike që zotërojnë vendin, por në një gjë janë në një mendje, që mitingun e parë të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike janë bërë nga PD. Po të mos isha unë që e kam inicuar e organizuar ketë miting, padyshim që nuk do të kisha marrë mundimin t`i përgënjeshtroj këta dy burra kombi dy kryeministra të Shqipërisë që turp është të them se ma vodhën metingun. Mu ka mbush mendja top se në Shqipëri gjithçka vidhet, përderisa edhe mitingjet. Para se të hedhim dritë mbi këtë ngjarje, le të shohim çfarë thotë kryeministri i shkuar, që aso kohe ishte këmborë e madhe.

* * *

“Ky njeri, - thotë në një konferencë shtypi kryeministri Berisha për opozitarin e vet të kolltukut, Edi Rama, - do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë: - kë duhet të varim? Ata, - më tha - Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike.”
Në pikpamje partiake e vetmja gjë që mund të them është  si nisiatori edhe i formimit të degës së PD për Kinostudion,  se as në atë kohë e as sot nuk kam qenë e nuk jam i mendimit se ne, veprimtarët e lëvizjes demokratike në terren, po formonin degët e partisë së liderëve të rinj. Ky nocion nuk ekzistonte në kokën time e të kolegëve të mi, sepse na ishte shpifur ideja e themeluesit të partisë komuniste dhe nuk na pëlqente të notonim në ato ujra kultesh. Sa i përket bindjeve të mia, dhe besoj jo vetëm të mia, që i kam shprehur që në numrin 3 të gazetës RD, janar 1991, ku kërkoja heqjen e yllit të kuq nga Flamuri dhe kallzave të grurit nga stema e Republikës, Partia Demokratike e atyre ditëve është formuar si një imediat historik, si parti e demokracisë dhe e kurrnji individi të përveçëm në këtë vend të rënduar nga kulti gjysëm shekullor i individit. Kulti i Enver Hoxhës,(pse jo dhe i Zogut) i kishte lodhur aq shumë psiqikisht njerëzit (flas më tepër për intelektualët e jo turmat që nëpër tërë shekujt vetëm kanë brohoritur), saqë nuk kishim dëshirë të dëgjonim për liderë në ballë të tribunave.
Por kjo çështja e personalizimit të partive, tashmë nuk është në preokupimin tim, sepse nuk bëj pjesë në asnjë prej tyre, kryekreje për faktin se nuk janë ato për të cilën mendoja se do të ishin. Le ta marrë mbi shpatulla kushdo që dëshiron të bëjë karrierë e të luftojë për mirëqënie e lavdi personale, sepse tashmë partitë janë leva arkimedi për të marrë pushtetin dhe pushteti mjeti me të cilin mund të bëhen para me bollëk duke përdorur të dyja duart, në njërën duke mbajtur pankarta kolosale të luftës kundër korrupsionit, ndërsa në tjetrën duke mbushur xhepat e vet, ndërkohë që boshatisen xhepat e shtetit. Që në atë kohë, soj soj benjaminësh e ligavecësh të rinj të politikës, vinin rrotull dhe me lajka përpiqeshin të ngjiteshin në shkallët e pushtetit e mund të themi se ia arritën mjeshtërisht.
Luftëtarët më të mëdhenj zëbuçitës me bla-bla-bla oratorike gjatë daljeve nëpër podiume ishin komunistët, bijtë e rrethi i afërt i tyre, por edhe ish-spiunët e sigurimit. Ata më shumë se kushdo kishin nevojë të shfaqeshin si liderë të rinj dhe të mbulonin erën e keqe të së kaluarës së vet të palavdishme.
Dihet që politikanët e interesit e jo të idealit janë si minjtë që braktisin të parët anijen që mbytet. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Minjtë e kuq nisën të zhagiten e llangosen blu. Kjo blujadë nuk ishte e vështirë të binte në sy. Kushdo që ishte ndryshe, që nuk kishte të tilla orekse, por vepronte thjesht nga dëshira për të parë popullin e lirë pasi të shembej komunizmi, e ndjente veten të huaj në mjediset e këtyre liderve të rinj që, kush e kush t’i ngrinte shpatullat më lart se njëri-tjetri.
Koha e tregoi se lufta për pushtet që u bë në mes të liderve të rinj të vetquajtur demokratë, ishte aq e ashpër dhe e pakompromis sa të duket se më shumë luftonin njëri-tjetrin se sa me farën e keqe të komunizmit, e cila vërtet ishte tek kuadrovikët e Partisë së komunistëve shqiptarë, por edhe këta liderë të rinj ishin të molepsur jo pak me sporjet e kuqe.
Tani le të shqyrtojmë shprehjen e kryeministrit që tekstualisht thotë: -“Ky njeri do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit”.
Biblioteka e Universitetit gjendet pranë sheshit që tashmë quhet “Nënë Tereza“ dhe nga pas ka stadiumin kombëtar. Tërë gjasat janë që Kryeministri Berisha t'i referohet jo mitingjeve të Partisë që e ka formuar ai, sepse nuk dimë të ketë bërë partia e tij ndonjë miting në atë shesh, përkundrazi më i spikaturi ka qënë mitingu madhështor i intelektualëve të institucioneve artistike të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Mirëpo nëse është fjala pikërisht për këtë miting, kryeministri është i paqartë sepse e personalizon. Madje shkon edhe më tej  kur thotë se ky njeri, pra Edi Rama, atëbotë pedagog i Insitutit të Lartë të Arteve, paska shkuar në mitingun e PD-së. Përkundrazi, ishte kryepartiaku Sali Berisha që shkonte në atë miting ku Edi Rama ishte në mjedisin e vet prej intelektualësh të institucioneve artistike të kryeqytetit (anipse në mënyrë habitore edhe vetë Edi Rama në “Kurbanin” e tij e bën kurban këtë miting duka ja faturuar PD-së dhe duke ia mohuar vetvetes), çfarë tregon se të dy këta kanë rreth vetes këshilltarë të paaftë, sepse Kryeministri dhe Kryeopozitari ( tashmë anasjelltas) sjellin referenca të gabuara në median publike.
Ai miting nuk ka qenë nisiativë e asnjë partie, ai është organizuar nga krijuesit e Kinostudios, thënë saktë ka qënë nisiativa ime, sepse po vija re se pak intelektualë të institucioneve artistike të kryeqytetit po solidarizoheshin me partinë e re demokratike që sapo ishte formuar. Po krijohej përshtypja se intelektualët krijues ishin indiferentë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Aq më tepër neve si kineastë na takonte të ishim nisiatorë për faktin se kushdo në Shqipëri e dinte sesi kolektivi krijues i Kinostudios e kishte përcjellë me bisht ndër shalë, sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë dhe anëtarin e byrosë politike, Foto Çami, sa u përhap fjala nga kuadrovikët e partisë diktaturë se në Kinostudio kish bërë fole armiku. Ndër veprimtaritë që kam zhvilluar ato ditë të fundit të dhjetorit 1990, ka qenë edhe hapja e një fushate ndihmash monetare për PD-në. Mblodha një grup punonjësish dhe kërkova të krijonim degën e PD-së për Kinostudion. Për këtë kam shkuar e takuar Azem Hajdarin, i cili e pëlqeu dhe e përkrahu idenë e krijimit të degës së PD dhe më pajisi me një autorizim të posaçëm me firmën e tij. Ate dite qe e kam takuar e kam pritur te sepse me thane se eshte ne nje mbledhje tek Presidenti Ramiz Alia. Kur Mark Topallaj e pyeti për Sali Berishën, Azemi tha se "Saliun e mbajti Ramizi ne zyre.". Vërtetë nuk jam në gjendje të vërtetoj se si e pse e mbajti në zyrë Ramiz Alia Sali Berishën dhe çfarë kanë qënë bisedat e tij,  por fjalët e Azem Hajdarit i kam dëgjuar me veshët e mi.
Duke i parë lëvizjet e mia, sepse edhe Kinostudio ka patur të paktën 12 spiunë me "500", një grup oficerësh sigurimi të veshur civilë, kanë shkuar në Kinostudio dhe kërkuan të më takojnë, por atë ditë kam qenë me xhirime jashtë Tirane. Kanë takuar drejtorin Viktor Gjika duke kërkuar prej tij të dhëna për personin tim. Viktor Gjika më ka thirrur e njoftuar se të kanë në sy të keq ata të Ministrisë së Brendshme, ndaj bëj kujdes për veten dhe shtoi se u përpoqa sa munda të të marr nën mbrojtje. Pa patur parasysh këtë presion, vazhdova punën për formimin e degës së PD-së për institucionin tonë. Fotografitë e asaj dite janë ende në fondin e kameramanit Spartak Papadhimitri në Tiranë. Kjo sa për njoftim që të mos ngrihet ndonjë i vonuar, që ka hyrë në PD nja dhjetë vjet më pas dhe brenda natës na u gjend ministër e të na thotë ky i përkëdhelur i tarafit -"Po, ne s'të njohim fare". Se këta, fillimin e historisë së partisë blu apo rozë e llogarisin nga dita kur kanë nxjerrë lugën nga brezi e kanë nisur të hanë mjaltë qeverisje sa janë dendur mirë. Në selinë e PD kam takuar një dibran që rrinte në holl si punë sekretari për informacionin, në mos gabohem me emrin Zenel Hoxha, të cilit i kam kërkuar ndihmë për të nxjerrë një leje për zhvillimin e mitingut, për arsye se mitingjet nuk mund të bëheshin me kërkesa individuale, por këto kërkesa duhej të kalonin nga zyrat e partive. Më parë kisha shkuar në Ministrinë e Brendshme dhe ata ma kishin prerë se nuk japim leje për mitingje se ato janë ekskluzivitet i partive të miratuara me legjislacion prandaj të shkoni e të bëni kërkesën nëpermjet tyre. Siç dukej ishin marrë të gjitha masat nga Partia Punës mbase në marrveshje edhe me krerët e PD-s, që çdo veprimtari të mbikqyrej duke mbyllur çdo shteg të nisiativave qytetare prej të cilave kishin frikë. Zeneli më ka kërkuar të mbush një formular ku duhej të përshkruaja qëllimin e mitingut dhe ku e kur dëshiroja të zhvillohej. Pasi e kam mbushur e firmosur formularin me kërkesën për një miting krijuesish e intelektualësh të Kinostudios, më ka kërkuar edhe emrat e dy personave të tjerë që do të shënoheshin si garant në atë letër e që bashkë me mua do të ishin përgjegjës para ligjit për zhvillimin e mitingut. Kërkesë që ai me emrat tonë do ta paraqiste në Ministrinë e Brendshme. I kërkova ndihmë regjisorit Mark Topallaj që u shpreh i gatshëm ta firmoste. Duhej edhe një i tretë, të cilin duke mos patur mundësi ta gjeja menjëherë, sepse duhet të shkoja sërisht në Kinostudio, vendosa të shënoj regjisorin Saimir Kumbaro dhe ta lajmëroja më vonë, i bindur që Saimiri nuk do të kundërshtonte vënien e emrit të tij në listë, anipse pa e lajmëruar. Si nismëtar i këtij mitingu bëra dhe një akt të kundraligjshëm duke firmosur në vend të Saimirit. Ndoshta koha dhe rrjedhimet historike më shfajsojnë.

* * *

Tërë problemi ishte se Ministria e Brendshme në fillim rrinte duke i lëvizur datën mitingut e kur përfundimisht u caktua një datë, nisi odisea e vendit ku do të zhvillohej. Në shtatë ditët e fundit, shtatë herë është ndërruar vendi i zhvillimit të tij. Kjo nxirrte shumë problem, sepse sa herë ndërrohej vendi, aq herë isha i detyruar të shkoja e të lajmëroja tërë institucionet artistiko-kulturore të Tiranës. Na thanë, nuk ua japim sheshin pas Bibliotekës Universitare, por do të shkoni ta zhvilloni tek Fusha e lagjes "Ali Demi". Ditën tjetër, kërciste telefoni i Zenelit e një zë i rëndë oficeri thoshte: "Nuk do ta bëni atje, por do të shkoni tek fusha e druve në Qytetin e Nxënësve, tek gazermat e Ali Rizait". A është e saktë? - i thosha Zenelit. “Eja nesër prapë më thoshte Zeneli, i cili bënte punën e ndërmjetësit. Pas kësaj niste vrapi im nëpër institucionet që nga Kinostudioja tek Opera, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Estrada e Cirku, Radio Televizioni, Ndërmarrja Botuese, Instituti i Kulturës Popullore, Insituti i Monumenteve të Kulturës ku më priste me shprehjen "Prap e anulluan, derrat!"- e ndjera Fatbardha Shkupi. Pastaj me vrap tek Filologjiku, Universiteti dhe Instituti i Lartë i Arteve. Ishte një lodhje e rraskapitje e krijuar me qëllim që të na bënim të hiqnim dorë ose më e pakta, duke e ndërruar vendin shtatë here, njerëzit do të futeshin në konfuzion dhe nuk do të mblidheshin në një vend, por do të shpërndaheshin në tre vende.
Ditën e fundit nga dreka, Ministria e Brendshme na njoftoi se ishim të lejuar ta bënim atje ku kishim kërkuar, por do të mbanin përgjegjësi të plotë personale nëse devijonte nga programi. Merreni me mend çfarë tensioni. Kishin mbetur vetëm pak orë. Të gjitha institucionet e dinin se mitingu do të zhvillohej tek Qyteti i Nxënësve. M`u krijua përshtypja se ky miting ishte paracaktuar të dështonte. Bëra vrapimin e fundit atletik, një maratonë e vërtetë nëpër Tiranë dhe si njoftova kë munda, shkova drejt e tek sheshi pas Bibliotekës Universitare. Isha i pari. I rraskapitur dhe i pangrënë u ula në një shkallë guri e po qetësoja frymën, kur nisen tek-tuk të duken njerëz që më pyesnin se a do të ketë këtu një miting. Më së fundi arritën të mblidhen jo më shumë se njëqind vetë. Nisën ta marrin fjalën njerëz që e kishin dhënë emrin në listën që kisha në dorë, por edhe spontanisht. Kisha ndërmend të flisja dhe unë por nuk kisha pikë fuqie, pastaj i thashë vetes, nëse ky miting zhvillohet mirë, unë e kam thënë fjalën time më mirë se me oratori megafoni. Nuk shkuan vetëm disa dhjetra minuta dhe erdhën studentët e Institutit të Arteve dhe ata të Universitetit Teknik. Nisa të shoh njerëz që mund të ishin çfarëdo, por jo intelektuale. I kisha thënë një të njohurit tim inxhinier në kombinatin e drurit dhe ai i kishte njoftuar të gjithë, por edhe në ndërmarrje të tjera kish shkuar fjala. Kur mitingu ishte në gjysmën e kohës së caktuar, në shesh nuk mund të lëvizje prej dendësisë së njerëzve. Më kot e mbaja letrën në dorë, kurrkush më nuk mund ta drejtonte atë miting. Çdo gjë ishte në dorën e spontanitetit. Edi Rama tha atëherë këto fjalë: "Na skuqën si indianë, na zverdhën si kineze e na nxinë si afrikanë", por ama, ai nuk është përzënë nga ai miting. Kundërshtitë dhe meritë vetiake që kishin ata që aspironin për të ngjitur shkallët e pushtetit janë çështje që nuk kanë asnjë lidhje me këtë miting historik të cilin dikush mbase qëllimisht e ka harruar ngaqë nuk e kanë bërë vetë.
Kaq shumë thirrje kundër diktaturës nisën të lëshohen nga qytetarët, sepse ata të tribunës ishin të përmbajtur, sa fjalimet u bënë jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptimta. Në mes të atyre që folën vura re dy kategori, njëra përbëhej nga ata që ëndërronin të ngjisnin shkallën e karrierës, tjetra nga ata që kërkonin të mbulonin diçka pas vetes.
Ky ishte stili, ky ishte e vazhdon të jetë karakteri i shumë laskandraqëve që flasin nëpër foltore partish e shoqatash, madje edhe në Kuvendin e madh të Popullit, duke spekulluar me hapjen e dosjeve, kur spiunët e deklaruar i mbanin pranë vetes, i përkrahnin e ju gjenin edhe ndonjë vend të ngrohtë për të bërë allishverishe e korrupsion.
Mbyllja e mitingut, ishte jo fund por fillimi i shprehjes së revoltës popullore. Ishin mbledhur mijëra njerëz në sheshin para Universitetit rreth e qark shatërvanit. Kish nisur të errej dhe disa njerëz kishin gjetur qirinj dhe i kishin ndezur. Dikush ndizte gazeta të vjetra duke i bërë si pishtarë. Turma prej mijëra vetësh po derdhej si një lumë. Ishte një lum vigan që kërkonte shtrat dhe hapësirë për të vërshuar. Dëshira ishte që ky lumë njerëzor të vërshonte në bulevardin kryesor, mes Kryeministrisë dhe selisë së Komitetit Qendror për t'i bërë sfidë atyre që tashmë dridheshin si minjtë duke kujtuar kufomën e pushkatuar të Çausheskut të Rumanisë.
Sigurimi e nuhati dhe bllokoi rrugën kryesore duke lejuar vetëm kalimin e pjesshëm në trotuar. Turma prej mijëra vetësh duke kënduar "Se mjaft në robëri,/e mjera Shqipëri,/o djem rrëmbeni pushkët-ë,/ja vdekje, ja liri", ktheu drejtim dhe mori nga rruga e Librit Universitar drejt kryqëzimit të Tiranës së Re. E tërë Tirana buçiste. Nuk e di pse atë natë ndjehesha më i lumtur së kurrë e më dukej se kisha bërë gjënë më të mirë në jetën time. Dhe këtë mendim e ndjenjë kam edhe sot kur i kujtoj ato skena, që nuk mund të përsëriten më kurrë. Ai miting ishte pararendësi i një zhvillimi tjetër madhështor, rrëzimi i bustit të diktatorit.
Në mitingun që filloi nga intelektualët krijues, por që u përqafua nga tëra shtresat e banorëve të kryeqytetit, populli mati forcën e vet dhe e ndjeu se ishte i fuqishëm, ndaj dhe më pas guxoi dhe e plandosi përdhe duke e hequr zvarrë bronxin e diktatorit më të egër e të paskrupullt të Europës.
Mirë të gjitha këto  që i mori historia, po çfarë kanë dy kryeministra që dalin e ma vjedhin metingun? Ndoshta se ai që vidhet gjithnjë është populli. Atij i vidhet edhe historia...

Kolec Traboini / Në memorien time / dorëshkrime

Dy kryeministra ma vodhën metingun- Traboini
Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton- Traboini

Kadare-një mal drite që nuk i shpëton hijes së vet-Traboini
Seks për një vend pune - nga Kolec Traboini
 KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI