08 February 2017

Kolec Traboini- tri festa, në një ditë.- nga Murat Gecaj

KOLEC TRABOINI: TRI FESTA, NË  NJË  DITË
(Kur përuroi librat, “E kam Atdheun te porta” e “Dashuri”)

Nga: MURAT GECAJ

Prof. Murat Gecaj,poetja  Fatime Kulli dhe Kolec Traboini.
Nuk ishte hera e parë, që salla kryesore e Ministrisë së Kulturës mblodhi poetë, shkrimtarë e artistë, të cilët ishin nga Tirana, por dhe nga Durrësi. Kësaj here, mikpritësi ishte poeti, shkrimtari e kineasti Kolec Palok Traboini. Në vijim të botimeve të shumta e cilësore të mëparshme, në ditën e shënuar të ShënValentinit, ai solli para të ftuarëve, kolegë, miq e dashamirë, dy libra të rinj poetikë, “E kam Atdheun te porta” e “Dashuri”. Sigurisht, kjo ishte një kanaqësi e veçantë për atë, por dhe për të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari përuruese, që u la atyre mbresa të pashlyera. Po, njëkohësisht, suprizë e bukur ishte njoftimi, që bënë organizatorët se, autori K.Traboini kishte dhe festën e ditëlindjes së tij.
Me dy motrat Vuji nga Hoti, Albana e Marina Kel Vuji
  I pari e çeli siparin e kësaj veprimtarie Pandeli Koçi, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Letërsisë për Fëmijë dhe të Rinj. Pastaj “fjalën e mori” poeti Kolec Traboini, i cili u paraqit me zërin e tij kumbues, përmes ekranit të sallës, duke recituar vetë disa nga krijimet e tij më të zgjedhura, shoqëruar me pamje filmike. Poezi të tilla ishin: “Kohë pa sens”, “Jemi ngapak donkishotë”, “Zemër mbi dallgë”, “Akuarel”, “Gjethe vjeshte” e “Zemra”.
 Kritiku e studiuesi Behar Gjoka që drejtoi promovimin.
Poetja Vllasova Musta dhe Kolec Traboini









Me Flutura Maçin dhe Kozeta Zavalanin.



  Në vazhdimësi, dolën në foltore disa poetë, shkrimtarë e studiues, të cilët nënvizuan shpirtin e butë, por dhe “rebel” të këtij autori. Pas studiuesit Behar Gjoka, u shpreh me dashamirësi për krijimtarinë e K.Traboinit poetja Fatime Kulli. Traditat atdhetare e arsimore të familjes së vet malësore, ai  i ka shprehur me mjeshtëri në krijimtarinë shumëplanëshe, të pasur dhe të bukur të tij.
Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…
Në pamundësi ardhjeje, nga Tuzi, Anton Gjojçaj kishte dërguar mesazh përshëndetjeje. Përmes tij, shprehej për disa vlera të krijimtarisë letrare të K.Traboinit, duke theksuar që këtë udhë autori në fjalë  e nisi në prozë dhe e vijoi me vëllime poetike, ku mbisundon motivi i dashurisë, në të gjitha pamjet e saj. Në fjalën e tij, P.Koçi e quajti poet qytetar, i cili me vargjet e tij shqetësohet për fatet e bashkëkohësve dhe jep mesazhe për më shumë optimizëm e dashuri njerëzore. Për lidhjet e poezive të poetit Traboini me lexuesin, me traditat atdhetare etj., u dal posaçërisht Ilia Dede.
Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, Nikolla Spathari e përshëndeti dhe e përgëzoi autorin e dy librave të rinj, që u përuruan dhe tha se krijimtarinë e K.Traboinit e ka ndjekur e gjithnjë në rritje, që nga vitet ’60-të të shekullit të kaluar. Ndërsa prof.dr. Klara Kodra u bëri analizë profesionale jo vetëm këtyre dy librave, por dhe në përgjithesi krijmtarisë së këtij autori, i cili tashmë ka hyrë natyrshëm në letrat shqipe. Kështu, ndër të tjera, dëshmoi se ai i ka poezitë të çiltëra, të ëmbla e me bazë dashurinë, duke spikatur me individalitetin e vet. Poetja e kineastja Vllasova Musta lexoi temën e saj, “Portreti i poetit K.Traboini, përmes vargjeve të tij”. Në vazhdim, me dashamirësi diskutuan për krijimtarinë e këtij autori, piktorja e poetja Flutura Maçi dhe krijuesi Agim Pipa.

Me Lorin dhe Besmirin.

Me kolegun bashkestudent dhe ne Kinostudio Ilia Dede.

Pamje nga salla e Ministrisë së Kultures.
Pllakati i veprimtarisë.



Ndjesi të bukura sollën te të pranishmit, në këtë veprimtari përuruese, edhe recitimet e frymëzuara të disa poezive të K.Traboinit, nga Agim Xheka, Xhelal Luca e Fatime Kulli.
Në mbyllje të këtij tubimi, mikpritësi i tri festave të përbashkëta, Kolec Traboini i falënderoi nga zemra, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit. Gjatë bisedave të ngrohta, në koktejin e shtruar me këtë rast, me kënaqësi nënshkroi  librat e tij, për kolegë, miq e dashamirë. Këta e uruan  sinqerisht dhe shprehën besimin se, përsëri, ai do t’i mbledhë në ngjarje të tilla të gëzuara.

Tiranë, 14 shkurt 2014



Gazeta “Koha javore“, Podgoricë  Nr.601, 602, në 29 janar e 6 shkurt 2014.
boton nje vështrimi letrar
 nga shkrimtari  ANTON GOJÇAJ

DEHJE VJESHTE 
(fragment)

Kolec Traboini me krijimtarinë e vet poetike në dy deceniet e fundit përmbys disa stereotipe, të cilat reflektohen në përmbajtje, cilësi dhe kuantitet. Ai ndryshon nga shumica e shkrimtarëve të tjerë për faktin se në portën e letërsisë hyri me një libër me tregime, në moshë të re, kurse njëzet vjet më vonë vazhdoi me poezinë. Zakonisht ndodh e kundërta, fillohet me poezi e pastaj kalohet në prozë. Paragjykimi tjetër që thyen ai ka të bëjë me cilësinë: thuhet shpesh se poezia më e bukur për dashurinë shkruhet në moshën e re. Koleci vargjet më të mira për dashurinë, i shkruan në vjeshtën e jetës. Dhe jo vetëm se shkruan mirë për dashurinë, por shkruan edhe shumë. Në gati secilën përmbledhje të tij motivi i dashurisë mbizotëron.
Libri në fjalë është një përzgjedhje e poezive të dashurisë nga gjithë krijimtaria e tij e deritashme. Është një poezi joshëse, e cila lexohet me ëndje, që s'ka nevojë për zbërthime të mundimshme kuptimesh. Është e vetinterpretueshme, e plotë, e përmbyllur në vete, me një fjalë – e vetëmjaftueshme. Dhe asnjëherë hermetike.
....Poeti, duke hyrë në moshën e tretë, ndihet i përfshirë nga tallazet e dashurisë, çka e përjeton si një dalldisje që sfidon racionalen dhe kohoren:
Mosha e poetit përcakton edhe perspektivën e folësit lirik, në ligjërimin e të cilit ka shpesh reminishenca drithëruese për kohën e shkuar: „ndaj shkoj herë pas here në motin e shkuar / të kërkoj çfarë sot nuk e gjej mjerisht.“
.....Fëmijëria dhe rinia e hershme lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e njeriut, çka shprehet fuqishëm edhe në krijimtarinë e Traboini. Në vjershën „Dashni në kohën e kolerës“, që aspak rastësisht ta sjell në mendje titullin e romanit të njohur të G. G. Markesit, kujtohet me mall koha e rinisë, e cila edhe pse në rrethana „kolere“ arrin të prodhojë çaste të paharrueshme, të cilat pas shumë vjetëve shpërthejnë në trajtën e shkëndijave të një nostalgjie përvëluese. E gjitha kjo jepet si një tabllo e cila, për rrezet semantike dhe emocionale që përmban, e kapërcen, por nuk e zhduk, motivin bazik:

Kolec Traboin është një mjeshtër i rimës. Lehtësia me të cilën e funksionalizon estetikisht rimën, por edhe figurat tingëlluese dhe përsëritëse, frazeologjinë shqipe, janë mahnitëse. Nuk është adhurues i risive stilistike me çdo kusht, më shumë është ndjekës i formave klasike, prandaj mund të konstatohet se lirika e tij është vazhduese e poezisë së mirë shqipe të traditës, në radhë të parë të Lasgushit, por ka pikëtakime edhe me poetikën e Zef Serembes, Ali Asllanit, kurse te vjersha „Zemër çmendurake“ ka ngjashmëri (në ritëm) me „Marathonomakun“ e Nolit, etj. Natyrisht që ka elemente të ndryshme poetike që bashkëpërkojnë, herë më shumë e herë më pak, qoftë në formë, qoftë në frymë, edhe me poezinë e autorëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë.