08 February 2017

Vrasja e Santos- kështu vret vetëm Mafia / nga Kolec Traboini


KËSHTU VRET VETËM MAFIA....

nga Kolec TRABOINI


Vetëm pak kohë pasi kishte ndodhur, shkova e pash vendin ku u vra në mënyrë mizore një bisnesmen i njohur shqiptar që shkonte në punën e tij. Ashtu siç shkonte përditë. I rregullt deri në përsosje. I aftë, plot talente dhe i përkushtuar. Ai na tregonte se si duhet të shkohej në të ardhmen. Me punë , me përkushtim. Por dikujt nuk i shkonte për mbarë kjo rregullsi e ky sukses. Është pak vështirë të mendohet se kjo vrasje në publik, në mëngjez dhe në qëndër të Tiranës madje në prani të tre policëve, dy roje e një rrugor, do të kryhej për një hakmarrje.  Dikush kërkonte ta zhdukte që ti hapej rruga për gllabërimin i bisneseve të Artan Santos. Dhe ato ishin të shumta dhe të suksesshme: Banka Credins, Universiteti Luarasi, Media grup Fokus, ku përfshihen News 24, Scan TV, Balkan Web, Gazeta Shqiptare Radio Rash. Indikacionet e rivaliteteve për këto bisnese kanë qënë të dukshme. Por gjithçka arrin të mbulohet me mister. Ne krime të tilla ku janë mpleksur fije të mafies kriminale me influenca në pushtet arrijnë të fshihen e  kurrë vrasësit e vërtetë nuk dalin. Atyre as fytyrën nuk ua gjen dot. Janë si mjegull kudo dhe askund. Mund të kapën dy kriminelët, mund të dënohen por ata me siguri nuk do të flasin, nuk do të tregojnë gjithçka sepse e dinë si veprojnë ligjet e mafias. Rrezikon tërë familjen e fisin. Prandaj gjithçka që do të gjejmë, se mbase 100 mije euro venë për kapjen e vrasësve bëjnë punë, do të jenë vrasës profesionistë, që për një dorë para vrasin njeriun më të suksesshëm në këtë vend. Ata as e kuptojnë se duke qëlluar Artan Santon jo vetëm kanë larë hesapet e padronëve, bosave të mëdhej që paguajnë shuma marramendëse për kësisoj vrasjesh, po kanë vrarë edhe besimin e populli, gjithësesi ata janë thjeshtë mekanizma qorre. Makina vrasëse në duar të Mafias. Asaj mafie që nuk është çudi që pasi i dhanë plumba, u gjënden edhe në Sheraton për homazhe, për të hedhur lule mbi arkivolin e Artan Santos. Kështu veprojnë mafiat, madje nuk e kanë për gjë të dalin të thonë para mikrofonave të TV se e kishin mik. Një miqësi mortesh.  Se vërtetë si na doli që e paskeshin pas mik të gjithë, kur  javë a dy javë më parë e kishin sharë, e kishin mohuar, madje një ortak i tij e kishte ndaluar të hynte në institucionin ku ishte bashkëpronar. Sepse kështu kuptohet kapitalizmi në Shqipëri që të jesh ujk i pamëshirshëm  përndryshe nuk bën përpara. 
Në bllok, aty tek pema, pranë shkallëve të Credit Bank ku u vra Artan Santo dikush kish shkruar "Mafia po na vret!". Po, e ka vra Mafia e mafia më së shumti rri në kupolën e shtetit, në trajtën e oligarkëve të respektuar.Po të mos kishte Padrino nuk do të kishte vrasës me pagesë. Po është e vërtetë që Mafia po na vret përditë pak e nga pak, herë këtu e herë atje, por Mafia është një përbindësh me shumë gjymtyrë e që koka e saj si një makinë që organizon vrasjet është brënda segmenteve të shtetit. Dhe kjo është katastrofale. Atje ku losin miliona, atje ku pangopësia është e lemeritëshme e që shteti nuk ka me çfarë i bën se i ka brënda tij të infiltruar, me imunitet, me rreth klanesh ku rrojnë si mbretër.
O shqiptare, Mafia po na vret! Shtet zgjohu! Prokurori, Gjyqësi, Polici zgjohuni, na shpëtoni ne edhe veten, sepse Mafia është e pamshirshme për këdo që nuk është në rrjetin e saj, ajo kurrë nuk e ndalon rrjedhjen e gjakut. Vrasja e Artan Santos, u bë prej kriminelëve në mes të Tiranës aty ku as që nuk mendohet se guxon të lëviz një vrasës, pikërisht atje qëllon sepse Mafia ka siguri dhe kërkon ta terrorizojë e gjunjëzojë këtë popull që kurrë nuk i pushuan travajat.
Po nuk u zgjuam të gjithë, ky vend ka marrë fund!

26 qershor 2014